
Nga Agron Alibali/
Një mbrëmje të majit të vitit 2009 më përcillet një kërkesë përmes telefonit, së cilës nuk mund t’i thoja JO.
Së pari, ajo më vinte nga Ing. Agim Karagjozi. Me kryetarin fort të nderuar të Vatrës, kisha ndërtuar një raport shumë të ngrohtë, të drejtpërdrejtë, të hapur dhe miqësor. Ishim njohur dhe kishim pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë qysh nga viti 1996.
Z. Karagjozi vinte me një propozim shumë të veçantë. Ai kishte menduar që të isha bashkë-drejtues apo moderator i programit zyrtar të Konferencës për 100 Vjetorin e “Diellit”, që do të mbahej më 13 qershor 2009 në Monroe College, Bronx, NY. Bashkëdrejtuese tjetër do të ishte znj. Merita Bajraktari McCormack, që në atë kohë jetonte në Virgjininë Veriore.
Filluam menjëherë nga puna. Pa humbur kohë folësit kryesorë më dërguan rezymetë e tyre.
Së pari, më bëri përshtypje niveli i referuesve. Gjeje aty Prof. Dr. Beqir Metën, si dhe kolegun e tij po nga Tirana, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiun. Por gjeje aty edhe pendën e artë të letrave shqipe, Naum Priftin, studiuesin rigoroz Idriz Lamaj, shkrimtarin e mirënjohur dhe editorin e “Diellit”, Anton Çefën, si dhe studiuesin Sevdai Kastrati e gazetarin Dalip Greca.
Së dyti, më ngjallën interes tematika e larmishme e referateve. Roli i “Diellit”, gazetës historike të federatës historike, trajtohej në shumëanësinë e këndvështrimeve historike, letrare, gazetareske, biografike etj.
Sa shpejt kishin kaluar vitet. Vetëm 10 vjet më parë kisha qenë i ftuar, sërish nga z Karagjozi, por kësaj rradhe si referues, në 90 vjetorin e “Diellit”. Tema time ishte “Disa aspekte të së drejtës zakonore në faqet e Gazetës “Dielli”, ku sillja jo vetëm një trajtesë të kontributit të “Diellit” në këtë lëmë të çmuar të jus non scriptum shqiptar, por edhe dëshmi gojore të kumtuara nga ish-Kryetari i Vatrës, udhëheqësi legjendar i komunitetit shqiptar-amerikan dhe miku u çmuar, Z. Anthony Athanas. Në parantezë, mjerisht atë punim e kam vendosur diku në morinë e letrave e arkivës time, dhe ende nuk e kam botuar…
Mbaj mend, gjithsesi, se në atë përvjetor të 90-të udhëtova nga Bostoni për Nju Jork me mikun e prindërve të mij, shkrimtarin e njohur Skifter Këlliçi, i cili sapo ishte ngulur në Boston, dhe ftesën për pjesëmarrje e priti me kënaqësi.
Kurse me rastin e 100 vjetorit do të udhëtoja në Nju Jork me një njeri tejet të veçantë: nënën time Adivie Sharofi Alibali.
Udhëtimin prej mëse katër orësh për 100 vjetorin e kaluam pa ndonjë peripeci, dhe me kënaqësi dhe impjenim të veçantë filluam drejtimin e Konferencës, gjithnjë në bashkërendim e mirëkuptim me bashkë-drejtuesen znj. Bajraktari McCormack.
Konferencën e hapi Z. Agim Karagjozi.
Konferenca u prit me interes të veçantë. Salla përkatëse në Monroe College ishte mbushur plot. Kishin ardhur edhe të ftuar të tjerë nga gjithë Amerika, ku përmend Kryetarin e Shoqatës për të Drejtat e Njeriut “Çamëria”, z. Ahmet Xhafo nga Kalifornia, shkrimtaren Rozi Theohari nga Masaçusets, etj. etj. Natyrisht ishte dhe mbarë kryesia e Vatrës, ku shquheshin zz. Buçaj, Balaj, Rexha, etj, si dhe anëtarë të “Vatrës”, miq, dashamirës të “Diellit” e pjestarë të familjeve të referuesve.
Referatet e Prof Metës, zz. Çefa, Kastrati e Greca u mbajtën në pjesën e parë. Në pjesën e dytë folën Prof. Dezhgiu, shkrimtari Naum Prifti dhe Z. Lamaj.
Në një moment, midis referateve, do të përshëndeste z. Ahmet Xhafo në emër të Shoqatës “Çamëria”. Gjatë prezantimit të tij, përfitoj nga rasti dhe i tregoj sallës dy dokumente shumë të bukura që lidheshin me “Diellin”, dhe që i kisha gjetur në arkivën e aktivistit të shquar Bill Vasil Gunari.
I pari ishte Thirrja me rastin e Përvjetorit të Artë të “Diellit”, d.m.th. 40 vjetorit të saj, që i drejtohej lexuesve mbarë, ku ftoheshin kontribute për “nxitjen e përparimit arsimor dhe kulturor të Shqiptarëve të Amerikës.” Koka e letrës përmbante logon e famshme të “Diellit”, si dhe listën e Pleqësisë së Vatrës {Executive Committee], të kryesuar nga Anthony Athanas, si dhe kryesitë e të gjitha degëve të atëhershme.
Kurse dokumenti i dytë ishte edhe më i bukur, por mjaft i dhimbshëm. Ishte një letër e ngjashme, me logon e “Diellit”, dhe drejtuar lexiesve mbarë, e cila kërkonte mbledhjen e ndihmave humanitare për refugjatët nga Çamëria që ishin vendosur përkohësisht në Shqipëri mbas masakrave të qershorit 1944 dhe pranverës 1945…Një tjetër dëshmi, kjo, se VATRA dhe Dielli, atë kohë të kryesuara nga Noli e Panariti, qëndronin në krah të shqiptarisë edhe në ato ditë të vështira, si kurdoherë…
Konferenca po kalonte shumë mirë. Mbaj mend, në një moment në pushim, bashkë me znj. McCormack piqemi me z. Greca, që në atë kohë punonte në gazetën Illyria. Ishte koha kur editori i Diellit, z. Anton Çefa, ishte paksa i tërhequr, dhe “Dielli” kishte nevojë për mbështetje e ndihmë.
“Si të organizohemi që të gjithë sëbashku ta ndihmojmë më shumë “Diellin””, i drejtohem miqësisht z. Greca. Pjesa tjetër, siç thonë këndej, është tashmë histori. Nuk kaloi shumë, dhe z. Greca u emëria editor i “Diellit”, detyrë që e bën sot e gjithë ditën.
Një darkë mes miqsh u shtrua mandej në një restorant atypari, në Bronx. Midis bisedash të ngrohta më erdhën ndërmend fjalët e Anton Athanasit, si kujtime të vegjëlisë së tij:“Kur erdhëm në Amerikë, familja ime u ngul në New Bedford. Babai punonte tërë ditën, kurse Nëna kujdesej për shtëpinë dhe për ne. Nuk e harroj kurrë babai kur vinte nga puna në të ngrysur, Fjala e parë pas përshëndoshjeve ishte “ku është ‘Diell”, “Ku është “Dielli”. Unë, si i njomë dhe i vogël, nuk e kuptoja… Ç’do me thënë kjo? Ku e ka fjalën Babai? Po Dielli sapo perëndoi? Tani është errur…?! Mirëpo Babai e kishte llafin për Gazetën “Dielli”…” Dielli i Nolit, Konicës, Omarit, Çekrezit, Panaritit, e shumë editorëve të tjerë shkëlqen sot e gjithë ditën.”
“Gazetës ‘Dielli’ edhe 100”, i uruam të gjithë njëri tjetrit në atë mbrëmje të paharrueshme të 13 qershorit 2009.