
Behar Gjoka/
Qasja më pranë veprës letrare të Martin Camajt, e veçmas në prozën e tij, kaq të larme dhe me vlera të njëmendata, gjermëtani të pohuar dhe mohuar si vlerë dhe kahje modernitetit, është më tepër se sa thjesht një kërshëri e zakontë, që ta zatet mendjen dhe shpirtin kur e di se përgjithësisht prurjet letrare të këtij autori janë prekur dhe pohuar nga ana e studimeve letrare të shqipes, ndonëse jo në të gjithë përmasën dhe unitetin e vet formësues, më tepër se përjetim i thjeshtë emocional, që buron më tepër edhe prej faktit se ky shkrimtar në gjallje dhe amshim, si vlerë dhe pranim i saj në panteonin e letrave shqipe vijon që të mbetet në arrati, në kuptimin konkret dhe figurativ të kësaj fjale, madje emri dhe vepra letrare e tij, shënon një fakt letrarësie shumë më tepër se sa zbulim i një universi artistik, të paqëmtuar dhe verifikuar, realisht dhe në të gjitha përmasat e veta, kthehet natyrshëm kështu në një detyrim të vetvetishëm si mirënjohje dhe vlerësim për autorin, veçmas për tekstet e shkruara prej tij, qëllimisht dhe, për të zezën e letrave shqipe, të fshirë në njëfarë mase edhe prej kujtesës së bashkëkombasve, sidomos të vlerave të artit të fjalës, për një periudhë pesëdhjetë vjeçare. Gjithashtu leximi dhe rileximi i krijimtarisë së shkrimtarit, kjo madje shënon edhe fillimin e rikthimit të Camajt dhe krijimtarisë së gjerë letrare të tij në panteonin e letrave shqipe, është dhe do të mbetet edhe për disa kohë një rrekje siprore për të shfletuar visare të çmuara të shkruara në gjuhën shqipe, që me siguri do të tundonte cilindo mëtonjës dhe posedues të dokoratave dhe çmimeve letrare të gjerëtanishme, brenda dhe jashtë vendit. Martin Camajn, si mjeshtër i shkrimit letrar, në poezi dhe prozë, në dramë dhe studimtari, letërsia jonë, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, duke shënuar edhe në këtë kuptim një rast unik, si vijues i një tradite më të hershme të figurave të shkrimtarisë, që mbushinin boshëtirën e pranishme në letrat shqipe, veçan harku i letrares së bashkëkohësisë, si shtrat dhe rrjedhë e natyrshme, e kishte në prehërin e vetë totalisht, por për mjerim dhe absurditet të pashpjegueshëm në rrafshet logjie normale, mungonte si fakt shpërfaqjeje dhe dëshmie letrare, pra ishte dhe është ende edhe tani, më tepër një paprani e pranishme në të gjitha dimensionet e veta në shenjat letrare të endura në gjuhën shqipe… Eh, diktatura që e lamë pas, tashmë gjithkush mund të fshihet prapa saj, më e tmerrshmja në botë po thonë gjithnjë e më shpesh, ky makth i keq dhe shkatërrimtar, që na zuri për fyti ne shqiptarëve e s’po na lëshon ende, përpos tjerash prangosi si në asnjë vend tjetër krijuesit dhe tekstet letrare me mallkim, ndalim dhe përzënie prej panteonit letrar dhe artistik. Shtrëngoi fort për fyti të gjallët, por pa harruar edhe të vdekurit, por edhe ata që do të lindin. E të mos harrojmë, kurrëmos të mos ndodhë harrimi i gjamës dhe tjetërsimit të qenies deri në këtë stad, të mos e harrojmë tmerrin që ngjau ca vite më parë, tmerrin e zhbërjes si njerëz, si popull dhe si komb… Për të mos rënë sërish këtyre kreshtave dhe kthetrave zezonë dhe humnerë e frikshme, shkrimtari si disa të tjerë që nuk e duruan terrin dhe tmerrin e pamerituar, mori arratinë (sa mbprashtë shprehet ndokush tani se paskërka ikur kryesisht për shkaqe ekonomike), larg atdheut, por ai iku, ku sytë këmbët, me merakun e pashuar se laku e kishte shtrënguar fort parzmin e vatanit dhe atdheun e shqiponjave. Malli i përzhitur, për gjak e gjini, për tokën dhe vendlidjen e dashur, erdhi e t’u madhua deri në pikëllim të rënduar sa mezi e ngrinin supet e rame nga dhimbja dhe përgjërata e mërgimit, lëngatës së hershme dhe të vonë të arbënorëve, e cila si një flakë përvëluese, madje dhe krejt e brendshme, që s’nxjerrë as flakë e as tym, por veçse rrezaton përmallimin, brengën, admirimin për dheun që mund të ishte parajsa, e për dreq dogmat dhe diktatura çnjerëzore, ideologjia dhe paragjykimet, ndarjet dhe konfliketet krahinore dhe fetare, e kanë shpërndërruar në ferr dhe gjamë të pa shërim… Fatlumnisht, ikanak dhe krejt i harruar, prej kohës së pakohë, tashmë në perëndimin e largët, Camaj sendërtoi botën shqiptare, botën që e kishte rrasur në gji dhe shpirt, midis ëndrrash dhe zhgjëndrrash, reales dhe imagjinares, iluzionit dhe konkretes së hidhur, ashtu siç e mbante mend kur iku prej dheut, për gjithë natën dhe me brengën e pashqitshme për fatin e vendit dhe të bashkëkombasve të vetë, madje tanimë i shpërfaqur edhe si një realitet tejet tronditës, kapërthurur në një dyfishësi letrare të beftë, moderne dhe klasike, humane dhe primitive, adhuruesit e së bukurës dhe egoistët më të thekur dhe mbase të pakundshoqshëm, shkatërrues dhe progresist (përparimtar), i kapërthyer natyrëshm në këtë ndërliksje të beftë dhe të habitshme artistike, si një rrjedhojë logjike e letërsisë shqiptare, larg dhe krejt ndryshe prej socrealizmit, si dhe dritëhijeve sociologjizante, në kthetrat psikologjike vepruese dhe shprehësinë artikuluese, të përsosur si shprehësi, si në të gjithë krijimtarinë, vetvetiu shpërfaqet po ashtu edhe në faqet e novelës Pishtarët e natës, një krijim i beftë letrar, që ka si paratekst një poezi të shkruar në vitin 1954 nga shkrimtari, pra duke e ndërlidhur dhe funksionalizuar mjaft qartë krijimtarinë e tij.
Nën dritën e pishtarëve
Pikërisht ngjyer dhe i mbytur plotësisht nën vezullimin dhe farfurimën e xixëllimave natësore, ndodh thjesht dhe bukur ajo që është sa jetësore, pra përtrimja e ndjenjës së dashurisë midis dy bashkëshortëve, e parë kjo praktikë shkrimore autoriale si përsëdytje dhe vazhdimësi, si gëzim dhe shtendosje nga moria e halleve të ditëve stërmunduese, duke u shpërfaqur kështu po aq e ngjizur edhe në vrundujtë e fantazisë së ndezur dhe të fuqishme të autorit, tanimë edhe si shkrim i prozës. Në novelën Pishtarët e natës ka një raport vetanak dhe krejt të papërsëritshëm të të dy partnerëve, burrit dhe gruas, të shpërndërruar vetvetiu në hapësirën e këtij teksti në dy dashnorë të përvuajtur dhe të çmendur, të cilët ndonëse tani janë në moshë të kaluar (të thyerë), ata prapëseprapë dhe çuditërisht jetojnë më tepër adoleshencën e vonuar, në shprehjen dhe përjetimin e ndjenjave të dashurisë, në këtë rast madje ashtu siç e përcjell teksti i novelës, më shumë nga ana e burrit, por edhe gruaja, e shpërndërruar në sytë e tij dhe të lexuesit më tepër në dashnore, i vete pas si një kanakare e butë dhe tejet e bindur në këtë lojë të përtrimjes së dashurisë, e futen me dëshirë të parrëfyer në lojën bashkëshortore të dashnorëve të përmalluar, çka e bën që vetiu dhe natyrshëm të shpërthejnë thashethanat, aq të pranishme në jetën e shqiptarëve, në çdo sferë të jetës, e sidomos në rrënimin e jetës intime të tjetrit. Këtu, pra në hapësirat e tekstit të kësaj proze, por edhe në këtë Shqipërinë tonë, adoleshente në mendim dhe veprim, në fjalë dhe logjikë, lumi i thashethemeve të gjata dhe krejtësisht të jargavitura, ka një bazë dhe fondament të fortë ekzistencial, sepse për çdo natë qielli natësor i malit dhe malësisë griset dhe shkafnjyhet, ndritet dhe shkjëlqen prej pishtarëve të çuditshëm të natës… Kur zbardhon dita tjetër, pra dita e re, përpara njerëzve zbulohet qartësisht ana tjetër e medaljes, dhe tashmë në sfondin e ngjarjeve të novelës, të tekstit që më tepër i ngre kult dashurisë, mbase përtrimjes dhe përlindjes së saj, ndjenjës më humane, e mbulon zymtësia e punëve të përditshme, dhe veçanërisht këtu prekim përgjërimin për tokën, çka e mërgon larg dhe tutje brishtësinë fine të netëve të errta, që përkdhelin dhe gëlltisin ndiçimin e thekur të pishtarëve, që lëshoin dritë në terrin e natës, sikur bukarezat, drtiëfikëse a drtiëndezëse. Kryefamiljari, nuk kulmin e gamednit nuk ka se si e lejon nëpërkëmbjen e të tjerëve, afër dhe larg, aq më tepër që të përkëmbet edhe vetë ai, por nëse e ndjen veten zot shtëpie dhe zot i vetes, i duhet që t’i braktis lëkundjet dhe mëdyshjet, dhe të rraset në lojën e ëmbël bashkëshortore, tashmë pa e kuptuar se edhe vet atë e ka zatet dhe kaplue marrëzia… Kjo e fundit, vërtet e rëndësishme dhe thelbësore, jetike dhe letrare, por e thënme krejt natyrshëm, pra si një kod i vetvetishëm dhe brendanjerëzor, por edhe i domosdoshëm për çdo individ dhe komunitet, se jetën e qenies njerëzore e përbën dhe e mban gjallë puna dhe dashuria, një mesazh ky me thellësi organike dhe funksionale i veprës, madje i mbishtresimeve tekstologjike, dhe ato janë tekefundit vetëmse dy shinat (pra dy protagonistët e novelës), nëpër të cilat ka ecur vazhdimisht njerëzia. Eh, sapo dielli vrapon drejt perëndimit, burri dhe gruaja, Niku dhe Lula, madje drejt një ikje të zakonshme dhe normale, rrufeshëm dhe me furi feksin sërish xixëllimat e përnatshme dhe njerëzit, kudoqë që gjenden, pa grimën e ndërdyshjes, tashmë vetëm sa mbyllin portat dhe dritësoret, sepse e kanë kuptuar më në fund se nuk ka orë dhe zana, se nuk ka aspak bredhje hipokrite, përkundrazi jeta vijon fillin e gjallimit me tërë forcën e dashurisë…
Legjendarizimi jetësor
Ajo që paraqitet dhe na zbulohet në këtë novelë, një tekst i beftë dhe me shumë shtreszime, rrëfimore dhe të shprehësie, thënie dhe artthënie letrare, tashmë në kontekstin e subjektit dhe të fabulës, që në shumicën e vetë rrjedhin njëtrajtëshmsrisht, gjithsesi me shenja të dukshme klasike, porse pranëngjitur me to të gërshetuara edhe me thyerje moderne shkrimore, herë të avitet kaq shumë pranë sa ke përshtypjen se po të zihet fryma nga ky pështjellim i frikshëm dhe ëmbëlcak, herë – herë fluturon krejt larg, shumë larg, mbase në fillesat ekzistenciale të jetës njerëzore dhe shqiptare, kur orët dhe zanat bashkëjetonin me njeriun e zakonshëm, ku jeta tokohet më tepër me legjendën, madje zanat dhe orët, tashmë jerëz edhe hidhnin vallen e lumturisë, e herazi pamjen e pushton totalisht sipërfaqja e akujve të ngrirë, që padyshim ta shpërfaqin plotërisht natyrën specifike dhe madhështore, që na e dhuruan dhe dhunuan kaq bujarisht miqtë e dashamirët e kombit, nëpër kaq shekuj dhe mote, sidomos gjatë shekullit të njëzet. Brenda veprës, pra në hapësirën tekstologjike të novelës, si tipologji shkrimore e llojit të mesëm të prozës, lëvizin dhe pilikunden, ikin dhe kthehen, njëherazi, madje me një bashkëtingëllimë të habitshme, historia dhe realiteti i prekshëm, konkretja dhe mitikja, që po e jetojmë edhe kësaj ndërkohje, me jo pak dromca mjerimi. Termi histori do të duhet ta marrim vetëm në korrelacion (marrëdhënie), të figurshëm, pra historikja e pranishme si element i vërtetë dhe qenësor i veprës, që të çon vetvetishëm tek çasti kulmor dhe fatlum, i pritur me kaq endje, sepse kombi shqiptar ia mbërriti më në fund që ta kishte pavarësinë nga Perandoria Osmane; hëm, por edhe fatkob njëherësh, sepse pikërisht në fillim të shekullit të kaluar, pra të shekullit të njëzet u shkrua dhe vulos, pa grimën e delikatesës diplomatike, edhe copëtimi i trojeve shqiptare në pesë shtete… (Nga viti 1999 e tëhu ka nisur realisht rishikimi i padrejtësisve të kryera në kurriz të shqiptarëve dhe trojeve të tyre.) Atëherë, në distancnë letrare më së shumtit, patjetër vetëdija kombëtare, ishte më e thjeshtë në shprehje dhe konceptim, ishte mbase si një kore vepruese e gjakut dhe sakrificave të kryera, gjer tek pamvarësimi mbas gati pesë shekujsh sundimi otoman, madje krejt e prekshme si situatë dhe si vizion, si një kullë e ndërtuar vetë, si tokë e larë me djersën e ballit dhe me rrëke gjaku, si mbrojtje e nderit të familjes, por edhe si gëzim i erotizmit, ndjenjës përtrimse të jetës dhe përjetësisë, me gjasë më shumë i dashurisë, pa asnjë konvencion ndarës dhe kufizues të qenies njerëzore. Përqasja e domosdoshme me mjedisin përqark dhe më gjerë se sa kaq, kuptohet qartësisht, ku edhe po luhen ngjarjet e novelës, mbase ka të bëjë më shumë me fatet e personazheve kryesorë dhe dytësorë, e sidomos nga prania e fantastikes, me origjinë mitin dhe legjendën, si ngjyresë dha thalb shkrimor, e cila vjen në situime të befta letrare, si pasojë e përpunimit dhe rishkrimit autorial, çka bëhet e dukshme nga orët dhe zanat (mbase më tepër nga hija e tyre, që bredhëron maleve dhe në kokat e malësorëve), që lëvizin krejt lirshëm, madje jo vetëm si element ilustrativ dhe zbulurimor, përkundër si një atmosferë e pastër e mjedisit ku dhe janë vendosur dhe shpalosen ngjarjet e novelës, interferon natyrshëm më tepër me viset ku edhe gjellojnë ende legjendat epike dhe lirike, legjendat e gjakut dhe të jetës, aq të larmishme në oralitetin popullor, djep i të cilave është dhe do të mbetet aty ku i thonë … Bukës – bukë e ujit – uji…, pra në të gjitha trojet shqiptare. Eh, siç thotë fjala e urtë e popullit shqiptar, më mirë vonë se sa kurrë, zaten ky është edhe fati ynë, madje fatkobi ynë i pashqitshëm. Është rasti i shprazur më vërtetësi dhe magjikë letrare, që t’i prekim faqet e një atdhetarizmi modern, të ngjyerë edhe me njomështinë e mallit të mërgimtarit, ravijëzuar logjikisht dhe letrarisht prej shkrimtarit mendimtar, filozof dhe ideolog i kombit dhe i racës shqiptare, mbase rilindas i vonë (i mbramë) ose bashkëkohor, i fatit të shqipes dhe të kombit shqiptar, kudoqë gjallon, në Shqipëri, në trojet etnike dhe patjetër edhe në diasporën, e hershme apo të vonë, larg dhe afër.
Bashkëbisedim linear
Qarku letrar, përfshirës dhe qarkues, real dhe imagjinar, i tekstit të kësaj novele, nëpër të cilin thuret dhe endet jeta e mjedisit dhe sidomos ajo e personazheve kryesorë dhe dytësorë, plot mundime dhe rrezëllitje, meditim dhe endje në ferrin jetësor, rropatjet stërmunduese për t’i jetuar edhe ato pak grima jete, që askush nuk t’i falë dhe dhuron në këtë botë, porse në të gjitha rastet ato vetëm fitohen dhe meritohen, mbase me shumë sakrifica dhe strapacime, natyrisht të rrëfyera përmes vetës së parë, ka bërë që linja drejtëvizore (lineare dhe e njëtrajtshme), e episodeve të novelës, të fitojë peshë specifike të ndjeshme, të përforcohet edhe nga prania e përthyrejeve të frizurave moderne, e në jo pak raste edhe të shpërfaq kontrapunkte (kapërcime të rrufeshme), befasuese dhe funksionale, si dhe përthyerjet rotrospektive, pra kthimet mbrapa në kohë dhe hapësirë, madje deri në kohën mitike dhe të kaluar, ka gjasa edhe në kohën e legjendave, njëherit kjo pezulli subjektore e fabulës së këtij teksti, të vetvetishëm dhe të mëvetësishëm si shkrim proze, të jetë edhe fluide, por edhe po aq e kapshme në shpalimin letrar. Duke qenë, mbase vatra kryesore rrëfimore e novelës, pra epiqendra e universit letrar të këtij teksti, autori ndërkallet i tëri brenda tekstit të kësaj proze, madje narratori kryesor rraset m’u në thelbin ekzistencial të kësaj botë të çuditshme dhe absurde, shkëlqimtare dhe vrasëse, në marrëdhëniet ndërkohore dhe ndërhapësinore, gjithnjë e pa e humbur drejtpeshimin dhe distancën e vëzhguesit të hollë, herë të jashtëm, por nganjëherë edhe të brendshëm, ndërfutur në palcën e protagonistëve, duke realizuar kështu një vepër të arrirë artistike, qoftë në bashkëbisedimin vetërrëfyes, por njëherit edhe në dialogun e personazheve, çka e ka bërë autorin më tepër të gjithëpranishëm, me mallin e pashuar për tokën, me zjarrin e ndezur të dashurisë në zemër, me ëndrrën e ngrirë të vendlindjes, bash sikur në ditën kur e braktisi atë, në motet e tramundanës së komunizmit. Kështu, ky tekst i ndërlikuar si hapësira tekstologjike dhe ngjyresa rrëfimore, madje i pasur edhe me trajtat e shtresëzimeve tekstologjike, pratekstulae dhe hipertekstuale, që e rrëshqasin si pa u ndejrë në thekllinat e një proze bashkëkohore, bëhet edhe një situatë konkrete dhe jetësore, por po kaq fuqishëm edhe një imazh konkret i jetës, veçse e jetuar dhëmbë për dhëmbë, tashmë jo prej trimërisë e kuvendit, por kryesisht prej punës së palodhshme, që edhe i shkon për shtati historisë së qytetëruar të kombit shqiptar, të përkudur nëpër rrahtët e qytetërimit greko – romak, megjithatë të ndëshkuar nga historia padrejtësisht, gjë që përmblidhet mbase edhe në genin etik, por sidomos në ngjarjet dhe bëmat e shkruara, në sa e sa dokumenta dhe arshiva të botës, për shkak të derdhjes së pa fre të perandorive të lidjes dhe perëndimit në këto treva, në figurat historike dhe reale, të pranishme në historinë e kaq e ka shekujve të jetuar në këto troje, por krejt logjikshëm dhe me art, autori i qaset fatit të atdheut edhe për të shembur, njëherë e përgjithmonë edhe krenarinë pa krenari , atë marri të çmendur të ne shqiptarëve, për mote dhe shekuj, aq shumë të përfolur nëpër këto dhjetëvjeçare, të shembjes në krahët e komunizmit, pa dhe me dëshirë, dhe mandej në një eksperiment të pashmangshëm edhe në sistemin demokratik, natyrisht për ta futur shqiptarin, si popull dhe komb, si individ dhe komunitet, në binarin e punëve të dobishme, veçse tashmë si sherbetor i vetes, i fëmijëve të tij, madje i jetës në përgjithësi, në këto troje dhe më përtej… Pra, megjithëse ai bisedon tashmë krejt lirshëm dhe pa shtrëngica, madje edhe pa mëdyshjen e zakontë të dilemës së shqiptarëve, për ta hedhur hapin ose për të mbetur në këtë anë të mosndryshimit, të kushteve dhe rrethanave ekzistenciale të fatit të qenies dhe të njerëzores, duke i fokusuar kështu mjaft qartësisht edhe meritat jo të pakta të bashkëkombasëve tanë, të shkruara në shekuj dhe motet e gjatë të mbijetesës së shqiptarëve, por pa i harruar për asnjë çast edhe tepritë apo mangësitë e pranishme, ligjërimi drejtvizor dhe i komunikueshëm, por edhe rrëfimi i larmishëm si pozicion dhe leksik rrëfimor, shpaloset dhe del krejt i ndërliksur, në ato që thotë, pra të vërtetat e hidhura, të ndërgjegjes pa një grimë ndërgjejeje, që e shpalosim jo fort rrallë ne shqiptarët, kudoqë jetojmë.
Skalitja e personazheve
Boshti organizues i radhës dhe shpalimit të ngjarjeve, të tekstit të novelës kushtuar dashurisë, interpetimeve të fuqishme jetëgjallnuese, i shfaqjes dhe zbulimit të mikro dhe makrobotës njerëzore, njëkohësisht shërben edhe si një lenete ku edhe mund të kundrohen personazhet e tjerë, por edhe veçanërisht ai vet, duke qenë edhe figura qëndrore e novelës. Nika, epiqendra e tekstit, universi letrar i këtij teksti, si dhe kryeheroi i novelës Pishtarët e natës, që përfaqëson më tepër një tip kompleks dhe enigmatik, konkret dhe fluid, real dhe imagjinar, në kuptimin e njerëzisë dhe vlerave shpirtërore që bart dhe dëshmon. Këto cilësi, si dhe të tjera të pranishme në tiparet që i ka mëveshur këtij personazhi, pra figurës kryesore të novelës, autori ka arritur që t’i mishërojë përmes shumështresimeve strukturore dhe tekstore:
– Mbishtresimi i parë, dhe më kryesori i hapësirës tekstologjike të këtij teksti është ai i një dashnori të zjarrtë, të thekur dhe me përvojë të gjatë, jetësore dhe dashunore, trim i çartun dhe mikpritës i pakundshoq, bujk dhe bari, njeri që e çmoan dhe adhuron jetën shumë, çka ngërthehet në faqet e tekstit si tepër e ngjeshur, pothuajse në linjën episodike të novelës.
– Mbishtresimi i dytë, po aq i vlertë dhe funksional sa dhe i pari për realizimin e novelës që i ngre kult dashurisë së zjarrtë, është ajo e Nikës si punëtor i palodhur dhe adhuruse i tokës, ku në shumicën e kohës është i pushtuar nga dëshira e madhe për të qenë edhe bujk, edhe gjuetar, edhe zejtar, kurrëmos bjerraditës dhe humbakohës, që e mbështjellë si me mantel të ndritshëm dhe zbukurimor karaketerin e tij të shumëfishtë, madje duke përplotësuar dhe shpërfaqur dimensionet e tij reale.
– Mbishtresimi tretë, që bart dhe shpalon hapësira e tekstit të novelës, një tekst i ndërlikuar si mënyrë shkrimi, ku gërshetohen teknikat shkrimore kalsike dhe moderne, madje i prekshëm në pjesën më të madhe të saj, është prekja dhe zbulesa e plotë e natyrës së tij si një egoist i shkalluar dhe individualist i paskrupulltë, çka e bën një figurë sa tokësore, po aq edhe të palzmuar në të gjitha anët përfaqësuese të karakterit dhe figurimit të tij, zaten si të gjithë shqiptarët, të cilët preken dhe duken në dallim nga të tjerët, përpos tjerash, nga prania e një egoizmit të fortë dhe të pa fre, në çdo kohë dhe hapësirë.
– Mbishtresimi i katërtë, por edhe më i fuqishëm se të gjithë anët e tjera, të prekshme në faqet e novelës, çuditërisht ka të bëjë me një përmasë të fuqishme, ndonëse është vetëmse një fshatar i thjeshtë, mbase më saktë do të qe po të quehj një malësor kreshnik i maleve, ai në jetën dhe mënyrën e të jetuarit vështron më tepër nga perëndimi, por trutë dhe shpirtin, herë – herë ia prekim dhe shohim, në fjalët dhe veprimet, në dialogun dhe meditimet e pranihsme, se ia kanë pushtuar edhe dhelpënitë e lindjes…
Pikërisht këto mbishtresimi të larmishme, me vlera të posaçme në shpalimin e ndodhive dhe veçmas në figurimin e personazheve, padsyhim të dyshes qëndrore, shkrimtari i ka shenjëzuar dhe shpalosur kryesisht me mejte artistike klasike, si protretizimi i plotë tij, si hero dhe protagonist i veprës, si figurë dhe karakter, po ashtu edhe shtjellimit përfundimtar si personazh me të dyja klishet thelbësore të shkrimit të prozës, monologut dhe dialogut, megjithatë gjithmonë duke ruajtur barazpeshimin ndërmjet këtyre elementëve, e ka bërë atë një figurë interesante, jetësore dhe letrare, njëherit. Dhe, ai, Nika është njëherazi univers i tipit të shqiptarit, por edhe një individ i veçuar dhe të vetmuar, që të mbetet në mendje për shumëçka, e sidomos për vlerat humane që bart dhe i shpalon me kaq tepri në faqet e novelës.
Poezia – Flaka e pishës – paratekst i novelës
Vlerat letrare të novelës Pishtarët e natës, një teksti letrar të veçantë për shumëçka, por ka gjasa dhe shanse që të kundrohen edhe në kuptimin e huamarrjes brenda veprës letrare të autorit, madje si një huamarrje e motivit të hershëm, shkruar në vitet ’50 të shekullit të kaluar prej vet shkrimtarit, si dhe të rishkrimit tashmë si prozë e mesme, materializuar me fuqi letrare në faqet e kësaj novele. Poetika e poezisë, së shkruar më herët, shkurtimisht dhe figurativisht sendërton imazhin e një dashurie të përflakur, një dashurie të fuqishme që nuk njeh zbehje dhe rrudhje në asnjë çast. Në njëmbëdhjetë vargjet e poezisë Flaka e pishës, pra një poezi e shkurtër dhe lakonike, që në fakt më tepër shënon dhe materializon një tingëllimë (sonet), të riformuluar mjeshtërisht nga autori. Natyrisht, ndryshimi në mes një tingëllime tipike dhe kësaj poezie preket dhe ndjehet në numrin e strofave, ku kemi vetëm tre të këtilë, ku e para paraqitet me tre vargje dhe dy strofat e tjera me kuatern, pra me katërshe. Po ashtu, ndryshimi dhe riformulimi i tingëllimës bëhet i prekshëm edhe nga numri i vargjeve, sepse nuk kemi 14 vargje, siç ngjet në rastet e tingëllimave të zakonshme, por vetëm 11 vargje gjithsej. Pjesë e riformulimit të tingëllimës nga ana e poetit është gjithashtu edhe lloji i vargut, ku këtë poezi kemi të lëvruar me vargun 13 rrokësh dhe jo me vargun 11 rrokësh, vargun tipik të tingëllimës (sonetit), në poetikën e Dantes dhe Petrarkës. Atmosfera e vargjeve të strofës së parë, të poezisë që përfaqëson paratekstin e novelës, të fut gati menjëherë në një situatë letrare të beftë, ku edhe prekim malësinë me termat më përfaqësues si: tbanin dhe pisha e bjeshkëve, që skicojnë realisht peizazhin e thyer dhe idilin dashunor të djalit dhe vashës, një idli i realizuar gjer në përsosje në poetikën orale të shqipes. Në strofën e dytë, natyrisht përmes një vargu metaforash, të ciloat duket sikur rrjedhin nga burime shëklqyese, na zbulohet marrëdhënia e vashës dhe djalit me pishën, tashmë si simbol i lidhjes së dy dashonrëve të panginjur me këtë ndjenjë. Në strofën e tretë ose të fundit të kësaj poezie ngha më të fuqishmet letrare të fillimit të shkrimit poetik nga ana e Martin Camajt, ngjet edhe shkrirja e djalit (burrit të shpërndërruar në të tillë) dhe vajzës (në fakt është grua, por sillet si vashë e re), me pishtarët e natës, mbase edhe më saktë me dritën që lëshojnë pishtarët e përnatshmë si një lajmëtim për të dashurën dhe vetë dashurinë. Duket qartë se teksti poetik Flaka e pishës, shërben si një paratekst i novelës Pishtarët e natës, mbase më tepër përfaqëson një variant parak të saj, ku edhe skicohet për herë të parë imazhi i dashurisë, si dhe na gdhendet parafytyra e dy të dashuruarve, madje duke shpërfillur moshën dhe paragjykimet e krahinës. Nga ana tyjetër ideja e parë dhe figurimi imazhinist i dashurisë, pra i ndjenjës së lashtë sa vet bota, në vargjet e poezisë Flaka e pishës, si dhe në prozën Pishtarët e natës, ka pësuar një rritje të gravidacionit letrar shprehës, së paku në tre drejtime:
Së pari: Në zbulimin e lidhjes ndërmjet tyre, natyrisht në sytë e botë që e pati përfolur dhe përgojuar deri aty ku s’mban, por edhe në sikcimin e të gjitha pamjeve të ekzistencës së vetë, me dimensionet më konkrete të mundshme, nga ngjarjet dhe paraqitja e tyre në rrjedhat e fabulës së novelës, duke portertuar kështu një pamje të plotë më skicime reale dhe legjendare, konkrete dhe fantastike.
Së dyti: Nga poetika e narrativës, esenca e shkrimit të prozës, çka ka ndikur fuqishmë edhe për ta pasuruar tekstin dhe parafytyrën poetike, por edhe për t’i dhënë ndjenjave dhe gjithë shenjave të pranishme letrare një gjendje të tjetërsojshme, madje të pakrahasueshme me roamnet bashëkohore të socrealizmit, ku edhe shpalosen ndodhitë e shumta të romanit, por edhe realizohet figurimi i personazheve të pranishëm, pa harruar asnjërin prej tyre, kryesorë apo dytësorë.
Së treti: Vizatimi i plotë i dy protagonistëve të novelës, si dy anët përfaqësuese të ndjenjës së dashurisë. Në këtë piketë të figurimit të persanzheve/protagonistë më tepër se sa gjithkund shpaloset mjeshtëria e autorit, për të skalitur personazhet dhe nëpërmjet tyre edhe kohën, por edhe hapsëirën ku medhe luhen ngjarjet e novelës, që ka vënë në qendër dashurinë.
Prania e këtyre shenjave, padyshim edhe të tjera sosh, ndihmon për të kuptuar dhe prekur procesin e kalimit nga teksti i parë, pra poezia Flaka e pishës, në tekstin e dytë të novelës Pishtarët e natës, por gjithashtu edhe për të vënë re dallimin midis tyre, por edhe ruajtjen e thelbit poetik të situatës që i përkushtohet dashurisë, qsyh në zaanfillë të krijmitarisë së shkrimtarit.
Elementët formësues artistik
Në penën e Camajt, shenjimet artistike, si trajtë dhe ligjërim, strukturë dhe formësim, gjithnjë fitojnë peshë dhe hapësirë tjetër në shumëformësimin e ligjëratës autoriale, krejt vetiake, e sidomos në përfoljen dhe shpalimin ligjërimor, e veçan me rtimikën muzikore ku veçan kolovitet dhe bredhërohet imazhi i vendlindjes së ngrirë në kujtesë , madje në mënyrë të pashqitshme, si një përftesë tronditëse, me dialogun e ndërfutur aty ndërmjetshëm, por edhe me dialogimin dhe përsiatjet autoriale, krijon vetvetiu vorbullën e pastër prozaike, gjithsesi të domosdoshme dhe të pashmangshme, që të çojnë përnjëheri në në caqet dhe kufinjtë e legjendës dhe realitetit, iluzionit dhe konkretësisë, mbase më tepër në pragun e takimit të këtyre gjendjeve, të ndryshme dhe të përafruara, ku edhe ka notuar për kaq e kaq kohë atdheu ynë, Shqipëria, por edhe trojet etnike, si dhe diaspora e shpërndërë anekandes botës. Përveçimi i disa elementëve thadruese të artit të fjalës në shkrimin e prozës, natyrisht jo si qëllim në vetvete, po më shumë si një pauzë frymëmarrje lehtësimi dhe lirimi prej ngasjes dhe brengës për të hedhur, tashmë vështrimin e përqëndruar brenda vatrës së Martin Camajt, do të përforconte dhe theksonte idenë e specifikes së prozës së tij në letrat shqipe, veçmas në llojin e novelës. Njëra prej përftesave të parapëlqyera dhe të pranishme edhe në proza të tjera të autorit, është kujtesa e përkujtuar ose risjellja në vepër e të kaluarës, larg dhe afër, e të kaluarës së dikurshme, që na i çapon hapat dhe vitet, megjithatë të jetuar intesivisht nga ai, mbase si një fotografi e ngurosur, që sa herë që kthen sytë mbi të , ajo befas nis e lëviz, lëkundet dhe pilikundet fort, merr frymë dhe shpërthen në vijëzime imagjinare, më tepër të parrokshme, duke u kthyer kështu në një kujtesë dinamike, që parakupton dhe përfshin edhe përmallimin, edhe zhbrengosjen, por edhe shpresën e pashuar që shoqëron njeriun edhe për në fundin e botës, pra në kozmos… Ngjyrimi frazeologjik, aq i vlertë dhe funksional, pra gjuha e gjallë e ligjërimit të folur, edhe sot e gjithë ditën, e prekshme në pjesën më të madhe të trevave të veriut të trojeve shqiptare, brenda dhe jashtë kufinjëve shtetëror, që është polisemantike dhe më muzikalitet të prekshëm, si dhe me shenja të mirëfillta idiomatike krejt të ngurta, si semanitkë dhe shprehësi, pra më tepër një frazë logjike dhe e shkartuar nga proliksitetit, ngjyrimit tipik të socrealizimit, është tjetër element i rëndësishëm, gjuhësor dhe letrar, i shpaluar si lëvrim mjaft gjerësisht nga autori në këtë novelë… E nëpërmjet ngjeshjes së tyre, Camaj, më tepër se sa prozë poetike, siç ka pasur ndonjë rrekje, të habitshme dhe mjerane, të shqyrtimeve letrare me gjasë dhe më tepër sipas teoritikës sovjetike të realizmit socialist, realizon qartësisht ndoca rrëfenja origjinale, moderne në dhëniemarrje përmbajtësore dhe formësuese, në të cilat vrundullitet dhe gjallon llava e legjendës së ekzistencës së shqiptarit, e legjednës së ndërthurur me jetën e vështirë dhe të hidhur, të përmbysjeve dhe shpërfytyrimeve që ngjan në vitet e shekullit të kaluar, si dhe në kapërcyell të shekullit të njëzet. Që ta shohësh dhe prekësh këtë cilësi, duhet me domosdo edhe ta ndjesh si të tillë, e për ta ndjerë sadopak do të duhet edhe pulsimi i njëjtë i gjakut, i gjuhës dhe i amanteve të thëna dhe të pathëna, çka i ravizon më së miri novela Pishtarët e natës. (Gazeta Rilindja e Kosovës, e mërkurë, 2 korrik 1997)