*Është fakt i pamohueshëm që diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në çështjen kombëtare shqiptare në Ballkan. Vatra është një simbol i veçantë i kësaj pune vetmohuese… /
* Cështja e Gjykatës Speciale ka zënë vend të rëndësishëm në takimin ne Departamentin e Shtetit,por ishte shumë miqësore. Kosova është me fat të madh që ka mbështetje kaq të madhe nga SHBA-të./
KRONIKA
Të Enjten me 23 Korrik, në Shtëpinë e Vatrës ishte për vizitë Kryetari i Komunës së Gjilanit në Republikën e Kosovës, njëkohësisht zv/Kryetar i LDK, z. Lutfi Haziri. Ai u prit nga zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, z. Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës z. Zef Bala dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Z. Lutfi Haziri shoqerohej në këtë vizitë zyrtare nga profesori Faton Bislimi, ligjërues në Universitetin e Albertës në Kanada dhe një nga lobistët e rinjë shqiptaro-ameriakan, si dhe Xhevat Latifi, gazetar nga Gjilani dhe drejtor i Qendrës së Kosovës për Politika Publike.”
Zv/Kryetari i Vatrës z. Bushati pasi i uroi mirëseardhjen mysafirit, i përshkroi zhvillimet e fundit Vatër, foli për fokusimin e saj në çështjen Kombëtare, informoi rreth Kuvendit të fundit të Vatrës, që i zhvilloi punimet në Jacksonville-Florida, informoi rreth shtrirjes së anëtarësisë së Vatrës nëpër shtete të ndryshme të Amerikës dhe në Kanada.Ai foli dhe për qëndrimet e Vatrës ndaj klasës politike të korruptuar në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni etj.
Mysafiri Lutfi Haziri, i cili ishte i ftuar në këtë vizitë zyrtare nga “Sister Cities International”, tha se ndjehej i gëzuar dhe i emocionuar që ndodhej në Vatrën historike dhe nuk mund të mos e përfshinte në axhendën e tij Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës.Ai tregoi më pas për axhendën e vizitës së tij në SHBA, takimet në në Minneapolis, Washington, përfshi atë në Departamentin e Shtetit, dhe takimet e tjera.
Anëtari i Këshillit të Vatrës z. Zef Balaj, pasi i uroi mirëseardhjen mysafirit, u përqëndrua tek çështja e debatuar e Gjykatës speciale në Kosovë, trysnia e faktorit ndërkombëtar dhe qëndrimi shqiptar.
Editori i Diellit bëri një përshkrim historik të 103 viteve të Vatrës dhe 106 viteve jetë të Gazetës Dielli.
Në fund të vizitës së tij në VATËR, z. Haziri dha një intervistë për Gazetën “Dielli”.
INTERVISTA
Dielli- Z. Haziri, në axhendën tuaj të vizitës në SHBA, ju kishit parashikuar dhe një takim në Vatër? Cilët ishin motivet e këtij takimi?
Z. Lutfi Haziri: Është fakt i pamohueshëm që diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në çështjen kombëtare shqiptare në Ballkan. Vatra është një simbol i veçantë i kësaj pune vetmohuese. Diaspora jonë në përgjithësi, e kjo në Amerikë në veçanti, kanë shërbyer si shtylla të pamposhtura të ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare në trojet e veta etnike në Ballkan. Prandaj, unë ndihem krenarë që po takohem sot me përfaqësuesit e Vatrës, dhe po njihem për së afërmi me një histori kaq të suksesshme të angazhimit shqiptar në SHBA për kauzën tonë kombëtare. Vatra zë vend ndër faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, besoj unë.
Dielli- Si u ndjetë në Shtëpinë e Vatrës?
Z. Haziri: Si në shtëpinë time, të kombit tim. Është një muze që flet dhe vepron. Pra, jo vetëm një muze që shpërfaqë të kaluarën, por një shtëpi historike që ka vizion dhe përkushtim edhe për të ardhmen. Jam i nderuar për pritjen tuaj bujare, dhe besoj fuqishëm që me angazhim të përbashkët nga të dyja anët e Atlantikut ne do të mund ta çojmë deri në fund misionin e themeltarëve të Vatrës, patriotëve të vërtetë të kombit tonë.
Dielli – Ju ishit të ftuar në SHBA me ftesë zyrtare nga “Sister Cities International” në Minneapolis, ku ishit folësi kryesor. A mund ta informoni lexuesin e Diellit rreth Samitit të atjeshëm dhe rreth kumtesës tuaj? Si u prit ajo? Nga vinin pjesmarrësit?
Z. Haziri: – Po, unë isha ftuar si folësi kryesor për Samitin Botëror të Lidershipit të Rinj, që ishte një nga sesionet kryesore plenare të konferencës në fjalë, nën temën e Ndërlidhjes së Gjeneratave për Paqe. Fjalimi im u fokusua në sfidat dhe barrierat që shpeshëherë nga dalin përpara dhe mënyrën se si duhet t’I kalojmë ato. Si popull, ne kemi përjetuar vuajtje, tmerr, luftëra, dhe përkundër të gjithave, kemi dalur kokëlartë, faqebardhe, dhe me vizion drejt së ardhmës. Historia e kombit tonë është histori e suksesit jo vetëm të mbijetesës por edhe të arritjes. Sot shqiptarët po thyejnë rekorde botërore në shumë fusha. Sot shqiptarët po zhvillohen si komb edhe si shtete. Mirëpo, përkundër suksesit, vështirësitë egzistojnë. Prandaj, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos dorëzohemi para vështirësive dhe sfidave që na dalin përpara. Ato mund t’i kalojmë me vullnet të mirë, punë të përkushtuar, dhe përpjekje të parreshtur. Nuk ka sfide tejet të madhe, nuk ka vështirësie tejet të rëndë. Është çështje perspektive kjo. Ne duhet të kemi perspektive vizionare drejtë të ardhmes, gjithëmonë duke mos harruar dhe reflektuar në mësimet e së kaluarës. Pra, ky ishte mesazhi i fajlimit tim.
Pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur dhe pas përmbylljes së fjalimit, kemi patur thuajse një gjysëm ore pyetje e përgjigje. Pjesmërrësit vinin nga shumë shtete të SHBA-ve dhe nga e mbare bota, mbi katërqind sosh. Disa ishin studentë, të rinjë, e disa kryetar e kryebashkiakë më përvojë. Pra kishte një audience shumë të mirë dhe me sfond të llojllojshëm.
Dielli- A patët takime të veçanta gjatë qëndrimit atje ?
Z. Haziri: – Po, patëm një takim shumë miqësor me drejtoreshën e konferencës, znj. Aveen Karim, si dhe me zëvendës presidentin e Sister Cities International, z. Adam Kaplan. Biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit dhe involvimin e Gjilanit si anëtar institucional të SCI-së në të ardhmen e afërt. Besoj se në bashkëpunim me SCI, shumë shpejtë ne do të realizojmë një samit rajonal komunash në Gjilan.
Mandej, takuam dhe biseduam për mundësi bashkëpunimi edhe me disa përfaqësues të tjerë të pranishëm në Konference nga shtete të ndryshme të SHBA-ve, si New Mexico, California, si dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Kanadasë në Minneapolis. Të gjitha këto takime kishin për qëllim njohjen me Gjilanin e Kosovën të këtyre miqëve tanë.
Dielli : – Në axhendën tuaj përfshiheshin edhe takime të tjera, kë do të veçonit nga ato takime?
Z. Haziri: -Përveç pjesëmarrjes në konferencën e SCI-së në Minneapolis, unë kam patur një darkë pune me disa investitorë potencialë amerikanë në Wisconsin të cilët kanë shprehur interesimin e tyre të sinqertë për të investuar në një projekt prodhues në Gjilan. Besoj se këta miq shumë shpejtë do të vijnë në Gjilan për të finalizuar një marrëveshje për këtë investim që do të krijonte vende të reja pune dhe do shënonte investimin e parë direkt amerikan në komunën tonë. Pastaj, në Washington DC kam patur takime të ndryshme ndër të cilat do ta veçoja atë me Drejtorin Yazdgeri në Departamentin e Shtetit, drejtuesit e International City Management Association, Ambasadorin Walker, etj. Këtu në New York, takim i veçantë është ky me Vatrën, si dhe disa tjera që kam zhvilluar më zyrtarë të OKB-së, përfaqësues të biznesit nga komuniteti shqiptaro-amerikan këtu, etj.
Dielli- Ndërkohë që ju patët takime edhe në Departamentin e Shtetit.A mund të sillni detaje? Çfarë vendi zuri në këtë takim çështja aq e debatuar e Gjykatës speciale.
Z. Haziri: -Është e kuptueshme që çështja e Gjykatës Speciale ka zënë vend të rëndësishëm në këtë takim që përndryshe ishte shumë miqësor. Kosova është me fat të madh që ka mbështetje kaq të madhe nga SHBA-të. Unë besoj se Kosova nuk do ta rrezikojë këtë miqësi në asnjë mënyrë, dhe se do ta votojë krijimin e Gjykatës Speciale, ashtu që ajo të mos mbetet në duartë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku mandej mund të ndikohet fuqishëm nga Rusia. Drejtori Yazdgeri ka shprehur falëmnderimin e tij për përkushtimin serioz të LDK-së dhe Qeverisë Mustafa në kalimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale përmes Kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, ai ka shprehur edhe gatishmërinë e SHBA-ve për rritje të përkrahjes ndaj Kosovës që edhe këtë sfidë të rradhës ta kaloj faqebardhe. Ju e dini së Kosova ka kaluar me sukses dy sfida pranë Hagës dhe nuk kam dyshim se edhe këtë sfidë, pra Gjykatës Speciale, do ta kalojë më sukses dhe kështu ta përmbyllë njëherë e mirë këtë çështje.
Dielli:- Partia juaj, ku ju jeni nënkryetar, po kritikohet shumë për korrupsion dhe për mosndaljen e hemoragjisë së mërgimit, cila është strategjia për të dalë nga ajo situatë?
Z. Haziri: – Jo, korrupsioni nuk është partiak. Nuk mund të kritikohet partia për këtë. Janë individët që korruptohen. Ne si LDK jemi më së të vendosur që qeverisja të jetë transparente dhe në shërbim të qytetarëve dhe prioriteteve të vendit. Ju rikujtoj se LDK ka marrë timonin e qeverisjes tani e vetëm disa muaj dhe nuk ka as edhe ndonjë indikacion më të voglin për ndonjë formë korruptive të punës. Përkundrazi, Qeveria Mustafa ka filluar të çrrenjosë korrupsionin aty ku e ka hasur dhe kjo dukuri duhet të eliminohet. Ne jemi të përkushtuar për këtë dhe besoj se këtë përkushtim më së miri e vërtetojnë çmimet, përkrahja, dhe bashkëpunimi që na është dhënë e ofruar nga institucionet ndërkomëbtare, veçanërisht nga USAID, si në nivel lokal, në Gjilan, përshembull, sikur në atë qëndror.
Dielli-Së fundi, diçka më shumë për veten tuaj për lexuesit tanë, Cili është Lutfi Haziri?
– Ku keni lindur, ku u shkolluat? Si u përfshitë politikë? ….
Z. Haziri: -Unë jam nga Gjilani. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në Gjilan, kurse studime universitare pranë Universitetit të Prishtinës. Jam involvuar në politikë qysh si i ri, si student fillimisht, dhe jam mishëruar më LDK-në në kohën e Presidentit historik Ibrahim Rugova, pra menjëherë pas themelimit të LDK-së. Gjatë okupimit serb, kam shërbyer edhe në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës në atë kohë për çka dhe jam burgosur nga regjimi serb në vitin 1998. Kurse, pas luftës, në moshën 29 vjeçare mora barren e të qenurit kryetar i Komunës së Gjilanit pas zgjedhjeve të para komunale të fituara nga LDK-ja në vitin 2000, dhe që nga ajo kohë i kam shërbyer qytetarëve të Gjilanit dhe Kosovës në pozita të ndryshme edhe në Qeverinë e Kosovës edhe si Deputet. Përndryshe, jam i martuar dhe baba i katër fëmijëve.
Dielli: Ishte kënaqësi që biseduam !
Z. Haziri:Kënaqësia ishte imja! Faleminderit !
Bisedoi:Dalip Greca