-Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Trepçën. Raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komision funksional , kompetent për ta amendamentojë projektligjin (pas shqyrtimit të parë), e paraqiti Muhamet Mustafa, kryetar i këtij komisioni/
*Kryeministri Mustafa: Aprovuam një ndër ligjet më të mira. Trepça na bashkoi të gjithëve/
*-Veseli: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës/
PRISHTINË, 8 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e dytë të veçantë, të nisur rreth mesnate, pas të parës të ditës së djeshme, shqyrtoi edhe për herë të dytë dhe miratoi sot në orët e herëshme me shumicë votash Ligjin për Trepçën.
Raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komision funksional , kompetent për ta amendamentojë projektligjin (pas shqyrtimit të parë), e paraqiti Muhamet Mustafa, kryetar i këtij komisioni. Ai theksoi se amendamentet shkojnë në disa drejtime. Tre amendamente kanë të bëjnë me forcimin e rolit të Kuvendit lidhur me shfrytëzimin e pasurive minerare dhe transformimin e ndërmarrjes. Një amendament ka të bëjë me mënyrën e ndarjes së aksioneve, kurse një tjetër ka të bëj me mbetjet teknologjike.
Një amendament ka të bëjë me asetet jashtë Kosovës dhe për këtë është autorizuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, e një amendament ka të bëjë me kërkesat e kreditorëve, vijoi Mustafa, duke vlerësuar se Trepça do të mbrohet më mirë. Ai shprehu keqardhje që përfaqësuesi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sasha Milosavleviç, nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit, megjithëse kishte biseduar me te dhe e kishte ftuar edhe personalisht. Kryetari i Komisionit, Mustafa përfundoi raportin me konstatimin se Trepça do të jetë atraktive për investitorë të rinj.
Seanca vijoi me shqyrtimin e 21 amendamenteve të propozuara, një nga një. Amendamentet ishin të propozuara nga komisioni funksional, nga komisionet e përhershme të Kuvendit, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga deputeti Sabri Hamiti.
Në përfundim të seancës së shqyrtimit të dytë, me shumicë votash u miratua Ligji për Trepçën bashkë me amendamentet që paraprakisht morën mbështetjen e deputetëve.
Më parë, Kuvendi i Kosovës në seancën e parë plenare të nisur pasdite miratoi dje në mbrëmje në parim Projektligjin për Trepçën, me shumicë votash.
***
Kryeministri Mustafa: Aprovuam një ndër ligjet më të mira. Trepça na bashkoi të gjithëve
-Veseli: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës/
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot: Dje kaluam një ditë të rëndësishme destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin. Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës. Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik.
E përgëzoj Kuvendin, i cili 17 vjet pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i jap drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës.
Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve.Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës. Urime!