
U mbushën 14 vjet prej kur pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Arbnorit.
Zemra e një martiri, e një njeriu që luftoi në çdo çast të jetës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.
Edhe përgjatë 28 viteve në burg, si i burgosur i ndërgjegjes!
Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, është shembëlltyra e krimeve të regjimit diktatorial!
Sepse hyri në burg 26 vjeç e doli prej burgut 54 vjeç!
Ku je, Pjetër Arbnori?
Thërras pa zë, me këtë apelativ që bën jehonë pasi sot më tepër se kurrë Pjetër Arbnori i duhej Shqipërisë!
Ku je, Pjetër Arbnori?
Me e çue në këmbë atë shqiptari që po zvarritet e nuk po çohet dot në këmbë!
Sepse nuk beson tek ata që e mashtruan!
Kemi patur fat të njihemi me Pjetër Arbnorin. Skënderi ka bashkëpunuar me Pjetrën kur ishte në krye të RTSH, unë si gazetare.
Pas 1997 kur u vendosëm në Zvicër dhe kontribuonim tek Bota Sot, Pjetër Arbnori ishte miku i gazetës që ngrinte në këmbë kombin!
Sa herë do të vinte në Zvicër, do ta intervistoja, gjerë e gjatë. Intervistat botoheshin me vijime dhe bëjnë një libër të veçantë.
Pjetër Arbnori ishte njeriu i urtë, pajtues, paqebërës; njeriu i sakrificave, i burgjeve, por edhe i grevës 21 ditore të 1997, kur shkoi afër vdekjes për hir të lirisë të fjalës; ishte njeriu që kishte përjetuar deri në kockë persekutimin e regjimit komunist, por që shihte përpara, pa bërë koncensione me të vërtetat; Pjetër Arbnori ishte shkrimtari, njeriu i letrave, me zemër të ndjeshme, që diktatura ia vrau rininë, por kurrë jo humorin shkodran dhe inteligjencien. Do të mbetet i paharruar si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë prej 1992 deri 1997, që e ka drejtuar në mënyrë virtuoze, si një personalitet me vizion kombëtar.
Tridhjetë vitet e burgut nuk e bënë hakmarrës, përkundrazi e bënë që të jetë një nga themeluesit e parë të pluralizmit politik në Shqipëri.
Jo si shumica e klasës politike që vinte nga zyrat e diktaturës dhe e shihte demokracinë si shans për t’u pasuruar!
Ku je, Pjetër Arbnori ?
Politikani me integritet tek i cili besonin shqiptarët!
Për herë të fundit, jemi dëgjuar me telefon me Pjetrën, kur u përhap lajmi se e kishin emëruar Ambasador në Vatikan!
Ishte shumë pak për formatin e tij, por megjithatë Pjetër Arbnori e kishte pritur mirë këtë lajm.
Që në fakt nuk ishte i vërtetë.
Merreni me mend, në zgjedhjet e 2004, Pjetër Arbnori nuk ishte deputet i PD.
PD kishte përfshirë në listat, rrënimtarët e saj, por jo Pjetër Arbnorin.
Është veprimi i parë eksplicit i lidërshipit të PD për rrëshkitjen nga obligimet si parti e qendrës së djathtë!
PD e tradhtoi Pjetër Arbnorin, ndërsa Pjetër Arbnori ishte dhe mbetet simboli i pluralizmit politik shqiptar!
Ku je, Pjetër Arbnori!
Atje prej Parajse zgjoje ndërgjegjen shqiptare prej dal prej burgut të indiferencës, sepse nuk ka pasuri më të madhe se liria!