Skicë përmbi pikturë
Ndodh që një fotografi të ushqejë pikturën . Jetojmë në kohet kur e bukura kultivohet me çdo mjet dhe mënyrë .
Por e bukur është gjithmonë ajo që vlen , ajo që rrëfen dhe shpalos një të vêrtetë universale.
Jo pak herë mundet që përpara një fotografie të ndalosh për më shumë se një çast duke soditur atë subjektiven e bukur që herë pas here provokon qëndrime , arsyetime , ndjenja e krijimtari.
Pasi e titullova “ Tek oborri i gjyshes me veshje stërgjyshesh” në murin tashmë. aq shumë të njohur Facebook apo “ Ky kostum i stërlashtë më sjell lule në çdo stinë” pêrtej retorikës fotografia me veshën e Zerqanit ;Qashën më duket se përcjell një demostrim autenticiteti etniko-kulturor nga ku rrjedh një botëz e pathënë poetike me elemente gjeografike e historike dhe pa dyshim lidhet thellësisht me histori familjare.
Qasha më sjell në vëmendje narracionet etnografike të Mësuesit model i vlerësuar si Mêsues i Popullit , zotit Selim Alliu i cili e vizatoi me fjalë veshjen shekullore të grave të Grykës së Madhe ; qashën . Dorëshkrimet e tij pata rastin ti shfletoj rastësisht në bibliotekën e qytetit Peshkopi dhe u bënë nxitje për të ideuar një kënd antikuaresh ku materiale të tilla do të kishin dritën e duhur të vëmendjes.Ai shkroi për Qashën atêherë kur gratë e asaj zone e kishin veshje të përditëshme atë kostum të endur aq mjeshtërisht me vegjë . Askush nuk e mendonte atëherë se pak vite më vonë ajo nuk do të ishte zgjedhja e vetme e veshjes së atyre grave , por ai si pak kush e shndërroi në memorie muzeale Qashën duke ia renditur ; cilësinë e punimit , radhën e veshjes ,ngjyrat, aksesorët, zhurmat që e bëjnë kostumin të duket dhe të dëgjohet me taf -tafet e sermave të pafteve mbi jelekët më unikë dhe autentikë në botë.
Unë e kisha parë me qindra herë atë veshje ;në trupin e gjyshes sime, në fotografi të motçme stërgjyshesh, në darka dasmash e gëzimesh familjare ku kostumet e Zerqanit derdheshin me ngjyra e kor këndues sermash që tingëllonin pas çdo hapi e vargvallesh.
Askush nuk e mendonte se braktisjet sistematike të territoreve shqiptare nga shqiptarët do ta kthenin në relike çdo copëz identitare ku pa dyshim veshje të tilla janë trashëgimnia jonë që nuk vdes kurrë.
Kur braktiset shtëpia, mëhalla, atdheu, kujtesa është relikja më brilante që mban gjallë pasuritë tona në rrezik zhdukjeje.
Ndaj kur rikthehesh tek shtëpia, mëhalla , atdheu ,ndjen se graviteti i objekteve të tilla të lëna atje tërheq me tërë fuqinë e vet duke u bërë epiqendra që thërret për mbrojtje e mbijetesë.
E vesha at fundvjeshte atë kostum të punuar me duar stërgjyshesh me shpejtësinë që kushtëzonte koha e limituar dhe me dashurinë pa limit dhe m’u duk se ritakova sërish gra të moçme, narracionet etnografike të Selim Alliut , dhe vendosa ti marr me vete nëpërmjet një fotografie siç bëj çdo herë me gjërat që i dua.
Nuk më mjaftoi ajo foto për ti pohuar vetes se aty në oborrin e gjyshes brenda shtëpisë së gurtë kjo vlerë trashëgimnie mundet të jetojë më shumë se ne.
E vendosa në kornizë që tja tregoj jo vetëm vetes atë moment që ka aq shumë botë brenda , por përsëri m’u duk se janë ca si ngushtë aty.
Ndoshta një pikturë do dijë ti mbajë më bukur brenda edhe momentin fotografik edhe objektet e saj .
Nuk janë objekte, por relike aq shumë ë dashura ku çdo gur avllije, degëz peme, bari i njomë që vesh oborrin e gjyshes ku vendoset Marjana , më saktë gruaja me qashë pasi në këtë rast Marjana nuk ka asnjë rëndësi mbi telajon ku e tërë kjo histori u derdh aq bukur në vaj e karnavac prej duarve të piktorit Hysni Loka. Bota e Marjanës mbeti përjetësisht mbi atë pikturë për të cilën më bukur se fjala flasin ngjyrat e derdhira plot mjeshtëri.
Por duhet thënë që piktori i qëndroi plotësisht besnik fotografisë duke e sjellë atë copëz realiteti të gjallë të sotmes dhe të nesërmes.
Piktura udhëtoi me mua në nëntor të vitit 2022 nga Tirana në Nju Jork dhe i gëzoi aq shumë prindërit e mi, ndërsa rri varur shumë pranë qoshes së tyre duke ju sjellë kështu në Nju Jorkun e largët ; ajrin që veç vendi yt ta sjell,Zerqanin,, oborrin ,ku “lulëzon” në çdo stinë ky kostum i stërlashtë plot ngjyra e art .
Ndodh që piktura tê jetê frymëzuar nga një fotografi por që ajo ti rezistojë kohës duhet të mbartë një histori apo minimalisht ti kontribojë sadopak asaj .
Marjana Bulku
“Tek oborri i gjyshes me veshje stërgjyshesh”