
Subi Çako/
Në Universitetin e Harvardit u organizua një leksion ndriçues i titulluar “Barazia gjinore në politikë: Si vendet në tranzicion avancojnë pjesëmarrjen politike të grave”, mbajtur nga Merita Limani, PhD dhe Ligjëruese ne Universitetin e Western Ontario ne Kanada.
Dr. Limani u thellua në rolin kritik të barazisë gjinore në tranzicionin drejt sistemeve politike demokratike, duke u fokusuar veçanërisht në vendet në tranzicion nga regjimet socialiste dhe komuniste, si ato në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Duke theksuar sfidat me të cilat përballen këto vende, Dr. Limani theksoi angazhimin e vazhdueshëm për të siguruar barazinë gjinore në pjesëmarrjen politike ndërmjet sfidave të tranzicionit politik dhe ekonomik, konflikteve në rajon dhe vlerave të vazhdueshme patriarkale që mundësojnë dominimin e burrave në lidershipin politik. Pjesëmarrësit shfaqën interesim të madh në temën e adresuar, dhe patën interesim për të ditur më shumë rreth çështjeve që ndërlidhen me varësine në kuotat gjinore për të siguruar pjesëmarrjen në politike të grave; si dhe rreth ndikimeve që mund të ketë feja dhe kultura në pabarazinë shoqërore, gjithashtu dhe rreth aspekteve që ndërlidhen me qeverisjet e centralizuara rreth liderëve politik si formë e centralizimit të autoritetit te lideri, që mund të ndikoj në heqjen e fuqisë vendimmarrëse për burrat dhe gratë në pozita politike e lidershipi. Ne fund, Dr. Limani prezantoi gjetjet e hulumtimit të saj ku mund të krahasohen trendet e përfaqësimit të grave në politikë në vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e fundit, duke e përmbyllur me progresin e bërë ne rritjen e pjesëmarrjes numerike të grave në politikë, megjithëse ende jo në margjinat e barazisë gjinore. Kjo ligjëratë është organizuar nga Programi për Gratë dhe Politikat Publike, Qendra e Grave të Kolegjit të Harvardit, si dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit.