
Pejë, 30 Korrik 2025 – Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, juristi i mirënjohur nga Zvicra, z. Nazmi Jakurti, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me Presidentin e Federatës Panshqiptare “VATRA” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Elmi Berisha.
Takimi, i cili u mbajt në një atmosferë vëllazërore në qytetin e Pejës, shënoi një moment të veçantë në drejtim të afrimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet dy prej organizatave më të njohura dhe të respektuara të diasporës shqiptare në botë.
Gjatë diskutimeve, të dy udhëheqësit u dakorduan për rëndësinë e bashkëpunimit strategjik dhe paralajmëruan nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në një të ardhme shumë të afërt. Ky memorandum synon të forcojë lidhjet ndërmjet shqiptarëve në mbarë diasporën, të promovojë interesat kombëtare dhe të kultivojë unitetin në rrafshin kulturor, arsimor dhe kombëtar.
Z. Jakurti dhe Dr. Berisha theksuan nevojën për veprime të koordinuara që shkojnë përtej kufijve shtetërorë, në funksion të ruajtjes së identitetit shqiptar dhe përkrahjes së çështjeve madhore kombëtare.