
Besnik Fishta/
Tradita postare në Shkodër, e dokumentuar që prej shekullit XIX, ka qenë një institucion jetik për komunikimin tregtar, shoqëror dhe kulturor të qytetit. Prania e njëkohshme e zyrave postare austro-hungareze, osmane dhe më pas italiane e shndërroi Shkodrën në një nyje të rëndësishme ndërkombëtare komunikimi, duke e vendosur atë në qarkullim të drejtpërdrejtë me hapësira të gjera administrative dhe kulturore. Ky kontakt i vazhdueshëm me shërbimet postare ndikoi drejtpërdrejt në gjuhën e përditshme të qytetarëve, duke bërë që terminologjia postare të depërtonte në të folmen urbane dhe, me kalimin e kohës, të shndërrohej në shprehje figurative e popullore.
Ky fenomen gjuhësor paraqet interes të veçantë jo vetëm nga pikëpamja sociolinguistike, por edhe në raport me filatelinë, si hobi dhe disiplinë studimore. Në të dy rastet kemi të bëjmë me forma të ruajtjes së kujtesës kulturore, gjuha popullore e ruan përvojën kolektive nëpërmjet metaforës, ndërsa filatelia e ruan atë nëpërmjet objekteve materiale, si pullat, zarfet dhe dokumentet postare.
Në të folmen shkodrane, termat postare u shndërruan në shprehje me ngarkesa të ndryshme kuptimore, pozitive, negative, ironike apo humoristike, duke reflektuar marrëdhënie shoqërore, sjellje individuale dhe realitete politike. Shprehja “Shkon si pullë poste” përdorej për të vlerësuar besueshmërinë dhe korrektësinë e një personi apo shërbimi; tregtarët shkodranë e përdornin shpesh për të nënvizuar sigurinë e një veprimi të realizuar pa dështim. Në kahun e kundërt, “I ngjitet si pullë poste” mbante një ngarkesë të qartë negative, duke ironizuar individët oportunistë që nuk ndaheshin nga figura me pushtet politik apo ekonomik.
Po ashtu, shprehjet e lidhura me telegramin pasqyrojnë perceptimin e shpejtësisë dhe vonesës në komunikim. “Ia çoi si telegram urgjent” vlerësonte komunikimin e shpejtë, të drejtpërdrejtë dhe korrekt në kryerjen e detyrës, ndërsa “Telegram i prapambetun”, ironizonte individët që merrnin vesh ngjarjet me vonesë, duke i paraqitur si të shkëputur nga ritmi i kohës dhe shqetësimet e komunitetit. Ndër shprehjet më të përhapura në jetën tregtare ishte: “Pa pare, pa pullë”, një metaforë e thjeshtë, por domethënëse, që ironizonte realitetin ekonomik dhe nënvizonte faktin se asgjë nuk kryhej pa pagesë, ashtu si letra nuk nisej pa pullë. Në marrëdhënie shoqërore më informale, shprehja “Mos më rri si pullë poste”, përdorej për të relativizuar sjelljet e tepërta dhe për të krijuar një atmosferë humori.
Këto shprehje dëshmojnë se posta nuk ishte thjesht një institucion komunikimi, por një realitet i brendësuar thellë në kulturën urbane të Shkodrës. Ato pasqyrojnë, njëkohësisht, edhe dimensione politike dhe shoqërore, veçanërisht gjatë periudhave të ndryshme historike.
Dëshmitë për këtë fenomen gjenden si në burime të shkruara, ashtu edhe në traditën gojore. Gazeta “Ora e Maleve” (Shkodër, vitet ’30) shkruante: “Deputeti i ri i asht ngjitë partisë si pullë poste”, duke përdorur metaforën popullore për të ironizuar karrierizmin politik. Në tregjet e qytetit qarkullonte thënia: “Mos më rri si pullë poste, se s’të marr dot me vete”, ndërsa shprehja “Pa pare, pa pullë” ishte pjesë e përditshme e diskursit tregtar. Prozat satirike të Migjenit, në mënyrë të tërthortë, pasqyrojnë të njëjtën logjikë shoqërore, kur ironizohet varësia e të varfrit ndaj të pasurit, e formuluar nga populli si: “I duhet me u kap si pullë poste pas derës së beut”. Edhe kujtimet familjare dhe korrespondenca private shkodrane të shekujve XIX–XX dëshmojnë përdorimin figurativ të termave postare, si në shprehjet: “Fjala jote me erdhi si telegram urgjent, mbërrin para se të mendohem”, etj.
Në kushtet e sistemit socialist (1945–1990), kur shoqëria shqiptare ishte nën një kontroll të imët ideologjik dhe administrativ, prania e shërbimeve postare dhe roli i tyre në qarkullimin e informacionit ndikuan drejtpërdrejt në gjuhën e përditshme dhe në ndërtimin e shprehjeve figurative në të folmen shkodrane. Termat postare në ndërgjegjen kolektive, u ngarkuan me kuptime të reja simbolike, shpeshherë të lidhura me mbikëqyrjen, disiplinën, frikën apo ironinë sociale. Në këtë periudhë, shprehja “I ngjitet si pullë poste” nuk përdorej më vetëm për të përshkruar afërsinë e padëshiruar apo oportunizmin, por fitoi edhe një domethënie më të mprehtë politike dhe shoqërore, duke nënkuptuar ndjekjen, përgjuarjen apo kontrollin e vazhdueshëm nga individë të lidhur me aparatin e pushtetit. Në mënyrë të ngjashme, shprehja “E kane vu si pullë poste” përdorej për raste kur dikush detyrohej të qëndronte pranë një personi, pa vullnetin e tij. Ndërkohë, “Shkon si pullë poste” ruajti edhe në këtë periudhë një kuptim pozitiv, duke u përdorur në diskursin zyrtar dhe propagandistik për të lavdëruar korrektësinë, bindjen dhe realizimin e detyrave sipas normave të sistemit, si shprehje e asaj që etiketohej si “moral socialist”. Krahas këtyre, në ligjërimin e përditshëm u përdorën edhe shprehje të tjera me bazë postare, si “i paska humbur adresa këtij”, për individë të hutuar ose të shkëputur nga realiteti, apo “nuk ia vuri n’pullë fare”, për raste kur dikush nuk merrej seriozisht apo anashkalohej qëllimisht. Një dimension veçanërisht domethënës merr kjo frazeologji në kujtesën e brezit të ri të viteve ’70–’80. Mes të rinjve qarkullonte paralajmërimi ironik, “kujdes, të asht ngjitë njëri si pullë poste”, për të sinjalizuar praninë e një individi që përgjonte apo raportonte, duke e shndërruar terminologjinë postare në një mjet të koduar komunikimi dhe vetëmbrojtjeje gjuhësore. Edhe diskursi publik përdorte metafora të ngjashme, si në rastet kur për persona të kthyer me forcë nga arratisja thuhej se “i kanë sjellë të paketuar koliposte”, një shprehje që ndërthurte ironinë me realitetin represiv të kohës. Këto përdorime dëshmojnë se, gjatë periudhës socialiste, shprehjet postare në të folmen shkodrane nuk ishin vetëm mjete gjuhësore, por edhe forma të tërthorta reagimi ndaj një realiteti politik të mbyllur.
Pas vitit 1990, në kushtet e demokracisë së tranzicionit, këto shprehje morën kuptime të reja, të lidhura me shoqërinë e hapur, liberalizmin ndonjehere te pakontrolluar apo dhe kaosin social. “Ia dha si telegram” u bë metaforë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe pa filtra, tipik për diskursin publik të periudhës. “E mban veten si zarf bosh” ironizonte figura politike apo ekonomike pa përmbajtje reale, ndërsa “Mos më rri si pullë poste” u përdor më lirshëm në marrëdhënie shoqërore, duke reflektuar një qëndrim ironik ndaj mediokritetit.
Filatelia, si hobi i mbledhjes dhe studimit të pullave, zarfave dhe dokumenteve postare, ka një lidhje të natyrshme me këtë trashëgimi gjuhësore. Leksiku bazë filatelik, pulla, zarfi, posta, telegrami,qe është i njohur gjerësisht si në Shqipëri, ashtu edhe në kontekst ndërkombëtar, do shfaqet jo vetëm në katalogë dhe koleksione, por edhe në gjuhën e përditshme si bartës kuptimesh simbolike. Ashtu si koleksionisti ruan një pullë ose një zarf si objekt me vlerë historike, edhe gjuha popullore ruan metaforat postare si forma të kujtesës kolektive. Në përfundim pohojme, qe shprehjet postare në të folmen shkodrane janë dëshmi e ndërthurjes së ngushtë midis gjuhës dhe institucioneve të kohës. Ato tregojnë se posta nuk ishte vetëm një institucion komunikimi, por një realitet që formësoi mendësinë urbane dhe mënyrën e të shprehurit. Afërsia e tyre me hobin e filatelisë është e dukshme dhe organike, filatelia dhe folklori gjuhësor shkodran bashkohen në një narrativë të përbashkët, ku shërbimi postar shfaqet si urë midis materialitetit dhe figurativitetit, midis historisë së dokumentuar dhe kulturës së gjallë.