Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Këto liqene akullnajore të Periudhës të Kuaternarit, përndryshe: “sytë e kaltër të Lurës”, mrekulli e bukuri gjeo-turistike e kësaj krahine etno-historike të veçantë, shtrihen në shpatin lindor të Kunorës së Lurës. Shpesh, në gjeo-fizikë, thirren dhe “Liqenet e Kunorës së Lurës”.
Shkrimtari i madh shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, kandidat për Çmimin Nobel, në vitin 1967, qëndroi nji kohë të gjatë në Lurë, e cila e frymëzoi atë për të shkruar disa nga poezitë e vëllimit poetik “Motive me diell”. Se Lura merr shumë rrezatim nga qielli dhe bijat e bijtë e vet, se jep shumë rrezatim nga toka e kullat e saj. Asokohe, Kadare, tek reportazhi i tij “Një mbrëmje në Lurë” shkruante: “E vërtetë është që, zakonisht prapa fjalës tingëlluese “Lurë” shtrihen…liqenet e saj me tërë bukurinë dhe magjinë e tyre. Askush nuk mund ta ndajë Lurën nga liqenet e saj. Prandaj kush udhëton drejt Lurës, udhëton drejt liqeneve të saj”.
Kangtari kombëtar epik e lirik, Arif Vladi – nga nji derë e njohur në Krejë-Lurë, e ka nji kangë hit “Liqejt’ e Lurës” me përplot dashuri për vendlindjen e tij, me hymn për bukuritë e saj të rralla: “Je e bukur moj vendlindje/Sa të dua Lura ime./Si Liqejt e Lurës, pra /Oj, kërkund nuk ka !/”.
Kangtarja e shquar dibrane, nga Lashkiza e Dardhës, Lirie Rasha, Artiste e Merituar, me zërin e saj në rrjedhë të kohërave e çoi kangën “Shtatë liqejt’ e Lurës” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, me refrenin: “Shtat’ liqejt’ e Lurës, o /Lart .o përmi pllaja /Prin si syt’ e shqipes, o /Hapin te kalaja/Ky Liqen i Luleve/Nën majën me borë / Dëshmorve të Lurës, o /U qëndron kunorë /.
2.
Krejt Shqipëria i ka 247 liqene të tipeve e madhësive të ndryshme, nga të cilët 12 prej tyre ndodhen në Lurë, po vetëm 7 apo 8 prej tyre kanë ujë në përhershmëri, ndërsa të tjerët periodikisht.
Krejt Shqipëria i ka 247 liqene të tipeve e madhësive të ndryshme, nga të cilët 12 prej tyre ndodhen në Lurë, po vetëm 7 apo 8 prej tyre kanë ujë në përhershmëri, ndërsa të tjerët periodikisht.
Shqipëria Natyrale i ka gjithsej 134 liqene akullnajore, ku ma të shumtit e tyre formojnë grupe të veçanta nga 10 deri 22 liqene si “Liqenet e Lurës”, Liqenet e Sylbicës e të Dobërdolit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara) në Tropojë; të malit të Balgjajt, të Malit të Lopës, të Valamarës, të Malit të Shebenikut, të Jezercës, të Runicës, etj.
Ky grup i liqeneve në Lurë janë të përhapura në një territor me sipërfaqe 20 km2 dhe shtrihen në lartësinë nga 1.500–1800 m. mbi nivelin e detit. Këto janë 12 liqene të vegjël me formë të rrumbullakosura me sipërfaqe 0.97 km2, afro 100 ha.
“Liqeni i Madh”, i cilësuem kështu nga vendasit lurjanë prej sipërfaqes së tij të madhe, kap 32 ha gjithsej, me përmasa e tij maksimale 300 m. gjerësi e 425 m. gjatësi.
Pas tij, në vargni hapësinore vijnë “Liqeni i Pishave” me sipërfaqe 13 ha; “Liqeni i Zi” me sipërfaqe 8 ha; “Liqeni i Luleve” me sipërfaqe 4 ha.
Në grupin e këtyre liqeneve hyjnë dhe të tjerë ma të vegjël, si “Liqeni i Bruçit” – që e ka marrë emrin prej vllaznisë lurase Bruçi; “Liqeni i Hotit”- prej fisit të Hotit në Borje-Lurë, “Liqeni i Rrasave”, “Liqeni i Shtatë Lopëve” (Liqeni i Lopëve), etj.
Këto liqene natyrore të Lurës ushqehen me ujë nga reshjet e borës dhe të shiut. Ato kanë një regjim tipik alpin, me lëkundje të vogla të nivelit gjatë vitit. Nivelet më të larta të tyre vrojtohen në pranverë, fill pas shkrirjes së borës, ndërsa ma të voglat në dimër, kur liqenet ngrijnë dhe mbulohen përsipri me borë. Në këto liqene ka amfibë, si tritoni, etj. tipik të trevave alpine. Ngjyra e blertë e mbyllur e ujërave të liqeneve dhe pyjet e pishës që i rrethojnë ato, krijojnë një mjedis piktoresk dhe i bëjnë “Liqenet e Lurës” një vend pushimi mjaft tërheqës. Diçka e mirë po lëviz sot. Shumçka e mirë do të gjallnojnë nesër. Në një ditë të afërt Lura do të jetë një nga destinacionet turistike botërore dhe kjo do të jetë meritë dhe e pranisë e bukurisë të “Liqeneve të Lurës”.
Në gushtin e vitit 2014 isha për herë të parë në Lurë e, sigurisht, dhe për një vizitë rasti ditore tek disa nga Liqenet e Lurës. Kena kalue një drekë të mirë në natyrë tek “Liqeni i Bruçit”. Isha i ftuar nga miku im i viteve të rinisë qyshse në Fierzë, nga biznesmeni bajemirë, Dod Doçi, në shoqërinë e tij mikpritëse. Aty kishin ardhë dhe zonja e tij e nderuar, Alda Laçi-Doçi, tre inxhinierë të talentuar të firmës “Lura”- projektues të Kishës Shën Maria në Lurë, e cila është vepër bamirëse e lurjanit të suksesshëm, Dod Doçi i Derës së Parë të Lurës.
3.
Pasaporta e Lurës i ka në identitetin e vet krahinor, natyror, turistik “Liqenet e Lurës”.
Pasaporta e Lurës i ka në identitetin e vet krahinor, natyror, turistik “Liqenet e Lurës”.
Ato liqene janë të shpallura zyrtarisht “Monumente Natyre”. Pra, të ligjëruara, të klasifikuara, të hipotekuara si pasuri elitare për kombin, të trashëgueshme për brezat shqiptar, të pacënueshme nga askush – as nga lurjanët, as nga shtetarët, as nga barbarët me keqpërdorim deri në shkatërrim të tyre.
E veçanta e “Liqeneve të Lurës” është se këto liqene përfshihen tërësisht në territorin e “Parkut Kombëtar të Lurës”.
Kjo jep ma shumë siguri për mbrojtjen e liqeneve dhe të pyjeve të Kunorës së Lurës e të krejt kësaj krahine të rrallë, nëse shteti ynë do të tregohet me të vërtetë kombëtar, nëse shteti ynë i sheh realisht këto si pasuri e madhe dhe e çmuar kombëtare.
Liqenet e Lurës kanë vlera shkencore, ekologjike dhe turistike, prandaj Tradita Shqiptare në shekuj ka pasë rregullat e veta njerëzore, kanunore e hjnore për ruajtjen e mirëmbajtjen e tyre.
Shteti ynë duhet të kujdeset çdo ditë dhe të investojnë çdo vit kalendarik, pasi liqenet po e humbin origjinalitetin e vet natyror të ujit e mjedisit, po iu damtohet barbarisht bukuria, po iu dhunohet hajnisht e harbutnisht krenaria e tyre lurjane, kombëtare e planetare. Kjo prej nga pakujdesia e banorëve e turistëve të saj dhe deri tek babëzia kriminale e keqtrajtimit e shfrytëzimit nga individë, firma e vet shteti ynë i dy shekujve të fundit. Një turist i huaj që kërkon bukurinë e rrallë në Liqenet natyrore të Lurës ka rrezik të pësojë tronditje psikologjike nga gjendja e tyre e deritanishme. Kjo për faktet se ka pasë ndërhyrje pa kriter për ndërtime të çmendura argjinaturash, për ndërtime aventureske kanalesh ujitëse, prerja pa kriter, pabesisht e poshtërisht të pyjeve, ndotjet e shumta të ujërave nga mbeturinat e vizitorëve, mospastrimi i liqeneve, moskujdesi shkencor për pyjet, etj. Të gjitha këto kanë krijue problematika ekologjike alarmante, degradim natyror kriminal të territorit të Kunorës së Lurës, etj.
At Lovro Mihaçeviq, magjistër i rishtarëve françeskanë në kolegjin françeskan të Zadrimës (1883-1892), misionari boshnjak nga Kresheva e Bosnjës, që (sëbashku me misionarin tjetër françeskan poetin Leonardo de Martino) pati ndikim të madh në jetën e udhët e të madhit Gjergj Fishta, ishte dhe në Lurë në vitin 1907. Ai u ngjit dhe në Kunorën e Lurës, tek liqenet e saj, si tek Liqeni i Madh, etj. Ky prift katolik, mik i përjetshëm i Shqipërisë, në njërin nga librat e tij për Shqipërinë e Shqiptarët, tek libri “Nëpër Shqipëri” – përshtypje udhëtimi, botue në Zagreb më 1911, shkruan tekstualisht: “Pak më lart, mbi këtë Liqen të Madh, është një tjetër më i vogël, i cili i jep ujë atij më të madhit më poshtë. Mua më interesonte gjithçka që shihja këtu në këtë lartësi prej 2.000 metrash dhe u kënaqa brenda dy orëve të plota në një qetësi idilike natyrore, por për Liqenin mund të them vetëm këtë, madhështor dhe i mrekullueshëm, por i lënë pas dore të Zotit dhe njeriut, kështuqë bukuria natyrore dhe me bukurinë e vet, e fsheh vendin e shkretë”.
Thonë e shkruajnë se nji gjerman, trajner futbolli, kur e vizitoi Lurën më 1989, kumtoi se “isha për dy ditë në Zvicrën Shqiptare, aty ku Zoti ka falur shumë, por dora e njeriut ka punuar pak”.
Unë e ndjej vetëveten si mik i Lurës e i Lurjanëve, si njohës i visareve historike, kulturore e natyrore të saj, që kam shkrue sadopak për rrugëtimet, kontribute e problematika të saj, më duket se gjendja e Lurës time/tonë ka mbetur pothuaj njëlloj, si në fillim (1907) dhe në fund (1989) të shek. XX si dhe në këtë shekullin e ri, XXI, në këtë ditë të sodit: shtator 2016.
Jo vetëm Toka e Qielli duhet t’ua ruajnë madhështinë e bukurinë “Liqeneve të Lurës” dhe vet krahinës etno-historike të Lurës, por dhe Shteti ynë duhet të jetë dalëzotës i tyre.