Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja para 16 viteve, NATO nisi të hynte në 12 qershor 1999 ora 05 e 17 minuta/
– Kuvendi i Kosovës për 12 Qershorin – Ditën e Paqes, seancë festive dhe koncert i Filarmonisë-
Nga: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 12 Qershor 2015.- Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon sot 12 qershorin, Ditën e Paqes, me seancë festive dhe me koncert në të njëjtën sallë të Filharmonisë së Kosovës, ku po marrin pjesë liderë insitucionalë e politikë, si dhe ambasadorë e të ftuar të tjerë.
“Kjo është ngjarje e veçantë në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, një koncert festiv i Filharmonisë së Kosovës në nderim të 12 qershorit”, tha në çelje të seancës festive-koncertit, kryeparlamentari Kadri Veseli.
“12 qershori është një ditë sublime për popullin e Kosovës, por edhe për vlerat e paqës dhe humanizmit. 12 qeshori është dita e triumfit të lirisë njerëzore mbi shtypjen dhe tiraninë”, theksoi Verseli.
“Të nderuar të pranishëm, vlerat sublime më së miri shprehen me gjuhën e artit, prandaj sot, në këtë vend, në vend të fjalimeve politike le të flasë arti”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës e më pas nisi koncerti festiv i Ditës së paqës.
Ligj për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës përcakton 12 qershorin ndër ditët memoriale. Në vitin historik 2008, dekretimi i këtij ligji, të miratuar në Kuvend në 21 maj, si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt.
Në Kosovë para 16 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.
Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në ATSH lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive…
Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.
Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut.
Në atë Grykë, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”, “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…
Por, përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.
“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.
Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.
Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…
Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…
“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…
Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.
Kisha raportuar se “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë
dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet
dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.
Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999 në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…
Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 16 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…
Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…
Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.
Në lajmin e 6 majit të para 16 viteve, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…
Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.
Në ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.
Nga këto pamje, në ATSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”
Erë shkrumbi e shtëpive e obekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.
Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…
Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”, vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”
Pasditen e 13 qershorit 1999, me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Isak Ramadani, që erdhi nga Shkupi në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kasha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.
Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.
Kështu ishte 16 vite më parë…
Dhe, 16 vjet pas 12 qershorit historik 1999, Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe.
Në 16 vjetorin e lirisë, Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 109 shtete anëtare të OKB-së dhe drejt të gjitha njohjeve ndërkombëtare…
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.