Sokol Paja/
New York, 11 janar 2025 – Legalistët e Amerikës përkujtuan Gjeneral Abas Kupin në 49 vjetorin e ndarjes nga jeta. Partia “Lëvizja e Legalitetit”- dega e SHBA-së, në bashkëpunim me familjen Kupi, veprimtarë, patriotë shqiptarë në Amerikë, u mblodhën te varri i Gjeneral Abas Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens New York; për të përkujtuar 49 vjetorin e vdekjes së një prej udhëheqësve më të shquar të nacionalizmit shqiptar dhe veprimtarit të shquar të patriotizmit shqiptar në mërgatën e Amerikës Abas Kupit. Ceremonia e nderimit u udhëhoq nga patrioti i shquar legalist Ndrecë Gjergji i cili theksoi rëndësinë e përkujtimores dhe falënderoi pjesëmarrësit në ceremoninë e nderimit të atdhetarit të shquar Gjeneral Abas Kupi.
Të pranishëm në ceremoninë e nderimit ishin ndër të tjerë z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën, sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, gazetari i shquar i Zërit të Amerikës Gjekë Gjonlekaj etj. Abas Kupi është ndër figurat më të larta politike e patriotike që nderon kombin shqiptar dhe historinë moderne të shtetit.
Z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën deklaroi se Abaz Aga është simbol i përjetshëm kundër sllavëve dhe komunistëve. Z. Hoti diskutoi për kontributin e Abas Kupit te Lufta e Koplikut, kontributi në skenën politike të vitit 1924, kthimi i legalitetit në pushtet si kthim i ligjshmërisë, ndërtimi i themeleve moderne të shtetit shqiptar, qëndresa antifashiste e vitit 1939 që i dha mesazh botës që shqiptarët nuk e duan fashizmin, nazizmin e komunizmin. Pas fjalës së patriotit Ndrecë Gjergji u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të heronjve të kombit shqiptar dhe patriotit Nderim Kupi ndarë nga jeta vitin e kaluar.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës Vatra. Ai tha se Abas Kupi ishte një njeri i madh i kombit shqiptar, frymëzues për gjeneratat. Kombi mburret me veprën e Abas Kupit tha Dr. Camaj. Faton Zogejani dhe Bashkim Shehu përshëndetën nga Shoqata Skënderbej. Z. Shehu shprehu vlerësim të lartë për patriotin Abas Kupi dhe apeloi për bashkim kombëtar. Gjekë Gjonlekaj u ndal te figura madhështore e qëndresa trimërore e Abas Kupit dhe apeloi për kthimin e eshtrave të Abas Kupit në Shqipëri dhe organizimin e një konferencë shkencore ndërkombëtare në nder të jubileut 50 vjeçar të largimit nga jeta të Abas Kupit. Editori i Diellit vlerësoi figurën e Abas Kupit dhe garantoi familjen Kupi dhe Legalitetin se Dielli e Vatra do japin kontribut shkencor në organizimin e Konferencës që përkujton jetën dhe veprën e Gjeneral Abas Kupit. Në emër të familjes përshëndeti dhe falënderoi pjesëmarrësit Sokol Kupi. Për nder dhe respekt të Abas Kupit familja Kupi për të gjithë të pranishmit shtroi një drekë përkujtimore në Reef Restaurant & Bar.