
New York, 7 Korrik 2023 – Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e Bashkisë së New York z.Eric Adams. Në ambientet e një biznesi të ri e të suksesshëm shqiptar “Bato Coffee and Wine” në Bronx, kryetari i Bashkisë së New York-ut Eric Adams zhvilloi një bisedë informuese dhe falënderuese me bizneset shqiptare në Bronx duke i vlerësuar për shërbimin, fuqizimin ekonomik, rritjen e punësimit, forcimin e pozitave në fushat përkatëse dhe ndihma e madhe në zinxhirin ekonomik të qytetit e shtetit të New York-ut. Kryebashkiaku Adams i çmoi shqiptarët në këtë takim ekonomik si njerëz punëtorë të mëdhenj, të ndershëm, të devotshëm, të përkushtuar, e dinjitozë. Sipas z.Adams, New Yorku ka më shumë siguri publike, zhvillim e cilësi jete falë edhe punës së shkëlqyer të komunitetit shqiptar. Z.Adams u dha garanci dhe i ftoi bizneset shqiptare që të rrisin kapacitetet, të shtojnë ofertat në mënyrë që duke rritur shërbimet për konsumatorët të rrisin e forcojnë tregun, ekonominë familjare dhe shtetërore.