Intervistoi: Arjeta FERLUSHKAJ/
- Liridona, ju tashmë e keni krijuar një profil tuajin në industrinë e fotografisë. Si ndiheni në këtë fazë të karrierës suaj?
Po bëhen 12 vite që i jam përkushtuar fotografisë. Ndërsa, karrierën time si fotografe e modës e kam filluar që në vitin 2016, pak pas ardhjes time në New York. Deri në këtë fazë, unë jam vlerësuar me çmime të ndryshme, nga ku mund të përmend: në vitin 2019 mora çmimin “Photographer of the year” në “8th International Filmmaker Festival of New York”. Në vitin 2015 mora çmimin “The Still Life Collection Photographer Award”. Në vitin 2014 mora çmimin “The exposure Award” nga “SeeMe Community”. Në vitin 2015 mora çmimin “Community Choice Award” kurse në vitin 2012 “Editor’s Choice” dhe “Beauty Photography Award”, etj.
Natyrisht që kjo ecuri e deritanishme më bën të ndihem mirë, e realizuar por në të njëjtën kohë, më shtyn që të punoj edhe më fort në arritjen e objektivave të reja.
- Ju jeni shprehur se pasioni juaj për fotografinë ka nisur që herët dhe vit pas viti keni eksploruar veten derisa arritët ta kthenit edhe në një profesion. Na thoni me pak fjalë si ka qenë ky rrugëtim për ju?
Po, e vërtetë. Unë e kam dashur fotografinë që e vogël. Nisa të përfshihem në konkurse fotografie që në vitin 2010, ndërkohë që merrja pjesë edhe në ekspozita të ndryshme për fotografinë, isha pjesë e shoqatave të fotografëve etj. Pra, ka nisur gjithçka nga pasioni dhe i kam hedhur hapat një nga një për të prekur limite të tjera.
Ishte viti 2016 dhe ardhja ime në New York që, le të themi, jo vetëm i dha një hov krejtësisht tjetër punës time por edhe bëri që të njihesha me dimensione të tjera të industrisë së fotografisë: nisa të merrem me modën (fashion shows- pasarelat e modës). E gjeta veten të intriguar nga kjo “hapësirë”, e re për mua, rrjedhimisht edhe sfiduese, por aq e nevojshme për karrierën time.
- A ka pasur diçka në këtë rrugëtim që ka dalur ndryshe nga çfarë e kishit ‘planifikuar’?
Le ta themi që ndoshta e kisha menduar pak më të lehtë por, si çdo profesion, edhe puna me fotografinë ka vështirësitë e veta. Je gjithë kohës në lëvizje, nuk ke orare të caktuara, jo gjithnjë kushtet e punës janë “të rehatshme”, të duhet të punosh shpesh në grupe të mëdha etj. Mos të harrojmë se në industri të tilla ka konkurencë të madhe dhe normalisht depërtimi bëhet më i vështirë por, me vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm, njeriu e arrin atë që do.
- Cila është metoda juaj e punës që të arrini të shkrepni foto sa më cilësore?A mund të na thoni ndonjë ‘sekret’ se si ia bëni të realizoni foto aq të bukura?
Qëllimi im kryesor është që të shkrep fotografi unike dhe me cilësi të lartë. Përkushtimi i madh dhe i vazhdueshëm do të thoja se është “sekreti” sepse dëshiroj që të përcjell sa më bukur e mirë vlerën e atij momenti. Sa i takon metodës, mundohem të përshtas një të tillë në varësi të llojit/zhanrit fotografik në të cilin jam e angazhuar në atë moment.
- E dimë që është pyetje ku përgjigja është e vështirë, por gjithsesi do të dëshironim të dinim se cila është një ndër fotot e juaja të preferuara që keni realizuar ndër vite dhe arsyeja pse?
Po, nuk është e lehtë që të them se kam një fotografi më të preferuar se tjetrën, sepse çdo fotografi është e veçantë në atë mënyrën e vet. Por, nëse më duhet ta zgjedh një, do të thoja se është fotografia me të cilën unë kam marrë pjesë në ekspozitën digjitale në Muzeun e Luvrit në Paris, foto përmes të cilës bëra realitet një ëndërr timen. Pikërisht kjo eksperiencë ka qenë frymëzim për mua gjatë rrugëtimit tim në pasionin për fotografinë.
- Na flisni pak për projektet e juaja të kohëve të fundit.
Kam qenë pjesë e eventeve që u zhvilluan së fundmi në New York, siç është “Met Gala“, “Tony Awards“, dhe “Java e Modës”. Këto janë disa evente që unë tashmë marr pjesë në çdo sezon. Fotografitë nga këto evente mund t’i shihni tek faqja ime www.donaphotography.net dhe po ashtu tek platforma digjitale www.hauturely.com ku unë jam fotografe zyrtare.
Ka disa muaj tashmë që kam hapur studio ku bëj photoshootings, portrete të ndryshme, siç janë portrete për profile biznesi, editoriale, portrete estetike ose siç mund të quhet, fotografia me efekt bokeh etj. Kam gjithashtu projekte të tjera me disa dizajnerë, një ndër to është edhe dizajnerja shqiptare Arta Kallaba. Fotografitë nga ky projekt janë prezantuar në disa revista të ndryshme mode. Së fundmi, kam filluar një bashkëpunim goxha të suksesshëm edhe me fotografin Nik Morina (www.morinaphotography.com) për një sërë projektesh, për të cilat do të shihen frytet e punës së shpejti.
- Çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni një fotografi/fotografeje që po mendon të kthejë pasionin për fotografinë në një profesion të ardhshëm?
Ta ruajë e ta kultivojë qasjen krijuese, ta mbajë ndezur dëshirën dhe pasionin për fotografinë dhe të punojë fort pa u ndalur.