Anton Harapi/
Shqiptarit i ka dalë vetja qejfit porsi shqiptar, as s’e merr me mend se shqiptari porsi shqiptar eshte i zoti i vetes dhe i aftë për organizim e qytetërim, e se në vendin tonë, pos nesh s’ka gjel që këndon, por ne do të urdhërojmë, ne jemi të zotë me rregullue punë të mbara e të mira për shtet e për komb aq, sa me na pasë lakmi edhe të huajt. Ai i bindet më fort të huajit, se sa të vetit, e sado i stolisur të jetë një njeri me zotësi e cilësi të pashoqe, mjaft t’ja njohin babën e nanën, të dijë se është shqiptar, për me e bjerrë çmimin e rëndësisë për të. Për me dashtë me tregue një punë të parëndësishme e të pathemeltë, ka për të thënë “punë shqiptarësh”, “si në Shqipëri” etj etj. Këtej rrjedhin të gjithë ato të meta që i pengojnë përparimit të shtetit e të kombit.
f.195
Kant-i, babai i filozofisë moderne, thotë se nuk ka me rrejtë edhe me e ditë se shëmbet bota dhe se me një rrenë, sado të vogël, shpëtojmë pa u rrënue! Por shkrimtarët modernë kanë nisë me e përfolë Kantin kush me përbuzje e shumica me tallje.
Klasikët grekë kërkojnë prej njerëzve të thonë të vërtetën për shumë arsye, por sidomos për dinjitetin njerzor vetë, për detyrën e nevojën e jetës shoqërore e për madhnim hyjnor që ka sinqeriteti.
Pitagora e Pindari me shumicën e grekëve e dënojnë rrenën gjithmonë e në çdo rast. Aristoteli na mëson se rrena është e mbrapshtë në veti për natyrë të vet.
Përkundrazi, Platoni me sa të tjerë e lejon atë në disa raste si bie fjala me rrejtë armikun, me rrejtë për hatër të mikut ose sunduesi me rrejtë për dobi të të nënshtruarve të tij. Megjithatë ai thekson se Zoti është i drejtë në fjalë e në punë dhe se rrenën e mënojnë hyjnitë dhe njerëzit.
Hugo Groot thotë se:
Me rrejtë fmitë e të marrët nuk është rrenë, pse atyre u mungon liria e gjykimit, po ashtu mund të rrejsh një të tretë që përgjon, jo atë me të cilët flet, gjithnjë eprori ka lejen për me rrejtë për dobi të të nënshtruarve të vet. Mund të rrejsh sa herë nuk ke mundësi tjetër me e shpëtue të pafajshmin e me ndalue një delikt…
f.227
Shqiptari më me kujdes e studjon një vend tjetër të Evropës së sa Shqipërinë e shqiptarët. E pra nuk i mungon zotësia. Deri sot, më mirë e më me seriozitet e kanë studjue vendin tonë të huajt se sa vetë shqiptarët.
F. 228
Shkodranin ende sot mund ta hajë burrnija; e vërtetë se mendja e tij disi merr ngushtë sa vendi, sa votra, sa rrethi, por merr fuqishëm, merr lart në të madh e fare përnjimend; ndërsa shpirti i korçarit, fillim e mbarim përfshihet ndër format kulturore, ndër mënyrët e ardhshme e të pëlqyeshme të qytetërimit, gjithçka i intereson atij, por vetëm deri diku.
Shkodrani e korçari e shikojnë botën me sy të ndryshëm.
Me i përmëndë Korçën shkodranit është si me përmëndë një vend në skaj të Evropës e jo të Shqipërisë. Korçari përkundrazi është shumë më i shetitur se shkodrani, ai, ku ia del me rrojtë aty ngulet pa vështirësi, jo se s’ka votër, familje e atdhe, po të gjitha i ka, i ndien e i kupton, por ndryshe nga shkodrani.
Për Shkodrën e shkodranët korçari ka një nderim të veçantë. Vura re se ai me “gegë’ nuk ka parasysh shkodranin. Megjithatë, më të të pakta i ka ai përpjekjet, të largëta marrëdhëniet mendore e shoqërore, të vokta interesat, të rralla bashkimet miqësore. Korçari pa vështirësi vjen në Shkodër, sikurse shkon në Greqi, përpiqet me shkodranin njësoj si me banorin e një shteti fqinj, por një përpjekje më të afërme me të nuk ka pasë deri sot.
As atdhetari shkodran nuk është regjionalist në vështrim të fjalës, as idealisti korçar s’asht internacionalist, por fakti është se të dyve diçka u ka mbetë si ndryshk, atij për lokalizëm, këtij për kozmopolitizëm.
Por këto janë gjëra që rregullohen.
F. 340
E pytën një herë të ndierin, Luigj Gurakuqin, a besonte se mund të bashkoheshin toskë e gegë e muhamedanë e të krishterë. Ai u përgjigj me të shpejtë: Po mos ta kisha këtë bindje, do t’u nisja me vaporin e parë përjashte vendit, për të mos u kthye ma kurrë në këtë vend!
Të marrin fund një herë e përgjithmonë fjalët e frazat; Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë!
Me gjak të vet e shuguroi lterin e atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, duke vulosur më gjak atë që kanë thënë, neve na mbetet ta vulosim atë çka jemi: vëllezër të një gjaku.
Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi dhe kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq për të ruajtur të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, nga se ata ishin një në sakrificë e në drejtim, në sajë të tyre trashëguam visaret tona kombëtare.(Kulla e Babelit- Anton Harapi)
* Biblioteka Kombëtare S 198/61R
Phoenix
Shtëpia e librit