
Julika Prifti/
Hulumtimi në arkivin e shkrimtarit dhe babait tim Naum Prifti është një udhëtim i pazakonshëm ku dalin zbulime të reja në formë të shënimeve dhe letërkëmbimeve të tij si edhe fragmente të ndodhive të njohura nga një kohë tjetër. Ndodh të kem momente pasigurie për sa i takon vendit në katalog kur gjej diçka siç janë skica dhe observime të tij. Ndonjëherë ndiej lodhje e më duket si një punë që nuk i duket fundi e bie në dëshpërim. Por, megjithatë jam e sigurtë për vlerën e hartimit të një liste me përmbajtjen e secilës dosje dhe sërish i kthehem punës. Pyes veten për vullnetin dhe largpamësinë e babait që i ka ruajtur të gjitha këto letërkëmbime, dorëshkrime, skica, foto dhe shënime. Për shkak të rrethanave jashtë kontrollit tonë, këto nuk janë sot në dosjet që kishte lënë babai me rregull në Tiranë, por janë shkartisur dhe transportuar që prej dy vjetësh në banesën tonë verore në Vlorë. I largoj me mundim mendimet negative të kësaj sjellje dhe ulem të shkartis dhe rendit një nga një dhe me kujdesin e një eksplorueseje përmbajtjen e tyre. Meqë një pjesë janë aq delikate sa boja e stilolapsit thuajse është fshirë dhe leximi vështirësohet, ndihem si një “arkeologe” e shkrimeve historike.
Herë pas here gjej shënime të mbuluara nga pluhuri i kohës ku ruhen “sekrete” të historisë së shkuar. Aty paraqitet edhe mendësia e njerëzve në sistemin e kaluar dhe nis të mendoj për evoluimin e shoqërisë sonë nga ajo kohë në mijëvjeçarin e ri. Mbi të gjitha, aty takohem sërish me babanë tim, në vite dhe momente të ndryshme, takohem me miqtë e shokët e tij dhe hyj në komunikimin e tyre shumë “të besuar” dhe miqësor. Ndërsa tek letra e Elena Kadaresë e shoh babanë në një prizëm për të cilin kur isha e vogël nuk isha shumë kureshtare. Letra e saj është dëshmi e një cilësie të karakterit të babait, të cilën e dinë të gjithë ata që e kanë njohur. Ai besonte tek aftësitë krijuese tek të rinjtë, tek punëtori e ushtaraku, fshatari e studentit dhe kurrë nuk u kursye tu jepte këshilla për shkrimet e tyre.
Në dosjen me kapak të verdhë dhe asnjë pa shënim – një komunikim i vitit 1959 shkruar nga Elena (ose Bebeka, sëç shkruan ajo) për babin kur ai ishte në revistën Hosteni. Babai punoi aty përpara se të lindja unë dhe për disa vjet më pas. Nga letra kuptohet se atëherë Elena (Gushi, mbiemri i vajzërisë) sapo kishte filluar të shkruante tregimet e para dhe është në kërkim të identitetit të saj letrar duke eksperimentuar me gjuhën “alla peqinase” siç shkruan, meqë ngjarja që shkruan është “qyfyre zanati” nga i ati në Peqin. Pasi ka botuar skicën e saj të parë nën kujdesin e Naumit , ajo shikon tek ai njeriun që ka njohuritë e tregimtarit si edhe zemërgjerësinë e një artisti që nuk e kishin të tjerët prandaj i thotë se do t’i dërgoj “gjithçka që mund të shkarravis”.
Të tilla rizbulime janë të çmuara për mua, por besoj janë një pasurim dhe kontribut për epistolarin e letrave shqipe si një sferë me shumë vlerë e kulturës sonë.
Elb. 8. VII. 59
Naum!
Para së gjithash ju falenderoj për kujdesin që treguat për botimin e skicës. Mendova t’i dërgoj redaksisë së “Hostenit” shkrimet e mia poshtëme. Pastaj mendova se do jetë më mirë t’ ja u dërgoj juve drejt për së drejti.
Tashma njifemi dhe them se ju do më ndihmoni shumë ma tepër se ato përgjigjet “zyrtare” të redaksisë. S’është kështu? Pra në se s’ ju besdis do t’jua dërgoj juve gjithçka që mund të shkarravis. Mirë?
Sa për atë tregimin (a mund të quhet kështu) e parë, ishte vërtet ashtu. Qyfyre zanati pra, nga babai, por të ndodhura në Peqin. Si mendoni për të? Ju lutem më shkruani ç’far të meta kam në shkrim.
Gjat muajit gusht s’do të jem në Elbasan, prandaj po mundët të gjeni kohë të lirë, shkruamëni mbrënda korrikut.
Për dialektin që kam përdorur aty mos u habitni për gegërishten që kam filluar të përdor. Është thjeshtë ” alla peqinase” dhe m’u duk më e lehtë që dhe vet ta përdor atë.
Ju falenderoj dhe një herë. Shumë përshëndetje Rinës. Nga mamaja dhe babaj kini shumë të fala
Bebeka ose Elena (si të doni thrisni)