PhD. Yllka FILIPI
New Jersey, Jan. 21. 2024/
“Një libër i bukur kthehet në një ngjarje në jetën time.”
Stendal
“Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit” i autorit Namik Selmami dhe “ Poezia e Adnan Mehmetit” nga Dr. Besim Muhadri: Në çdo bibliotekë shqiptaro-amerikane e më gjerë ky lajm ekzaltues do të zerë vend e do të ndriçojë kureshtjen e horizontit të pritjes. Mirënjohje për këtë sipërmarrje kaq sfiduese.
Në ritmin e jashtëzakonshëm të jetës amerikane, çfarë mrekullie të maratonojnë thellë në nënvetëdijen humane paralelisht jeta dhe libri. Në trungun e lashtë mijëravjeçar të kulturës kombëtare çdo botim i ri është përkujdesja më e dhembshur për rrënjët, uji hidratues e oksigjeni i ardhmërisë së trungut të artit të fjalës, një degëz, një syth me bulëza vese, mijëra sytha e mijëra degë bashkë. Kjo festë shpirtërore është sfida që mposht çfarëdolloj heshteje kolektive, e impostuar vetiu nga mjegulla dhe tymi që e trandin individin modern, ku zor se e kuadraton dot zemrën si në post/stuhi. Transhendenca letrare shumë e lakuar në aspektin artistik në historinë e shekujve, rrezaton në gjuhë, kulturë dhe identitet respektin, mallin dhe dashurinë për kombin në këtë bashkëudhëtim shpirtëror universal.
Adnan Mehmeti është poeti që dekodifikon me shumë durim e këmbëngulje dhimbjen dhe vuajtjen shpirtërore të atdheut e njeriut modern në art, shëron plagët me melhelmin e fjalës së zgjedhur poetike dhe zgjon shpresën e fjetur për një të ardhme të sigurtë. Shumë i gatshëm për të inkurajuar vemëndjen e trazuar të lexuesit bashkëkohor, vigjilent për ta çuar më tej këtë pasuri kombëtare, është bërë kështu ambasador i denjë i forcës të fjalës së shkruar.
Jam plotësisht e bindur se kjo ceremoni artistike, është dëshmija më e gjallë e pasqyrimi më i qartë i promovimit të vlerave letrare dhe një urë lidhëse shpirtërore në ndërtimin e një familjeje të madhe që flet me zell e durim gjuhën e shpirtit dhe përderisa kjo gjuhë universale lexues do të ketë gjithmonë, e ardhmja e librit do të jetë e shëndetshme. Dëfrimi kulturor dhe inisiativa më serioze në simbiozë. Një fenomen/ magji. Libri është gjallë. Libri jeton. Gjithmonë do të jetë kështu. Dhe ndoshta librat janë e vetmja magji e vërtetë, -sipas Alicce Hoffman.