
“Me kënaqësi të veçantë e uroj mikun tim, Dr. Elmi Berisha, për rizgjedhjen në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, një prej institucioneve më të rëndësishme dhe më jetëgjata të historisë sonë kombëtare.
Për më shumë se një shekull, “Vatra” ka qenë zëri i shqiptarëve në Amerikë dhe një urë e fuqishme mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga Fan Noli e Faik Konica e deri te brezat e sotëm të shqiptaro-amerikanëve, “Vatra” ka bartur një mision të jashtëzakonshëm, ruajtjen e identitetit kombëtar, mbrojtjen e interesave shqiptare dhe fuqizimin e zërit tonë atje ku janë marrë vendime të rëndësishme për fatin e kombit tonë.
Elmiu përkushtimin ndaj çështjes shqiptare e ka prej dekadash, të ndërtuar me punë, me këmbëngulje dhe me një besim të palëkundur se shqiptarët duhet ta kenë zërin e tyre të fuqishëm në Amerikë. Nga Kosova te mbarë hapësira shqiptare, Elmiu ka qenë aty ku është kërkuar angazhim, lidhje, përfaqësim dhe mbështetje.
Për të, çështja shqiptare nuk ka qenë asnjëherë detyrë protokollare, ka qenë mision jetësor, prandaj i gëzohem rizgjedhjes së tij sepse me të, “Vatra” do të vazhdojë të jetë një adresë e fuqishme e bashkimit shqiptar dhe e miqësisë sonë të përhershme me Amerikën.
Urime, shok! Shumë suksese në mandatin e ri! ![]()
![]()
“