Prof. Elez Osmani/
Udhëtimet nuk janë gjithmonë të bukura. Nuk janë gjithnjë të rehatshme. Nga një herë gjatë atyre udhëtimeve, njeriu lëndohet. Thonë se udhëtimi ndikon në ndryshimin e njeriut, duke lënë gjurmë në kujtesën e tij, ngase përherë merrni diçka me vete. Te gjitha këto, u bënë bashkë te unë, kur e takova shkrimtarin e madh, Sulejman Krasniqin.
Në shtator të vitit 1990, shkova në Tiranë me time shoqe dhe u vendosëm në Hotel Tirana. Në Tiranë, kësaj radhe, përveç vizitave familjare, me ç’rast i vizitoja dajallarët e babait tim, bëra edhe vizita të tjera.
Ish kolegu im i Programit Dokumentar të TVP- es, Nezir Istrefi, më kishte porositur që ta takoja kushëririn e tij, shkrimtarin, Adem Istrefin.
Shkova në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ademi nuk kishte qenë aty. Më thanë se mund ta gjeja të redaksia e revistës Nëntori. Bëra një copë rrugë dhe shkova. E takova në redaksinë e revistës. Biseduam gjatë. I tregova për Strellcin, për Isterfajt, për Nezirin, për Kosovën. Adem Istrefi u gëzua dhe u përmallua shumë. Në fund te vizitës, kur po dilnim nga redaksia, erdhi një burrë shtatshkurtër, i buzëqeshur, duke u nxituar. Në Lidhjen e Shkrimtarëve i kishin treguar se kishte ardhur dikush nga Kosova që e kërkonte. Më treguan se ai ishte Sulejman Krasniqi. Unë, pa pritur, nga para, ia prita: Ky qenka Mic Sokoli i kohës sonë. Ai kuptoi se isha i ndikuar nga romani i tij ”Mic Sokoli”. Më përshëndeti i përmalluar. Bëmë një bisedë rutinë në redaksi, dhe pa humbur kohë, me ftoi në banesën e tij.
Gati tërë natën biseduam për aq shumë gjëra. Vërehej qartë, se jeta e tij nuk kishte qenë e qetë, përkundrazi kishte qenë e vështirë, plot shqetësime e brenga, si rrjedhojë e rrethanave tragjike të historisë së fatit tonë.
Për t’i shpëtuar dhunës serbe, si i ri kishte “ikur” në Shqipëri. Gjatë bisedës që bëmë së bashkë, e kuptova se ai ishte një nga ata intelektualët e shquar, që nuk e thotë fjalën, sa për ta thënë. Për punën e tij krijuese ishte shpallur shkrimtar i lirë në profesion. Por, mua kurrë nuk më kishte shkuar mendja se ky shkrimtar, edhe në Shqipëri kishte vuajtur dhe ishte përcjellë nga organet e shtetit. Këtë të dhëna nuk ma tregoi atë natë, që biseduam bashkë. Ishte një rast tjetër, kur e kuptova. Po shëtisnim në sheshin e Tiranës. Rastësisht, u takuam me Ferid Llujen, një shkodran nga familja Tepelia. Kur po provoj ta njihja me Bacën Sulë, ai ma priti: Dale, dale, unë e njoh këtë burrë. Kemi qenë bashkë në internim, në kampin e Tepelenës. U shtanga. I hutuar, e pyeta, edhe ti ke kalua nëpër dyert e ferrit? Po, më tha, dhe jo vetëm unë, por shumica që vinin nga Kosova, përveç tre-katër njerëzve që ishin afër kupolës së shtetit.
Atë natë, në shtëpinë e tij, biseduam për tema nga më të ndryshmet, deri pas mesnate. Atij, Sylejman Krasniqit, i dukej sikur kishte ardhur në Kosovë, gjë që e tha disa herë. Më pyeste për gur e për dru, siç thonë fjalës, për Kosovën, për politikën aktuale. Diskutuam edhe për romanin.”Mic Sokoli”. I tregova se e kisha lexuar dy herë. Si, me shpoti, i fola: Po t’i them dy qortime që i kam vërejtur. Urdhëro, më tha. Në pjesën ku i denoncon fetarët, nuk ke sjellë fakte historike, kurse romani yt është me temë historinë. Ai ma preu shkurt. Kjo qëndron, por ndryshe nuk botohej romani! E dyta, vajza e Micit nuk e kishte emrin Bletë, por Mizë. Mirë që ia ke ndërruar emrin, se ia ke qëlluar. Qeshi të madhe. Nga e di ti, më pyeti. I tregova se shumë herë e kisha dëgjuar në odën tonë duke e përmendur këtë emër burrat e moshuar. Kemi qenë miq me familjen e Binak Alisë. U bë kureshtar. Por, më pyeti, ke edhe ndonjë vërejtje tjetër. I fola, pse e kishte sajuar personazhin e Shpend Dragobisë, kur në të vërtetë ai ishte Zeqir Halili, që e kishte pritur Isa Boletinin. Është i njohur për trimërinë e tij, për luftërat dhe për përpjekjet e tij për atdhe. Kam qëndruar tre muaj në Tropojë, më tregonte, se më duhej ta mësoja të vërtetën dhe historinë e luftërave të asaj ane. Se pikërisht, kur arrihet pa shumë mundimesh e vështirësish ta mësosh të vërtetën, aty qëndron edhe kënaqësia e madhe e punës. Duke qëndruar në Malësinë e Gjakovës, sa herë jam zgjuar, sytë i kam pasur nga Kosova, të cilën kurrë se kisha pasur më afër, por nuk mund ta vizitoja. E njoha Malësinë e Gjakovës dhe jetën e Micit, por dihej se familja e Binak Alisë ishte ndarë në dy drejtime politike. Hisja e Binak Alisë, janë mbretëror, kurse hisja tjetër, ajo e Salih Manit e kanë përkrahur komunizmin. Dihet se familja e Zeqir Halili nuk është pajtuar me komunizmin, ndaj, pa dëshirë e kam zëvendësuar në roman me Shpend Dragobinë, se ndryshe nuk botohej vepra.
Shkrimtari Sulejman Krsniqi, për veprat e tij artistike, përveç studimit të historisë, kërkimit nëpër arkiva, konsultimit të literaturës historiografike, në shumë raste, ka bredhur nëpër rrethe të ndryshme të vendit për t’u takuar me të moshuar, të cilin kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve.
Unë, pasi i shpreha respektin tim të veçantë për gjithë atë punë të madhe që kishte bërë, e luta për një intervistë, që do të ishte fjala e parë publike në vendlindje pas largimit të tij. Për një moment ka hezituar. Çka u bë, e pyeta. Të rrezikoj, më tha. Keni regjim fashist.
Po bëjmë përpjekje që të ndahemi nga sistemi politik i Jugosllavisë. Na kanë larguar nga puna, i fola. Do të provojmë ta botojmë në ndonjë revistë. E realizuam intervistën. Intervistën nuk ma dha mua. E përcolli në Gjermani. Pastaj nga Gjermani të afërmit e tij ma kanë sjellë në Prishtinë. Redaktori i atëhershëm i ‘‘Shkendisë’’, Jonuz Fetahaj, pas një redaktimi, ka arritur ta botojë.
Më lejoni t’i sjellë para jush, dy-tri pjesë të shkurta nga intervista e botuar në “Shkëndija”, janar të vitit 1991.
“Për lexuesin e Kosovës, që e dua më shumë se jetën, kam shkruar shumë. Mjerisht, ai nuk më njeh, nuk është faji im dhe as faji i tij.
Dua t’u tregojë se e mësova historinë si romancier, për nevojat e mia letrare. Kam gjurmuar, kam hulumtuar e kam qëmtuar materiale historike që kanë të bëjë me tema që nga shekulli IV e deri në ngjarjet e fundit të Kosovës, për të cilat krijuesit duhet t’i peshojë pena sa gryka e topit që t’i pasqyrojë denjësisht, në nivel dhe besnikërisht. E çmoj se tepërmi atë që thuhet se historia është kujtesa e një populli. Nuk besoj të ketë popull si yni, që ta ndiejë domosdonë e ndriçimit të shekujve, të cilët kanë qenë (dhe janë në një pjesë të tij), të përmbushur me një tragjizëm të ndezur dhe heroizëm që nuk i gjendet shoqi për t’u matur as për së largu. Nëse ka një popull, apo një komb që është dënuar pa faj, është yni. Historinë e tij për shkaqet që dihen, e kanë shkruar të huajt. Ka kaq shumë boshllëqe, që e kërkojnë edhe fjalën e shkrimtarit, sa i jap vetës të drejtë ta quaj plëngprishës cilindo që ka aftësi dhe nuk shkruan. Aty ku mund të depërtojë historia, duhet të zhbirojë letërsia“.
Kur po bisedonim atë natë të gjatë, në një rast më pyeti: E keni pasur një emision dokumentar, në TVP, me një të shpëtuar nga Tivari, me Hajdin Xanin Po, i thashë, e kam realizuar unë. Ma keni prekur në “thembrën e Akilit”. Këtë temë e kam trajtuar shumë më herët.
Si i mitur, në ndejat nëpër oda, ku i ndjeri babai im, i jepte vetës të drejtë të më merrte, se me kishte djalë të vetëm, më ka rënë të shoh e të dëgjojë disa nga të paktët që i kishin shpëtuar gjenocidit të Tivarit. Nën pirgjet e kufomave, të shokëve te vrarë e të maskaruar, ishte edhe një djalë, i gjatë, nga Celina. E quanin Abyl. Ai e kishte krijuar një këngë për ato ngjarje rrëqethëse, që i kishte jetuar vetë. Pikërisht kur arrinte të gjysma e këngës, në vargjet: “Më qo ushtar në Tivar, moj nanë, në kasaphane… ”., e mbërthente epilepsia, e shkaktuar nga tmerri. Përfytyrojeni një të ri me shumë plagë, që i kishin lënë mazgallat e përjetshme. E zgjata, por kam takuar disa nga këta fatkeq dhe rrëfimet e tyre më kanë mbetur thumb në tru”.
Unë pikërisht për këtë, me të kryer universitetin iu kryeshtrova punës, shkrova romanin dhe e titullova “Njeriu dy herë i pushkatuar”. E dorëzova në vitin 1968, u aprovua për botim, në vitin 1969, por për shkaqe objektive nuk u botua. U botua pas proceseve demokratike, më 1991.
Ndaj, ta kam përcjelle emisionin me vëmendje. Ishte guximi i djaloshit të ri atëherë, Hajdin Xani, që e aktualizojë rastin në organet më të larta të Jugosllavisë.
Kur u botua intervista, ia dërgova numrin e revistës. U gëzua shumë. Më dukej se po rilindej përsëri, andaj më tha. Është hera e parë që “flasë” publikisht në një revistë të Kosovës.