-Liga e Kombeve: Nuk ka ëndërr kuqezi. Lituania shuplake historike Kombetares tonë-
-Gabim foshnjor i mbrojtjes, që i dhuroi golin kundërshtarëve.
– Lituania ishte zot në fushë, edhe pse në 22 ndeshjet e fundit kishte 20 humbje dhe vetëm 2 barazime…
– Rasti i Roshit, mësim për trainerin Reja, për të forcuar disiplinën në ekipin kombëtar.
Përgatiti:Albano KOLONJARI-
Kombëtarja e Shqipërisë e meritoi humbjen përballë Lituanisë 0-1, ku profesionistët kuq e zi luajtën si amatorë. Nëntëdhjetë minuta lojë, vetëm një gjuajtje në kuadrat, tregojnë për varfërinë e lojës sulmuese të skuadrës tonë në këtë ndeshje, që duhet harruar. Një ekip pa ide, dhe pa energji. Një skuadër pa dinamikë, një skuadër qe nuk arriti të ushtronte presion mbi kundërshtarin, dhe mbi të gjitha një skuadër që nuk arriti të “vraponte” në fushën e lojës, duke bërë gabime të shumta gjatë pasimit të topit. Përballë tyre Lituania u duk një skuadër e “madhe”, e freskët fizikisht, me lojtarë që vraponin në fushën e lojës, që pasonin saktë dhe që ushtronin presion lart duke filluar qe nga zona jonë e mbrojtjes, në mesfushë por dhe në mbrojtjen e tyre duke mos krijuar asnjë hapsirë për sulmuesit tanë Sadiku dhe Manaj. Një humbje që të djeg, kur mendon që Lituania në 22 ndeshjet e fundit kishte 20 humbje dhe 2 barazime. Për teknikun Reja fajin e kishte lodhja në “këmbët” e futbollistëve tanë:”Kundërshtari ishte thuajse 2 hapa para nesh, për sa i përket anës fizike. Në këmbët e lojtarëve u ndie lodhja. Lituania edhe në ndeshjen e parë ndaj Kazakistanit nuk luajti keq, por nuk ia doli të fitojë”. Tekniku Reja i besoi formulës së tij 3-5-2. Në vend të mbrojtësit Veseli, tekniku Reja i beson nga minuta e parë mbrojtësit Mihaj duke luajtur me tre qendra, Gjimishtin, Demarku dhe Mihaj, dhe pak më përpara nga krahët kapiteni Hysaj dhe Trashi. Në mesfushë do të luante për herë të parë me bluzën kuqezi Laci i cili mbështetej nga Gjasula që bente lidhjen e mesfushes me sulmin dhe Abrashi. Në sulm Sadiku dhe Manaj. (duke lënë në stol Cikalleshin dhe Baren).” Më vjen shumë keq për humbjen. I pashë lojtarët shumë të mërzitur. E gjithë bota luan me 3 mbrojtës. Nuk kemi bërë revolucion. Kemi pasur probleme fizike. Në rast se nuk do të bënim atë gabim, mund të flisnim ndryshe. Lodhja u ndje shumë në këmbët e lojtarëve. Në 10 minutat e para të pjesës së dytën, provuam të ndryshonim rezultatin duke ushtruar presion të vazhdueshëm në portën kundërshtare. Pastaj aktivizova Roshin dhe Uzunin që janë lojtar tepër dinamikë. Për fat të keq, Roshi qëndroi vetëm 5 minuta në fushë dhe pësoi tërheqje. Ndeshja mund të përfundonte edhe me 0-0 për mënyrën si shkoi. U vendos nga një gabim trashanik i joni”. Në këtë ndëshje Shqipëria vinte si favorite, për të qënë në krye të grupit por pas humbjes duket qe tekniku Reja ka tjetër mendim:”Nuk mund të them se jemi favoritë, pasi ka skuadra shumë të mira në grup. Shpresoj të bëjmë më mirë në ndeshjet e tetorit”. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e dytë. Gjasula ktheu lehtë një top tek portieri Strakosha, pa llogaritur kundërshtarin pranë. Sulmuesi lituan Kazlauskas tregohet i vëmëndëshëm, kontrollon topin dribloi edhe portierin Strakosha dhe me portën e boshatisur dërgon topin në rjetë! Kjo nuk ndodh me një ekip serioz! Reja hedh në fushë Uzuanin dhe Roshin, por ky i fundit pas pesë minutave lojë, largohet nga fusha i dëmtuar? I dëmtuar apo I lodhur? Po të kemi parasysh reagimin e tifozëvë kuq e zi, ai nuk ka respektuar disiplinën, para ndeshjes ka kaluar kohën me të fejuarën. A thua se nuk e ndjen peshën e fanelës së Kombëtares!…Në fushën e lojës edhe sulmuesi me prespektivë Armando Broja, por kuqezinjtë nuk arrijë të bëjnë asgjë.
-“Jam shumë i kënaqur që luajta për herë të parë me Shqipërinë. Pata mundësi të qëndroj me çunat, të cilët janë shumë të mirë të gjithë dhe jam shumë i lumtur për debutimin, por jo për rezultatin”, shprehet Broja pas ndeshjes.
Pas fitores 0-2 me Bjellorusinë, u mendua tek një fitore e lehtë kundër Lituanisë, dhe kuqezinjtë ëndërronin të kishin 6 pikë në këto dy ndeshje. Por ndodhi e kundërta. Kombëtarja jonë nuk arriti të bëjë hapin e madh. Në takimin tjetër të grupit tonë Bjellorusia fitoi 1-2 me Kazakistanin. Pas ndeshjeve te dyta, renditja e grupit të katër është kjo: Kazakistan 3, Shqipëria 3, Bjellorusia 3 dhe Lituania 3. Në muajin tetor Shqipëria do të luajë dy ndeshje jashtë fushës së saj. Me 11 tetor në Kazakistan dhe 14 tetor në Lituani. Përpara këtyre ndeshje FSHF ka planifikuar edhe një takim miqësor me Armeninë, me 7 tetor.
Humbja me Lituaninë nuk është pritur mirë në ambientin kuqezi. Sulmuesi Armando Sadiku u shpreh:”Reja kërkon që sulmuesit të kthehen prapa dhe të luajnë me fyryrë nga porta. Nuk është mënyra ime e të luajturit, por po bëj maksimimin. Do të doja të shënoja, por nuk kisha freskinë e duhur, pas dy krosimeve të Trashit dhe dy rasteve të tjera nuk arrita tek topi. Nuk pata mbështetje dhe ata e bllokuan shumë mirë mesfushën tonë”.
Gjasula:”Marr përgjegjësinë e humbjes”…
Marr përgjegjësinë e humbjes. Gabova, prandaj humbëm edhe ndeshjen. Besoj se po të mos kisha bërë atë gabim do të kishim fituar ose barazuar. Më vjen keq për ekipin. Sot nuk morrëm pikë prej gabimit tim”.