Skender Lazaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe Lori Duka sekretare dhe drejtore artistike e shoqatës në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në New York, nëpërmjet editorit Sokol Paja, tregojnë jo vetëm historinë dhe aktivitetet kulturore, komunitare e atdhetare të shoqatës por dhe rolin e fuqishëm që LSHASHI luan për integrimin dhe shkëmbimin kulturor të artistëve shqiptarë në Itali.
Kush është Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali?
Shoqata kulturore me qendër në Gardone Val Trompia në Itali, e njohur edhe me shkurtimin LSHASHI, është një organizatë jofitimprurëse e themeluar më 14 prill 2015, e cila vepron në të gjithë territorin kombëtar italian. Për nga natyra e saj, bashkon të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë që banojnë në Itali dhe e ushtrojnë artin e tyre në diasporë. Për t’u anëtarësuar mjafton të jesh banues në Itali, të ushtrosh çdo formë arti dhe të paguash tarifën vjetore.
Organizimi aktual
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, ka një organizim horizontal, jo fort hierarkik. I vetmi organ ekzekutiv, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është Bordi Drejtues, që organizon dhe kujdeset për çdo aspekt ligjor dhe administrativ në garantimin e suksesit dhe jetëgjatësisë së shoqatës. Më pas, secili prej anëtarëve është në kontakt të drejtpërdrejtë me të tjerët për të shprehur lirshëm çdo ide, dyshim, projekt apo nevojë. Aktualisht anëtarët e bordit janë: Skender Lazaj (kryetar), Mimoza Leskaj (nënkryetare), Valbona Jakova (përkthyese dhe shkrimtare), Lori Duka (sekretare dhe drejtore artistike), Rajmonda Mara (arkëtare dhe redaktore), Fabiola Sali (redaktore) dhe Fatmir Gjata (poet).
Cili është misioni i LSHASHI – it?
Shoqata lindi me objektiv kryesor krijimin e një mjedisi, hapësire të favorshme, për të nxitur lirinë e shprehjes dhe promovimin e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në të gjithë Italinë. Në këtë mënyrë do të mund të krijohej një kanal krahasimi mes subjekteve që kishin të njëjtin pasion. Më pas, me kalimin e viteve, veprimtaria e shoqatës u gërshetua fort me komunitetin pritës, pra atë italian, duke krijuar kështu aktivitete promovuese ndërkulturore dhe artistike, të afta për të përcjellë mesazhe të forta, duke përfshirë më të rëndësishmin: integrimin e komunitetit shqiptar në kulturën e vendit pritës.
Çfarë lloj aktivitetesh organizon shoqata?
Veprimtaritë që zhvillohen gjatë gjithë vitit, kanë të bëjnë me prezantimin e veprave letrare të poetëve, deri te konkurset poetike kushtuar të rinjve, pa harruar dhe takimet e ashtëquajtura “reading”. Por nuk mbaron këtu, sepse çdo vit mbahet eventi më i rëndësishëm që është “Arti në Lëvizje”, i cili paraqet punën e artistëve të ndryshëm: nga piktura në skulpturë, nga letërsia te këndimi, nga teatri te punimet e dorës. E gjithë kjo me një qëllim të vetëm: promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare në diasporë! Vitet e fundit, shoqata ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin e saj edhe me organizata të tjera jofitimprurëse si shoqata “Komuniteti Shqiptar në Itali” me qendër në Brescia, Proloco of Ghedi (provincë Brescia), shoqata kulturore “Alba”, qendra ndërkulturore “METE” po në Brescia, dhe shumë të tjerë. Ndërsa një ndër bashkëpunimet më frytdhënës për ne, është ai me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Milano dhe qendrën kulturore SlowMill.
Për çfarë projektesh po punon LSHASHI?
Po punojmë drejt disa horizonteve. Na pëlqen të përmirësohemi gjithnjë e më shumë dhe të mësojmë nga shembujt e të tjerëve. Që nga viti 2022 kemi krijuar antologjinë e parë poetike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali. Një projekt që vazhdon akoma sot dhe që së shpejti do të shohë dritën e botimit vëllimi i dytë. Në radhën e nismave në plan për të vazhduar, është edhe ekspozita piktoreske me titull “Zërat e dygjuhësisë”, e cila u inaugurua më 21 prill 2024 në qytetin e Inzino-s (Itali). Është një projekt i mbështetur fuqishëm nga Bordi Drejtues dhe do të ketë si protagonistë kryesorë piktorët dhe artizanët e shoqatës sonë. Gjithashtu, po punohet për dhurimin e një numri të konsiderueshëm librash, të botuar nga shkrimtarët dhe poetët shqiptarë të shoqatës, për bibliotekën e një qyteti italian. Kjo me qëllim që t’i jepet mundësia komunitetit shqiptar që jo vetëm të lexojë libra në gjuhën amtare, por edhe të pasurojë italishten nëpërmjet teksteve të përkthyera në dy gjuhë. Më në fund, shoqata synon të sjellë në vëmendje edhe rubrikën “artisti online”. Një tryezë e rrumbullakët virtuale e fokusuar tërësisht te letërsia – poezia, proza dhe romani. Është një projekt i nisur nga ne gjatë pandemisë dhe për shkak të suksesit që pati, është propozuar sërish që të realizohet në vazhdim.
Si po ecën komunikimi i shoqatës?
Angazhimi i Lidhjes së Shkrimtarëve në frontin e komunikimit nëpërmjet mass medies, është gjithashtu shumë i rëndësishëm, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme, në programe televizive (emisioni URA) dhe radiofonike (Radio Projekt 21 Kopenhagen), publikime në shtypin e shkruar dhe në kanalet e rrjeteve sociale. Ekipi ynë beson se ka disa baza të komunikimit që nuk ndryshojnë kurrë: thelbi i artit dhe ai i atyre që e shprehin atë, nevoja që çdo artist të shprehet nëpërmjet gjuhës së tij (artistike sigurisht) dhe të flasë në mënyrë tërheqëse me bashkëbiseduesit e tij. Dhe nga ky këndvështrim, digjitalizimi ka hapur dhe vazhdon të hapë rrugë të mëdha komunikimi.
Linkografia