
BISEDE ME AUTOREN E LIBRIT, ELENA KOCAQI/
NGA RAFAELA PRIFTI/
Sa i rëndësishëm është për ju kredibileteti juaj si studiuese?
Kredibiliteti dhe integriteti im si studiuese janë primare për mua. Unë mbaj titullin Profesor e Asociuar – Doktor e Shkencave në Universitetin Aleksandër Moisiu dhe si profesioniste vlerësoj vetëm burimet shkencore në studimin e historisë. Si amatorizmi në cështje historike, ashtu edhe injorimi i historisë nga profesionistët japin rezultate të njëjta. Në këtë rast unë e ruaj integritetin tim profesional duke iu përmbajtur burimeve dhe autorëve antikë sepse faktet historike gjenden të shkruara aty. Tri studimet e mia të mëparshme, pjesë të doktoraturës sime, për periudhën e pavarësisë së Shqipërisë dhe rolit të Austro-Hungarisë kanë shkaktuar ‘revolucion’ në studimet historiografike. Historianët i kanë vlerësuar shumë këto studime. Por kjo periudhë njihet mirë nga studiuesit gjë që dallon nga njohja e ekspertëve për periudhën e antikitetit.
Libri Lufta e Trojës është publikuar para disa muajve në Shqipëri. Pas botimit të tij në nëntor 2018 libri u përkthye në anglisht nga një studio përkthimi në Shqipëri në fillim të marsit. Në datën 2 prill ju mbajtët një ligjëratë në Melikian Center, ASU (Arizona State University). Cili është mendimi juaj për takimin në Universitetin e Arizonës dhe interesimi i katedrës dhe audiencës për librin?
Pyetjet dhe interesimi nga ana e profesoratit fokuseshin në tema profesionale të fushës së historisë si psh lidhja gjeneologjike midis pellazgëve dhe shqiptarëve. Mbeta shumë e kënaqur nga takimi për promovimin e mendimit historik. Një prej profesorëve u shpreh se për herë të parë marrin në dorë një libër të tillë për historinë e prejardhjes së shqiptarëve. Mendoj se Akademia e Shqiperisë, Institutet dhe universitet në Shqipëri kanë mbetur mbrapa në këtë pikëpamje.
Sipas të dhënave që sillni ju, lufta e Trojës, e cila është e datuar rreth shekullit 12 dhe 13 para erës së re, i referohet një periudhe konflikti prej tri dekadash midis grupimeve ndërlufuese ku perfshiheshin fise dhe territore, që për nga përmasat mund të krahasohet me një luftë botërore. Ku qëndron vecoria e kësaj periudhe nga pikëpamja historike? Sa e vështirë është ndarja e miteve nga faktet?
Ky është momenti më i rëndësishëm i periudhës para antike. Në dallim nga konfliktet e tjera në periudhën e antikitetit, lufta e Trojës është ngjarja më e rëndësishme për Gadishullin Ilirik dhe Azinë e Vogël dhe një pjesë të Azisë ose Lindjes së Mesme deri në Afrikën veriore pra përfshinte tri kontinente si edhe fiset dhe popullsitë e tyre. Përpara, gjatë dhe pas luftës së Trojës ka pasur lëvizje fisesh që aty paraqiten dhe përcaktohen qartë. Dhe pikërisht aty fillon manipulimi i historisë. Së dyti, lufta e Trojës është më e dokumentuara nga luftërat e asaj periudhe për këtë territor. Është me rëndësi të kuptohet se në Antikitet shpjegimi për një ngjarje historike bëhej në dy forma: në formë mitike dhe atë historike. Autorët antikë e kanë trajtuar luftën në krijime letrare ndërsa historianët si Herodoti, Tukididi, Plutarku, Straboni e kanë trajtuar nga këndvështrimi historik.
Cilat kanë qenë zbulimet e fundit arkeologjike dhe studimet antropologjike në lidhje me luftën e Trojës? Cila ka qenë metodologjia e punës suaj studimore?
Unë nuk i jam referuar burimeve moderne por si historiane kam studiuar vetëm autorët antikë si burime të para të të dhënave historike si edhe kam shfrytëzuar dokumentet arkivale në gjuhët anglisht e latinisht. Për disa terma kam krahasuar tekste të shkruara në Koinenë antike, gjuha e antikitetit sepse në përkthimet moderne jane bërë manipulime të tilla si psh është hequr termi pellazg dhe është vënë termi grek. Vetëm te Metamorfoza e Ovidit janë tre emërtime të gabuara. Në tekstin origjinal ekzistojnë tri terma Dana, Pellazg dhe Ake ndërsa në perkthimet e mëvonshme janë zëvendësuar me termin grek. Një shembul tjetër i pasaktësive në përkthime e kam gjetur te Eneida e Virgjilit tek shprehja “Frikësohuni nga danajt edhe kur vijnë me dhurata”. Duke krahasuar tekstin latinisht, anglisht dhe shqip kam vërejtur se emërtimi danajt është zëvendësuar me grekët. Homeri tek Iliada ka përdorur vetëm dana dhe akej, nuk e ka përdorur termin helen apo grek. Nga të dhënat e burimeve të antikitetit, danajt dhe akejt ishin fise pellazge dhe kjo sipas autorëve historianë të periudhës antike.
Cilat ishin njohuritë tuaja të kohës antike dhe ku e keni bazuar platformën tuaj studimore? A keni gjetur autorë të tjerë që janë të një mendimi me ju? Cilat kanë qenë reagimet ndaj pohimeve të studimit tuaj? A ka pasur kundërshtime nga studiues të tjerë dhe përkatësisht historianët grek?
Si historiane unë nuk jam orientuar për të vërtetuar ose hedhur poshtë këtë apo atë tezë të ngritur apo pranuar më herët. Duke lexuar dhe studiuar materialin për një kohë të gjatë dhe duke mbledhur të dhënat, kam formuluar argumentin në mbrojte të tezes sime të bazuar në burimet faktike se fiset që kanë luftuar si në anën trojane dhe në atë.Akeje janë të origjinës Pellazgo-Ilire, madje të lidhur ngushtësisht me territorin historik të shqiptarëve, me ilirët kryesisht dardanët dhe frigasit.
Dikti i Kretës (Dictys of Crete) i para tri mijë e dyqind vjetëve më ka frymëzuar për të bërë studimin tim. Dhe i dyti, Dares i Frigjisë (Dares of Phrygia) që është dëshmitar autentik nga krahu trojan. Pastaj kam studiuar burime të tjera dytësore e tretësore. Në lidhje me reagimet, së pari, lajmin për daljen e librit e kanë dhënë më përpara mediat greke se ato shqiptare. Greqisë i “djeg” ky studim për arsye të manipulimit të historisë. Asnjë studiues grek nuk ka dalë ta kundërshtojë. Në histori operohet në këtë mënyrë: një historian boton studimin e vet me fakte historike, dhe një studies tjetër duhet të dal ta kundërshtojë në bazë të paraqitjes së fakteve historike. Historianët grekë kanë heshtur dhe heshtja e tyre është pranim.
Si është pritur nga studiuesit dhe historianët brenda dhe jashtë Shqipërisë studimi juaj për fiset pellazge dhe ilire? A keni punuar me njohës të lëndës në fjalë dhe a keni pasur mbështetje nga autoritete të fushës së historisë?
Në Shqipëri nuk ka historianë të periudhës së antikitetit vetëm disa arkeolog. Madje edhe në Evropë ka shumë pak studiuesë të antikitetit. Materialet që janë pranuar si burime historike janë shkruar nga studiues të Greqise në shekujt e fundit. Studimet antike historike për këtë pjesë janë të njëjta pra burimet nuk ndryshojne por interpretimi i tyre ka pësuar ndryshime kryesisht në Greqi.
Lufta e Trojës është libri juaj i tetë, të cilin jeni duke e promovuar në Amerikë gjatë dy javëve. Cili ka qenë itinerari juaj? Kush e ka organizuar vizitën tuaj ketu?
Turi ka qenë shumë i mirë. Ka filluar nga Cikago, pastaj Arizona, Florida, Uashington DC. Ka pasur interesim nga amerikanët edhe nga shqiptarët. Nju Jorku është vendi i parafundit, dhe turi do mbyllet me takimin në datën 13 prill në Boston.
Vizitën time në Amerikë e ka organizuar një grup shqiptarësh. Aty hyjnë Shkolla Shqip e Arizonës drejtuar nga Dr. Elonia Lasku, Kjo shkollë njihet tashmë edhe si Albanian Civic Center of Arizona dhe bashkëpunon ngushtë me Albanian-American Cultural Center, Eagle of Arizona. Drejtoreshë, manaxhere dhe administratore e gjithe turit tim, z. Elonia Lasku dhe zonja Merita Kraja, në bashkëpunim me Vatrën dhe degët e saj në Florida, Uashigton, selia në Nju Jork ku do shkoj sonte dhe Boston. I falenderoj drejtuesit e Vatrës për përkrahjen e tyre si institucion sepse mbështetja e shoqatave është e rëndësishme. Vatra ka një vend të vecantë në historinë tonë për shkak të rolit të saj në shpëtimin e Shqipërisë vecanërisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Për pjesën e vizitës në Cikago dua të falenderoj përfaqësuesin e komunitetit shqiptar në Illinois, z. Zhaneto Arusha, i cili ishte përgjegjës për organizimin e takimit atje.
Pas intervistës sonë ju do të keni takimin në selinë e Vatrës në Bronks. Bisedën tonë e mundesoi Dr. Elton Mara, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës dhe vatran i brezit të tretë. Cili ka qenë roli i tij në vizitën tuaj të parë në Nju Jork dhe njohjen me komunitetin shqiptar këtu?
Dr. Mara është përgjegjës për qëndrimin tim në Nju Jork dhe është kujdesur për gjithë aspektin logjistik të vizitës. Kjo është hera e dytë që vij në Amerikë pasi kam vizituar Arizonën vjet, por kjo është vizita ime e parë në Nju Jork. Mendoj se
shoqatat dhe mediat në
komunitetin shqiptar mund të jenë më të koordinuara dhe më aktive në veprimtaritë e tyre.
Ju falemnderit dhe mirupafshim në takimet e ardhshme!