
Prof. dr. Begzad Baliu*/
Është në natyrën e botimeve përmbledhëse, si këto me titull të përbashkët Publicistika historike e Selatin Novosellës, që t’ju prijë një tekst orientues, ftillues a fjalë parake, sikur do ta quanin klasikët tanë. Fjala jonë në këtë rast merr karakter historik sepse tekstet janë vendosur sipas kronologjisë së botimit, karakter sistematik sepse nuk e kemi përdorur ndonjë arsye përjashtuese dhe karakter jo përmbyllës sepse kolana e veprave dokumentare e letrare e Selatin Novosellës nuk është përmbyllur, e kjo do të thotë që nuk është përmbyllur as kolana e vlerësimit të tyre.
Në këtë seri prej pesë vëllimesh me titull sinjalizues Publicistika historike e Selatin Novosellës janë përfshirë rreth 150 vlerësime (studime, recensione, diskutime e kumtesa) të mbi tetëdhjetë autorëve (profesorë universitarë, studiues të të gjitha profileve, ushtarakë, publicistë, pjesëtarë të Lëvizjes kombëtare të të gjitha periudhave të gjysmës së dytë të shekullit XX e këndej, krijues) etj. Mes tyre janë edhe ato personalitete të përkushtimit atdhetar, të cilët kanë shkruar për veprat e studiuesit Selatin Novosella, si: Adem Demaçi, Latif Berisha, Murteza Nura, Zenun Gjocaj, Abdyl Kadolli, Sadri Fetiu, Izber Hoti, Ahmet Qeriqi, Qani Mehmedi, Ferid Dibrani dhe Nuhi Ismaili, emrat e të cilëve janë gdhendur në hyrje të këtyre blejve, në shenjë nderimi, e vlerësimi postmortum.
Autorët e teksteve, Profesor Rexhep Qosja, Profesor Agim Vinca, Jakup Krasniqi, Gjeneral Kudusi Lame, Hydajet Hyseni, Hakif Bajrami, Dashamir Uruçi, Sabahajdin Cena, Sabile Keçmezi – Basha, Myrvete Dreshaj-Baliu, Selim Daci, Agim Zogaj, Ibrahim Gashi, Ramë Buja, Jusuf Osmani, Meriman Braha, Mehmetali Rexhepi dhe shumë të tjerë kanë trajtuar shumë anë të karakterit historik, dokumentar, publicistik, krijues e intelektual të studiuesit Selatin Novosella, të tridhjetë e shtatë veprave të tij dhe të çështjeve që trajtojnë ato.
Më parë se sa të përfshihen në këto vëllime, ato janë botuar në shtypin ditor, internetik, shkencor e madje edhe në ndonjë vëllim shkencor autorial, dhe që më parë janë lexuar në përurimin e veprave në shumë institucione shkencore e kulturore të qyteteve të hapësirës shqiptare dhe përtej: Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Viti, Rahovec, Dardanë, Lipjan, Besianë, Tetovë, Strugë dhe Zvicër.
Fjala është për rreth dyzetë vëllime dokumentare, studimore e publicistike, të cilat autori i ka botuar në Prishtinë dhe në Shkup ndërmjet viteve 1993-2024. Pjesa më e madhe e tyre e kanë në plan të parë figurën e Adem Demaçit dhe zhvillimet historike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit XX. Ato fillojnë me serinë dokumentare për Kosovën e viteve ‘64, ’68, e ’75, vazhdojnë me biografitë e personaliteteve historike të kësaj periudhe Rexhep Malën, Metush Krasniqin, Isa Kastratin, me vëllimet për Demonstratat e viteve historike ’68 e ’81, me vëllimet për vendin e Adem Demaçit në korpusin e veprave të Rexhep Qosjes etj.
Publicistika e Selatin Novosellës dëshmon se subjektin e pjesës më të madhe të veprave të tij, Adem Demaçin, e pati fat dhe fatum, që nga fëmijëria, duke qenë fqinj i tij, i riu i idealeve të tij, i burgosuri i burgjeve të tij, përkrahësi i ditëve të përgatitjes së Luftës së UÇK-së dhe i pandashmi i viteve të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës: deri në frymën e fundit!
A është e rastit që edhe vepra e Selatin Novosellës është krijuar në mënyrë komplementare me jetën e tij: jetë/bëma, vepra/ideale, dokumente/kujtime, ndërsa vlerësimet e bashkëkohësve, të përfshira në këto vëllime më parë se sa të flasin për biografitë e Selatin Novosellës kushtuar Adem Demaçit flasin për bëmat e heroit të tij; më parë se sa të flasin për dokumentet e botuara, flasin për paradigmën demaçiane të këtyre zhvillimeve historike; dhe më parë se sa të shkruajnë për tekstin e autorit të tyre, shkruajnë për frymën atdhetare që i bartin ato.
Me korpusin e veprave dokumentare të Selatin Novosellës për ngjarjet historike të kësaj periudhe nuk është vështirë të dëshmohet se historia e Lëvizjes Kombëtare në ish-Jugosllavi, në të vërtetë është jetëshkrimi i zgjeruar i Adem Demaçit; se fryma e veprës intelektuale dhe sakrifica e Adem Demaçit ju kanë prirë ngjarjeve më të mëdha historike nga viti 1958 deri te dalja në skenë e luftëtarëve të UÇK-së; se refuzimin politik kundër regjimit serbo-jugosllav Adem Demaçi e ka filluar si reagim intelektual e krijues dhe si ideolog; se idesë së pajtimit dhe bashkimit kombëtar Adem Demaçi i ka prirë me romanin Gjarpijt e gjakut (1958); se raportet serbo-shqiptare dhe çlirimin kombëtar nuk e ka projektuar mbi baza ideologjike po historike, me veprën Politika dhe pushka (1969); se mendimit kritik për lëvizjen tonë të viteve ’90, i ka prirë jo vetëm me fjalime e tekste publicistike po edhe me romanin Vet Mohimi (1994); se mendimit kritik të viteve të pavarësisë nuk i ka prirë vetëm me reagime, polemika e intervista po edhe me romanin Alb Prometeu (2008) etj.
Vëllimet publicistike, dokumentare dhe shkencore të Selatin Novosellës kanë dimension historik për kohën kur u botuan dhe patën rëndësinë e tyre për ridimensionimin e saj, në kontekstin individual dhe kolektiv. Për shkak se ato sollën dokumentin në radhë të parë, përjashtuan mundësinë e krijimit të dimensioneve të reja dhe kundërshtuese. Pavarësisht qasjeve të ndryshme që sjellin autorë të caktuar për të njëjtën vepër, konteksti dhe përfundimet e tyre në asnjë mënyrë nuk e kanë përjashtuar njëra-tjetrën. Tani ato të përmbledhura në pesë vëllime me titull të përbashkët Publicistika historike e Selatin Novosellës këtë e shpërfaqin edhe më gjerësisht dhe më të plotë.
Prej pesë vëllimeve të para, besoj se biografët e atdhetarit, studiuesit e publicistit, Selatin Novosella do të njohin vetëm një dimension të veprës së tij. Në këto vëllime del në plan të parë perceptimi i veprës së tij publicistike, shkencore e dokumentare në më shumë se tri dekada. Dimensioni tjetër, e kjo do të thotë përbërësi më i rëndësishëm i jetës së tij është veprimtaria atdhetare në Lëvizjen ilegale të viteve ’60-’90, që nuk është vetëm veprimtari individuale sepse është veprimtari familjare e vëllezërve të burgosur njëri pas tjetrit dhe njëri në të njëjtën kohë me tjetrin. Pjesë e jashtëzakonshme e kësaj biografie individuale e familjare është edhe letërkëmbimi nga burgu, me nënën, me gruan dhe me vëllezërit. Dhe së fundi, po jo përfundimisht, pjesë e biografisë së tij janë kujtimet për Adem Demaçin në proces botimi, kujtimet, analizat dhe dokumentet për zhvillimet politike të viteve ’90 e tutje, deri në ditët e sotme, botimi dhe vlerësimi i të cilave sigurisht do të jetë pjesë e vëllimeve të tjera të kësaj kolane.
*Parathënie e veprave të Z. Selatin Novosella në gjashtë vëllime.