
Mbajtur nga Mid’hat Frashëri në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë
Uran Butka
Vitin e shkuar, para të njëjtit Këshill, Zotri Politis, delegati i Greqisë, me finesën që e karakterizon, ka thënë:
“Romakët, që ishin një popull i urtë e praktik, kishin menduar, për t’u kursyer kohën autoriteteve të tyre, se mund të bëhej ndëshkim me ndërgjyqësi të guximshme. Shoqëria e Kombeve ende nuk ka arritur gjer në këtë finesë organizative; por Këshilli i Shoqërisë së Kombeve ka po aq urtësi sa populli romak dhe jam i sigurt se do të dëshirojë të mos nxisë ndërhyrje të pamerituara që, në vend t’i shërbejnë mirëkuptimit midis vendeve fqinje, do t’ ishin të tilla që do ta komprometonin rëndë”.
Por, nëse Shoqëria e Kombeve nuk ka arritur gjer në këtë finesë të dëshiruar nga delegati helenik, ajo, në të kundërt ka një virtyt të madh, atë të vlerësimit të jetës njerëzore me çmimin e saj të vërtetë dhe t’i trajtojë popujt me të njëjtën barazi.
Para se të filloj kumtesën time, dëshiroj të falënderoj Zotërinjtë anëtarë të Shoqërisë së Kombeve dhe raporterin e nderuar Shkëlqesinë e Tij, Zotin Quinones de Léon. Shpreh nga ana tjetër keqardhjen time, duke i kërkuar të falur Këshillit, që po i marr edhe një herë kohën për çështjen që më preokupon. Shqipëria është një vend i vogël dhe do t’ia vlente që tërë të vegjlit të flisnin sa më pak t’ ishte e mundur. Dhe të jeni të sigurt që as unë nuk do kërkoja më shumë. Për fat të keq, na detyrojnë të flasim dhe, siç do ta shihni, është pikërisht e njëjta çështje, së cilës po i rikthehemi të detyruar për dy vite radhazi.
Bëhet fjalë, Zotërinj delegatë, për shqiptarët e fesë myslimane që banojnë në Greqi, sidomos në kufijtë e krahinave të aneksuara qysh prej vitit 1912.
Kemi të bëjmë këtu me një popullsi autoktone, që banon në këto krahina prej kohësh që s’mbahen mend; pas luftës turko-ballkanike, ky element, i vlerësuar në Maqedoni dhe Epir në 90.000 mijë frymë, kishte pranuar gjendjen e re dhe nuk kërkonte veçse të jetonte në paqe si subjekte të Greqisë, duke dashur thjesht t’u respektoheshin të drejtat e tyre njerëzore; për më tepër që ishte një popullsi shumë aktive, shumë e qetë dhe fshatrat e saj mbaheshin për më të lulëzuarat e Maqedonisë dhe Epirit.
Mirëpo, ja që erdhi lufta midis Turqisë dhe Greqisë në Azinë e Vogël; turqit i dëbuan grekët nga Anadolli dhe në Konferencën e Lozanës u dha pëlqimi që të bëhej një këmbim i detyrueshëm popullsish midis Greqisë e Turqisë. Mbi bazën e kërkesës së delegatit shqiptar, dhe jam unë vetë që pata nderin të isha ky delegat, u vendos midis Greqisë e Turqisë që myslimanët shqiptarë të Greqisë dhe ortodoksët shqiptarë të Turqisë të përjashtoheshin nga ky këmbim (shih shtojcën nr.1).
Në fakt, Zotërinj delegatë, këmbimi i popullsive ishte pranuar si pasojë e një lufte midis dy vendeve, Greqisë e Turqisë dhe nuk kishte arsye për ta shtyrë drejt mynxyrave të shpërnguljes një popull, që nuk kishte të bënte me konfliktin në fjalë, domethënë shqiptarët. Ne jetojmë në shekullin XX dhe jam pothuaj i sigurt që nocionet fe e racë nuk duhet të jenë objekt konfuzioni, siç ka ndodhur në Mesjetë.
Megjithatë, meqë Shqipërisë i duhej pak më shumë siguri, ajo iu drejtua gjithashtu Shoqërisë së Kombeve, që të garantonte respektin e marrëveshjes së Lozanës përsa i përket elementit shqiptar. Pas deklaratës në Konferencën e Lozanës, kemi tani në duar një letër të datës 6 gusht 1923, që Zoti Venizellos ia drejton Shoqërisë së Kombeve, në të cilën ai konfirmon zotimet e marra në Lozanë nga ana e Greqisë (shih shtojcën nr.2).
Disa ditë më vonë, më 3 shtator 1923, Legata e Greqisë në Shqipëri i drejtonte Qeverisë së Tiranës letrën e saj nr. 611, me anë të së cilës vërtetonte edhe një herë pëlqimin e dhënë për marrëveshjen e Lozanës, të përsëritur edhe nga Z. Venizellos (shih shtojcën nr.3).
Më 17 dhjetor 1924, para po këtij Këshilli, Shkëlqesia e Tij Kaklamanos jepte garancitë më të sigurta se Greqia ishte e vendosur të respektonte zotimet e veta për të mos dëbuar kurrsesi nga trojet dhe nga vatrat e tyre shqiptarët e fesë myslimane.
Çështja dukej si krejt e zgjidhur dhe pa rreziqe. Le të shohim tani se si e kuptonin autoritetet e Greqisë respektimin e zotimeve të tyre.
Para se të fillonte viti 1924, një Komision i përbërë nga funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Athinës, shkoi në Maqedoni e në Epir dhe deklaroi zyrtarisht, gjë që gazetat greke e riprodhuan me gëzim, se në të gjithë Epirin nuk kishte veçse nëntë familje, që duhej të përjashtoheshin nga këmbimi! Sepse, – thoshte Komisioni, – Greqia ishte zotuar vetëm për respektimin e shqiptarëve me origjinë nga Shqipëria e pavarur! Gjithë të tjerët duhet të shpërnguleshin dhe pasuritë e tyre të konfiskoheshin. Sa për shqiptarët e Maqedonisë, Komisioni deklaroi, përsëri zyrtarisht, se ata duheshin dëbuar të gjithë dhe pasuritë t’u konfiskoheshin, me pretekstin se deklaratat dhe zotimet synonin në radhë të parë për shqiptarët e Epirit dhe aspak për ata të Maqedonisë, edhe pse ishin nga territori i Shqipërisë së pavarur.
Përpara këtij fakti, Shqipëria bëri përpjekje – po ashtu edhe vetë të interesuarit –, pranë anëtarëve asnjanës të Komisionit Mikst, që duhej të mbikëqyrte zbatimin e klauzolave, që kishin të bënin me këmbimin.
Komisioni Mikst gëzonte një autoritet shumë të madh falë tre anëtarëve asnjanës, që ishin rekomanduar nga Shoqëria e Kombeve. Nuk po paraqes këtu ankesat lidhur me personat që përbëjnë këtë Komision, sepse është tashmë më se e njohur që Komisioni përbëhet sidomos nga njerëz të dashur e të përzemërt, të merakosur për të zgjidhur çështjet me sa më pak fërkime e përplasje, që të jetë e mundur. Një diplomat rus ka thënë me shumë të drejtë e mençuri: “Kancelaritë nuk ka pse të krijojnë probleme, kur ato në radhë të parë lypset të sheshojnë çështjet e mbetura pezull!”
Nisur nga ky parim, Komisioni Mikst do të duhej para së gjithash të kishte si preokupim zgjidhjen e çështjes së këmbimit midis të interesuarve. Dhe këta të interesuar, Zotërinj delegatë, ishin Greqia dhe Turqia; ishin këto dy vende që kishin bërë luftën dhe që kishin turbulluar me zhurmën e topave paqen botërore. Komisioni ishte, pra, faktikisht e juridikisht – komision i Turqisë dhe i Greqisë. Shqipëria në këtë mes nuk ishte veçse një intrus, një element i tepërt, i pallogaritshëm, që ia vlente të mos përfillej. Dhe kjo fjalë nuk ka pse t’ju duket pa vend. Cili ishte në fakt, meraku i Komisionit? Ai i dy milion turqve dhe grekëve, si persona dhe si pasuri. Ndërkohë që shqiptarët në Çamëri nuk ishin veçse 90.000 dhe Shqipëria nuk kishte bërë aspak luftë. A do të ishte, pra, tepër e guximshme nga ana ime të pretendoja se takti, zotësia, madje edhe detyra e Komisionit, do të thosha, e shtynin këtë t’i konsideronte shqiptarët si një sasi e shpërfillshme? Për më tepër që kush thotë Komision, nënkupton detyrimin e anëtarëve të tij për të marrë vendim vetëm me shumicë vote.
Ja, Zotërinj delegatë, që, pa dashje, unë mblodha akuza ndaj Komisionit Mikst. “Shumica e votave” është një parim që ka kontribuar jo pak në shkakun e mjerimit të elementit shqiptar: Turqia dhe Greqia e shihnin veten, si rastësisht, të kishin interesa dhe vota të përbashkëta në këtë pikë. Dhe shpjegimet këtu janë të domosdoshme:
Të dëboje shqiptarët nga vatrat e tyre do të thoshte për Greqinë të konfiskonte pasuri të mëdha, për t’ua dhënë refugjatëve të ardhur nga Azia e Vogël. Për Turqinë, gjithë pasuria e braktisur në Greqi nga shqiptarët kalonte kështu në aktivin e llogarisë, që Turqia kishte me Greqinë; dhe çdo shqiptar i shpërngulur në Azinë e Vogël shërbente për të mbushur boshllëkun e krijuar nga lufta dhe procesi i këmbimit.
Le të shohim tani se në ç’mënyrë Komisioni Mikst e ndërmerrte veprimtarinë e vet.
Në pranverë të vitit 1924, Zoti Ekstrand, delegat asnjanës, dhe Hamdi Bej, delegat i Turqisë, bënin një turne në Epir dhe Maqedoni.
Me të zbarkuar në Prevezë, Hamdi Bej u deklaronte të gjithë atyre që shkonin për ta takuar, madje edhe atyre që e shmangnin takimin me të, se gjithë shqiptarët e fesë myslimane pa asnjë dallim përfshiheshin në këmbim dhe duhej të shpërnguleshin në Turqi.
Zoti Ekstrand, nga ana e tij, u linte të kuptonte shqiptarëve se ata që pretendonin t’i shpëtonin këmbimit, duhej të paraqisnin prova të shkruara, për të vërtetuar origjinën e tyre shqiptare.
Me siguri që ju keni pasur në duar raportin që Z. Ekstrand dhe Hamdi hartuan pas këtij turneu.
Pata nderin vitin e shkuar të hedh poshtë këtë raport dhe do të gjeni në pjesën shtojcë nr.4 disa argumente, që e vënë në dyshim kuptimin e raportit të hartuar prej dy anëtarëve të Komisionit Mikst.
ZZ. Ekstrand dhe Hamdi, gjatë udhëtimit të tyre në Epir, që duhej të kishte për qëllim konstatimin e racës shqiptare, shkuan nga Preveza vetëm në Janinë, me gjithë thirrjet dhe ftesat që u bëri elementi shqiptar, i cili, bazuar tek deklaratat e Z. Kaklamanos, mbështeste karakterin e pastër shqiptar të të gjithë myslimanëve të Epirit. Në Janinë, ZZ. Ekstrand dhe Hamdi përdorën të njëjtën gjuhë si në Prevezë.
Nga Epiri, të dy anëtarët shkuan në Maqedoni, në qytetin Sorovitch. Z. Ekstrand u drejtoi një telegraf shqiptarëve të 38 fshatrave të nënprefekturës së Kastorias dhe Follorinës, që të shkonin ta takonin, për të provuar origjinën e tyre shqiptare. Shqiptarët iu përgjigjën se ishin të tillë për nga origjina dhe se i takonte Z. Ekstrand të shkonte në fshatrat e tyre për të vërtetuar faktin. Zotëria i deleguar nuk bëri asgjë. Madje, që para se të ndërmerrte këtë udhëtim, Z. Ekstrand zotëronte një listë të hollësishme të fshatrave të Maqedonisë banuar nga shqiptarët.
Në Maqedoni, Nënkomisioni Mikst, që punonte në vend, përbëhej nga delegati grek Z. Floridhi, nga delegati turk Safet Bej dhe nga delegati asnjanës Baroni Von Linden. Z. Von Linden as që e mori ndonjëherë mundimin të zhvendosej, duke parapëlqyer të kalonte këndshëm kohën e vet në Selanik dhe Sorovitch. ZZ. Floridhi dhe Safet ishin në një mendje që të shpërnguleshin tërë shqiptarët e Maqedonisë; dhe këtë ua thoshin të gjithë atyre, që shkonin për t’i takuar; dhe me t’u takuar, ata Zotërinj kërkonin prova të origjinës së tyre shqiptare.
Kam dëgjuar të thuhet, Zotërinj delegatë, madje edhe e di, se ka libra të artë ku, fisnikëria provon prejardhjen e saj kalorësiake që nga Kryqëzata e Godefroy de Bouillon apo nga Rikard Zemërluani; por do të ishte e vështirë të kërkoje pergamenë nga fshatarët shqiptarë të Maqedonisë apo të Epirit, sepse, qoftë edhe duke pranuar se ata janë pasardhës të Pirros e të Aleksandrit të Madh, do të ishte e vështirë për ta që të provonin me shkrim këtë origjinë, për arsyen e thjeshtë se pergameni ende nuk ishte shpikur në atë kohë!
Me një fjalë, si pasojë e mënyrës së punës së pranuar nga Komisioni Mikst dhe për shkak të vetë mënyrës të të parit të gjërave nga ana e ZZ. Ekstrand, Hamdi, Von Linden, Floridhi dhe Safet, u zbrazën 31 nga 38 fshatra shqiptarë të Maqedonisë. Kjo zbrazje u bë disi me nxitim dhe falë kërbaçit, që përdorën gjithë bujari xhandarët grekë: popullsia shqiptare u çua si kope bagëtish në stacionin hekurudhor të Sorovitch-it, për t’u transportuar në Selanik dhe për t’i hipur pas gjashtë javësh ankthi në anijen që do t’i çonte në Azinë e Vogël. E punë e madhe që protestuan këta 33.000 shqiptarë dhe punë e madhe se ata përmendën zotimet solemne të marra nga Greqia!
As që mund të flasim këtu, Zotërinj delegatë, për mosnjohje të së vërtetës. Greqia sundonte në Maqedoni që prej 12 vjetësh dhe gjithë autoritetet e provincave, xhandarët, myftarët, kryetarët e bashkive dhe nënprefektët e dinin shumë mirë se kishin të bënin me shqiptarë, kaq e pamundur është të ngatërrohet një shqiptar me një turk. Vetë popullsia ishte aq e sigurt që s’ishte e destinuar për t’u larguar nga vatrat familjare sa kishte bërë tërë punimet e tokës dhe, duke qenë se ishte muaji qershor, drithërat ishin pjekur dhe një pjesë ishte korrur. Ndërsa turqit, që e dinin se ç’fat i priste, nuk e kishin marrë mundimin të bënin kurrfarë punimi të arave. Dhe ndërsa turqit vdisnin urie dhe banonin në fshatrat pranë hekurudhës, Nënkomisioni dhe autoritetet helenike filluan befas të zbrazin fshatrat shqiptare, që ishin më larg nga hekurudha. Lypsej para së gjithash të hiqeshin qafe shqiptarët, të zhdukeshin. Dhe prodhimi mbeti në fusha i pambledhur nga ata.
Banorët e tre fshatrave, ata të Shatkut, Revanit dhe të Selengradit i shpëtuan fatkeqësisë së eksodit të detyruar, duke ia mbathur për në Shqipëri, pasi braktisën krejt pasurinë që kishin. Sekretariati i Shoqërisë së Kombeve ka marrë tashmë një kërkesë nga ana e këtyre shqiptarëve, që Greqia t’u kthejë pasurinë e tyre të patundshme, llogaritur në shumën 3.967. 000 franga ar.
Po ç’fat i priti banorët e 31 fshatrave shpërngulur në Azinë e Vogël? Mund të përgjigjemi vetëm me një fjalë: mjerim dhe vdekje. Këta banorë të 31 fshatrave, ata të Vinanit, Rembit dhe Viçishtës kërkuan qysh në muajin tetor të largoheshin nga Azia e Vogël, për t’u kthyer në Shqipëri pranë bashkëkombësve të tyre.
“Nëse kemi për të vdekur, thoshin ata, të paktën të vdesim pranë tanëve dhe jo në Azinë e Vogël, kur nuk dimë as edhe dy fjalë në gjuhën turke!”.
Dhe u desh të bëheshin përpjekje dhe orvatje të përsëritura gjatë nëntë muajsh, që të arrinin më në fund të merrnin lejen për t’u larguar nga Turqia. Ata iu drejtuan shumë herë Komisionit Mikst si dhe Shoqërisë së Kombeve me anë peticionesh e telegramesh. Mund të lexoni në shtojcë nr.6 dhe 7 dy nga këto kërkesa. Këta shqiptarë shtronin pyetjen: “A është e vërtetë që skllavëria e zezakëve është zhdukur, që prej fushatës së Kardinal Lavigerie, apo është një gënjeshtër, duke qenë se ne, shqiptarët e Greqisë, jemi trajtuar nga organet e Shoqërisë së Kombeve si skllevër të poshtër?”
Dhe vetëm në korrikun e shkuar ata mundën të zbarkojnë në Shqipëri, të zhveshur nga gjithçka dhe të shndërruar në hije.
Dhjetëra fshatra të tjerë presin në Anadoll ditën e kthimit në Shqipëri. Po ku të gjendet paraja e domosdoshme për të organizuar udhëtimin dhe për të siguruar mjetet e jetesës së këtyre familjeve të mjera? Bota e qytetëruar pati mëshirë për refugjatët grekë, por ja që mbyllen sytë për mijëra njerëz të internuar, që trajtohen si skllevër.
Le t’u rikthehemi tani shqiptarëve të Epirit, se ç’fat i priste ata.
Qysh nga vjeshta e vitit 1922, kur grekët e Izmirit zunë të dynden në masë në Greqi, ministri Dhoksiades dha urdhër të zbrazen 75 % e shtëpive të shqiptarëve të Epirit. Të alarmuar, këta bënë menjëherë përpjekje që të pezullohej ky urdhër dhe ia dolën mbanë. E megjithëkëtë, nëpërmjet këtij urdhri, qëllimi i qeverisë greke u shpreh qartë. Greqia përfitonte nga kthesa që mori Lufta greko-turke, për t’i detyruar shqiptarët të linin trojet e tyre, ose e pakta që mund të thuhet, t’u rrëmbenin krejt pasuritë, që kishin. Kjo është një e vërtetë, që nuk duhet harruar kurrë, sepse na jep shpjegimin e qëndrimit të mbajtur ndaj tyre deri në ditët e sotme.
Pra, që nga vjeshta e vitit 1922 e deri në çastin e tanishëm, deri në këtë minutë që kam nderin të flas para Këshillit të nderuar të Shoqërisë së Kombeve, shqiptarët myslimanë të Epirit i janë nënshtruar një regjimi të jashtëzakonshëm masash të ashpra dhe tepër kufizuese.
Shtëpitë e myslimanëve janë rekuizuar në përfitim të refugjatëve grekë. Arat, kopshtet, ullishtat, vreshtat, fiqtë, ahishtet, gjithçka është përvetësuar nga refugjatët. Pronarët e ligjshëm janë të detyruar të jetojnë në vetë shtëpitë e tyre të ngjeshur brenda një dhome dhe shpesh në një haur apo plevicë. Dhe mjerë kush do të guxonte të ankohej apo të kundërshtonte këtë padrejtësi! E sikur një nga këta refugjatë të plagoste një shqiptar, do të ishte ky i fundit, që do arrestohej dhe do të çohej nga fshati drejt e në Janinë. Shembujt e këtyre rasteve numërohen me dhjetëra. Për më tepër që refugjatë grekë, xhandarë e banditë janë bërë një trup, në një bashkëpunim tepër aktiv dhe të organizuar më së miri. Kërbaçi është shndërruar në dogmë nga policia lokale. Banditët shëtisin lirshëm para vështrimit dashamirës të xhandarëve e oficerëve, që organizojnë veprime të përbashkëta. Po përmend vetëm emrat e banditëve Cile Mastora dhe Niko Qamo, pa u ndalur tek të tjerët. Nën pretekstin se po ndjekin banditët, patrullat që në fakt janë të lidhura me ta, sulen mbi fshatrat shqiptare, duke përdorur pa kursim rrahjen me kërbaç dhe duke rrëmbyer sende me vlerë gjatë bastisjeve që bëjnë, pa munguar të kërkojnë një shpërblim të majmë. Nuk ekzagjeroj asgjë, Zotërinj, përkundrazi, po ju flas për një të njëqindtën pjesë të tmerreve të shkaktuara. Patrullat e kanë rregull të paguajnë deri në qindarkën e fundit për okët me drithëra dhe produktet e tjera që marrin nga fshatarët grekë për t’u furnizuar. Kurse në fshatrat shqiptare, një xhandar apo një oficer do ta quante të pahijshme të paguante diçka.
Shqiptarëve myslimanë u është ndaluar të shesin produktet apo të vjelin qiranë për një pronë të tyre dhe një shqiptar mysliman duhet të pajiset me autorizim të lëshuar nga oficeri i xhandarmërisë, që të dalë jashtë zonës ku banon. Sikur një shqiptari t’i shkojë mendja të telegrafojë nga Athina për t’u ankuar (gjë tepër e kotë), shpesh kabllogrami i bllokohet nga vetë nëpunësi telegrafist me shënimin: “Hidhet poshtë si mesazh sharës”.
Unë vetë kam parë me sytë e mi një kabllogram të tillë dhe kjo gjë iu bë e njohur anëtarëve të Komisionit Mikst vitin e shkuar. Autoritetet helenike, duke filluar nga funksionari më i lartë e deri tek xhandari më i thjeshtë, nuk e fshehin aspak se synimi i qeverisë greke është i hapur të përdorin këto mjete, që t’i detyrojnë shqiptarët të ikin nga Greqia dhe të braktisin pasuritë që kanë.
E di që çështja e refugjatëve përbën një shqetësim shumë të madh për Greqinë dhe i dikton sakrifica të mëdha. E di që refugjatët grekë meritojnë dhembshurinë dhe përkujdesjen e të gjithëve. Albanësve* të Epirit, si subjekte grekë, u duhet të kontribuojnë për këto sakrifica. Dhe asnjëherë nuk e kanë menduar t’i shmangin. Por a duhet që Greqia ta shfrytëzojë praninë e refugjatëve grekë në kurriz të shqiptarëve dhe t’u kurdisë një kalvar të tërë, që po zgjat që prej dy vjet e gjysmë?
Me siguri që ju nuk e dini se në krejt Epirin nuk ka asnjë refugjat të vetëm grek të vendosur në një shtëpi greke. Dhe po e nënvizoj tri herë fjalën një të vetëm**. E megjithatë, Epiri ka 250.000 banorë, nga të cilët 25.000 janë shqiptarë myslimanë. Kemi të bëjmë, pra, me një të dhjetën e popullsisë së përgjithshme dhe pikërisht në këtë përmasë shqiptarët do të duhej të merrnin pjesë në sakrificat dhe ndihmat e dhëna për refugjatët. A është, pra, e drejtë që gjithçka të bjerë vetëm në kurriz të elementit shqiptar? Dhe do ttë përgjigjesha: trajtimi që po i bëhet elementit shqiptar nuk ka të bëjë aspak me ndonjë domosdoshmëri. Kemi të bëjmë me masa të marra, që kanë një qëllim të vetëm: për t’i detyruar shqiptarët të largohen nga vatrat e tyre.
Përpara një situate të tillë, nuk do të thosha të mundimshme, sepse fjala do të ishte këtu një eufemizëm skandaloz, përpara një situate të tillë, Shoqërisë së Kombeve i është shtruar edhe një herë për zgjidhje çështja e shqiptarëve të Greqisë. Ju e njihni vendimin e marrë nga Këshilli juaj i nderuar. Raporter ka qenë Shkëlqesia e Tij Quinones de Léon. Këshilli ftoi anëtarët asnjanës të Komisionit Mikst të ngarkoheshin me përfaqësimin e Këshillit, domethënë të ishin mandatuesit e tij për mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Greqi. Me të marrë vesh lajmin, shqiptarët e Epirit zunë të marrin frymë lirisht dhe pritën me shpresë të madhe vënien në jetë të këtij vendimi dhe, për rrjedhim, mbrojtjen e të drejtave të tyre. Dita aq e dëshiruar më në fund mbërriti dhe në muajin qershor 1925 të tre mandatuesit (ZZ Ekstrand, De Lara, Widding) ndërmorën një turne në Epir, dua të them në fshatrat e Gumenicës, Janinës e Konicës.
Në ç’rrethana zotërinjtë mandatues ndërmorën realizimin e detyrës së tyre?
1. Greqisë i duhej medoemos të provonte para shqiptarëve se ajo nuk i trembej aspak pranisë së përfaqësuesve të Shoqërisë së Kombeve dhe se shqiptarët veç të ishin naivë, po të mendonin se mandati që u ishte dhënë tre anëtarëve asnjanës, do t’u jepte fund telasheve të tyre. Në fakt, qysh ditët e para të turneut të mandatuesve, i quajturi Abidin Dule Xhemali, tregtar i pasur i Gumenicës, u syrgjynos në Prevezë, me qëllim që të pengohej të hynte në kontakt me Komisionin. Dhe Abidin Dule u lirua dhe u lejua të kthehej në vatrën e tij, pikërisht kur mandatuesit do gjendeshin në Prevezë!
2. Xhandarët dhe ushtarët grekë i penguan shqiptarët të takoheshin me Komisionin dhe t’i paraqisnin akuzat e tyre.
3. Banorët e fshatrave Dermicë dhe Salicë (nënprefektura të Gumenicës) u penguan nga xhandarët për të shkuar në kryeqendër, ku ndodheshin mandatuesit dhe mjaft fshatarë u rrahën nga xhandarët, u varën nga këmbët, kurse gratë u dhunuan.
4. Fshatarë spekulantë, të blerë me paratë greke, u morën dhe u çuan përpara mandatuesve për të deklaruar se ishin turq dhe se donin t’i nënshtroheshin procesit të këmbimit.
5. Përfaqësues nga qytetet e Filatit, Parathimisë e Margaritit shkuan pranë Z.Ekstrand (Kryetar në detyrë i Komisionit Mikst e si rrjedhim mandatues), duke iu lutur që t’i dëgjonte. Z. Ekstrand i përcolli duke u thënë se mandatuesit do të shkonin vetë në këto tri qytete për të bërë de visu konstatimet e tyre. E megjithatë, Z. Ekstrand, nën pretekstin se nuk mund të hipte në kalë, nuk shkoi as në Filat, as në Parathimi, as në Margarit.
6. I riu Hajredin nga fshati Arvenicë donte të takonte mandatuesit; xhandarët e penguan duke e keqtrajtuar; por Hajredini, duke thyer urdhrin, shkoi krejt i përgjakur tek Z. Ekstrand në Janinë.
Për të gjitha këto gjëra dhe për njëmijë të tjera u vunë në dijeni ZZ. mandatues, të cilët si njerëz të qytetëruar që janë dhe që duhet t’i fshehin emocionet, shpalosnin një buzëqeshje plot zemërgjerësi e shpirtmadhësi. Alexandre Palis, prefekti i Korfuzit që ishte i deleguar ad hoc për të shoqëruar mandatuesit gjatë turneut të tyre në Epir, shpaloste edhe ai një buzëqeshje sarkastike, duke parë si po rridhnin gjërat plot mirësjellje në sytë e përfaqësuesve të Shoqërisë së Kombeve.
Që nga dita kur tre mandatuesit bënë udhëtimin e tyre në Epir, jo vetëm nuk pati asnjë lehtësim të vuajtjeve të elementit shqiptar të asaj krahine, por përkundrazi, autoritetet helenike e dyfishuan zellin e tyre për t’ua bërë të pamundur jetën shqiptarëve të atjeshëm.
Kryetari i Nënkomisionit të Epirit Z. Bratli, kishte hartuar një raport të hollësishëm nga fundi i vitit 1924, raport që Z. Ekstrand e konsideroi tepër të ashpër dhe që, në s’gaboj, ia ktheu mbrapsht me lutjen (në mos me urdhrin) për ta zbutur. Z. Bratli dhe ndihmësi i tij Z. Qenan Mesareja, asistenti shqiptar, vazhduan t’i dërgojnë ZZ. mandatues raporte të tjera, të cilat nuk di ku përfunduan. Thashë më lart se nuk pati asnjë rezultat, qëkurse Shoqëria e Kombeve delegoi mandatuesit, por ja që gabova, sepse pati një rezultat: gjashtëqind shqiptarë të Pargës u dëbuan nga vatrat e tyre dhe pronat që kishin u konfiskuan. Ky akt u krye nga vetë Komisioni Mikst, sepse parganiotët ishin me origjinë nga Lala në More. Më kot u provua në një Memorje të dokumentuar me pjesë të cituara nga autorë grekë, anglezë, gjermanë dhe francezë se laliotët ishin shqiptarë të fesë myslimane dhe se gjatë luftërave për pavarësinë, vetë grekët i kishin konsideruar laliotët vazhdimisht si shqiptarë. Komisioni Mikst nuk u thye dhe i duhej me doemos t’i shpërngulte ata shqiptarë. I quajturi Mehmet Dusa, nga Parga, iu drejtua me telegram dhe peticion vetë mandatuesve dhe Shoqërisë së Kombeve. Ministri i Shqipërisë në Athinë i shkroi për këtë çështje Zotërinjve mandatues, të cilët (me letrën e tyre të datuar më 18 korrik 1925) iu përgjigjën se nuk mund të bënin asgjë, duke qenë se vendimi për dëbimin e pargiotëve ishte marrë me njëzëshmërinë e votave nga ana e Komisionit Mikst. Ministri i Shqipërisë u përgjigj se ishte i habitur, që Komisioni Mikst pretendonte për pagabueshmëri, kur e vërteta me siguri nuk njihej as nga bota katolike.
Gjatë turneut të tyre në Epir, ZZ. mandatues asistuan në dëbimin e shqiptarëve të qytetit të Konicës, pa asnjë mundësi rikthimi. Autoritetet helenike të këtij qyteti mbyllën edhe teqenë e bektashinjve të Konicës, duke konfiskuar gjithashtu ato prona të pakta që kishte Babai i teqesë, ndonëse ai ishte jo vetëm shqiptar, por edhe me origjinë nga territori i Shqipërisë së pavarur. Shtatëmbëdhjetë familje nga Konica u dëbuan me forcë nga vatrat e tyre, edhe pse ishin me origjinë nga qyteti i Leskovikut në Shqipëri; i vetmi argument që gjetën kundër tyre ZZ. mandatues ishte: e kishin lëkurën tepër të zeshkët dhe ishin ciganë, prandaj mund të dëboheshin pa skrupull.
Gjatë gjithë kësaj kohe, gjendja mbetej e pandryshuar në Epir: banditë, xhandarë dhe nëpunës civilë vazhdonin punën e tyre dhe kalvari ende nuk kishte të mbaruar.
Në muajin gusht, M. Bratli, i cili ndiqte nga afër gjendjen dhe e njihte si tepër të vërtetën, u hoq dhe në vend të tij u dërgua Z. Sliben. Nga ajo ditë, shqiptarët, që kishin ankesa për të shprehur, nuk patën më njeri për t’ua vënë veshin. Krahas Z. Sliben, Greqia zëvendësoi edhe delegatin e saj me Z. Floridhi. Me siguri na qenka rastësi që dërgohet në Epir i njëjti Z. Floridhi që kishte fituar përvojë me dëbimin që u kishte bërë shqiptarëve në Maqedoni. Po ashtu, me cilësinë e mandatuesit, vazhdon ende Z. Ekstrand të jetë eksperti, njeriu kompetent i gjërave shqiptare, domethënë i ngarkuar t’i degdisë shqiptarët në Azinë e Vogël!
Tek mbërriti në Epir, Z. Sliben mori urdhër të niste dëbimin e 5 .000 shqiptarëve nga Çamëia. Por duhej nga ana tjetër të përcaktoheshin rajonet, ku duheshin zgjedhur viktimat. Z. Floridhi e vinte gishtin te fshatrat Salicë, Grekohorë, Nikolicë, Nunëzat, Kushovicë, Plataria, Skorpiona, Mazarak, Arpicë, Ligurat, Karbunarë, domethënë në fshatrat më të lulëzuara të Çamërisë. Delegati turk, të cilit i kishin mbushur mendjen se kishte turq në Çamëri, tek vuri re se nuk kishte aty as edhe një turk të vetëm, ngurronte të bëhej shpërngulja.
Keni në duar, Zotërinj delegatë, një telegram drejtuar Sekretariatit të Shoqërisë së Kombeve nga ana e Komisionit Mikst të Konstandinopolit, e rrjedhimisht nga vetë mandatuesit, në të cilin këta pretendojnë se nuk janë aspak në dijeni të një vendimi lidhur me shpërnguljen e 5,000 shqiptarëve. Por pavarësisht nga një mohim i tillë, vendimi ekziston, është i njohur nga ana e nën-Komisionit të Epirit, është i njohur po ashtu edhe nga vetë autoritetet greke. Në të njëjtin telegram pretendohet se ndoshta bëhet fjalë për numrin e personave që nën-Komisioni i Epirit do e ketë njohur me origjinë tjetër nga ajo shqiptare. Por, Zotërinj, është fjala mirë e bukur për shqiptarë e jo për turq, që nën-Komisioni apo më mirë të themi Komisioni Mikst i Konstandinopolit nuk di nga t’i shkëpusë. Për më tepër, siç do ta shihni në pjesën shtojcë nr.8, Komisioni Mikst kishte vendosur të kërkonte në Epir jo shqiptarë të këmbyeshëm, por turq, të mos kërkohej origjina shqiptare, por origjina turke; madje, Z. Kaklamanos, qoftë në Lozanë, qoftë para Këshillit të Shoqërisë së Kombeve e kishte pranuar hapur se myslimanët e Epirit ishin shqiptarë. Z. Bratli, nga ana e tij, e kishte deklaruar me të madhe se nuk kishte një turk të vetëm në Epir dhe vetë autoritetet helenike nuk shfaqin kurrfarë ngurrimi për të pranuar këtë të vërtetë.
Atëherë, përse kërkohet kjo padrejtësi ndaj shqiptarëve? Thjesht ngaqë elementi shqiptar përfaqëson një sasi të papërfillshme në interesat e mëdha, që vihen në lojë midis Turqisë e Greqisë dhe se ky element, mbajtur në rezervë, shërben më së miri për të sheshuar vështirësitë e mundshme midis dy shteteve kryesore të interesuara. Komisioni Mikst, duke e pranuar këtë pazarllëk, madje edhe duke e mbështetur, pandehte se po tregonte mençuri e takt, pa e vrarë endjen se ky pazar bëhej në kurriz të shqiptarëve. Çamët, që jetonin që prej dy vjet e gjysmë në një ankth të vazhdueshëm, duke iu nënshtruar një regjimi të ashpër, të pashembullt në histori, nuk dinin kujt t’i drejtoheshin. Z. Sliben i përzinte brutalisht dhe ata nuk guxonin t’i drejtoheshin jo më Z. Sliben, por as asistentit të tij Z. Qenan Mesare, nga çasti kur ishin të sigurt se i priste kërbaçi me të përfunduar bashkëbisedimin me ta.
Autoritetet helenike shkuan edhe më tej. 104 shqiptarë u arrestuan, u burgosën e u syrgjynosën në ishujt dhe qytetet e Greqisë për të vetmen arsye se kishin guxuar të mos largoheshin nga vatrat, për t’u shpërngulur në Azinë e Vogël.
Ministri shqiptar i Athinës i dërgoi letër Sekretariatit të Shoqërisë së Kombeve dhe nëndrejtori i Seksionit të Minoritetit, në përgjigjen e tij të 26 tetorit 1925, nr. 2/47133/37781 i vinte në dukje se të interesuarit duhet t’i drejtoheshin drejtpërdrejt mandatuesve në Kostandinopojë. Konsulli i Shqipërisë në Kostandinopojë shkoi të takojë kryetarin e mandatuesve dhe i foli për gjendjen e çamëve. Kryetari e dëgjoi me dashamirësi të madhe dhe iu përgjigj se “Çamët duhet t’i drejtohen drejtpërdrejt Shoqërisë së Kombeve”. Por me ç’mjet çamët mund t’i drejtohen Gjenevës? Ku të gjendet posta që mund të përcjellë letrat, ku të gjendet nëpunësi grek i zyrës postare apo i telegrafit, që të mos i dorëzojë çamët te kërbaçi i xhandarëve?
Po prapë, pa e dhënë veten, çamët i shumëfishuan përpjekjet për qëndresë. Ata iu drejtuan edhe Zyrës së vendosjes së refugjatëve. Ju e dini, Zotërinj, që Greqia ka marrë nën patronazhin e Shoqërisë së Kombeve një hua të madhe, për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve dhe se një “Zyrë autonome e vendosjes së refugjatëve” funksionon aktualisht në Athinë. Kjo hua iu dha Greqisë për qëllim humanitar dhe vetëm në këtë kuadër Shoqëria e Kombeve e mbështet huadhënien. Mirëpo, ja ironia e gjërave: një vepër humanitare dhe mirëbërësie shndërrohet në kriminale, kur përdoret keq. Zyra autonome e vendosjes së refugjatëve bëhet, pa dashje, sigurisht, bashkëfajtore e autoriteteve helenike, duke pranuar të vendosë refugjatë në shtëpitë, ku shqiptarët janë flakur në rrugë, në plotkuptimin e fjalës. Persona me influencë shkuan të flasin për këtë çështje me Z. Campbell në Athinë dhe i shprehën se nuk ishte aspak njerëzore që një palë të vdisnin, nën pretekstin se po zbuteshin vuajtjet e palës tjetër. Madje këta persona shkuan gjer aty sa i thanë Z. Campbell dhe Z. Rufos, ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, t’i trajtonin vetë shqiptarët si refugjatë dhe t’i linin në shtëpitë e tyre dhe në pronat e tyre të jetonin, në mos si pronarë të ligjshëm, të paktën si refugjatë.
Mbase ekspozeja ime, Zotërinj, ju duket pak e gjatë. Por mjerimi i popullsisë për të cilën po flas, është edhe më i gjatë. Ky mjerim arriti në pikën më të mprehtë kur Nënkomisioni i Epirit kërkoi me nxitim një anije për të transportuar në Azinë e Vogël 800 shqiptarë, pararojë e 5.000 të tjerëve, dëbimi i të cilëve ishte vendosur pas pazarllëqesh të fshehta.
Është fjala konkretisht për banorët e fshatrave shqiptare të Kardhiqit e Dragumit, i pari me 300 shtëpi dhe i dyti me 150, nga të cilat 100 me shqiptarë myslimanë. Këto fshatra janë nga më të lulëzuarat e Çamërisë dhe ndodhen në skajin jug-lindor të krahinës së banuar nga shqiptarët. Historia e tyre është shumë interesante dhe po jua tregoj me dy fjalë, për t’ju gjallëruar disi:
Më 1912, bandat greke rrënuan, plaçkitën dhe dogjën me themel fshatrat Kardhii dhe Dragumi. Banorët ngritën gjithçka nga e para. Më 1918, bandat greke patën dashamirësinë të bënin një vizitë të dytë, duke marrë me vete tërë orenditë dhe pasuritë e tundshme. Më 1923, banditi Cile Mastora, në bashkëpunim me kapterin Angelaqi (komandanti i postës së xhandarmërisë së Karbunarës) mori përsipër detyrën fisnike të përkujdesej për Kardhiqin e Dragumin, banorët e të cilëve “shpërbleheshin” ditë për ditë me radhë nga Cile Mastora dhe repartet ushtarake, që i jepnin vetes kënaqësinë e madhe të përdornin kërbaçin sa të ngopeshin.
Në një rast, banditi sulmoi me armë Kardhiqin dhe vrau të quajturit Elmas Habibi dhe Mehmet Refati. Nga fundi i muajit nëntor 1923, Cile Mastora me 30 laro u gatit të bënte një kasaphanë në Kardhiq, banorët e të cilit, të terrorizuar u larguan nxitimthi nga fshati dhe u strehuan tek miqtë e tyre në Pargë, Margarit, Karbunarë e Mazarek. Grekët ia arritën kështu qëllimit; me të ikur shqiptarët, nënprefekti i Paramithisë nxitoi të vendoste refugjatë në Kardhiq. Disa ditë më pas, shqiptarët, me t’u kthyer në fshat u lejuan, në shenjë bamirësie, të strehoheshin nëpër stalla e haure. Po prapë, mirësia e autoriteteve greke nuk shkoi gjer aty sa ata të lejoheshin të punonin arat apo të mblidhnin frutat e pemëve.
Në muajin maj 1924, kur Z. Ekstrand arriti në Prevezë, kardhiqotët shkuan ta takojnë dhe i folën për gjendjen e mjerë në të cilën ndodheshin. Z. Ekstrand i ngushëlloi me këto fjalë atërore: “Duroni edhe pak kohë dhe më pas, si gjithë shqiptarët e tjerë do të dërgoheni në Azi të Vogël”.
Për t’ju dhënë një ide të pasurisë së Kardhiqit po ju them se vitin e parë refugjatët mblodhën 100.000 okë (130.000 kg) bajame; vitin e dytë, Cile Mastora, mbreti i atyre maleve, mblodhi 300.000 okë ullinj.
E ndërkohë, kardhiqiotët vdisnin urie. Në Dragumi po ashtu, ndodhte e njëjta gjë me Cile Mastorën, mbret i atyre maleve, me kapter Angelaqin, me kërbaçin kurrizit, me refugjatët e ardhur, për të shkuar më tej tek eksodi, te vdekja nga uria dhe si lëmoshë, lejimi për t’u rikthyer e për të banuar në stalla e plevica. Veçse në Dragumi, Cile Mastora e pati dorën me më pak fat: nuk arriti të vriste, por vetëm të plagoste dy shqiptarë, djemtë e Nebi dhe Murad Sulejmanit.
Dhe janë po këta kardhiqiotë e po këta dragumiotë që Komisioni Mikst dhe mandatuesit, veprimtarë të Shoqërisë së Kombeve, duan , për të kurorëzuar mjerimin e tyre , t’i zhvendosin tani në Azinë e Vogël.
Ju e njihni të gjithë, Zotërinj, poetin persian Saddi. Në librin e tij “Kopshti i trëndafilave” rrëfen këtë histori: “Një udhëtar duhej të përshkonte një vend të mbushur me banditë; i rekomandojnë një udhërrëfyes që do ta mbronte dhe ta drejtonte nëpër shtigje të sigurta. Të nesërmen, u dëgjua udhëtari ynë t’u japë klithmave. E pyesin se mos e kishin vjedhur banditët.
– Jo, për besë, tha ai, më vodhi udhërrëfyesi, që më dhatë për të më mbrojtur!”.