Sokol Paja/
Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të kombit, komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në tërësi. Mërgata politike antikomuniste shqiptare në Amerikë ka pasur një rol specifik në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, luftën ndaj regjimit komunist në Shqipëri, ndërgjegjësimin e shqiptarëve të mërguar e institucioneve amerikane mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe luftën e jashtëzakonshme për shëmbjen e diktaturës e demokratizimin e Shqipërisë. Organizimi politik i mërgatës paraqet ndër format më klasike të veprimtarisë së shqiptarëve të mërguar nacionalistë të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë e lirë e demokratike. Veprimtaria politike dhe mediatike e shqiptarëve të Amerikës qëndron në piedestalin e vlerave më të larta atdhetare, komunitare e kombëtare. Studiuesi Idriz Lamaj veprimtar prej afro 6 dekadash në komunitetin shqiptar në Amerikë është dëshmitar i gjallë i ngjarjeve e personazheve që përshkruan saktësisht në librin e tij duke na dhuruar një trashëgimi të artë të përpjekjeve të nacionalistëve më të shquar të mendimit e veprimit intelektual shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Libri i studiuesit dhe gazetarit Idriz Lamaj “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” shërben sot si një testament historik i mërgatës politike shqiptare të Amerikës duke qenë një burim i dorës së parë për studiuesit dhe institucionet arsimore, katedrat e institutet e historisë e albanologjisë. I botuar në New York në vitin 2000, libri prej 112 faqesh, kushtuar prindërve të z.Idriz Lamaj, Borës dhe Shpendit, paraqet në detaje veprimtarinë nacionaliste e antikomuniste të “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” në vitet 1949-1956. Një kontribut fenomenal i studiuesit Idriz Lamaj që hedh dritë mbi një periudhë të historisë së emigracionit politik në Amerikë të pa studiuar e thelluar siç duhet e sa duhet. Temat që trajtohen në libër përfshijnë: Shqipëria para themelimit të K.K.SH.L, Komiteti “Evropa e Lirë”, themelimi i Komitetit të Parë Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, mjetet e informimit të K.K.SH.L, gazeta “Shqipëria”, radio “Zëri i Shqipërisë së Lirë”, Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë (K.K.SH.L) fillon fushatën e ashpër kundër regjimit komunist në Shqipëri, rusifikimi i kulturës kombëtare dhe shtetit shqiptar, Moska para Tiranës refuzon ndihmat e presidentit Eisenhower për Shqipërinë, K.K.SH.L. i përgjigjet me fakte propagandës së regjimit komunist të Shqipërisë, riorganizimi i K.K.SH.L, bisedë me kapidanin e Mirditës z.Ndue Gjomarkaj rreth K.K.SH.L, themelimi i Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara (ACEN-i), K.K.SH.L. dhe “bashkimi i të arratisurve politik të Shqipërisë” në Jugosllavi, organizimi politik i emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi, K.K.SH.L. dhe Federata “Vatra” – qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane në vitet 1945-1955, pikëpamjet e Xhafer Devës ndaj K.K.SH.L. dhe organizatave politike shqiptare në mërgim, shënime biografike kushtuar: Mitat Frashëri, Hasan Dosti, Ndue Gjomarkaj, Rexhep Krasniqi, “Dosja e Tradhëtisë” dhe shkaqet e mbylljes të K.K.SH.L. Të gjitha këto çështje trajtohen në mënyrë analitike dhe përshkruese prej mendimit e penës së shkëlqyer të kronikanit Idriz Lamaj.
Në hyrje autori z.Lamaj shprehet se mbështetja kryesore në burimet e gazetës “Shqipëria” është bërë për me i tërheq vemendjen studiuesve, nëse merret me këtë çështje, se gazeta në fjalë është burimi më i mirë, pa të cilin nuk mund të shkruhet objektivisht mbi këtë subjekt; me i dhënë lexuesit artikuj origjinal të asaj kohe, dhe me i lënë atij të gjykojë vetë, si janë ndjekur zhvillimet në Shqipëri nga Komiteti dhe nga qeveria amerikane, më i rikujtuar të dytë, studiuesit dhe lexuesit, se në agjendën e qeverisë amerikane, çështja shqiptare ka qenë gjithnjë aktive dhe në të mirën e kauzës shqiptare.
Librin “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë” studiuesi z.Lamaj e cilëson si një nderim i tij i veçantë, për tre kryetarët e Komitetit “Shqipëria e Lirë”: për Mitat Frashërin, Hasan Dostin dhe Rexhep Krasniqin, të cilët në mënyrën më dinjitoze sipas Lamajt ngritën në botën e lirë zërin e heshtur të popullit shqiptarë nën regjimin komunist, thelluan interesimin e sinqert të popullit dhe shtetit amerikan për çështjen shqiptare dhe vdiqën më bindje të plotë se një ditë do të realizohej Shqipëria etnike demokratike.
Veprimtaria e organizatave politike në mërgatën shqiptare të Amerikës përgjatë katër dekadave jo vetëm që formëson e skicon mendimin politik, nacionalist e antikomunist shqiptar por në vetvete pasqyron një “shkollë” politike shqiptare në Amerikë. Memorizimi i ngjarjeve historike, profili politik i intelektualëve e udhëheqësve të komunitetit shqiptar të kohës, organizimi patriotik, veprimtaria komunitare, tubimet atdhetare, demonstratat antiqeveritare vijnë mjeshtërisht të analizuara prej studiuesit Idriz Lamaj i cili meriton respekt e nderim, mirënjohje e vlerësim për gjithçka i ka dhënë shqiptarëve të Amerikës në 60 vite veprimtari politike, atdhetare, komunitare e publicistike.