Sokol Paja/
New York, 17 Shtator 2023 – Kryetari i Komunës së Preshevës Z.Shqiprim Arifi i shoqëruar nga z.Sami Salihu kryetar i Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës dhe Visar Memeti Shefi i Kabinetit zhvilluan vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, anëtari i Kryesisë Ilir Cubi, anëtari i Këshillit prof.Lekë Përlleshi, Editori i Diellit e vatranë të tjerë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha pas fjalëve të mirëseardhjes u shpreh “Ju garantoj dhe siguroj se do bëjmë të pamundurën për të lobuar në institucionet amerikane dhe do punojmë dhe me shtetet e Kosovës e Shqipërisë për më shumë vëmendje të shtetit kombëtar për shqiptarët në Luginë. Ne do të bëjmë gjithçka për të shtyrë përpara proceset për të zgjidhur problematikat me të cilat cilat përballet Presheva” tha ndër të tjera z.Berisha. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj apeloi për qeverinë e Kosovës e Shqipërisë për ti trajtuar problemet e shqiptarëve me kujdes të veçantë. “Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë është turp për Serbinë dhe mbarë Europën. Jam shumë i pakënaqur me qeverinë e Tiranës sidomos me Edi Ramën që e quan vëlla Vuçiçin. Serbët në Kosovë janë të privilegjuar, ndërsa shqiptarët në Luginë janë të diskriminuar. Kjo është e dhimbshme” cilësoi ndër të tjera z.Rexhaj. Dr. Pashko Camaj deklaroi se në marrëveshjen Kosovë-Serbi duhet të përfshihet me patjetër çështja e shqiptarëve në Luginë. Kryetari i Komunës së Preshevës Z.Shqiprim Arifi në fjalën e tij u shpreh: “Jemi krenar për kontributin e shqiptaro-amerikanëve. Jeni kala shqiptarie në Amerikë. Falë jush që përcillni mesazhet e duhura në institucionet amerikane, ne jemi më të qetë e më të fortë. Politika e Serbisë vazhdon axhendën antishqiptare, diskriminimin dhe politikat antishqiptare.
Nuk lejohemi të vendosim flamurin kombëtar, shqiptarët nuk punësohen, shteti vazhdon presionin, diplomat e të rinjve nuk njihen prej shtetit serb, pasivizimi i adresave të banorëve të Luginës sidomos në Medvegjë është problem kombëtar.
Po na merret shtetësia. Deri tani janë 7 mijë shqiptarë brenda 12 viteve që janë pasivizuar. Serbia po kryen në Luginë një spastrim etnik demografik. Substanca jonë kombëtare po rrezikon ekzistencën. Kërkojmë më shumë përpjekje qoftë nga Prishtina zyrtare dhe Tirana zyrtare, Lugina është në rrezik ekstrem. Shpresa jonë e vetme është Zoti dhe Amerika. Jemi minoriteti më i shkelur, më i shtypur, më i diskriminuar në Europë” tha z.Arifi. Më tej ai ekspozoi para vatranëve përpjekjet komunale për rritjen e punësimit në Luginë, zhvillimin ekonomik, ndryshimet infrastrukturore e rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Z.Arifi theksoi se Rezoluta kundër pasivizimit është futur në Parlamentin Europian dhe po përpiqet për tu futur në Këshillin e Europës. Gjatë takimit vëllazëror në Vatër pyetën dhe diskutuan në takim Tom Paloka, Dorand Vojka, Faton Zogejani, Afërdita Paloka dhe Ilir Cubi. Në takim u dakordësua për shtim të lobimit dhe vëmendje të shtuar për shqiptarët e Preshevës.