Dritan Zaimi, ekspert i turizmit dhe eksplorues, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bukuritë e turizmit në Kelmend në Malësinë e Madhe. Tamara po jeton një epokë të re. Tamara duket shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalojnë imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ… Me Dritan Zaimin bisedoi gazetari i DIELLIT Sokol PAJA.
MALËSIA E MADHE E SKALITUR ME BUKURI TË PASHOQE
Udhëtoni dhe shëtiteni Shqipërinë tonë sa më shumë, veç atëherë do ta kuptoni sa e bukur është, se i kemi të gjitha, madje bukuri të kategorisë së parë, që nuk ngopesh duke i shijuar e dëshiron të kthehesh sërish e sërish. Çdo pëllëmbë e vendit tone është e skalitur me bukuri të pashoqe, jug a veri, lindje a perëndim. Pavarësisht senë çfarë stine apo moti, aventurën e gjeni kudo e kurdo në Shqipëri, gjithmonë do të gjeni një vend dhe kohë për ta lënë shpirtin tuaj të vrapojë i lirë. Të gjithëi njohim mrekullitë e Thethit apo Valbonës në veri të Shqipërisë, po sot po ju ftoj të më ndiqni në një udhëtim në një zonë po aq të bukur dhe mahnitëse, veçse nuk është aq e njohur sa dy të parat tëcilat njihen dhe eksplorohen prejshumë vitesh tashmë. Sot do ju rrefej për Kelmendin! Kelmendi është një komunë në zonën e Malësisë së Madhe në skajin më verior të Shqipërisë në kufi me Malin e Zi, që përfshin fshatrat Brojë, Tamare, Selce, Vukël, Nikç, Lepushë e Vermosh. Do ju rrefej sot për bukuritë e tij, për magjinë dhe dashurinë e tij që e ndjen në çdo hap të udhëtimit tënd, për bjeshkët, lumenjtë, ujvarat, kullotat e malet, një arratisje e ëmbël mes blegërimave, gurgullimave, cicërimave, fëshfëritjeve të gjetheve e të flladit të lehtë për të ndjerë fuqishëm ëmbëlsinë e kësaj toke dhe madhështinë e majave të maleve. Edhe për mua ishte risi e surpize kjo zonë, sapo pashë një mundësi udhëtimi, përgatita çantën time, mora mikun tim më të ngushtë të udhëtimit, d.m.th. aparatintim fotografik dhe u nisa mjaft herët në mëngjes si pjesë e një ekipi eksploruesish.
UDHËTIM MIDIS SHPATEVE TË THEPISURA
Nisja nga Tirana ishte rreth orës 6:00 dhe udhëtuam drejt qytetit të Shkodrës, ku patëm ndalimin e parë për një kafe ose çaj buzë lumit Drin. Pas një pushimi të shkurtër, lamë pas ultësirën e Shkodrës dhe filluam udhëtimin tonë midis shpateve të thepisura dhe maleve të larta të pjerrëta, thellë brenda Alpeve Shqiptare. Shumë shpejt horizonti u afrua ndërsa po shikoja muret e maleve në të dy anët e rrugës, maja të larta, humnerë të thellë dhe male që ngriheshin menjëherë mbi lugina. Për një moment më dukej sikur isha pjesë e filmit Avatar. Doja të zbrisja dhe të kapja fotografi dhe të shkrepja skena të ndryshme, ose të gjurmoja me lentet e mia shqiponjat dhe skifterët që fluturonin lart e poshtë humnerës, por destinacioni ishte diku tjetër, kështu që u dorëzova dhe thjesht e lashë syrin t’i shijonte të gjitha. Rreth orës 10:00 kishim mbërritur në stacionin e parë, patëm një ndalesë të shkurtër te “Leqet e Hotit” siç e quajnë vendasit këtë vend. Këtu mund të adhuroni rrugën e bukur që gjarpëron buzë faqes së malit nga maja derinë fund ku shihet lugina e lumit Cem. Koha është shkurtër për të parë peisazhin që të lë pa frymë dhe për të bërëfotografi njëkohësisht. Dëshira është të qëndrosh më shumë por destinacioni është tjetër kund, ndaj pa vonesë hipëm në fugon për të vazhduar udhëtimin më tej. Stacioni tjetër është fshati Tamarë. Pak kisha dëgjuar më parë për këtë fshat unik, kryesisht mund të kisha dëgjuar për të vetëm në dimër pasi rruga bllokohej shpesh nga bora e madhe, por kjo është një histori e së kaluarës pasi rruga e re ishte në gjendje të përsosur. Ishte e qartë, Tamara po jetonte një epokë të re, sot Tamara dukej shkëlqyeshem, me një qendër të qytetit, me godina shërbimi që ndjekin arkitekturën e zonës dhe me një bulevard për shëtitje këmbësorësh. Ndërtesat tipike prej guri dhe druri, trotuaret me kalldrëm prej guri, parqet e gjelbërta dhe malet gri sipër, kornizat prej druri kafe, retë e bardha dhe qielli i thellë blu, tejkalonin imagjinatën edhe të krijuesit më kreativ. Dhe dielli që shkëlqente fuqishëm mbi fshatin Tamarë i jepte një bukuri përrallore këtij fshati të strukur mes malesh. Por kjo nuk është e gjitha; pak metra nga qendra, shkallet na çojneposhte në shtratin e lumit Cem. Ujërat e tij kristal të pastra më bënë të pendohem që nuk mora rrobat e banjos me vete. Në të tilla kushte më mbetej të shikoja të tjerët ndërsa kridheshin në ujrat e ftohta dhe unë të merrja sado pak nga kënaqësia e tyre e të ngulitja këto momente me aparatin tim.
SELCA, KANIONI I KELMENDIT, LUMI CEM
Pas një ore udhëtimi nga Tamara, arritëm në fshatin Selcë ku zbritëm nga fugoni për të ecur drejt destinacionit tonë të ardhshëm, Ujëvara e Selcës. Selca shtrihet në 353-1100 m mbi nivelin e detit. Ndodhet 8 km në veri të fshatit Kelmend. Selca fsheh disa nga thesaret më të bukura të natyrës si kanioni i Kelmendit, shpella të shumta, ujëvara, peisazhe të lëjnë pa frymë, arkitekturë dhe artizanat të pasur etj. Ndërkohë për adhuruesit e rafting, Selca propozon lumin Cem, i cili ofron më të mirën gjatë Prillit dhe Majit, kohë kur mund të shijoni edhe kanionin Gerrli. Nga ana tjetër, ujëvarat e Selcës janë një tërheqje natyrore spektakolare që ia vlen të vizitohen, kështu që vizita tek njëra prej tyre ishte thjesht qershia mbi tortë në këtë udhëtim. Shtegu drejt Ujëvarës së Selcës (Sqapi) ishte buzë malit, në një shteg shkëmbor të rrëshqitshëm, ku duhej të ishe i kujdesshëm se ku të shkelje pasi mund të rreshqisje lehtë mbi shkëmbinjtë e vegjël dhe te përfundoje në drejt e tek shtrati i lumit. Gjatë rrugës, pamja e maleve përreth, në këto ditë të vjeshtës, ishte thjesht mahnitëse. Pas rreth 90 minutash ecje midis shkëmbinjve, gjetheve, pemëve, duke shijuar aromën e luleve të malit, kishim mberritur tek ujvara e Selces, gurgullimën e së cilës e kishim ndjerë fuqishëm që nga larg. Një bukuri spektakolare, e fshehur mes maleve, thellë brenda pyllit, me fytyrën e bardhë plot shkëlqim që ia vlente të vizitohej. U ulëm para saj dhe shijuam drekën tonë të paketuar dhe pimë nga uji i freskët i ftohtë i ujëvarës. Pasi pushuam për disa orë nën freskinë ujrave të bardha dhe mblodhëm gjithçka qëkishim sjellë, me përtese morëm rrugën e kthimit për tek mjeti i transportit. Stacioni tjetër do ishte pikërisht fshati Lëpushë ku edhe do të akomodoheshim për të kaluar natën. Një mbrëmje e këndëshme rreth e qark oxhakut me zjarr duke pjekur gështenja, duke pirë verë e duke biseduar me banorët bujarë e mikpritës, duke dëgjuar rreth gojëdhënave e legjendave të zonës. Herë pas here, dilnin në ballkon për të shijuar qiellin e pastër plot me yje, gjë qëna mungon shumë në qytetet tona të zhurmëshme.
LËPUSHA, NJË DASHURI MES MALESH
Mëngjesi do të vinte shpejt dhe ne u zgjuam për një tjetër ditë me aventura mes malesh që do të kulmonin me Majën e Vajushës. Mbërritja natën vonë një natë më parë në Lëpushë nuk na kishte dhënë mundësi ta shikonin dhe ta shijonim bukurinë e fshatit. Kështu që herët në mëngjes, pasi shijuam ushqimin e shijshëm me produkte lokale nxituam që të dalim përjashta për të shijuar një kafe mes malesh nën rrezet e para të diellit. Po na shijonte ngrohtësia e diellit dhe me përtese filluam të bënim gati gjërat që na duheshin për udhëtim. Lepusha ishte krejt ndryshe nga Thethi apo Valbona, nuk ishte një fshat në fund të një lugine të thellë ku malet ngrihen thikë, por as edhe një fshat në majë të malit, përkundrazi ishte diku në mes të lartësive, rreth 1200 m mbi nivelin e detit, një avantazh i pakrahasueshëm për të shijuar në maksimum përvojat në natyrë. Lëpusha ishte një zanë e vërtetë mes maleve, një fshat i shtruar në një luginë të butëmes maleve, mes kullotash, pyjesh e ujvarash.Vendasit thonë se emri i fshatit vjen nga një bimë me lule të verdha që rritet shumë në këtë zonë dhe quhet Lëpushtra. Një vend i pasur me burime, ku ekonomia shtëpiake është e përqendruar tek blegtoria dhe bujqësia, por sëfundmi është turizmi ai që sjell jo vetëm të ardhurat por edhe vetë klientin direkt në Lëpushë. Kjo zonë ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit nëçdo stinë të vitit dhe këtë gjë e dinë shumë mirë edhe vendasit që kanë filluar të investojnë cilësisht në këtë drejtim.
SHTEGU PËR TEK MAJA E VAJUSHËS
Shtegu për tek Maja e Vajushës kalonte në një pyll me pemë të larta që në këtë kohë i kishin lëshuar gjethet, pak kish mbetur nëpër degë por bukuria ishte shtruar në tokë në një tapet të trashë gjethesh ku do të kishe kujdes edhe të mos rrëshqisje. Ecnim e soditnin natyrën e mrekullueshme, majet e maleve që zbuloheshin dal nga dal tek sa dilnim nga pyjet e larta dhe vendin ia linin kullotave të hapura alpine. Ecnim dhe uleshim herë pas here për të pushuar, për tu shplodhur e për të marre forca pasi ngjitja fillonte e bëhej më shumë impenjative. Kullotat të ofronin një ngjitje të ëmbël mes stanesh, ku kishim mundësi të shtriheshim, të loznim, të bënim foto por edhe të freskoheshim nga përrenjtë që buronin nga majat e maleve e rridhnin butë përmes kullotave. Në vend të gjetheve këtu mund të kundronim kërpudha të ndryshme dhe zhyteshim mes barit të artë. Ngjitja vazhdoi përreth 2 orë e gjysëm, herë intensive dhe herë butë, për të kulmuar me Majën e Vajushës 2100m mbi nivelin e detit, ku pamja qëna u shfaq menjehere pasi arritëm majën ishte thjesht një surprize e pabesueshme. Një pamje spektakolare që mbetet e fshehtë dhe surprizë që nuk pranon të zbulohet asnjë çast pa arritur majën, si një shpërblim i merituar dhe i pa kompromentueshem vetëm për ata që sfidojnë ngjitjen përfundimtare. Menjëherë pas mbërrin majën, ti shikon dhe shijon madhështinë e alpeve shqiptare tek sa ngrihen fuqishëm me majat e tyre të ashpra. Një kontrast i fortë kaq pranë, nga njëra anë Maja e Vajushës, maja e një kullote alpine mbushur me bar, dhe pastaj përballë teje shkembijnë të egër, maja të thepisura malesh që ngrihen thikë njëri mbas tjetrit, njëri më i lartë se tjetri, shumë të mrekullueshëm për ti soditur por tepër të frikshëm për ti ngjitur.
BJESHKËT E NAMUNA
Këtu fillojnë Bjeshkët e Namuna dhe dëshira për të bërë foto e video këtu nuk njeh fre. Koha kalon kaq shpejt këtu lart, nën diellin e shndritshëm, nën një ledhatim të ëmbël flladi që mëma natyrë na e dhuron për ta bërë të papërsëritshme këtë vizitë tonën thellë në gjirin e saj. Duhet të ishim shumë të vendosur për ti kthyer shpinën majave të maleve dhe për të nisur rrugën e kthimit, por ishte një domosdoshmëri pas nuk duhej që nata të na zinte në mal dhe tëna gllabëronte sado pak nga magjia e këtij udhëtimi. Ndaj, pa dëshirën por me mirëkuptimin tonë të plotë filluam zbritjen duke shijuar ndërkohë perëndimin e diellit, koloritin dhe dritëhijet e tij. Gjithçka kaloi kaq shpejt, u lodhëm paksa por e shijuam në maksimum. A u ngopa? Jo! E ndjeva se kisha lënë diçka pas. Çfarë të ishte vallë? Nëse dashuri do të thotë të mos duash të ikësh, apo të duash të kthehesh me vrap sapo ikën, atëherë patjetër Kelmendi u bë një dashuri e madhe brenda zemrës time. Si mund të jetë Kelmendi në dimër, në pranverë apo verë? Mezi pres të vij e ta takoj sërish!