Një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, vallëzon përkëtej dhe matanë oqeanit. Andej- me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku,- këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeve, që kërcejnë nëpër skena… Kishte dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së kulturës shqiptare në New York…
Nga Dalip Greca*
Në epilogun e mbrëmjes të së dielës të 9 nëntorit, në Festivalin e 13-të Shqiptar në New York, në gjysëmerrësirën e skenës të ndriçuar nga një fashë e hollë drite, u shfaq si një shtojzavalle, e veshur në të bardha, Lili Cingu, mjeshtrja jonë e valleve, një ndër legjendat shqiptare të Dizhonit. Nën ritmin e muzikës kërcimi solo i saj u shoqërua nga duartrokitjet e gjata të më shumë se 2800 shqiptarëve që mbushnin sallën. Ndërsa pas shfaqjeve ishin të shumtë ata që i uronin:Të lumtë Lili, paske mbetur po ajo e dikurshmja, e re në skenë, plot energji!
E takova Lilin së bashku me Gjergj Dedvukajn, në mjediset e “New Yorker-Hotel”-it, pas një vizite në redaksinë e Illyria-s. Biseda fillimisht u përqëndrua rreth mbresave të saj rreth Festivalit shqiptar të New York-ut. E ndjen veten kreanre që ishte pjesë e atij festivali, ku u manifestua kultura shqiptare, pasuria jonë folklorike, bukuria e veshjeve popullore, shpirti krijues i bijëve të mërgimtarëve, dashuria e tyre për kulturën. Ardhja e kryebashkiakut Michael Bloomberg në tubimin kulturor të shqiptarëve ishte vërtetë një vlerësim i merituar për komunitetin shqiptar, thotë Lili.
Prania e Lilit në festival, nuk ishte e rastësishme. Ajo prej kohësh bashkëpunon me komunitetin e New York-ut, përgatit grupin e valleve pranë ansamblit me shumë emër “Bashkimi Kombëtar” të të apasionuarit Gjergj Dedvukaj. Që në korrik ajo ka bashkëpunuar me këtë grup dhe ndjehet e kënaqur që ka gjetur këtu në zemër të New York-ut, djem dhe vajza aq pasionant për vallet e bukura shqiptare.
-Ende i kam mbresat e pashlyeshme nga Festivali gjithshqiptar i zhvilluar në Tuz të Malit të Zi, “Rapsha 203”, – thotë Lili, e cila përgatiti grupin e valleve për atë manifestim gjithshqiptar. Duartrokitjet që mori ky grup në Tuz ishin emocionuese dhe shumë vlerësuese. Kjo tregon se diaspora jonë është për t’u lëvduar për këmbënguljen që tregon në ruajtjen e traditave, këngëve, valleve, gjuhës kombëtare. E pashë këtë në Rapsha 2003, por e pashë më mirë edhe në Festivalin e 13-të Shqiptar të New York-ut. Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e madh që jep grupi “Bashkimi Kombëtar” dhe Gjergj Dedvukaj që e drejton atë. U bë kohë që unë bashkëpunoj me këtë grup. Isha edhe këtë radhë koreografe dhe kam ndjerë kënaqësi për këtë bashkëpunim të frytshëm. Nuk edi nëse diaspora jonë ia çmon si duhet kontributin që Gjergji së bashku me djemtë e vajzat e grupit i japin kësaj diaspore, por unë e kam ndjerë këtë, sidomos në Shqipëri dhe në Mal të Zi, ku ky kontribuut shihet si një vlerë kombëtare dhe i entuziazmon shumë ata matanë oqeanit. Nuk e di nëse arrihet që të vlerësohet drejt mësimi i këngës dhe valles shqipe tek ata breza që kanë lindur këtu dhe me plot pasion arrijnë të kapin ritmin e valles apo melodinë e këngës. Kjo është vërtetë një punë e mrekullueshme, një investim që nuk ka të çmuar. Emërtimi simbolik ”Bashkimi Kombëtar” për mua përmbledh në vetevete një emërtesë emocionale që ta drithëron shpirtin. Paraqitja e këtij grupi në Rapshë ngjalli emocione të fuqishme.Si tani kam parasyshë paraqitjen e grupit në Vitoje, parakalimin e tij me ato veshjet e bukura, ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme, shpirtërisht tronditëse. Ju i patë dhe vetë në skenën e Festivalit të 13-të se si gërshetoheshin brezat dhe se si përcillej kënga dhe vallja nga ata fëmijët e vegjël, që bënin të dridhej salla, e deri tek moshat e rritura, tek Veseli, që është bashkudhëtar me të 13-të festivalet e shqiptarëve këtu në New York. A nuk qe diçka mahnitëse?, i mbyll me një fjali pyetëse mbresat e saj nga “Rapsha 2003”, Lili.
Ajo nuk është ndarë shpirtërisht pavarësisht ikjes së saj në ”vitin e mbrapshtë” 1997.
Asnjëherë nuk e ka parë veten të larguar nga vendlindja, Shqipëria. Ka jetuar përherë me mirënjohjen për vendin që e lindi, ku dhe bëri aq emër. Pyetjes time se çfarë mendon për ikjen e artistëve nga Shqipëria, që ende lëngon në tranzicionin e dhimbshëm, ajo i përgjigjet:
– Nuk e di se si e konceptojnë të tjerët largimin, por artistët e kanë të veçantë përjetimin e dyfishtë të vetes me atdheun dhe vendin e ri ku emigrojnë.Për mua është normale që artistët të emigrojnë. E them këtë sepse gjendja ekonomike e justifikon ikjen. Nuk mund t’i thuash artistit rri aty nëse e do vendin, e do atdheun. Edhe ai është njeri, edhe ai ka punuar një jetë dhe nuk ka siguruar asgjë në aspektin financiar, si pjesa më e madhe e popullit. Mund të keshë shkëlqyer si artist, por shpërblimi dihet se i ç’përmasave ka qenë, thjeshtë sa për mbijetesë. E rëndësishme është që ta duash atdheun, ta respektosh, ta përfaqësosh në një farë mënyre edhe atje ku jeton, në emigracion. Për mua është e rëndësishme që në Kanada e kam përfaqësuar vendin tim. Me vallet tona, me kostumet tona kombëtare kemi bërë njerëzit që të kthejnë sytë nga ne e të interesohen për vendin tonë. Është e njëjta gjë që kemi bërë dikur, kur ansambli ynë i këngëve dhe valleve pëfaqësonte vendin jashtë shtetit. Ansambi ishte si të thuash një dëshmi jashtë izolimit se brenda atyre mureve, nën rrethim jetonte një popull me shpirt e dhunti artisti.
Lili tregon se nuk ka patur plane të emigrojë. Emigrimi i saj ka ndodhur në vitin e trazirave, në vitin 1997, ku anija shqiptare rrezikohej të mbytej në detin e zemrimit të shqiptarëve shoq me shoq. Pyetjes time se përse vendosët që të emigronit?-ajo i përgjigjet ende e pavendosur: Nuk e di. Qe një vendim i momentit, jo i paramenduar. Ma kanë bërë këtë pyetje shumë gazetarë. Më duket se dhe atyre u kam thënë se ishte një kaprico e rastit, e momentit. Isha në një turne në Toronto dhe menjëherë kam marrë vendimin që të mos kthehesha. Them se qe një vendim i çastit, nuk them se ky vendim është i mirë, as i keq.E ndjej veten me fat që u integrova shpejt në komunitetin shqiptaro- kanadez. Komuniteti fillimisht u habit me moskthimin tim, por menjëherë ai më bëri pjesë të vetën. Unë qëndrova për t’iu përkushtuar artit të popullit tim. Menjëherë i hyra punës. Koncertet erdhën njëri pas tjetrit. U mirëprita dhe u duartrokita. Nuk e kisha mirëpritur aq shpejt suksesin, por vullneti dhe pasioni më nxorën në breg. Suksesi im nuk erdhi vetëm në komunitetin shqiptar të Torontos por edhe në komunitetet e tjera. E kam ndjerë veten krenare, kur sapo prezantohesha se isha nga Shqipëria, më thoshin o, nga Nënë Tereza. Ne shqiptarët jemi me fat se jemi të përfaqësuar aq lart në opinion botëror me një figurë të tillë të përmasave të paarritshme. Pasioni im dhe vullneti që bashkëshoqëroi atë më hapën dyert në Kanada. Them si isha jo thjesht e vlerësuar, por dhe pak e “përkëdhelur” nga emigracioni kanadez, që më krijojë hapësirë që do ta kishte zili çdo artist. E dëshmon këtë jo thjesht një diplomë vlerësimi nga Parlamenti Kanadez, të cilën unë e kam të koleksinuar në vlerësimet e mia, por mbi të gjitha, trajtimi i ngrohtë dhe pakufi, prania ime në festat kanadeze, në ditët e shënuara të komuniiteteve të tjera dhe padyshim, në festat tona kombëtare, si në ditën e shenjtë të Flamurit dhe në të tjera gëzime të bashkëkombasve.
Përvojën 30 vjeçare koreografike, Liliana ua përcjell edhe të vegjëlve, fëmijëve të lindur në Kanada dhe Amerikë ose brezave që vazhdojnë të emigrojnë në këtë anë të kontinentit. Edhe kur të vdes ndoshta do të jem duke kërcyer, duke lëvizuar duart, thekson ajo…E kam thënë njëherë në një intervistë se po të organizoheshin spektaklet e misseve në kohën tonë, padyshim që unë jo vetëm do të konkuroja, por edhe do të fitoja. Një gazetare shkroi:Liana:Sikur të isha miss! Arti të mban të ri, pra nuk ndjen plakje. Unë e ndjej veten krenare që kam gjetur edhe në Amerikë një brez të rejash dhe të rinjësh të dashuruar me vallen. Dhe ndjehem shumë e lehtësuar, shumë e lumturuar kur ata më “kopjojnë” çdo lëvizje që u mësoj. Më mrekullojnë rastet kur familjet tregohen aq të gatshme për t’i sjellë fëmijët e tyre në grup, që të mësojnë vallet tona të bukura që kanë magjepsur gjithkënd në botë. Më mrekulloi fakti që në grupin “Bashkimi Kombëtar” pashë tri motra aq të pasionuara pas trashëgimisë tonë popullore; familja e Tom Gjergjit sjell në grup tri vajzat dhe djalin; shikoj dy motrat, Dianën dhe Tinën, që me aq pasion përpiqen të interpretojnë me kërkesa profesioniste; apo rapsodi, Vasel Dedvukaj, që për 13 vjet nuk ndahet nga skena. Ka shumë nga ata që edhe pse jetojnë larg vendit ku zhvillohen provat tregohen plot vullnet dhe asnjëherë nuk nxjerrin probleme. Ju i patë vetë në skenën e festivalit të 13-të se si këndonin e kërcenin të gjithë sikur të ishin profesionistë. Në çaste të tilla unë thosha me vete:ne si popull dimë të kërcejmë dhe të këndojmë të gjithë!
Lili zbulon planet për të ardhmen. Ajo tregon se së bashku me valltaret e këtij grupi vitin e ardhshëm do ët jetë në Festivalin Kombëtar në Shqipëri që do të zhvillohet në Gjirokastër. Tashmë “Bashkimi Kombëtar” është i njohur në Shqipëri. Shoqëria ëshët mirëpritur në Shqipëri dhe është vlerësuar nga publiku. Nuk është më sekret, thotë Lili, se vitin e ardhshëm ky grup dhe unë në përbërje të tij do të paraqitemi me kërkesa jo vetëm paraqitjeje, por edhe konkurentë për çmim.
Në verë Lili ka qenë në Tiranë dhe ka kontaktuar personalitetet e lartë të kulturës, përfshirë dhe minsitren e kulturës, të cilën e ka njoftuar për objektivin e “Bashkimit Kombëtar” të valltarëve që ajo po përgatit. Do të jepen shfaqje edhe jashtë New York-ut.Jo vetëm kaq, por tani bëhet fjalë edhe për një shkollë për artin shqiptar. Shpresojmë që ajo të ngrihet së shpejti dhe të përfshijë të gjitha llojet e artit shqiptar, përfshirë dhe vallet; këngët, instrumentat etj. Doemos se pritet edhe një mbështetje nga biznesi, pse jo dhe nga shteti shqiptar, i cili duhet ta ndjejë peshën e nëj komuniteti të organizuar në SHBA, veçanërisht këtu në New York.
Toronto- New York, Lili e sheh veten herë atje e herë këtu, ku e ndjen veten më mirë Lili? Çfarë ëshët vallja për Lilin? Jo në kuptimin klasik, kuptimor? Thjesht shpirtëror…
– Për mua vallja është mbijetesë, për mua vallja ëshët gjithçka; më duket se kam lindur njëherësh me vallen, ndoshta dhe do të vdes së bashku me vallen. Vallja është drithërimi, është diçka që qëndron me mua dhe nuk ndahemi dot nga njera-tjetra.
– Kur u takuat me vallen…Kur e kuptuat se ishit të dashuruar me vallen?
– Që në moshën 3 vjeç, kur unë arrita të ecja lirisht, pra të ecja e të ruaja ekuilibrin, kur e pashë veten në këmbë dhe të rriturit hapnin radion, kur trasmetohej muzikë, siç më thonë ata, unë filloja e kërceja. Madje edhe kur prindërit shkonin në koncerte të ndryshme, unë mbetesha në këmbë duke kërcyer.Them se vallja ka qenë brenda meje, unë vetëm e kultivova atë, e përsosa me vullnetin tim dhe të profesorëve të mi, – thotë Lili.
Në skenë ajo është ngjitur në Pallatin e Pionierëve, ku kanë shkëndijuar thuajse të gjithë talentet e brezit të saj. Atëhere Lili nuk ishte më shumë se 6 vjeçe. Ndërsa emri i saj u publikua në afishet e kryeqytetit, këtu e 30 vjet të shkuara. Më pas emri i saj do të ishte pranë të mëdhenjëve të skenës koreografike: Besim Zekthi e Rexhep Çeliku.
Ka qenë nxënëse e mjeshtrit Gëzim Kaceli dhe e mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Panajot Kanaçi, që i ka dhënë shqiptarëve aq shumë në këtë fushë.
-Kam qenë me fat që pata besimin e mjeshtrit Kanaci dhe jam ndjerë e sigurtë në ajër, ngaqë kam qenë në duart e sigurta të Besim Zekthit dhe të Rexhep Çelikut.
Në memorien e Lilit kanë mbetur shumë aktivitete, por mbi të gjitha, emocionet më të mëdha i mbart turneu i Francës, i ruajtur dhe në kujtesën e gjithë shqiptarëve si “Gjerdani i Artë” i Dizhonit, ku ansambli ynë u bë “heroi” i turneut të vitit 1970. Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturone.
– Mbaj mend se gazetat pariziene shkruanin me shkronja të mëdha në faqet e para; “Po fluturojnë shqipet”, ”Po vjen stuhia shqiptare”, ”Toka tundet nën këmbët e tyre”. Ndër 10 mijë spektatorët unë e pashë veten të emocionuar kur më vunë në gjoks gjerdanin e artë, – tregon Lili.
Në vitin 1986 ajo ka marrë titullin ”Artiste e Merituar” dhe pyetjes time ”nëse ndjehet e vlerësuar nga shoqëria shqiptare, deri në lartësinë e atij titulli” ajo i përgjigjet:” Ndoshta nuk mund të them se ndjehem e përkëdhelur. Për aq sa i kam dhënë vendit më takonte më shumë. Ndoshta diçka do të ndreqet, kohë ka”.
– Mos vallë ky mosvlerësim ka qenë shkak i qëndrimit tuaj në Kanada pas atij turneu në Toronto në vitin 1997?-e shtyj më tej bisedën.
-Them se ky shkak ka patur ndikimin e vet në atë vendim të çastit që ndryshoi pjesën e mbetur të jetës sime. Me atë pension aq të vogël sa më doli për 30 vjet në skenë, nuk mund ta ndjeja veten komode në Tiranë. Kisha punuar 30 vjet, isha ngjitur në skenë në vitin 1967, e mbylla karreirën zyrtare shtetërore në vitin 1997, ndërkohë që edhe 6 vjet këndej e pandarë me vallen dhe skenën përbëjnë një përvojë që unë nuk mund ta mbajë brenda vetes. Pra gjithmonë kam diçka për t’i përcjellë brezit pasues. Kam vendosur që vitin e ardhshëm të gjithë këtë përvojë ta përcjell në një recital në Tiranë, atje ku nisi karriera ime. Shpresoj se do të jetë diçka e veçantë, që të rezonojë emocione. Padyshim që nuk do të jem ajo që isha para 30 vjetësh, se atëherë isha më energjike, kisha tjetër pamje, por gjithsesi ende kam shumë për të dhënë në skenë. Sa herë shkoj në Tiranë nuk më mungojnë ofertat për të dhënë koncerte, shenjë kjo që tregon që edhe të tjerët ende presin prej meje. Pastaj dhe stafet që po merern me këtë do të dinë të dhurojnë të papritura.
Liljana Cingu si emigrante e përjeton jetën dyfish: si artiste dhe si njeri. Po ç’të veçanta ka në këto përjetime? Për të marrë një përgjigje i drejtova pyetjen:
– Çfarë i mungon Lilit njeri dhe Lilit artiste në emigracion?
– Si çdo emigranti, – thotë ajo, – edhe mua më mungojnë shumë gjëra, vendlindja nuk mund të zëvendësohet, atje ku janë gjurmët e jetës time, fëmijëria, të afërmit, emocionet e mbetura në vendet e dashura…Unë jam artiste dhe nuk më mungon njohja dhe takimet, qoftë me ata që na kanë adhuruar në skenë, qoftë me të njohurit. Unë sa herë shkoj në Tiranë përtërihem; nuk ka hap që të mos më shoqërojnë përshëndetjet, të njohur e të panjohur. Nuk mund ta fsheh: nostalgjia është ndjenjë që më ka ngacmuar shumë për vendlindjen. Shpesh edhe kam qarë. Artisti është një masë e pafund emocionesh.
– Tani që po afron Dita e Flamurit, 28 Nëntori, ajo është e shumëkërkuar. Që me datë 23 nëntor i duhet t’u përgjigjet ftesave në Kanada; madje ka dhe komunitete të huaja që duan ta kenë në festat e tyre, ka ftesa nga New York-u, Toronto e gjithandej. Do të përpiqem të shkoj atje ku mundësia është më e madhe. Lili vlerëson shumë median e New York-ut, veçanërisht Illyria-n që, siç thotë ajo, është shumë e orientuar dhe shumë kombëtare; njeriu që e lexon këtë gazetë orientohet menjëherë; mëson se ç’ndodh këtu e ç’ndodh në hapësirën shqiptare; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi. Shqiptarët e Amerikës janë shumë më të organizuar se ata të Kanadasë. Megjithatë edhe atje kohët e fundit ka një lëvizje pozitive, ka televizion, ka një gazetë, pra ka një orientim…
Ja kështu, përmes bisedës, ne u sollëm copëza nga jeta e artistes, një ndër legjendat e valles shqiptare, Lili Cingu, solistja e parë e Ansamblit të Këngëve dhe valleve të Shqipërisë, mbajtësja e Gjerdanit të Artë të Dizhonit, e mërguar për “kapriçio shqiptare” dhe e nderuar nga Parlamenti Kanadez, e cila vallëzon ende përkëtej dhe matanë oqeanit. Andej me partenrin e kahershëm Rexhep Çeliku, këndej me vajzat dhe djemtë e mërgimtarëve në Kanada e New York, ndërkohë që për vitin e ardhshëm do të jetë me “Bashkimin Kombëtar” në Gjirokastër; në Tiranë do të çojë përmes një spektakli gjithë jetën dhe biografinë e saj artistike, me të ftuar trashëgimtarë të familjeveve, që kërcejnë nëpër skena… Ka dhe një ëndërr Lili; hapjen e shkollës së Kulturës shqiptare në New York…Një jetë që ia vlen të regjistrohet në shtyllat e gazetës.( Kjo interviste u botua per te paren here ne Gazeten Illyria ne New York dhe do te jete pjese e librit”Histori shqiptare nga Amerika”, qe eshte ne process redaktimi)