Zv/ kryetari i Vatrës, Asllan Bushati gjatë vizitës së tij private në Tiranë, u prit me 16 maj nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë , njëkohësisht Kryetar i Bashkisë së Kryeqytetit, z. Lulzim Basha.I pranishëm në takim ishte edhe këshilltari për diasporën në PD, z. Rasim Hasanaj.
Zv/ Kryetari i Vatrës e uroi z. Basha në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA për zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të PD-së, për arritjet në Bashkinë e Tiranës dhe opozitarizmin ndaj Qeverisë.
Nga ana e tij, zoti Basha vlerësoi Federatën Panshqiptare të Amerikës për kontributin e saj në çështjen Kombëtare. Vatra, tha ai, është organizata më e vjetër e Kombit. Jeta e saj 102 vjeçare është pasuri kombëtare. Me punën dhe veprimtarinë e saj krenohemi të gjithë. Disa shoqata e organizata në kohë e momente të ndryshme janë ngritur përpjetë si në valim, por ashtu shpejt e shpejt kanë rënë poshtë, kurse Vatra u ka rezistuar stuhive të kohës.
E kam vizituar Vatrën 2 herë dhe e ndiej në shpirt atë që ajo ka bërë për kombin. Në njëfarë mënyrë edhe unë si Lulzim Basha e ndiej veten Vatran dhe krenohem për këtë, tha kreu i PD-së.
Vatra ka bashkëpunuar me të djathtën sepse program i saj Kombëtar e gjenë në këtë pozicion të përbashkët. Do ta dëshiroja edhe në të ardhmen bashkëpunimin, duke mirëkuptuar qëndrimin e pavarur të Federatës Panshqiptare VATRA. Jemi të ndërgjegjshëm të pranojmë faktin se Vatra është pasuri Kombëtare. Vatra lypset të mbetet thellësisht kombëtare e respektuar dhe e dashur për të gjithë shqiptarët.
Zoti Basha informoi për betejën që po zhvillon opozita për të ndalë revanshin e së majtës qeveritare, për korrupsionin, narko-trafikun, nepotizmin e militantizmin në administratë, pushimet masive në administratë, futjen e të inkriminuarëve në polici etj.Po ashtu ai denoncoi, rehabilitimin publik nga e majta në pushtet, e figurës së urryer të diktatorit komunist, Enver Hoxha.
Z Basha tha se do të përurohej në kryeqytet një monument për qëndrestarët kundër diktaturës komunistë,të përndjekurit, ku do të ishte e mirëpritur edhe Vatra.
Ne,tha Basha, po zhvillojmë një beteje opozitare të fortë në parlament e në media, në sheshe, por mbi të gjitha një betejë ligjore ku pothuajse gjykatat vazhdimisht kanë vendosur në mbështetje të kontestimeve të PD-së. Kjo është një luftë e përditshme e në të gjitha frontet sepse qeverisja Rama-Meta vepron për interesa të klaneve të cilat e kanë marrë peng e jo për interesa të mëdha kombëtare, tha Basha.
Zv/ Kryetari i Vatrës, e informoi z. Basha se pas 100 vjetorit të saj, Vatra po riorganizohet dhe po ngre njëra pas tjetrës degë nëpër shtetet e Amerikës, po rrit anëtarësinë dhe po shton veprimtaritë kombëtare. Ajo aktualisht ka 4 degë në NY, dy në Florida, një në Washington, një Michigan, një në Connecticut , një në Boston dhe një në Kanada.
Z. Bushati e informoi z. Basha edhe për përgatitjet që po bëhen për Kuvendin vjetor të Vatrës dhe përshtatjen e Kanunores historike të Federatës. Vatra do të vazhdojë të jetë e fokusuar fort në çështjen Kombëtare.
Zv/ Kryetari i Vatrës i paraqiti kreut të PD edhe disa shqetësime të Vatrës për disa zhvillime të fundit në Shqipëri. Ka një lëvizje regresive nga e majta për rehabilitimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha.Kjo për Vatrën përbën provokim kombëtar. Vatra nderon e respekton dëshmorët që ranë në LDB, invalidët e saj e idealizmin për çlirimin nga okupatori fashisto-nazist, ashtu siç nderon dëshmorët nacionalistë dhe qëndrestarët përballë diktaturës komuniste.Vatra e respekton edhe kontributin e nacionalistëve në Luftën e II Botërore.
Përpjekja për rivlerësimin deri shëndritjen e figurës së urryer të Enver Hoxhës, për Vatrën është fyerje kombëtare.
Bushati e informoi z. Basha edhe për veprimtaritë e përbashkëta të Vatrës me Komunitetin Shqiptar siç ishte demonstrata në Washington kundër Kryeministrit malazes Gjukanoviç për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, si dhe demontratën kund Kryepeshkopit Janullatos në Universitetin Fordham në New York.
Z. Bushati, paraqiti rezervat e Vatrës në qeverisjen e deritanishme të së majtës shqiptare, duke u ndalur në korrupsionin, narkotrafikun, largimin masiv nga administrata të nëpunësve të kualifikuar duke i zëvendësuar me militantë, përfshi dhe policinë e shtetit, marrja e të gjithë pushteteve nga kryeministri Rama, duke fshirë ndarjet kushtetuse të pushteteve dhe duke dhunuar kështu themelet e demokracisë.(Ne Foto: Kryetari i PD Lulzim Basha dhe zv/Kryetari i Vatrës Asllan Bushati?