KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET…
– duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -/
Nga Visar ZHITI*/
…ndërsa po të nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit Wilson, që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.
Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Wilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita.
Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.
Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “The Freedom House”, me president z. Muç Xhepa, (bashkarisht falenderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndejtjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim z. Esat Coku, znj Engjelushe e Jatiar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka patur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shëmbur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të njeriut të ri, pa virtytet vetanake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërrruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.
Si nëpër nënkatet qerthullore të ferrit, hidheshin rregullisht kundështarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, “Homeri i fundit” në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.
Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvëndësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundër kulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.
Në tempullin e kujtesës/
…duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.
Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin. Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.
Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.
“Shqipëria që shtypej”
…megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.
Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.
Në një farë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes. (* Fjala e shkrimtarit Visar Zhiti ne Gjyqin e New Yorkut, mbajtur me 18 shkurt ne Royal Recency. Te plote do ta lexoni ne Diellin e radhshem ne print)