Sokol Paja/
Kontributi në artin dhe letrat shqipe i shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve, klerikëve e qëndrestarëve antikomunistë mbetet fenomenal jo vetëm në pasurimin e letërsisë shqipe por dhe në ndriçimin e të vërtetave historike duke pasuruar memorien e shoqërisë shqiptare e duke ekspozuar krimet dhe barbaritë e komunistëve mbi shqiptarët e pafajshëm. Veprat e At Zef Pllumit, Dom Simon Jubanit, Visar Zhitit, Maks Velos, Amik Kasoruhos, Agim Mustës, Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, Bedri Blloshmit, Lekë Tasit dhe së fundi e Hasan Bajos e shumë ish të përndjekurve të regjimit diktatorial në Shqipëri, përveç se kryevepra të letërsisë e historisë janë shndërruar në regjistrin më të saktë të kohës së ferrit e të tmerrit që përjetuan shqiptarët përgjatë 5 dekadave diktaturë. Romani “Lulet e pjeshkës” i autorit Hasan Bajo është një kontribut me shumë vlerë jo vetëm në letërsinë moderne shqiptare por edhe në kolanën e veçantë të letrave shqipe “burgologjinë” e denoncimit të krimeve të regjimit komunist në Shqipëri. Rrëfimet e Hasan Bajos, përshkrime estetike dhe detajiste të përkryera skanojnë diktaturën komuniste, shtypësit, të shtypurit, mekanizmat e instalimit të diktaturës, rrjetin funksional të sistemit bolshevik, aparatin e dhunës e torturës dhe përshkruan me detaje tipologjinë e botës shpirtërore të xhelatëve dhe viktimave të pafajshëm. Regjimi i “kostumhirësve këmbëmëdhenj” në vitin 1977 e arrestuan dhe e dënuan Hasan Bajon padrejtësisht me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë dënim të cilin e vuajti në burgun e tmerrshëm të Spaçit dhe të Qafë-Barit si qëndra persekutimi, vuajtje e torture për kundërshtarët e regjimit stalinist.
Hasan Bajo në librin e tij “Lulet e pjeshkës” tregon me detaje ashpërsinë dhe fatalitetin e dënimeve dhe ekzekutimeve të shqiptarëve të pafajshëm: Ekzekutimet bëhen befas, pas mesnate. I dënuari, duke qenë i lidhur, për më tepër në pritje të vdekjes, as që mendohet se mund të flejë. Çdo zhurmë e ardhur nga jashtë i thotë se janë xhelatët që vijnë për ta marrë. Prandaj, më të shumtët prej tyre mpihen, madje ka edhe momente kur vetë i dënuari, duke mos mundur t’i bëjë ballë një torture të tillë, lutet ta marrin sa më parë. Në raste të tjera, në ndonjë krizë çmendurie, përpiqet edhe të vetëvritet, rrëfen dhimbshëm në romanin e tij Hasan Bajo. Libri përbëhet në këto pjesë: “Parullat”, “Profesori i historisë”, “Kopjimi i detyrave”, “Profesor Osmani arrestohet”, “Më kërkojnë në drejtori”, “Kitara elektrike”, “Ëndrra”, “Petraqi”, “Adriana”, “Vera Riesling”, “Xhaxha Qamili”, “Ndihem i padëshiruar”, “Ankth”, “Nisja për në Tiranë”, “Me babanë”, “Arrestimi”, “Orët e para në hetuesi”, “Ditë dhe netë dimri në qeli”, “Tri cigaret DS”, “Edhe në qeli ndodh të gëzohesh”, dhe “Natë prilli me hënë”.
Nëpërmjet dialogut, monologut, panoramës së zymtë të birucave e hetuesisë, dilemave ekzistenciale, ankthit, panikut, frikës, humbjes së shpresës, mosdorëzimit, autori Bajo i ofron lexuesit një testament të vuajtjeve e dinjitetit të njerëzve të ndershëm në raport me mizorët e të pashpirtët që masakronin njerëz në emër të diktaturës së proletariatit. Individë të pafajshëm përgjatë regjimit komunist të afro 5 dekadave në Shqipëri përjetuan tortura çnjerëzore, dhunë fizike e shpirtërore por qëndruan dinjitozë në dhimbje e në vuajtje ashtu si Hasan Bajo dhe nuk “firmosën” për të fundosur askënd por mbajtën mbi kurriz barrën e tyre të padrejtë. Si qëndrestar i regjimit komunist, Hasan Bajo edhe si kronikan dhe si individ ka meritën se edhe pse “dinte të vdiste” ai buzëqeshi i lumturuar dhe nuk u shndërrua në antihero kur koha kërkonte heronj. Rrëfimet e Hasan Bajos janë rrëfime jete në luginën e vdekjes, janë rrëfime shprese, rrëfime dinjitoze e të dinjitetshme për shqiptarë patriotë që pranuan çdo persekutim e padrejtësi duke mbetur në fund të fundit NJERI.