Shqipëria në zi kombëtare në nderim të deputetit/
Në Kuvendin e Shqipërisë janë zhvilluar homazhet për nder të deputetit të Partisë Demokratike Sokol Olldashi, i cili ndërroi jetë në mënyrë tragjike në një aksident rrugor.
Arkivoli me trupin e pajetë të Sokol Olldashit doli nga shtëpia e tij për t`u zhvendosur në hollin e Kuvendit të Shqipërisë. Familjarë, të afërm, miq, kolegë, përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të shumtë kanë zhvilluar homazhe deri në orën 14:00 kur trupi i Sokol Olldashit është përcjellë për në banesën e fundit.
Kreu i PD-se, Lulzim Basha ne mesazhin e tij të lamtumires, deklaroi se zoti Olldashi do të mbetet një impuls force për PD dhe gjithë të dashurit e tij.
“Nuk na besohet të mos e shohim Sokolin në këmbë. Të dashur familjarë, miq e kolegë, si bashkëpunëtor, kryetari i PD-së e kam unë këtë barrë të rëndë të përcjell bashkë me ju, me lot e dhimbje. Do donim që kjo e sotmja të mos ishte e vërtetë. Të mblidheshim sot për të festuar ditëlindjen e tij apo një festim familjar. Vetëm të mos themi që Sokoli nuk është më mes nesh. Ishte i paepur. Shkëlqeu si gazetar politik dhe opozitar i paepur. Çmontonte dhe denonconte intrigat politike dhe na jepte kurajo ishim pakicë dhe kur forcat e errëta përpiqeshin të na zhbënin. Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim i PD-së, me profilin kurajon e vizionin e tij. Na krijove dhimbje. Por je dhe do të jesh impuls dhe forcë. Një zë i dashur dhe mik i përjetshëm, djalë e baba i pazëvendësueshëm. Lamturimë i dashur mik e vëlla, u prefsh në paqe” tha Basha, gjate fjales se tij.
I pari që kanë zhvilluar homazhe kanë qënë kryetari i PD-së Lulzim Basha i cili është përlotur përpara arkivolit me trupin e pajetë të Sokol Olldashit.
Më pas ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha duke u ndjekur më pas edhe nga i gjithë grupi parlamentar demokrat..
“Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe dua të them që Sokol Olldashi jeton dhe do jetojë midis nesh me veprën e tij, me veprimtarinë e tij për gjithçka që ka bërë për Partinë Demokratike dhe për të gjithë kombin” është shprehur Berisha në një prononcim të shkurtër për mediat.
Homazhe ka zhvilluar edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili më pas ka lënë edhe një shënim në librin e ngushëllim
Gjithashtu homazhe ka kryer edhe i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste i kryesuar nga kreu i grupit Gramoz Ruçi.
Është një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijë, politikën shqiptare, për opozitën, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për të nderuar e respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar, vëllain, mikun, Sokol Olldashi”, është shprehur Ruçi.
Homazhe kanë zhvilluar gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe deputetë dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Nano: Sokol Olldashi iku para kohe, nuk ishte radha e tij
Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe ish-kryeministri Fatos Nano i cili ka theksuar se Sokol Olldashi do t`i mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës.
“Sokol Olldashi ishte njëri nga ne, politikanë të trazicionit me sakrificat, me kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë. Fatkeqësia është se iku pa radhë, nuk ishte radhë e tij. Sigurisht që do ti mungojë jo vetëm familjes por edhe politikës por edhe të ardhmes. Respekte” shtë shprehur Fatos Nano.
Edhe kreu i shtetit Bujar Nishani i shoqëruar nga zonja e parë e vendit Odeta Nishani u janë bashkuar homazheve për deputetin Olldashi.
Homazhe kanë zhvilluar edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i shoqëruar nga Ministri i Kulturës Memli Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të kabinetit u kanë shprehur ngushëllime familjarëve.
Kreu i LDK, Isa Mustafa, në homazhet ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqte, PD dhe politikën shqiptare.
“Të gjithe ne e kemi përjetuar shumë rëndë këtë vdekje tragjike të Sokol Olldashit. Kemi ardhur t’i shprehim ngushëllime familjes, PD, popullit shqiptar, politikës shqiptare. Një shqiptar që është munduar të rezatojë pozitivitet në zhvillimet e përgjithshme. Lus familjen dhe të gjithë të bëhemi të fortë të përjetojmë këtë rast të rëndë tragjik. Por kemi parasysh veprën e tij, personalitetin e tij, dhe të përpiqemi ta kalojmë dhimbjen për këtë humbje”, u shpreh Mustafa.
Edhe kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka ngushëlluar familjen dhe miqte e të ndjerit Sokol Olldashi.
Parlamenti shtyn punimet
Ndërkohë për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi, Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca plenare e parashikuar për sot shtyhet për javën e ardhshme.
Bashkia: Flamujt në Tiranë në gjysmështizë
Bashkia e Tiranës ka njoftuar se gjatë homazheve për nder të deputetit demokrat Sokol Olldashi flamujt në të gjithë kryeqytetin do të ulen në gjysmështizë.
Vdekja e Sokol Olldashit, qeveria shpall ditë zie kombëtare
Qeveria ka shpallur sot ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikë s 8, të kreut VII, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 21.11.2013, në nderim të të ndjerit, Sokol Olldashi, deputet dhe politikan i shquar.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize.
3. Ceremonia e homazheve organizohet ditën e enjte, datë 21.11.2013, nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit.
Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit demokrat, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit si dhe personalitete të larta në Kosovë dhe Maqedoni.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar një foto të deputetit Sokol Olldashi në të cilën shkruhet “Koli, do të mbetet përjetë mes nesh”.
Mesazh i Ambasadorit Ettore Sequi
Do doja t’i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, në emrin tim dhe në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë familjes së deputetit Sokol Olldashi pas humbjes së tij tragjike natën që shkoi. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij, miqtë e tij dhe kolegët e tij parlamentarë në këtë moment të trishtuar.
Mesazh Ngushëllimi nga Ambasadori i SHBA-së Aleksander Arvizu
U trishtova shumë kur mora vesh se Sokoli ndërroi jetë. Kam qenë me fat që pata mundësinë ta njihja gjatë kohës sime në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend më të mirë, për të gjithë.
Kur e takova për drekë disa javë më parë, më tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij. Më tregoi për planet që kishte për të vizituar Shtetet e Bashkuara në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut.
Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegëve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë kohë të vështirë.
Mesila Doda dhe Erjon Braçe
“Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!” është shprehur në Facebook deputetja demokrate Mesila Doda.
“U prehtë në paqe Sokol Olldashi” është shprehur deputeti socialist Erjon Braçe.
Eduard Selami
“Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, qe sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetesinë e familjes, miqve, atyre qe e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërine dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e shkojne për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japi forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!!”
Behgjet Pacolli
“Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme”.
Ahmeti ngushëllon familjen e Olldashit
Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka ngushëlluar familjarët e deputetit, Sokol Olldashi.
“Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, prandaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejme me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, shkruan Ahmeti.
Oerd Bylykbashi
Koli, Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988.
Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit Naim Frashëri, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studenteve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!
Fatos Nano
Me hidhërim të thellë morra vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe !
Edmond Panariti
Shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut Sokol Olldashi. I shpreh ngushëllimet e mia të perzemërta familjes së tij dhe ndaj dhimbjen me ta në këtë ditë zie. Kam patur rastin ta njoh personalisht z. Olldashi gjatë kohës kur kam shërbyer në qeverinë e mëparshme. Vlerësoj shumë karakterin e tij bashkepunues, të ngrohtë e të komunikueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!
Thaçi ngushëllon familjen Olldashi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ngushëlloi familjen Olldashi dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vdekjes së deputetit Sokol Olldashi.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sokol Olldashi. Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri”.
“Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella”, thuhet më tej në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi.
Isa Mustafa
Nga ana tjetër edhe kreu i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa ka dërguar një mesazh ngushëllimi. Ai shprehet se, Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare, kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit.
“Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD-së, z. Lulzim Basha dhe Parlamentit shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë” thekson Mustafa.
Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ngushëlluar sot kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vdekjes së deputetit, Sokol Olldashi.
Në telegramin e ngushëllimit të Krasniqi thuhet:“Me dhembje të thellë mësuam lajmin që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi ka humbur jetën në aksident të rëndë trafiku. Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por dhe për Kuvendin e Shqipërisë. Familja Olldashi ka humbur njeriun më të dashur, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë humbi deputetin e palodhshëm dhe të përkushtuar në detyrat e tij si i zgjedhur i qytetarëve shqiptarë. Duke ndarë dhembjen bashkë me familjarët e deputetit Sokol Olldashi, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta Juve dhe familjes Olldashi.
Ramush Haradinaj
Ndërsa, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një telegrami adresuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, e ka ngushëlluar sot familjen Olldashi, Partinë Demokratike të Shqipërisë, ish-kryeministrin Berisha, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe mbarë vendin, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të deputetit dhe ish-ministrit, Sokol Olldashi.
Në telegramin e kryetarit Haradinaj, thuhet: “Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të deputetit, ish-ministrit, kolegut dhe personalitetit të shquar të PD-së dhe të politikës shqiptare të dekadës së fundit, z. Sokol Olldashi. Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, ua përcjellë ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
Mesazh Ngushëllimi nga kreu i gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dhe Trupa Gjyqësore e kësaj gjykate, i shprehin ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerit Sokol Olldashi. Ndarja tragjike dhe e parakohshme e tij nga jeta, është një humbje e pazëvendësueshme edhe për miqtë, kolegët dhe deputët e Kuvendit të Shqipërisë.
“Me këtë rast, shprehim vlerësimin më të lartë për figurën , punën dhe kontributin e. Sokol Olldashi, në jetën politike dhe shoqërore të vendit”.
KUSH ISHTE SOKOL OLLDASHI
Sokol Olldash ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partise Demokratike.
Ka lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu më 1995
Ndërsa në 2004- kreu Kolegjin e Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar), ku u Diplomua me “Medalje të Artë”.
Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Bashkë me idelaet e tij politike Sokol Olldashi e nisi në po këtë periudhë karrierën e tij si gazetar. Pas disa vitesh gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës “Albania”, në vitin 2001 zgjidhet për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Në vitin 2005, ai rizgjidhet në Kuvend, me fitoren në Shijak. Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit Sokol Olldashi u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007. Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës.
Më pas, Sokol Olldashi merr postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, post që e mbajti deri në shtator të 2013.
Pas humbjes së Partise Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, zoti Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës.
Olldashi ka drejtuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike, PD-të Tiranës, ndërsa ka qënë anëtar i forumeve më të larta të kësaj partie kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. 41-vjeçari ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë.
nga prizreni TR BURRA
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe !
Ronni nga Prizreni