
Nga Ramazan Çeka/
Koncert madhështor në Teatrin “Migjeni”, me këngë të përzgjedhura nga krijimtaria e artistëve të mëdhenj shkodranë Hasan Preza dhe Paulin Pali.
Nata e 13 prillit 2023 mbodhi bashkë në një koncert memorial në Teatrin “Migjeni” në Shkodër këngëtarët më të spikatur të skenës dhe ekranit shqiptar, të rritur në djepin e kulturës shkodrane, në kujtim të dy kolosëve të këngës qytetare, Hasan Preza dhe Paulin Pali, një koncert i ideuar dhe organizuar nga “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili “Nderi i Kombit”, nën kujdesin dhe mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
Si rrallë herë salla e këtij teatri ishte e tejmbushur me spektatorë artëdashës dhe admirues të repertorit të këtyre dy autorëve të këngëve të përzgjedhura, të cilat për dekada me rradhë e ruajtën shkëlqimin në memorien dhe shpirtin e këtij qyteti.
E quaj veten tejet e të privilegjuar, por edhe të ngarkuar nga pesha e përgjegjësisë, për besimin e ofruar në punimin e libretit dhe bashkëpunimin në përgatitjen e insertit përkujtimor mbi biografinë jetësore dhe artistike të këtyre dy artistëve të paharruar shkodranë.
Inserti, i cili u shfaq në fillim të koncertit me titull “Kujto për mos me harru” ishte si një homazh në nder të mjeshtrave të paharruar Hasan Preza dhe Paulin Pali, ku publiku u njoh me jetën dhe krijimtarinë artistike të këtyre dy kolosëve të këngës qytetare shkodrane, si dhe me kujtimet e lëna në memorien e këtij qyteti dhe familjarëve të tyre, të gërshetuar me materiale arkivore të fillimshekullit XX e në vazhdim, kohë në të cilën bënë epokë edhe këta dy autor të shquar të këngës.
Hasan Preza lindi në Shkodër në vitin 1904, në një familje të thjeshtë në Lagjen Dudas, por kohën më të madhe e kaloi ne Lagjen Ndocaj. Këto lagje karakteristike të qytetit të Shkodrës kishin shumë gjëra të përbashkëta, por mbi të gjitha njiheshin si qendrat e “Ahengut Shkodran”.
Hasan Preza ishte një mjeshtër në profesionin e tij si këpucar, por ai ishte edhe një artist i madh në shpirt. Ai u dashurua pas këngës shkodrane dhe gjithë jeten ia kushtoi asaj, për ta bërë të pavdekshme në repertorin e “Ahengut Shkodran”. Me krijimtarinë e pasur që na ka lënë, Hasan Preza është ndër krijuesit më të mëdhenj të asaj kohe. Si krijues i këngës qytetare shkodrane, ai mbetet një ndër autorët më me zë ndërmjet krijuesëve të shumtë të kësaj kënge.
Me pasurinë e madhe që na ka lënë, ai ka zënë vend përjetësisht në panteonin e këngës popullore shkodrane.
Dy fjalë edhe për artistin tjetër shkodran Paulin Pali, pjesë e koncertit “Kujto për mos me harru”.
Paulini ka lindur në Shkodër në vitin 1905, në një familje qytetare dhe është rritur në mjediset e këtij qyteti kaq të veçantë, ku pa droje mund të themi se të gjithë banorët ishin nga pak artista, jo vetëm të këngës, por edhe të profesioneve të tyre. Ashtu si ç’dinin të bënin mrekullira argjendarët, rrobaqepësit, këpucarët, gdhendësit, ashtu edhe shpirti shkodran bënte mrekullira me muzikën dhe këngën që e shoqëronte në jetën e përditshme.
Paulin Pali lindi në këtë “bahçe” mes luleve dhe bilbilave dhe më vonë në një moshë tashmë të pjekur, talenti dhe pasioni i tij shpërthyen, duke bërë që vlerat e tij të kalojnë caqet e qytetit të vendlindjes, duke iu hapur dyert pranë Radio Tiranës në vitin 1938, ku dhe fillon punë në sektorin e muzikës, fillimisht si instrumentist e më pas si autor, por dhe si ekspert i kultivimit të këngës popullore.
Shumë nga figurat madhështore të këngës popullore kanë vlerësimet e tyre për këtë mjeshtër të madh.
E madhja Marie Kraja e vlerësonte Paulinin si një njeri të dashur, të qeshur, por dhe shumë të rreptë në punë.
Ishte i drejtë, i përkushtuar për këngët dhe e them me bindje se njerëz të mëdhenj si ai lindin rrallë, shprehej bilbili i këngës popullore Luçie Miloti.
I paharruari Bik Ndoja do të shprehej kështu për Paulinin: Do ta kujtoj me shumë mall. Ai i bëri të pavdekshme një pjesë të madhe të këngëve popullore qytetare shkodrane.
Drita Papajani e vlerëson kështu artistin e madh Paulin Pali: Ishte ekspert i këngës shkodrane. Ai i ka kthyer në perla këngët popullore shkodrane, këngët që mbushin zemrat e popullit, të cilat vetë populli ka ditur t’i ruajë dhe t’i mbaj gjallë. Këto këngë nuk do të shuhen e nuk do të harrohen asnjëherë, por do të kujtohen brez pas brezi.
Hasan Preza dhe Paulin Pali qëndrojnë lart në piedestalin e këngës qytetare shkodrane dhe për këtë shërbim ndaj artit tonë gëzojnë respekt për të mos u harruar kurrë, si më të mëdhenjt e më të mëdhenjëve.
Pas insertit, i cili u ndoq me mjaft interes nga spektatorët, në skenën e Teatrit “Migjeni” u ngjitën këngëtarët: “Mjeshtërit e Mëdhenj” Bashkim Alibali, Myfarete Laze, Mukades Çanga, Gëzim Salaj, duke vazhduar me këngëtarët e mrekullueshëm Rezarta Smaja, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Alma Velaj, Leonora Çuliqi, Savjana Vjerdha, Vjollca Palushani, Adelina Correj, Ardian Tanushi, Laorjan Ejlli, Ademir Fresku, Elsida Sina, Egzona Salaj, Xhuli Pjetraj, Lul Bajrami, Ea Zoga, Grupi karakteristik “Karaifilat që ka Shkodra” dhe qershia mbi tortë “Mjeshti i Madh” Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”.
Nga repertoti i këtyre dy artistëve të paharruar u interpretuan disa nga qindra këngët që ata kanë lënë trashëgimi të punës së palodhur e të pasionuar, që nga rinia e tyre, e deri në ditët e fundit të jetës.
Duartokitjet e spektatorëve artëdashës dhe shoqërimi i këngëve nga salla, treguan se këto këngë po këndohen në shtëpinë e vet, ku një dorë ia kanë dhënë disa ustallarë si maestrot: Roland Guli, Ilir Zoga, Artion Qamili dhe Andi Unaza, të cilët i sollën ato përmes orkestrimit profesional që ua kanë bërë këtyre perlave shkodrane.
Për jetën dhe karrieren e këtyre dy artistëve sollën kujtimet e tyre edhe familjarët; Flutura Shima, mbesa e Hasan Prezës dhe Ermira Pali, vaza e Paulin Palit, e cila kishte ardhur nga Gjermania me djalin dhe vajzën e vet.
Në suksesin e kësaj nate, padyshim një meritë të jashtëzakonshme ka edhe orkestra e mrekullueshme:
Në vjolinë – Anton Kaftalli dhe Ditmir Mati, në klarinetë – Indrit Kodraliu dhe Gjergj Marku, në bateri – Gëzim Mesi, në kitarr elektrike – Daniel Prendi, në kitarr akustike – Artion Qamili, në kitarr bas – Roland Guli, sint – Andi Unaza, në fizarmonikë, maestro Ilir Zoga, i cili ishte edhe drejtues artistik i kësaj orkestre të mrekullueshme.
Një meritë të veçantë në suksesin e këtij koncerti madhështor patën edhe dy moderatoret e mrekullueshme Dana Xhaj “Mjeshtre e Madhe” dhe Linda Kavaja, të cilat për çdo çast mbajtën të gjallë lidhjen shpitërore mes spektatorëve dhe krijuesëve të pavdekshëm që u interpretuan në skenë.
Falë këtij prezantimi, falë kësaj lidhje, si dhe falë daljes në skenë të “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”, ideues i këtij spektakli, në këtë natë çdo spektator e ndjente veten këngëtar, sepse të gjitha këta perla nuk janë pronë e profesionistëve, por pasuri e të gjithë qytetarëve shkodranë.
Çdo lëvizje në skenë, çdo vendosje, që nga dekori, orkestra dhe vendinterpretimi i këngëtarëve ishin studiuar dhe realizuar me mjeshtri nga regjisorja tashmë me shumë eksperiencë Merita Smaja “Mjeshtre e Madhe”.
Prill 2023