
Muzeu Historik Kombëtar/
Gjerasim Qiriazi ishte një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai u përkushtua gjatë jetës së tij përhapjes së gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar. Lindi më 18 tetor 1858 në një familje patriote, kolonjare të vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit.
Pas studimeve teologjike në Samokov (Bullgari), ai u angazhua si pastor dhe misionar, duke përhapur literaturë fetare në shqip. Nga viti 1883 deri më 1887, zhvilloi veprimtari arsimore e fetare në Korçë, Selanik dhe Manastir. Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe.
Në vitin 1891 bashkë me motrën e tij Sevasti Qiriazi hapi shkollën e parë të vajzave (1891) dhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” (1892).
Ndërroi jetë më 2 janar të vitit 1894 në moshën 35 vjeçare.
Në vitin 1902 veprat e tij u botuan në librin “Hristomathi a udhëheqës për çdo shtëpi Shqiptari”. Pas vdekjes u nderua me titujt “Mësues i Popullit” (1987) dhe “Urdhri i Lirisë” i Klasit të Parë (1992).
Burimi: Bedri Dedja, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2183-2184.