Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj me 3 dhe 4 Qershor 2017 ishte i ftuar nga dega e Vatrës në Worcester, MA. Ai shoqërohej nga zonja Nikoleta, djali Leka me nusen Frances, si dhe editor i Diellit Dalip Greca. Ishte i ftuar, mori pjese dhe regjistroi Festivalin Shqiptar si dhe veprimtarinë e Vatrës, TV Kultura Shqiptare me zotin Adem Belliu, që shoqërohej nga zonja e Tij, Mimoza Belliu.
Të ftuarit ndoqën të Shtunën dhe të dielën Festivalin Shqiptar të orgnizuar nga St. Mary’s Albanian Orthodoks Church në Worcester, MA dhe u takuan me bashkatdhetarët e vatranët. Kryetari i Vatrës u prit nga z. John Lito, kryetari i degës së Vatrës, nënkryetari Prof. Dhimitër Skënde, nga sekretari Thanas Gjika,aktivisti Franklin Zdruli etj.
Të dielën paradite, me 4 Qershor, Kryetari i Vatrës dhe editori i Diellit u takuan me bordin e degës së Vatrës në një nga mjediset e një NU Cafe’ në Chandler Str., një prej kafeneve më të frekuentuara edhe nga shqiptarët, kafe karakteristike këto në Amerikën e Veriut, me hapsirë të bollshme, me kënde studimi,kënde për muzikantë, që luajnë për klientët, kënde librash,studimi etj. Në takimin morën pjesë: John Lito, kryetar i degës; Prof. Dhimiter Skende, nenkryetar i degës; Thanas Gjika- sekretar, Olsi Gjinko, autosale & repare, mbështetës i degës; Michael Sholla, Franklin Zdruli, aktivist i njohur dhe pjese e Vatres etj.Kryetari i degës së Vatrës në Worcester John Lito i uroi mirëseardhjen Kryetarit Buçaj dhe e prezantoi me bordin e degës.
Sekretari i degës z. Thanas Gjika mes të tjerash tha se: “Federata Vatra është shoqëri atdhetare kulturore e cila në politikë mbështet politikën proshqiptare demokratike të qeverisë amerikane. Ne si degë kemi nevojë që qendra e shoqërisë Vatra të na ndihmojë për të bërë presion në Town Hall të qytetit tonë ku jemi rreth 20.000 shqiptarë që të na japë disa fonde për zhvillimin e kulturës shqiptare, sporteve, këngëve, grupet e valleve, na duhen ambjente për zyrë e aktivitete, etj. Kemi nevojë që të kemi në Town Hall një përfaqësues shqiptar, tha Gjika.
Ai tregoi edhe për mënyrën se si po afrohet dega e Vatrës me komunitetin për të shtuar radhët me vatranë të rinj. Unë, tha ai, po shkruaj për Gazetën Dielli potrete e biografi veprimtarësh të shquar të komunitetit të Worcester-it, me qëllim që të njihen, të afrohemi me ta e të shtojmë rradhët e shoqërisë Vatra.”
Kryetari John(Zhani) Lito kërkoi nga kryetari Buçaj, që të përcjellë një informacion për qëndrimet dhe veprimtaritë Vatrës në e qendër.
Kryetari Buçaj, pasi foli për Kuvendin që mblidhet me 10 Qershor në Nju Jork, sqaroi pozicionin e Vatrës në raport me partitë politike dhe tendencën e saj për të qëndruar mbi partitë, duke u mbajtur fort pas Çështjes Kombëtare,e cila qëndron mbi interesat dhe flamujt e partive politike.
-nuk është faji ynë, tha dr. Buçaj, që pozita aktuale, që ka pushtetin në Shqipëri, nuk i është afruar asnjëherë derës së Vatrës, edhe pse një përfaqësi e Vatrës, ka shkuar në Hotelin, ku ka bujtë Kryeministri Rama dhe jemi takuar me të, i kemi uruar detyren.Po ashtu Kryetari Buçaj,sqaroi edhe arsyen pse Vatra nuk u bë fasadë për samitin e Kryeministrit.
Vatra, tha dr. Buçaj, kur ka konstatuar shkelje të interesave kombëtare, nuk e ka kursyer kritikën as së majtës e as së djathtës, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë. Është i njohur qëndrimi i Vatrës ndaj çështjes çame, ndaj varrezave greke në Shqipëri,qëndrimit pakompromis në integrimit e ish të përndjekurve politik, për reformën në Drejtësi, për dekriminalizimin e shoqërisë, për korrupsionin, trafikun e drogës, për problemet e pronës etj.
Gjatë takimit diskutuan dhe shfaqën mendime edhe Franklin Zdruli dhe Olsi Gjinko.
Më pas Kryetari Buçaj dhe shoqëruesit e tij u takuan me bashkatdhetarë dhe vizituan ekspozitat artistike që ishin hapur në mjediset e St. Mary’s Albanian Orthodoks Church.
Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, i shoqëruar nga Kryetari i degës John Lito(arkëtar i Festivalit Shqiptar),dy bashkëdrejtuesit e Festivalit,Greg Steffon dhe Franklin Zdruli, si dhe sekretari Thanas Gjika, të dielën u prezantua para publikut të shumtë që ndiqte Festivalin.Z. Greg Steffon i ka uruar mirëseardhjen Kryetarit të Vatrës dr. Gjon Buçaj së bashku me shoqëruesit e tij dhe ka vlerësuar ardhjen nga Nju Jorku, për t’u bërë pjesë e festivalit.
Dr. Gjon Buçaj ka përshëndetur pjesmarëësit, ka uruar organizatorët e Festivalit dhe ka vlërsuar organizimin e përsosur dhe ruajtjen e traditave nga komuniteti shqiptar, ku brezat bashkrëndojnë të lidhur ngushtësisht me njeri-tjetrin, madje edhe me komunitetet e tjerë. Ai vlerësoi shpalosjen e traditave, kulturës, ruajtjen e gjuhës së bukur shqipe,kuzhinën shqiptare, që aq shumë u shijua edhe nga amerikanët në këtë festival 3-ditor.
Nje reportazh, qe do te publikohet se shpejti ne Dielli per Festivalin do te sjelle atmosferen festive dhe te vecantat organizative, nga te cilat duhet te mesoje Komuniteti shqiptar ne SHBA.(DIELLI)