




NGA MARJANA BULKU/
Fondi humanitar Trieshi ka vetëm tri vite jetë dhe numëron me dhjetra ndihma, kontribute dhe investime që komuniteti shqiptaro -amerikan i Trieshit i cili prej dekadash jeton në Amerikë ia dedikon vendlindjes përmes një projekti infrastrukturor dhe kulturor për zhvillimin e Trieshit.Në studion e Albanian Culture TV në Nju Jork dy nga anëtarët e këtij grupimi humanitar; Zoti Marash Lucaj dhe Pjetër Lucaj prezantojnë me shifra e detaje konkrete projektin e tyre tashmë tre vjeçar i cili po i dhuron vendlindjes së bukur prej natyre , me dashurinë pakufij sa malet e lartë ,dhjetra investime disa mijë dollarëshe të cilat përmirësojnë ndjeshëm jetesën, infrastrukturën dhe edukimin duke ngjallur shpresë dhe dëshirë për të mos e braktisur tokën që trashëguam prej të parëve tanë. Ata kanë emigruar prej dhjetra dekadash nga vendlindja por është shumë e veçantë lidhja që ata kanë me të; e vizitojnë sistematikisht, e duan, ia dijnë bukuritë, ia njohin problematikën dhe tashmë të mbledhur së bashku në një paketë financiare me shifra e zëra konkretë dhe mbi të gjitha me një transparencë të lakmueshme ata i dhurojnë Trieshit dhe komunitetit që jeton aty ; rrugë të asfaltuara, shtëpi të restauruara për nevojtarët , klasa të pajisura me sistem kompjuterik bashkëkohor, parqe dhe së fundi një bust të Heroit kombëtar Gjerg Kastriot Skënderbeut si simbol mbrojtjes së civilizimit europian të shqiptarëve dhe territoreve shqiptare kudo ku ata jetojnë. Ky investim historik sipas tyre i mohuar në dekadat e kaluara është një detyrim moral trashëguar nga gjyshërit e tyre të cilët bashkë me truall e shtëpi, mall e pasuri u lanë trashëgim edhe simbolet tona ; gjuhë, flamur dhe heronj. Malësorët fisnikë dhe Fondi Humanitar Trieshi i kanë sytë nga vendlindja; ato shtëpi të braktisura e ato fëmijë që ëndërrojnë ikjen duhet ta ndërtojnë jetën e tyre aty në atë vend që Zoti e ka bekuar me mrekulli gjeografike e ku dora dhe dashuria njerëzore mundet ta bëjë edhe ma të bukur. Dhe kur sheh fëmijët të lundrojnë në internet në klasat e pajisura me kompjutera bashkëkohor dhuratë e Fondit Humanitar Trieshi nuk ke se si të mos jesh mirënjohës për këtë investim që prek të ardhmen.Prioritetet ata i caktojnë vetë jo se nuk kanë bashkëpunim me pushtetin vendor atje por sepse kështu mendojnë se e bëjnë më të besueshëm investimin që malësorët e Amerikës ( Nju Jork, Detroid) ia bëjnë dhuratë vendit amë të cilin e prekin jo vetëm me mallin dhe dashurinë që nuk shuhet por edhe me ëndrrën për tu rikthyer atje një ditë , pse jo. Teksa i dëgjon të numërojnë këto akte humanitare që përtej vlerës monetare kanë një dashuri të thellë njerëzore pêr vend e gja, mall e pasuri që trashëgim na la i pari nuk ke se si të mos kujtosh kreshnikët e atyre bjeshkëve që u dolën zot trojeve të tyre , nderit e pronës me forcën që u buronte nga kode morale të shkruara e të pashkruara por të thella po aq sa rrënjët tona.