
Prof.Dr. Sylë Ukshini/
Ambasador i dashur, unë jam i vetëdijshëm që ju transmetoni qëndrimin zyrtar të Berlinit zyrtar, të një vendi që e ka njohur pavarësinë e Kosovës 16 vite më parë. Sigurisht ne vlerësojmë kontributin e madh ndër dekada për lirinë e Kosovës dhe për procesin e shtetndërtimit. Por, ka edhe disa gjëra që duhet të thuhen hapur mes miqsh, koncesionet që po i kërkohen Kosovës janë bërë të tepërta para dhe sidomos pas pavarësisë, përkatësisht nga 6 pikëshi i Ban Ki-moonit në dhjetor 2008 e deri me të ashtuquajturën çështje e dinarit serb.
A nuk është tallje dhe përçmuese për Kosovën të dëgjojë fjalë të tilla nga një ambasador i cili vjen nga vendi që 35 vjet më parë rrënoi Murin e Berlinit. A nuk është tallje që një barrikadë e tillë mbi lumin e tillë nga strukturat kriminale dhe mbetjet e regjimit të Milosheviqit të justifikohet nga ambasadorët e vendeve të BE-së.
Zoti Ambasador
Ju keni qenë me detyrë konsulli, ndërsa unë të zëvendësshefit të misionit diplomati, kur 9 vite më
parë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit, e cila kishte nisur zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e revitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, kur ura e Mitrovicës duhej të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Asokohe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kishin vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për vendin tonë. E tash jemi në qershor të vitit 2024, ndërsa Ju flisni se “zgjidhja për Urën e Ibrit është në Bruksel”!
Zoti Ambasador,
Me këtë dinamikë breshke nuk ecet askund, nëse OKB-së i ishin të nevojshme dy vite për adresimin e statusit final të Kosovës (2006-2007), BE-ja që 13 vite po merren a duhet të paguajnë serbët rrymën e shpenzuar, a duhet të bartin targat e Kosovës apo ato të lëshuara nga një shtet tjetër!
Po te aplikohej modeli i negociatave të Brukselit pas Luftës se Dytë Botërore Franca dhe Gjermania do te mbërrinin ne vitin 1970 dhe do te arrinin marrëveshje që makinat me targat e Berlinit te hynin ne Paris dhe ato të Parisit te hynin ne Berlin dhe kështu 25 vite do te kalonin ne mes te Franceze dhe Gjermaneve qe te arrinin marrëveshje për kalimin nga një vend ne vendin tjetër me targat e tyre. Dhe po ashtu ne vitin 1970 do te bisedonin për Strasburgun apo Alsass Lothringen-it a është territor i Gjerman apo Francez dhe cilat targat të makinave duhej të vlenin, franceze apo gjermane.
Prandaj, ka pak vend për krekosje edhe në Bruksel, ashtu si edhe në Kosovë, e për Beogradin të mos flasim, pasi atje akoma akuzohet pse Milosheviqi nuk arriti të krijonte Serbinë e Madhe.
Nuk e kam të qartë përse kërkoni nga Kosova diçka që nuk kërkohet as në vendet tjera evropiane apo të rajonit.
Është e vërtetë që na keni ndihmuar të çlirohemi nga një e keqe e madhe në rajon, nga regjimi i Milosheviqit. Por, mos harroni se edhe Evropën, edhe vendin tuaj, Gjermaninë, e ndihmuan aleatët perëndimor nën drejtimin e SHBA-së (D-Day) që të çliroheni nga keqja hitleriane. Krejt historia evropiane dhe rajonale ka qenë e shoqëruar nga histori të tilla, pra nuk është se vetëm Kosova e gëzoi me shumë vonesë një përkrahje të drejtë dhe të duhur në momentin kur po kërcënohej me zhbërje nga një regjim hegjemonist dhe me një doktrinë gjenocidale. Por, për dallim nga Gjermania, Serbia u bombardua, por doktrina serbomadhe mbeti e padënuar.
Zoti Ambasador
A nuk do ishte mirë të na thoni ku mbeti Marrëveshja Gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbia.
A do të ishte mirë të na thuhet se cilat është politika e jashtme e përbashkët dhe e sigurisë e BE-së në kohën disa vende të BE-së bashkohen me pozicionin rus, iranian, kubanez, koreane veriore ndaj Kosovës, por BE-ja vazhdon të jetë fasilituese e dialogut të Brukselit.
A do të ishte mirë nëse pesë vendet e injorojnë vendimin e GJND-së për pavarësinë Kosovës shkon në favor të etablimit të të Perëndimit në rajon apo favorizon qëndrimin rus në rajon.
A nuk është fyese që edhe 25 pas çlirimit të Kosovës të kërkohet rikthimi në qarkullim i monedhës serbe, pasi aplimi i Euro-së së BE paraqet “rrezik për krizë humanitare” në veri të vendit. Si na qenka e pranueshme EURO-ja për pagat dhe privilegjet e Listës Serbe, por rrezik për qytetarët e thjeshtë. Një pyetje, ndihmat dhe bonuese që merr regjimi serb i Beogradit nga BE-ja janë në EURO apo në dinar? Ndalni këtë stil përçmues të bërjes politikë, sepse edhe nëse jemi ballkanas, na pëlqeni kur dëshironi të na merrni pa asnjë investim mjekët, ekspertët e It-së si dhe punëtorët e krahut! Edhe pse jemi ballkanas fëmijët tanë janë po aq kreativ dhe po aq të shkathët sa fëmijët tuaj në Evropë, por vonesa jonë është edhe për fajin e evropianëve, të cilët nuk hezitonin ta njihnin shtetin e Milsheviqit(1996) edhe atëherë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për përdorimit të gjuhës shqipe, kur u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare, edhe kur u mohohej e drejta për media në gjuhën shqipe, edhe atëherë kur u mohohej e drejta për punë, për kujdes mjekësor, dhe e drejta për jetë. Pra, nuk jeni krejt pa faje për katër luftërat dhe katrahurën që bëri Beogradi në vitet 1989-199!
Pra, në vend të deklaratave boshe, Kosova ka nevojë për përkrahje të sinqertë dhe jo për trupa që minojnë bazamentin e shtetësisë, siç është Gjykata Speciale e Hagës, e cila jashtë çdo standardit evropian ka marrë mision që spastrimin etnik, vrasjet masive dhe përndjekjen e shqiptarëve për shumë dekada ta barazoj me vrasjet e pretenduara individuale.
Zoti Ambasador, JU e dini që pas Luftës së Dytë Botërore nga Evropa Lindore u dëbuan dhe u përndjekjen 15 milion gjermanë, pati edhe vrasje edhe përdhunime në zemër të Berlinit, madje edhe Dresdeni u bombardua deri në themel, dhe aleatët antifashistë nuk thanë se duhet të formohet në Gjykatë Speciale në Nyremberg dhe aty të gjykoheshin liderët e vendeve të koalicionit antifashist. U tha se këto krime ishin pasojë e luftës dhe jo qëllimi i luftës.
Ndërkaq, ndaj Kosovë ka patur një qasje shumë të padrejtë dhe asimetrike, ka pasur një dëshirë të zjarrtë për të krijuar një simetri mes krimit shtetëror serb dhe krimeve dhe disa vrasjeve eventuale, kryesisht të ndodhura pas lufte, në kohën kur pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e kishin OKB dhe NATO.
Zoti Ambasador, ju mund të thoni çfarëdo, por një gjë duhet ta dini, normalizimin i marrëdhënieve nuk mund të bëhet me një dialog të tillë të Brukselit, as duke e amnistuar Beogradin si në rastin e agresionit ushtarak në Banjskë. Normalizimi arrihet në Bruksel dhe në Washinton. Vetëm hapja e perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti rajonal. Prandaj, BE-ja, nëse dëshiron të jetë një ndërmjetës i paanshëm, atëherë duhet të kërkojë nga 5 vendet e BE-së njohjen e Kosovës mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit dhe të opinionin të GJND-së.