

Nga Dashnim HEBIBI/
Reportazh i zgjeruar nga promovimi i dy librave dhe ndarja e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” – Langenthal, 17 janar. E vonova raportimin e promovimit të dy librave dhe ndarjes së çmimit “Ikona e Diasporës”, sepse desha të lejoja emocionet të rrjedhin pa u ndalur nga profesionalizmi.
Që nga ora 23:00 e natës së 17 janarit e deri sot, kam marrë dhjetëra mesazhe dhe fjalë miradie për organizimin e mbrëmjes së madhe kulturore në Lagenthal, së bashku me mikun tim Florim Useini dhe miqtë e tjerë.
Nuk më ka ndodhur kurrë të vonoj një shkrim, por për këtë organizim më duhej të prisja dy ditë, për t’i ndarë emocionet në mënyrën e duhur. Megjithatë, më është e vështirë të përmend të gjitha ato që pamë. Do të përmend megjithatë disa momente, ku nuk munguan as lotët.
Mbrëmja e 17 janarit në Langenthal nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore, por një manifestim i rrallë, ku fjala e shkruar, arti, diplomacia dhe përkushtimi atdhetar u ndërthurën në mënyrë të natyrshme dhe dinjitoze. Me pjesëmarrjen e mbi 300 bashkatdhetarëve, personaliteteve nga atdheu dhe diaspora, kjo mbrëmje dëshmoi se kultura shqiptare në mërgatë jo vetëm që jeton, por di edhe të organizohet me nivel të lartë përfaqësimi dhe përmbajtjeje.
Promovimi i dy librave, “Udhëtim drejt rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, të bashkautorëve PhD. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, u realizua sipas një programi të pasur dhe të detajuar, ku çdo pjesë kishte rolin dhe domethënien e vet.
Hapja solemne dhe përshëndetjet zyrtare
Manifestimi u hap me Himnin Kombëtar, interpretuar nga Ansambli “Trojet”, me qendër në Winterthur, i drejtuar nga Zeqë Gashi, një nga figurat më të përkushtuara në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Zvicër. Që në fillim u krijua një atmosferë solemne dhe emocionale, e denjë për peshën e ngjarjes.
Përshëndetjen hyrëse e mbajti Florim Useini, i cili, me një stil të natyrshëm dhe komunikues, përshëndeti të pranishmit dhe veçoi personalitetet që nderuan manifestimin me praninë e tyre:
z. Darling Vlora, pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës, i shoqëruar nga publicisti i mirënjohur që jeton e vepron në Itali, Arsim Mulliqaj,
znj. Monika Zguro, këshilltare në Ambasadën e Shqipërisë,
z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë,
z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër,
z. Rexhep Demiri, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër,
z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih,
z. Mehmet Ballazhi, Kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, Prof.Dr. Fadil Çitaku, Dr.Sali Sefa, ish konsull, Fadil Asani, Fadil Selmani-Kapiti, Taip Zeqiri, Ilmi Cakolli,
Shaban Tërstena, legjendë e sportit shqiptar, Berat Thaçi editor i shtëpisë botuese “Libri im” me qendër në Pejë, Prof. Dr.Ylber Qusaj, Rafet Ademi, Isa Maliqi, Fazli Musliu, Prof. Nasir Rrustemi, Remzi Durmishi, Musa Sylejmani, etj. Mysafirët erdhën nga Gjermania, Italia, Franca, Austria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe nga të gjitha trojet shqiptare, deri në SHBA.
Ndër të pranishmit ishin edhe përfaqësues nga LAPSH, përfshirë Hamze Morinën, mësues veteran dhe ish-kryetar i LAPSH, Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH për Cyrih, Perparim Sabriu, atdhetar, si dhe personalitete të shumta të jetës kulturore, akademike dhe shoqërore. Librat, me nga 400 dhe 600 faqe, janë botuar nga shtëpia botuese “Libri im” nga Peja, me editor Berat Thaçi dhe redaktor teknik Xhavit Thaçi, duke përfaqësuar një punë serioze dhe të përkushtuar intelektuale.
Kujtesë historike dhe fjala e autorit
Me propozimin e Dashnim Hebibit, u mbajt një minutë heshtje në nderim të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, dëshmorëve të Flakës së Janarit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.
Fjala e autorit, Dashnim Hebibi, ishte e mbushur me emocione të përmbajtura, reflektim dhe mirënjohje. Ai falënderoi të gjithë ata që kishin kontribuar në realizimin e librave dhe në organizimin e kësaj mbrëmjeje, duke veçuar bashkautorësinë me Florim Useinin si një rrugëtim të përbashkët që ka lindur nga dashuria për kombin dhe mërgatën.
Ndërhyrjet artistike – lahuta, kënga dhe vallja
Programi artistik ishte një nga shtyllat kryesore të manifestimit. Lahutari Shaqir Demaj – Baca Shaqë, pjesë e Ansamblit “Trojet”, interpretoi një pjesë instrumentale me lahutë, duke rikujtuar rrënjët epike të kulturës shqiptare, veçanërisht domethënëse në vitin e lahutës.
Më pas, Marisa Murtezi dhe artistë të tjerë të rinj nga Ansambli “Trojet” sollën këngë dhe valle tradicionale shqiptare, ndërsa grupi i valltarëve, nën udhëheqjen e Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi, interpretoi një suitë vallesh kosovare që u prit me duartrokitje të gjata.
Paneli i promovimit – libri “Udhëtim drejt rrënjëve”
Në panelin e promovimit të librit të parë, u lexua fjala e redaktorit, e përgatitur nga Jeton Arifi dhe e lexuar nga poetja Shqiponja Vrajolli, e cila jeton dhe vepron në Zvicër. Fjala e redaktorit e cilësoi librin si një reportazh unik, me karakter dokumentar dhe emocional, që shndërrohet në një udhërrëfyes modern për diasporën shqiptare.
Një kontribut të veçantë intelektual dha Prof. Dr. Xhavit Lipaj, kritik letrar, krijues dhe përkthyes i librit. Në fjalën e tij, Lipaj vlerësoi strukturën, gjuhën dhe rëndësinë dokumentare të veprës, duke theksuar se “Udhëtim drejt rrënjëve” është një libër që i flet lexuesit jo vetëm si tekst, por si përvojë.
Diskutime dhe bashkëbisedim
Autorët Florim Useini dhe Dashnim Hebibi ndanë me publikun rrugëtimin krijues dhe bashkëpunimin e tyre, ndërsa Meti Krasniqi, i cili ka qenë pjesë e madhe e këtij udhëtimi, solli një përshëndetje të sinqertë dhe miqësore.
Fjala e diplomatëve dhe promovimi i librit të dytë
Në vazhdim, fjalë rasti mbajtën përfaqësues diplomatikë:
znj. Shukrije Ramadani, zv ambasadore,
znj.Monika Zguro, këshilltare e ambasadorit të Shqipërisë në Bernë
dhe z. Rexhep Demiri, i cili, përveçse si diplomat, u përjetua si figurë përbashkuese e mërgatës shqiptare.
Më pas u promovua libri “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, kushtuar Ambasadorit Demiri. Kulmi i mbrëmjes arriti kur Ambasadori i RMV, Rexhep Demiri, mori në dorë librin e tij, ndërkohë që po fliste për veprën tjetër të autorëve Dashnim Hebibi dhe Florim Useini. Për një çast u ndal, sytë i ulen mbi faqet e librit, dhe një shtangje e heshtur mbushi sallën. Askush nuk e kishte njoftuar se kjo vepër i dedikohej atij.
Një peshë të veçantë historike dhe emocionale mbrëmjes së 17 janarit në Langenthal i dha prania dhe roli i z. Darling Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Bej Vlorës. Pikërisht nga duart e z. Darling Vlora u nda çmimi “Ikona e Diasporës Shqiptare” për Ambasadorin Rexhep Demiri, duke e shndërruar këtë akt në një moment me simbolikë të rrallë për diasporën shqiptare në Zvicër.
Z. Vlora nuk ishte i pranishëm vetëm si mysafir nderi, por si bartës i një trashëgimie historike që lidhet drejtpërdrejt me themelimin e shtetit shqiptar. Dorëzimi i çmimit prej tij krijoi një lidhje të natyrshme mes idealit të Rilindjes Kombëtare dhe përkushtimit bashkëkohor të një diplomati që, përmes punës së tij të qetë dhe konsekuente, ka fituar respektin e gjerë të mërgatës shqiptare.
Dedikim i Çmimit
Ikona e Diasporës Shqiptare 2025
Shkëlqesisë së Tij,
Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike
Ky çmim i dedikohet një personaliteti që me dinjitet, vizion dhe përkushtim ka përfaqësuar jo vetëm shtetin që përfaqëson zyrtarisht, por edhe vlerat më të larta të diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë.
Përmes angazhimit të tij diplomatik, urtësisë institucionale dhe afërsisë së sinqertë me komunitetin shqiptar, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri ka ndërtuar ura bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe respekti ndërmjet institucioneve shtetërore dhe diasporës sonë aktive. Ai ka qenë një zë i arsyes, një figurë bashkuese dhe një përfaqësues i denjë i një diplomacie moderne, njerëzore dhe gjithëpërfshirëse.
Kontributi i tij i vazhdueshëm në forcimin e rolit të diasporës, në afirmimin e vlerave kulturore, shoqërore dhe kombëtare, si dhe në promovimin e imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, e bën atë një shembull të qartë të shërbimit publik me integritet dhe përgjegjësi.
Me këtë dedikim, Ikona e Diasporës Shqiptare 2025 nderon një figurë që simbolizon besimin se diplomacia nuk është vetëm përfaqësim shtetëror, por edhe shërbim ndaj njerëzve, historisë dhe së ardhmes së përbashkët.
Ky vlerësim është shenjë mirënjohjeje, respekti dhe nderimi për një personalitet që me veprën e tij ka lënë dhe po lë gjurmë të qëndrueshme në jetën e diasporës shqiptare. Ky manifestim po shndërrohet tashmë në një ngjarje tradicionale kulturore, e cila organizohet posaçërisht në kuadër të Flakës së Janarit – një simbol i qëndresës, sakrificës dhe kujtesës kombëtare shqiptare. Flaka e Janarit përkujton figurat dhe veprën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, duke u shndërruar ndër vite në një thirrje për reflektim, unitet dhe vazhdimësi kulturore, veçanërisht në diasporë.
Me respekt dhe konsideratë të lartë,
Këshilli Organizativ
Ikona e Diasporës Shqiptare
PhD. Dashnim Hebibi
President
Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore
Cyrih, Zvicër.
IKONA E DIASPORËS SHQIPTARE 2025
Nr. Protokolli: 01
Me nderim të veçantë i akordohet
Shkëlqesisë së Tij, z. Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut
në Konfederatën Helvetike
Në shenjë mirënjohjeje të thellë për kontributin e tij të shquar diplomatik, për përkushtimin e palëkundur institucional dhe për angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të diasporës shqiptare, duke promovuar vlerat kombëtare, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe forcimin e lidhjeve midis atdheut dhe mërgatës.
Ky vlerësim i jepet si dëshmi e respektit dhe konsideratës së lartë për veprën dhe misionin e tij në shërbim të komunitetit shqiptar dhe diplomacisë bashkëkohore.
Me nderime të larta,
Për Këshillin Organizativ
Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore
PhD. Dashnim Hebibi
President
Zürich, 17 janar 2026
Në fjalën e tij, z. Darling Vlora u shpreh me përulësi dhe dinjitet, duke vënë në pah rëndësinë e vlerësimit të atyre personaliteteve që punojnë pa bujë, por me rezultate konkrete për komunitetin shqiptar jashtë atdheut. Prania e tij u përjetua nga të pranishmit si një nder i veçantë, ndërsa interesimi i madh për bashkëbisedim dhe fotografi dëshmoi se figura e tij mbetet një simbol i gjallë i vazhdimësisë historike shqiptare.
Ndarja e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” nga z. Darling Vlora për Ambasadorin Rexhep Demiri e ngriti manifestimin në një nivel të lartë simbolik, duke dëshmuar se historia, kur takohet me përkushtimin e së tashmes, krijon momente që mbeten gjatë në kujtesë. Ky akt u përjetua jo vetëm si vlerësim individual, por si një mesazh i fuqishëm për gjithë diasporën shqiptare: puna e ndershme dhe shërbimi ndaj komunitetit janë vlera që i rezistojnë kohës.
Mirënjohje dhe mbyllje
Në fund u ndanë mirënjohje për kontribuuesit kryesorë, përfshirë:
Mehmet Ballazhi,
Shaban Tërstena,
Ansamblin “Trojet”,
Zeqë Gashi
Shaqir Demaj – Baca Shaqë,
Musa Sylejmani,
Daut Luboja,
Berat Thaçi, editor i Shtëpisë Botuese “Libri Im”, etj.
Manifestimi u mbyll me një këngë nga Eliza Zeqiri e Ansamblit “Trojet” dhe me një fotografi të përbashkët, duke lënë pas ndjesinë se kjo mbrëmje ishte më shumë se një promovim – ishte dëshmi se puna e qetë, përkushtimi dhe vlerat e vërteta flasin më fort se çdo vetëlavdërim.
Langenthali, më 17 janar, u bë vendtakim i historisë, kulturës dhe shpirtit shqiptar. Një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë.
Fjala e Redaktorit te libri “Udhëtim drejt rrënjëve” e lexuar nga poetja që jeton e vepron në Zvicër, znj. Shqiponja Vrajolli
Reportazhi i formatit të zgjeruar, tashmë i vënë në dispozicion të lexuesit në fromat libri, është një dimension i ri në krijimtarinë publicistike të Dashnim Hebibit. Ai, në këtë vepër përshkruese, na paraqitet si bashkautor me z. Florim Useini, një bashkatdhetar i mërguar dhe kokë e këmbë i përkushtuar rreth përforcimit të lidhjeve midis mërgatës shqiptare me trojet autoktone, si vende të origjinës së tyre.
Qasja krejtësisht alternative e hartimit të përmbajtjes së këtij itinerari të ngjyrosur me nuancat historike të secilit destinacion të përkohshëm, të vizituar kalimthi gjatë rrugës që i fton udhëtarët në oborrin e shtëpisë së gjyshit plisbardhë, të lë shijen e një dokumentari televiziv, të realizuar nga dy mastershefë kuzhine, të cilët mbledhin receta gatimesh nga çdo regjion, qytezë e fshat që i hapë dyert e mikpritjes.
Për dallim prej tyre, bashkautorët e këtij libri të veçantë për nga karakteri, motivi e përmbajtja, ndalojnë nëpër vende që përshkojnë me ‚makinën e tyre të memories‘, jo për tia shtuar listës së tyre individuale të vendeve të vizituara, por të zbuluar elementin shqiptar (ilir) brenda secilës ndalesë, që do të duhej tu shërbente shqiptarëve të mërguar si arsye shtesë për ta përdorur këtë itinerar, jo si alternativë të re, por si një ‚Via Egnatia‘ moderne të diasporës shqiptare, e cila anashkalon gropat e Serbisë, të shoqëruara me tarifa të majme rrugore dhe keqtrajtim psikologjik, duke i dhënë përparësi një territori, i cili, përveçse shumë piktoresk, në shikim historik ishte i tëri ilir.
Lexuesi, duke përshkuar faqet e kapitullit të parë, i cili shpalosë veçoritë dalluese të secilës ndalesë, fillon ta ndjejë veten si shikues të një reportazhi filmik dokumentar, të cilin, herë e shoqëron lindja e diellit diku pranë Detit Adriatik, e herë e përkëdhelë perëndimi romantik i tij, tek sa automjeti i autorëve përshkues të kësaj gjeografie i afrohet Detit Jon, kaltërsinë e kristaltë të të cilit nuk e zbeh dot as muzgu.
Autorët, duke i dhënë vetes një mision të pazakontë, përmes përmendjes e përshkrimit të vendeve të përshkuara gjatë këtij udhëtimi pelegrinazh, i flasin lexuesit për historinë e secilës deriçkë ku kanë trokitur. Ata shpalosin të veçantat e tyre si veçori dalluese, por edhe ofrojnë arsye shtesë pse duhet të ndalojë aty çdo i mërguar shqiptar rrugës kthyese për atdhe.
Brenda përmbajtjes së këtij libri, përmes vizitave në monumentet historike e lapidarët e ngritur për heronjtë nga një popull mirënjohës, lexuesi e rijeton rrugëtimin e autorëve, duke sjellë në kujtesë historinë e dhimbshme e krenare të popullit shqiptar.
Për ti dhënë një këndvështrim të kritikës pozitive këtij udhëtimi të veçantë, autorët i kanë dhënë hapësirë vlerësimit të miqve e ndjekësve të tyre, të cilët, përmes një vlerësimi individual e të pavarur, e kanë cilësuar këtë udhëtim si shumë frymëzues.
Përmbajtjen relativisht të shkurtë të këtij reportazhi unik e përmbyllin komentet e ndjekësve të autorëve përmes rrjeteve sociale, të cilat, brenda faqeve të librit janë pasqyruar të paredaktuara.
Jeton ARIFI
Fjala e Redaktorit te libri i ambasadorit
Ky libër i karakterit biografik, i shkruar nga bashkautorët Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, jo rastësisht është titulluar ‘Dritëhijet e një Rrugëtimi Diplomatik’, ngaqë ai i kushtohet një njeriu, i cili, në sytë e bashkatdhetarëve të tij të mërguar nga vendi i origjinës shihet më shumë se vetë ambassador i shtetit të tyre. Afërsia e tij me njerëz, qasja e tij shumë njerëzore e altruiste ka motivuar autorët e kësaj nisme që figurën e tij ta bëjnë ti rezistojë kohës dhe t’ia ofrojnë publikut të gjerë edhe jashtë kufinjve administrativë ku ai ushtron profesionin fisnik të ambasadorit.
Si shqiptar i Maqedonisë së Veriut, i brumosur që në vegjëli me tradita kombëtare dhe i edukuar me frymë atdhetare, rrëfimi për të si diplomat është, në thelb, një dedikim, përmes të cilit dëshmohet krijimi i urave kulturore, e veçanërisht bashkimi i komunitetit shqiptar të ardhur në vendet e Evropës Qendrore nga troje të ndryshme shqiptare.
Në pjesën hyrëse të librit, autorët, mes tjerash, përmes ofrimit të të dhënave jetëshkruese rreth personazhit të tij, e fusin lexuesin brenda thelbit të përmbajtjes, duke shpalosur secili prej tyre këndvështrimin e tyre personal lidhur me figurën e spikatur të Shkëlqësisë së Tij z. Rexhep Demiri. Kreu i parë i kushtohet kryesisht biografisë së ambasadorit, nga e cila, lexuesit i ofrohet mundësia t’i mësojë rrënjët e z. Demiri, rrugëtimin e tij akademik, veprimtarinë e pasur publike, e veçanërisht ngritjen e tij deri në shkëlqim si figurë e shquar prej diplomati.
Pikërisht qëndrimi i tij në detyrë, si shef i misionit në Zvicër, dëshmon adaptueshmërinë dhe shkathtësinë e ambasadorit për të nxitur lidhjet ndërkombëtare, e veçanërisht përforcimit të angazhimit të shtetit dërgues me institucionet zvicerane dhe mërgatës shqiptare.
Përmbajtja e këtij kreu nxjerr në pah aspektin njerëzor të Ambasadorit Demiri, si ngrohtësinë, intelectin dhe aftësinë për të naviguar gjeopolitikat komplekse, e bën lexuesin kurrreshtar për burrin që ai përfaqëson prapa petkut të diplomatit.
Faqet e ilustruara të kreut të dytë të këtij libri karakterizohen me intervistat e miqve dhe kolegëve të personazhit të skalitur brenda kësaj biografie të zgjeruar, përmes të cilave janë shprehur përshtypjet dhe këndvështrimet e sinqerta të tyre për individualitetin ikonik të ambasadorit. Këtu, ndikimi i ambasadorit na paraqitet i gjallë përmes syve të të tjerëve.
Mjeshtria e autorëve në këtë segment është treguar përmes hartimit të një numri të caktuar pyetjesh të njëjta, të cilave i janë përgjigjur nga prizmi personal të gjithë të intervistuarit, që ka bërë përfitimin e një pasqyre heterogjene këndvështrimesh e përshtypjesh për çështje të njëjta, por që si përkufizim kanë ndërtuar shtatoren e gjallë të Rexhep Demirit me veçoritë superlative, si emërues të përbashkët.
‘Ambasadori i trojeve shqiptare’, një cilësim i bërë nga një prej të intervistuarve, në përshkrim të personalitetit të shkëlqësisë së tij, lehtësisht do të kishte mundur të bëhej vet titulli i këtij libri, sepse në sytë e komunitetit shqiptar, pavarësisht territorit shqiptar nga cili shtet e kanë origjinën, z. Demiri shihet si ambassador i tyre, falë qasjes së tij përbashkuese, afërsisë së natyrshme e mbështetjes konkrete.
Kolegë ambasadorë e konsuj, përfaqësues të komunitetit tregtar, klerikë, projës organizatash e shoqatash kulturore kanë lavdëruar profesionalizmin e tij, shkathtësitë dhe empatinë kulturore.
Si përkufizim dalin temat e përbashkëta – aftësia e tij për të ndërmjetësuar, shkathtësia për diplomaci të qetë, si dhe krenaria e tij në përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut dhe trashëgiminë e tij shqiptare. Këto veçori e ngrisin nivelin e librit nga një biografi, në një eksplorim të menduar të asaj që e bën dikë ambasador ‘të mirë’.
Shumëngjyrshmëria e këtij libri biografik vihet në pah pikërisht në kreun e tretë, ku autorët kanë zgjedhur ta pasqyrojnë veprimtarinë e ambasadorit përmes fotografive në kohështrirjen e shërbimit të tij si konsull në Gjermani dhe si ambassador në Zvicër.
Para përmbylljes së punës së tyre rreth këtij libri, autorët, përveç shfletimit të episodeve të veprimtarisë publike të z. Demiri nga këndvështrimi i tyre personal, kanë intervistuar njëri tjetrin për ta vënë veten e tyre në pozitën e respondentëve tjerë nga kreu i dytë.
Mbi të gjitha, kjo prurje e re e Dashnim Hebibit, të cilën po e sjell në bashkautorësi me Florim Useinin, një bashkatdhetar i ambasadorit, simbolizon një dedikim për një diplomat në kulmin e shkëlqimit të tij.
Për lexuesit e interesuar rreth diplomacisë së Gadishullit Ilirik (Ballkanit), marrëdhëniet zvicerano-shqiptare, apo, thjesht, rreth një tregimi mbi përfaqësimin e qetë diplomatik, ky libër ofron material të mjaftueshëm për të analizuar.
Jeton ARIFI
Promovimi i librave “Udhëtim drejt rrënjëve” dhe “Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik” në Langenthal më 17 janar 2026, së bashku me ndarjen e çmimit “Ikona e Diasporës Shqiptare” për Ambasadorin Rexhep Demiri, përbën një dëshmi të qartë të gjallërisë kulturore, intelektuale dhe diplomatike të diasporës shqiptare në Zvicër. Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një aktivitet promovues, por një ngjarje që ndërthur histori, art, diplomaci dhe përkushtim kombëtar, duke reflektuar lidhjen e ngushtë midis trashëgimisë historike dhe veprës bashkëkohore.
Librat e autorëve Dashnim Hebibi dhe Florim Useini shërbejnë si pasqyra të rrugëtimit personal dhe kolektiv të shqiptarëve në mërgatë, duke ndërtuar ura njohjeje me vendlindjen dhe promovuar identitetin kombëtar. Në të njëjtën kohë, nderimi i Ambasadorit Rexhep Demiri, në prani të z. Darling Vlora, lidhi simbolikisht përkushtimin bashkëkohor me trashëgiminë historike, duke treguar se integriteti, shërbimi dhe përkushtimi ndaj komunitetit janë vlera që tejkalojnë kohën dhe kufijtë.
Mbrëmja e Langenthal-it dëshmoi se kultura, dijet dhe diplomacia shqiptare në diasporë janë të gjalla, të bashkuara dhe të afta të krijojnë momente historike, të cilat jo vetëm nderojnë individë të shquar, por fuqizojnë gjithë komunitetin dhe promovojnë identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, përpjekjet individuale dhe kolektive për të ruajtur traditën, për të transmetuar historinë dhe për të ndërtuar bashkëpunime ndërkulturore shfaqen si shembuj frymëzimi për brezat e ardhshëm të diasporës. Në fund, bashkautorët, dy miq të vjetër, u përqafuan me njëri-tjetrin, edhe pse gjatë gjithë kohës kishin batuta të ëmbla, dhe programi i promovimit kaloi pa asnjë pengesë. Ata deshën të falenderonin të gjithë të pranishmit. Falenderuan sponsorët, të gjithë ata që punuan për realizimin e dy librave, si dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët mbajtën fjalën e dhënë që nuk do të bënin asnjë koment ndaj ambasadorit.
Nga atdheu mbërritën edhe telegramet e urimit nga lideri Ali Ahmeti, filantropi Lazim Destani, si dhe ish-kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari. Librat pritet të ribotohen, pasi gjatë promovimit u shkuan thuajse të gjitha kopjet. Libri i ambasadorit është gjithashtu në gjuhën gjermane.
Kjo punë e madhe, gati njëvjeçare, dëshmon se ka njerëz të mirë që e dinë vlerën e atyre që punojnë.
Foto nga Mestro, Daut Luboja