


Visar Zhiti/
Mbrëmja e Shoqatës “Uskana” me kërçovarët e Çikagos, – një takim i ngrohtë, ku shpalosej vetëm mirësi…Sa shumë që ishin, nuk do ta besoja! Zonja dhe zotërinj, të moshuar dhe të rinj, fëmijë, familjarë, të gjithë me një qytetari sa amerikane po aq dhe me fisnikëri tradicionale shqiptare, të trevës nga vijnë…Të bukur të gjithë, jo vetëm në veshje. Na uroi mirseardhjen Kryetari i Shoqatës, Dr. Luan Elezi. Flamuj shqiptarë dhe amerikanë në sallën e madhe me shandanë dhe lule, u kënduan dy hymnet, recitime e këngë, me shqipen përmalluese e valle, vallet tona me kostumet folklorike, që janë histori jona. Miku im, Taip Beshiri, që më rrinte pranë, me njohu me shumë bashkëqytetas, mes tyre dhe Dr. Xhabir Alili, pasionant i poezisë, që para të gjithëve lexoi poezinë e tij për vendlindjen dhe vazhdoi me një poezi timen për lirinë. Na bëri bashkë. Po Ilir Zengu përkujtoi aty piktorin kërçovar me famë botërore, Omer Kaleshi, dhe më dhuroi një libër për të, shkruar nga Luan Rama… Vend i vogël, por sa ka dhënë, po bisedonim me njër tjetrin. Ja, nëna e Gjergj Kastrioti – Skenderbeut tonë, nga andej ishte, nga Gradeci, thashë, por dhe Shenjtja Nënë Terezë shkupiane është, po dhe nobelisti tjetër në shkencën e mjeksisë, Ferit Murati, nga Gostivari e kemi, po shkrimtari Luan Starova, i përkthyer në botë, i shkruante romanet e tij në maqedonisht dhe shqip, në Pogradec ka lindur… etj, etj.T’i përkujtojmë, “Uskana”- emri i hershem parasllav i Kërçovës, mund të bëjë shumë e më shumë këtu në bashkëpunim me shoqata të tjera dhe indtitucione. Shoh gjithë këta të rinj e të reja, njëra përballë në tryezën tonë, i shoqi në krah duket si aktor filmash, e ka emrin Abetare, mrekullohem, nuk e dija se kishte një emër të tillë kaq kuptimplotë, me dashuri për gjuhën amë…Do të mjaftonte ky kumt për mua që të besonim më shumë, për më shumë shpresë edhe në metropolet e mëdha si Çikago, mund të japim dhe ne, sado pak, nga kultura jonë në botën e madhe që na jep… Të shkëlqejë dhe guri ynë në mozaikun e pafund…