— GJYKATA SPECIALE SPEKTAKËL ME ARRESTIMET. TË HETOHET SERBIA/
Komandanti i UÇK Faton Klinaku, me detyrë Sekretar i OVL dhe aktualisht ushtrues i detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Republikën e Kosovës, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën spektakël me arrestimet e padrejta të krerëve të shtetit dhe të luftës. Gjykata Speciale sipas Komandant Klinakut si fillim duhet të gjykojë masakrat dhe genocidin serb në Kosovë.
ARRESTIMET E KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS TË PAPRANUESHME
Gjëra të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën nga drejtësia e UNMIK-ut dhe e EULEX-it. Nisur nga fakti se ata i janë përgjigjur çdo herë drejtësisë, arrestimet janë të papranueshme dhe i konsiderojmë vetëm spektakle mediatike të Prokurorisë. Ky është një akt i rëndë në dëm të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të shtetit tonë. Kjo është goditje ndaj luftës sonë për liri dhe pavarësi.
EVROPA NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS
Natyrisht që është një padrejtësi e madhe që na bëhet si popull, për shkak se është absurde të ndiqen e gjykohen ish-luftëtarët e UÇK-së, para se të ndiqen e gjykohen krimet dhe masakrat deri në genocid, të shkaktuara nga serbët dhe Serbia pushtuese në Kosovë. Nuk është vetëm faji i Evropës këtu, por faj kanë edhe politikanët tanë, e sidomos deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 2015 kanë pranuar të miratojnë një Gjykatë Speciale një etnike. Kjo gjykatë është e papranueshme dhe ne nuk do ta njohim asnjëherë. Kosova nuk ka bërë krime në Kosovë, Serbia ka bërë një genocid dhe krime monstruoze në popullsinë e pafajshme. Ata që duhet të japin llogari janë serbët që vranë, jo ne që mbrojtën lirinë, atdheun e familjet tona.
AKUZAT NDAJ UÇK VIJNË NGA SERBIA
Në bazë të asaj çka kemi parë në aktakuzën e ngritur nga prokuroria në Hagë, janë akuza të përkthyera nga prokuroria për krime lufte e Serbisë, janë akuza banale sepse shumica e tyre bazohen në procese gjyqësore që i ka trajtuar më herët drejtësia ndërkombëtare në Tribunalin e Hagës dhe drejtësia e UNMIK-ut e EULEX-it në Kosovë. Akuzat janë të pavërteta dhe të pabazuara në prova. Këto akuza kërkojnë baltosje dhe përçarje.
BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN
Kjo që po bën Gjykata Speciale është e turpshme dhe e papranueshme. Barazimi i agresorit me viktimën, përveç që është e rëndë, lirisht mund të themi se në rastin tonë po përndjeket viktima e po harrohet agresori dhe kjo në vetvete përbën edhe krim të drejtësisë. Një drejtësi e padrejtë. Kjo është kryekëput një shëmti e ndyrë.
REAGIMI I QYTETARËVE NDAJ ARRESTIMEVE
Situata në Kosovë është e brishtë si në aspektin politik por edhe në atë të sigurisë, sidomos pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së. Ndaj këtyre arrestimeve, shohim shumë reagime të njerëzve që nuk pajtohen me akuzat dhe gjykimet nga Gjykata Speciale. Këto ngjarje kanë shkaktuar shumë trishtim dhe tension. Është e rëndë kjo që i ka ndodhur shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo është një padrejtësi e rëndë dhe ofendim ndaj luftës së pastër dhe të drejtë të UÇK.
GJYKATA SPECIALE NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve, i kemi drejtuar kërkesë deputetëve të Kuvendit të Kosovës për çështjen e skadimit të mandatit të Gjykatës Speciale dhe presim nga ta që ta dërgojnë këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, sepse kështu siç po vepron është Gjykatë e jashtëligjshme dhe kundërkushtetuese. Një gjykatë me mandate të skaduara do të thotë se është në shkelje të ligjit çdo veprim apo gjykim që vjen prej saj.