![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/07/363824186_669061895262336_3952375718910886083_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/07/362654416_669061925262333_38584637544294906_n.jpg)
“Ata nuk kërkojnë më shërbimet tona, por populli nuk do ta harrojë kurrë kalvarin e duruar nga të përndjekurit politikë të Shqipërisë, gjatë diktaturës komuniste.” (Non hanno più bisogno del nostro servizio, ma le persone non dimenticheranno mai il calvario vissuto dai perseguitati politici albanesi durante la dittatura comunista.) – Bardha Markagjoni
Tomë Mrijaj
Këto ditë online, në websitet më të mëdha amerikane dhe botërore amazon.com dhe barnesandnoble.com etj., doli libri: “Tower of Resistance Markagjoni Family an Albanian Dynasty” (Kulla e Rezistencës: Familja Markagjoni një Dinasti Shqiptare), shkruar nga vajza e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjomarkaj (1914-2011), Bianca Maria Gjomarkaj.
Libri i ri, që botohet me porosi (Paperback, si libër fizik dhe kushton $19.95, si dhe mund të lexohet vetëm për $12.95 edhe në Kindle) në gjuhën angleze në SHBA, ka gjithsej 288 faqe. Vepra e re mund të gjendet dhe porositet edhe duke vizituar në websitet:
www.gjonmarkagjoni.com, www.sarajetgjonmarkagjonit.org,
www.blokukombetarindipendent.com, www.barnesandnoble.com
Çfarë mund të mësojnë më shumë në këtë libër bashkatdhetarët tanë dhe të huajt anglisht lexues nga e gjithë bota dhe qytetarët amerikanë?
Autorja e librit, fatmirësisht në shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj të parëve të saj, sot jeton me familje në Kullën e saj të Gjomarkajve, në qytetin e lashtë të Shkodrës, ku për herë të parë aty shkruan një libër me shumë vlerë në gjuhën angleze, për rrënjët e familjës së saj në Orosh të Mirditës dhe më gjerësisht për historinë e lavdishme mbi 7 shekullore të Kapidanëve të Mirditës, që ishin dhe bënë me nder dhe lavdi historinë krenare të Dinastisë, më të famshme në historinë e popullit shqiptar ndër shekuj.
Kjo derë e famshme etnike shqiptare, me shembuj heroizmi mbijetoi mbi fortunat më të ashpra historike, të kohës së pushtimeve të njëpasnjëshme, që kaluan mbi truallin shqiptar dhe më saktë në krahinën zëmadhe të Mirditës, duke filluar para periudhës së pushtimit nga Perandoria Xhihadiste Islame Otomane, pushtimin fashist italian dhe nazizmit gjerman… dhe më pas në periudhën e zymtë të diktaturës komuniste shqiptare të diktatorit anti-shqiptar dhe anti-katolik Enver Hoxhës (1944-1990), ku njerëzit e shquar të Derës së Kapidanëve të Miridtës, kaluan kalvarin e gjatë 50 vjeçarë më të rëndë, me burgje dhe pushkatime, internime dhe përndjekje të njëpanjëshme.
Në faqet e librit në fjalë, del mbi bazën e fakteve dhe provave të marrë nga vetë arkivat e Ministrise së Mrendshme komuniste, arkivat qendore të shtetit shqiptar (AQSH) komunist asokohe, del se pothuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Gjomarkaj gjatë Komunizmit të Zi në vitet e errëta të saj, u tregua shumë e ashpër dhe e pamëshirshme ndaj Kapidanëve, që ishte Dinastia apo Dera e Madhe më në zë, në gjithë trojet etnike shqiptare dhe përtej saj në Gadishullin e Ballkanit…
Duke shfletuar dhe rilexuar me shumë kujdes faqet e këtij libri të pasur historik, shohim se autorja italo-amerikano-shqiptare Bianca Maria Gjonmarku, përmbledh në mënyrë sintetike historinë e ilustruar me fakte, shembuj dhe foto të rralla origjinale historike nga Dera e madhe e Kullës së Gjomarkut në krahinën e Mirditës, përbën një rast unikal në historinë e lavdishme në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, përsa i përket origjinës së lashtë të saj, e cila është e dokumentuar që nga koha e Pal Dukagjinit (babait të Lekë Dukagjinit), bashkëkohës i Skënderbeut e deri në ditët tona.
Në tërësinë e saj historike, gjithashtu është e rëndësishme të ritheksohet se Mirdita, i përket përiudhës së gjatë të trashigimisë së Dinastisë Princore, e cila kishte zgjedhur Gjon Markun I, që në vitin 1500, d.m.th. 32 vjet pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit – Skënderbeut.
Nga historia mësojmë, se Dinastia e Gjomarkajve e udhëhoqi për afro 500 vjet Mirditën, me dinjitet dhe me nderë, duke ruajtur besën, fenë, bujarinë e Autonominë e Krahinës, ku nuk shkeli e nuk sundoi kurrë këmba e huaj.
Një ndër këto prijsa të mëdhej, që u dallua për urti e trimëri ishte edhe Marka Gjoni, djali i dytë i Gjon Mark Lleshit (lindur në vitin 1861), nga një nënë fisnike, që ishte e bija e Gegë Përgegës, Bajraktar i Kryeziut.
Pak copëza historie
…Në vitin 1883 Preng Bibë Doda, kapet pabesisht dhe internohet për herë të dytë në Kastamuni. Mirdita zaptohet dhe shtëpia e Gjomarkut në Orosh digjet. Duhet vënë në dukje, se varfëria e tejskajshme tek shqiptarët malësorë, ka qenë asokohe armiku me i madh i tyre.
Perandoria Islame Barbare Otomane, me qëllim për t’a përçarë dhe sunduar sa më shumë Mirditën, e pau të nevojshme dhe të domosdoshme të ripërtërijë edhe një herë tarafin (pushtetin) e vet.
Perandoria në fjalë, mendonte, se me Preng Bibë Dodën e internuar dhe me Marka Gjonin (në moshë të re dhe në varfëri të madhe), paria e Mirditës i kishte kaluar atij tashmë si trashigim. E, duke parë se edhe tarafi i Derës së Gjomarkut ishte tronditur së tepërmi dhe demoralizuar, Bimbashi shtonte guximin (merrte zemër) edhe më shumë e s’kishte gjë që t’ia ndalonte vrullin.
Kështu filluan të kalojnë vitet më të vështira e pakurrfarë perspektive, për të ardhmen e Mirditës dhe Derën e Gjomarkut. E sa më shumë zgjaste kjo kohë, aq më shumë forcohej pozita dhe influenca barbare otomane në Mirditë. Por as Mirdita dhe as Dera e Gjomarkut, nuk flinin dhe nuk ishin shuar ende.
I riu energjik Marka Gjoni, kishte filluar të burrërohej dhe bluante pandërprerje nëpër mend, se si do të mundte me e rimkëmbë Derën e tij dhe të bashkojë Mirditën.
…Dhe me të vertetë Bimbashi Dodë Gega u vra në Malin e Shenjtë, në verën e vitit 1892 nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit. Me këtë akt atdhetar, Marka Gjoni doli haptas kundër Perandorisë Otomane, me qendër në Stamboll. Në këtë mënyrë, asokohe doli në pah ndjenja e lirisë, u ringjall edhe një here fryma kombëtare, e bashkë me të edhe e gjithë Mirdita.
Trimat fisnik liridashës mirditorë si Marka Gjonin me bashkëluftëtarët e tjerë qëndruan burrërisht në istikame (kalatë apo fortesat natyrore) dhe po të mos kishte qenë kjo vendosmëri e udhëheqësit sypatrembur Kapidan Mark Gjonit, me të cilën e përballuan atë gjendje shumë të rrezikëshme, Perandoria Otomane në pak kohë do t’a kishte shkatrruar gjithë Mirditën, por duke parë fuqinë e tij më luftëtarë dhe bashkimin e popullit mirditas rreth tij, hoqi menjëherë Preng Kolë Prengën nga kajmekamlleku dhe njohu Marka Gjonin kajmekam të Mirditës.
Marka Gjoni, rindërtoi shtëpitë që kishin qenë sarajet e Lleshit të Zi në Grykë të Oroshit, të djegura prej turkut mbas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1883 dhe u vendos aty perfundimisht. Emëri dhe zëri i Marka Gjonit, u përhap në të gjithë Veriun e Shqipërisë, nga ku, miqtë e vjetër të Derës së Gjomarkut nuk vonuan t’a përgëzojnë, t’a mbështesin dhe të kërkojnë të takohen me te për bisedime.
Asokohe dihet se, Marka Gjoni nuk e ndërpreu më për asnjë moment veprimtarinë e vet kundër pushtuesit shekullor turk. Dera e Kapidanit asokohe gjithënjë vinte duke e shumfishuar aktivitetin e pasur patriotik, në shërbim të Atdheut të vet.
Marka Gjoni, vendosi menjëherë kontaktet me patriotin dhe prelatin e shquar Abatin e Mirditës Prend Doçi. Sëbashku gjithnjë ata shqyrtonin problemet e Mirditës. Por as Abati nuk e kishte të lehtë të rregullojë klerin e të bashkojë famullitë e Mirditës, sepse një shumicë e tyre vareshin administrativisht nga dioçezat e Lezhës dhe të Sapës së Zadrimës.
Abat Doçi, me bashkimin e famullive të Mirditës, synontë t’a bënte Mirditën jo vetëm një qendër katolike të rëndësishme fetare, por edhe t’a forconte ushtarakisht, sepse bashkimi rreth një prijësi të vetëm: Kapedanit Marka Gjonin, e bënte të aftë të përballonte çdo sulm të armiqve për pushtimin e saj. Pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e mendjes së tij dhe lufta e ashpër, që i bënte Perandorisë Otomane në mënyrë indirekte.
Marka Gjoni, në vazhden e angazhimit të tij total në veprimtarinë kundërturke, me kërkesën e disa katolikëve shkodranë i propozoi mons. abat Doçit të bashkohet me te, për hapjen e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës) në Baçallek, e cila kishte mbetur e mbyllur që me rënien e Shkodrës në duar të turqvet në vitin e zi 1479.
Marka Gjoni, i ndihmuar nga disa murgesha franceze, mundi të arratisej nga Mosuli dhe duke kaluar veshtirësi të panumurta mbërrijti në Kotorr, që në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Aty gjeti shumë miq shkodran, të cilët e pritën me përzemërsi dhe i siguruan jetesën, për sa kohë do të qendronte në Kotorr.
Marka Gjoni, i përcjellur nga një shumicë e madhe mirditasish mbërriti në Orosh, ku ishin mbledhur shumë miq të ardhur edhe prej krahinave të ndryshme tek shtëpitë (sarajet) e Kapidanit për t’a takuar, përshëndetur dhë përgëzuar.
Ishte Marka Gjoni, ai që gjithashtu e detyroi Stambollin të lirojë Preng Bibë Dodën, sepse në verën e vitit 1910 (kur doli Konstitucioni i Ri, me përfaqsues xhon-turqit e rinj), u përpoqën me çdo mjet që të pengonin lirimin e tij, por Kapidan Marka Gjoni ngriti në këmbë tërë Mirditën dhe u bë gati për luftë.
Në këto rrethana, Stambolli e liroi Preng Bibë Dodën. Ai kur mbërrijti në Shëngjin iu bë një pritje entuziaste jo vetem nga paria e popullit të Mirditës, por edhe nga banorët të Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Një pritje e tillë nderimi dhe respekti, iu bë gjithashtu edhe në qytetin e Shkodrës, me një darkë madhështore e me fjalime të zjarrta nga mons. abat Doçi, Hilë Mosi e Luigj Gurakuqi.
Në verën e vitit 1912, Mit’hat Frashëri, duke u kthyer mbas një udhëtimi nga Kosova, hyri në Mirditë dhe shkoi në Orosh tek Kulla e Kapidanit të Mirditës Marka Gjonit, ku biseduan dhe ranë dakord me ngritë Flamurin.
…Marka Gjoni, konsiderohej si një pengesë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që synonin sundimin e Mirëditës. Me vdekjen e Marka Gjonit në Fan në vitin 1925, Gjon Marka Gjonit, djalit të tij të vetëm i kaloi paria e Derës së Gjomarkut, i cili, edhe pse në një moshë relativisht të re 37-vjeçare, por i burrëruar, u tregua në lartësinë e misionit të vet. Kësisoj krerë e popull u bashkuan rreth tij si rrallë ndonjë herë.
Në Mirditë, Gjomarkajt vazhduan luftën e tyre anti-otomane, krenar për fenë e tyre katolike, derisa e detyruan Perandorinë Islame Otomane të merret vesh me këtë krahinë krejt ndryshe nga krahinat e tjera të Shqiperisë.
Në shek. XV-XVI, feja e krishterë u ruajt e paprekur vetëm në Mirditë, me të gjitha vlerat e dashurisë dhe humanizmit. Për të mbrojtur katoliçizmin dhe pavarësinë, mirditorët jetuan gjithmonë mes luftrash dhe gjakut, ku Gjonmarkajt ishin të gatshëm gjithmonë të mbronin Atdheun e tyre ndaj armiqve të kombit. Kur kërkohej ndihma e tyre, në bashkimin e trojeve shqiptare ato vraponin të jepnin ndihmën e tyre si në vitet 1444, 1878-1912, 1920, 1944-1990.
Libri i ri, përshkruan historitë e dhimbshme të Derës së Gjonnarkut, gjatë periudhës absurde të komunizmit ateist. Gjatë gjithë shekujve, ata duruan burgun, sfiduan vdekjen në mijëra luftëra, etj., duke lënë përjetësisht në histori emrin e tyre heroik. Të tillë Kapidan mund të përmendim disa, si: Gjon Marku I, Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda, Marka Gjoni, Gjoni i Markagjonit, Dr. Mark Gjomarku (Ministër i Brendshëm i Shqipërisë), juristi Ndue Gjomarku kryetar i Blokut Indipend, oficer Llesh Gjomarku, i perskutuari politik Dedë Gjomarku (1944-1990), i cili, provoi të gjithë burgjet dhe kampet e internimit në kohën e komunizmit në Shqipëri, Nikollë Gjomarku, i arratisur nga Shqipëria në kohën e komunizmit të zi, i cili, ndërroi jetë i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij në New York.
Pak fjalë për autoren dhe frymëzimin e saj
Italo-amerikano-shqiptarja Bianca Maria Gjomarkaj lindi në Romë, Itali në vitin 1959. Në moshën 13-vjeçare, ajo dhe familja e saj emigruan në SHBA dhe u vendosën në qytetin e New York-ut. Nëna e saj, Maria Teresa Agostini Gjomarkaj, i rrënjosi dashurinë për letërsinë, artin dhe historinë.
Me kalimin e kohës, Bianca u interesua më shumë për historinë e saj familjare, gjë që përfundimisht e shtyu atë të hulumtonte paraardhësin e saj, motrën Maria Rosa Agostini.
Ky interes u rrit me kalimin e viteve nga ekspozimi ndaj një portreti vaji të trashëguar nga gjyshi i saj, Carlo Agostini nga Loreto, i cili varej në dhomën e pritjes (ndenjes) së familjes së saj.
Portreti i tij, ka qenë frymëzimi i saj për këtë libër; një portret i cili tani varet në dhomën e pritjes së Biankës dhe është një kujtesë e vazhdueshme e trashëgimisë së saj italiane.
Para dhe gjatë gjithë shkatërrimit të Shqipërisë nga regjimi komunist nga viti 1944 deri në vitin 1991, familja Marka Gjoni ishte dega më e fuqishme e Shtëpisë së Gjomarkut.
Autorja sot me banim në qytetin historik të Shkodrës, rrëfen histori mbijetese dhe vdekjeje, përmesgjuhës së fakteve historike, kujtimeve personale, fotove dhe dokumenteve origjinale, që demonstrojnë kapjen, burgosjen dhe arratisjet e tyre, ndërsa komunistët përpiqen të dekurajojnë dhe shkatërrojnë shpirtin e familjes.
Humbjet e pasurive të tyre përfshinin: tokat, shtëpitë, sendet me vlerë, lirinë dhe në disa raste edhe jetën e tyre. Ato u fshinë nga librat e historisë shqiptare nga regjimikomunist dhe pak është bërë për të korrigjuar apo mësuar një histori më të vërtetë të valës së vrasjeve komuniste në Shqipëri.
Bianca Maria Gjomarkaj, mbesa e Gjon Marka Gjonit, Kapidan i Mirditës, ndan në gjuhën angleze me lexuesit e huaj dhe shqiptar njohuri mbi emocionet dhe tiparet e anëtarëve të familjes së saj, që jetuan dhe vdiqën, gjatë periudhës së zymtë të komunizmit dhe diktaturës më të eger asokohe.
Ata që mbijetuan e bënë këtë me dinjitet dhe nder, duke kujtuar se kë dhe çfarë përfaqësonin. Komunistët shqiptarë, i nënshtruan poshtërimit, abuzimit dhe privimit, por ata duruan. Ky është udhëtimi i tyre.
Një lexim dhe rilexim i plotë i librit, është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, për çdo shqiptar të etur, për njohjen e Mirditës dhe Dinastisë Gjonmarku.
Libri në fjalë, përmban më shumë se 280 fotografi origjinale, të cilat janë shumë përfaqësuese të historisë së Markagjonit nga fillimi i shekullit XX e deri më sot.
E meriton të thuhej
Së fundi është e rëndësishme të pohohet se libri: “Tower of Resistance Markagjoni Family an Albanian Dynasty” (Kulla e Rezistencës: Familja Markagjoni një Dinasti Shqiptare), shkruar nga vajza e Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarkaj, Bianca Maria Gjonmarkaj, është një vepër unike, e detajuar dhe shumë e rëndësishme, për të gjithë historianët dhe kërkuesit e së vërtetës, për familjen e Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit dhe vuajtjet e tyre, nën regjimin komunist në Shqipëri në vitet 1944-1991.
“Ai (Komunizmi) degradon, dhunon dhe njollos gjithçka që zotërojnë shqiptarët, duke përfshirë ndjenjat, emrin, pasurinë, virtytet morale, familjen, nderin dhe besimin tonë dhe nuk pranon të njohë Zotin e madh…”, shkruan autorja Bianca Maria Gjomarkaj.