
Rafaela Prifti/
Kinematografia e Kosovës e pasluftës është prezantuar me shumë sukses me bashkëproduksione dhe me produksione ndërkombetare të profilit të lartë në festivale shumë prestigjioze. Për të parë si vetëprezantohet Kosova përmes filmit, Dr. Jeta Abazi Gashi dhe Doktoranti Juan Montoro bashkautorësuan një punim analitik Kosovarness in Cinema, i cili skicon identitetin e filmit të Kosovës paslufte për periudhën 2017-2021. Projekti synon të vërë në pah shtysën që jep dhe fuqinë që ka arti filmik në arenën ndërkombëtare por dhe në vetë perceptim.
Çfarë spikat në këtë periudhë dhe më tej janë talentet e reja veçanërisht një brez i regjisoreve dhe producenteve femra, të cilat të shkolluara dhe specializuara jashtë, kanë sjellë në mënyrë të guximshme dhe etike tema tabu të shoqërisë sonë. Produksionet e pasluftës bëhen pjesë të identitetit kosovar, në formën e ruajtjes së kujtesës dhe sfidave të mbijetesës, të vështruara në lenten filmike, që po bëhet një platformë e fuqishme për Kosovën në kinemanë botërore.
Pse Kosova paraqet një rast studimor? “Është një vend i vogël që ka arritur suksese në festivale ndërkombëtare. Trashëgimia rreth 50 vjeçare që nis me shtëpinë e parë filmike në 1970 dhe në 2005 me ngritjen e Qendra Kinematografike e Kosovës QKK ishte pjesë e hulumtimit tonë,” thotë Dr. Jeta Abazi, hulumtuese Fulbright në shkencat politike dhe ligjëruese e jashtme në School of Media and Public Affairs, George Washington University.
Në vitet 2017-2021 filmi i Kosovës pati një shpërthim të temave intime të përqendruara tek trauma e luftës ose ngjarje traumatike, kujtesa, patriarkalizmi në subjekte vendore me ndikim të gjerë, të rrëfyera në hapësira personale të vogla jo në skena madhore.
Identiteti dhe përkatësia, të shprehura në atë që dy studiuesit Abazi Gashi dhe Montoro e quajnë Kosovarness in Cinema formulohen kryesisht përmes historive njerëzore të përballjes me realitete të reja si mbijetesa ekonomike te filmi Zgjoi apo ndarjet gjinore te Luaneshat e Kodrës etj. Projekti, i cili nisi në vitin 2025, është duke u plotësuar dhe mendohet të dërgohet për botim në muajt e ardhshëm. “Nga perspektiva akademike, jemi ende duke e shkruar si projekt, por me fokus në “kujtesën” filmike për të kaluarën e Kosovës. Filmat janë zhanër shumë i rëndësishëm perceptues, sepse lidhen me të kaluarën e vendit dhe ndikojnë në të ardhmen e tij.”
Një pikë e veçantë e punimit shqyrton sesi “në krahasim me jehonën publike të Kosovës në marrjes së çmimeve në Sundance Film Festival, në Cannes, në Venicia, në Tallin, nominimin për Oscar si edhe shpërblime për filma të dedikuar luftës, ky aspekt mori pak vëmendje në debatin akademik.”
Nisur nga kjo, “ne hulumtojmë atë që e quajmë “soft power” (forcë e butë), sqaron Dr. Jeta Abazi Gashi, “sepse filmi arrin ta kthejë vëmendjen tek Kosova, jo përmes diskursit politik apo konfliktual, por përmes historive njerëzore, pa përdorur forma të ashpra, duke provuar se arti në përgjithësi dhe ekrani në veçanti ka epërsi ndaj forcës ushtarake.”
“Për një vend si Kosova, ky aspekt ka rëndësi të veçantë sepse regjisorët dhe producentët japin një mesazh se Kosova nuk është histori vetëm e luftës, por pjesë e një rrëfimi global. Kosova ka shumë për të treguar,” përfundon studiuesja.
Për këtë punim, deri tani, autorët kanë përfshirë dhjetë orë filma, intervista me kineastë dhe shumë producentë. Dr. Jeta Abazi Gashi dhe Mag. Juan Montoro nga Catholic University of Uruguay (UCU) e paraqitën punimin në panelin Media and Memory: Remembering the Kosovo War, në konferencën e ASEEES (Association for Slavic, East European and Eurosian Studies) në nëntor 2025, në Uashington DC.
Projekti i tyre ka aspekte personale për të dy hulumtuesit. Jeta ishte 13 vjeç në kohën e luftës dhe nuk ishte në Kosovë, por një pjesë e familjes së saj ishte aty, dhe ajo e ka ndjerë të afërt atë periudhë. Për Doktorantin Juan Manuel Montoro, që do paraqes disertacionin Sporti dhe Kujtesa Konfliktuese e Kosovës pranë University of Lucerne, Zvicër, angazhimi erdhi në formë kureshtje për një vend ku kishte pasur luftë. Në këtë pikë, ata janë edhe hulumtues, edhe subjekte vëzhguese të ndikimit të “soft power” (forcës së butë) të filmit të Kosovës.
Post-war Kosova cinema is a narrative as compelling as it is overlooked. Researchers Jeta Abazi Gashi and Juan Manuel Montoro are finalizing a policy brief on the subject, which they recently debuted at the “Media and Memory” panel during the 2025 ASEEES Convention in Washington, D.C. I am grateful to Dr. Abazi Gashi and Mag. Juan Montoro for sharing their invaluable insights for this piece.