Babai im ndërroi jetë ditën e shtunë, më 18 qershor, në Staten Island Hospital University. Së shpejti me bashkëshortin tim Qemal Zylo do të përcjelim trupin e tij për në banesën e fundit në Atdhe, në Tiranë duke u nisur nga Azzara Funeral Home, Staten Island, New York.
Dritë të pastë shpirti tënd i bardhë ashtu siç të pati sa pa ikur nga kjo botë. Në se ka njeri që unë merrja shembull për çdo gjë të mirë në jetë, Ai ishje Ti, Babai im. Ndershmëria, edukata dhe qetësia ishin vyrtyte të rralla të cilat doje me çdo kusht t’i transmetoje tek fëmijet e tu. Kurrë nuk pe në jetë interesat e çastit, siç dhe e kishje shprehjen tënde gjithmonë, por u mundove të shikoje perspektivën që në fakt ato ishin thjesht idealiste për mua, sepse kushtet e kohës nuk të lanë t’i realizoje siç dhe ëndërroje… Jam tejet krenare me ty Baba për të gjitha vyrtytet e rralla njerëzore që kishje, për artin e jashtëzakonshëm të komunikimit me të gjithë miqtë, shokët dhe veçanërisht me bashkëfshatarët e tu mezhgoranas, të Peshtanit dhe krahinen perreth në Tepelenë që i doje dhe i çmoje aq shumë. Vështirësitë e gjithë jetës tënde, puna e rëndë dhe stropacitëse tëndja dhe e nënës sime për tërë jetën në kooperativë, janë PENGU I JETES SIME!… Ti erdhe në Tiranë kur unë ika në Amerikë, në shtëpine time, se varfëria ekonomike, pensioni tënd që s’arrinte as për plotësime minimale jetese, e bënte të pamundur lëvizjen, ëndërr…
Të falënderoj pamasë për shkollimin dhe gjithçka të bukur dhe të vlefshme që më dhurove, sepse dhe kur mbarova pedagogjiken kurrë nuk më pe si ndihmë krah shtëpie, që edhe pse kishit aq shumë nevojë ekonomike, përsëri ngulmove me sakrifica që të vazhdoja studimet e larta.
Ti ishje një tregimtar realist, i përsosur, historitë reale që rrëfeje ishin magjepsëse dhe kjo falë kujtesës fenomenale që kishje. Ti solle në shkrimet e mia shumë ngjarje të rëdësishme, disa dhe historike, kombëtare siç ishte me firmëtarin e Pavarësisë Fehmi Bej Mezhgoranin, avokati për hartimin e kushtetutës në qeverinë e Ismail Qemalit. Ai ishte lënë në harresë nga historia dhe jo vetëm, por dhe disa personalitete të shquara, apo dhe vatranë, midis tyre dhe babai tënd Hamit Veiz Mexhgorani, të shkruara në fletoren e Nolit, nga Mezhogorani ku u linde dhe u rrite.
C’krenari ndjeva kur të shkruajti letër falënderuese shkrimtarja e mirënjohur Adelina Mamaqi e cila e ka gjysh Fehmi Bej Mezhgoranin dhe ja si të shkruante midis të tjerash: “Rrëfimi yt me aq dashuri dhe vërtetësi ka venë në lëvizje kujtesën historike që Fehmi Bej Mezhgorani duhet të vihet në vendin që i takon. Per këtë familja ime të është mirënjohëse për tërë jetën”…
Kujtesa tënde ishte arshivë e vërtetë, ishte nje arshivë me 88 vite mbi kurriz, ishte një jetë e gjatë. Mësuesit dhe nxënësit e shkollës së Mezhgoranit nuk do të harrojnë kurrë sidomos kur të ftonin në ditën përkujtimore te Heroit të popullit Asim Zenelit, ku ti iu flisje me aq pasion dhe respekt për heroizmin e Tij të pashoq dhe luftën e Mezhgoranit një betejë nga më heroiket kundër fashizmit gjatë Lufës së dytë botërore…, luftë që u përjetësua në këngë: “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit”…
Ti ke ndarë hallet dhe gëzimet me bashkëfshatarët e tu pa dallime duke qenë një model tolerance në shoqëri, punë dhe kudo, respekt që të është shprehur gjithmonë. Asnjëherë nuk ke pranuar bujën, kotësinë, grykësinë, gënjeshtrën që e kishje vdekje, por qetësisht dhe plot mirësi në shpirt, ke ecur në rrugën e duhur dhe ashtu qetësisht mbylle sytë ditën e shtunë duke dhënë shpirt në duartë e mia dhe të Qemalit, Toddit që e doje aq shumë, miqve Pira dhe Likollari, ndërkohë të shfaqeshin si vegim pranë xhamit të dritares, Bardhuli, Fatosi dhe Arbeni, tre djemtë e tu të mrekullueshëm, fjalëpak dhe të urtë, të ciët ishin larg… Ti mbylle sytë duke befasuar mjekët se s’kam frikë nga vdekja, ti e sfidove vdekjen dhe në orët e fundit të jetës, dhe në ato çaste para meje ringriheshe madhështor si vetë thjeshtësia e tejskajshme që të karakterizonte…
Ti je një Baba ideal, Ti je një Burrë i vertetë!
Të qoftë i lehtë dheu në Tiranë Babai im Brahim Gjoni!
KEZE KOZETA ZYLO
19 qershor, 2016
Staten Island, New York
shefqet says
Ngushellimet tona per te ndjerin Brahim Gjoni!
Jemi me ju ne kete dhimbje familjare!
Me respekt
Shefqet Kercelli