![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/05/441871255_855592546609269_8118029758292381664_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/05/444479887_855592516609272_3525932301871726523_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/05/444179561_855592586609265_976688618612184760_n-1024x768.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/05/441414503_855592613275929_155114759142695269_n-1024x768.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/05/436319904_855592656609258_5730358310493401508_n-1024x768.jpg)
Sokol Paja/
New York, 19 maj 2024 – Producenti dhe regjisori Leonard Bombaj bashkoi në New York personalitete të shquara shqiptare të mërgatës së Amerikës, gazetarë, ambasadorë, aktivistë të komunitetit, shkrimtarë, veprimtarë, studiues e artëdashës në prezantimin e projektit kushtuar Pëllumb Kullës “Lejlekët nuk vijnë më” një film kombëtar me synim të një impakti ndërkombëtar. Shfaqja e sponsorizuar në New York nga av.Fatos Dervishi dhe koordinuar nga Dritan Haxhia “Kordinatori i Medias në Vatër” dhe “Kryetari i UGSH” për Amerikë, nxiti kureshtjen dhe interesin e të gjithë të pranishmëve rreth projektit të veprës së shkruar nga Pëllumb Kulla, jetë dhe vepër e jetës së tij. Në video projektin e shfaqur nga producenti Leonard Bombaj, u shfaqën ambasadorët e filmit si Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Bamir Topi, Bujar Lako, Agron Llakaj, Luiza Gega, Leonard Bombaj, Klea Huta, Florjan Binaj etj që shpjegojnë në detaje jetën e Pëllumb Kullës, 30 vite jetë në 2 orë film.
Gjatë monologut para të pranishmëve, regjisori Leonard Bombaj në bashkëpunim me poetin e ndjerë Petrit Ruka, tregoi detaje të jashtëzakonshme të jetës së vështirë e të mundishme të Pëllumb Kullës dhe fuqinë e humorit të shkrimtarit për të shndërruar vuajtjen në art dhe dhimbjen në të qeshura. “E qeshura, e qara dhe të menduarit thellë është kaq pranë në veprën e Pëllumb Kullës. Është vepër që sjell dritë dhe kurajo për të gjithë ne” tha z.Bombaj.
Skenari i filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës gjendet tashmë në duart e Robert Naturman regjisor i famshëm në Hollywod i cili përshëndeti të pranishmit dhe foli rreth vlerave të veprës së Pëllumb Kullës e skenarit të filmit. Kryevepra muzikore shqiptare, këngë të pavdekshme te shekulllit ngjallën shumë emocion si perla muzikore shqiptare tek të gjithë pjesëmarrësit. Era Makoçi (Kulla) vajza e Pëllumb Kullës si kritikja më e fortë e veprave të tij lexoi rrëfenja të jetës komuniste nga Zëmblaku. Sipas regjisorit Bombaj “Lejlekët nuk vijnë më” është një film dhe rrëfim i pastër shqiptar që do i rrëfehet mbarë botës.
Në video monitor në fund të takimit u shfaq mirënjohja për dhjetëra patriotë që kanë mbështetur financiarisht filmit mbi jetën e Pëllumb Kullës por sidomos: Bamir Topi, Henri Çili, Besnik Lulaj, Fatos Cerenishti, Helidon Rruga, Fatos Dervishi, Anila Beqaj. Producenti amerikan Stephen Fishler i cili ofroi 50% të buxhetit të filmit theksoi rëndësinë e komunikimit dhe tregimit të historisë së Pëllumb Kullës.
Regjisori Leonard Bombaj në fund të takimit bëri ftesë dhe thirrje të gjithë shqiptarëve të Amerikës që të kontribuojnë në projektin pasi mbi të gjitha është një film për Shqipërinë. Për të falënderuar të gjithë pjesëmarrësit Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla dërguan një fjalë përshëndetëse e mirënjohëse e lexuar nga Esmeralda Blaceri, për të gjithë të angazhuarit në filmin “Lejlekët nuk vijnë më”. Takimi u përshëndet nga Ambasadore Suela Janina, Ambasador Virgjil Kule dhe kineasti Bujar Alimani që lartësuan humorin, vlerat dhe veprën e Pëllumb Kullës.