
Kujtimet e një vullnetari italian në kryengritjen e Malësisë së Madhe.
Përgatiti Rafael Floqi
Ky shkrim është shkëputur nga libri i ushtarakut dhe gazetarit italian Eugenio Vaina de Pava “ALBANIA CHE NASCHE”, “Shqipëria që lind” botuar në Catania më 1914. Autori dy librave për Shqipërinë e para Luftës së Parë Botërore Eugenio Vaina (1888-1915), qe i diplomuar në Fakultetin e Arteve në Firences, iu bashkua lëvizjes politike katolike italiane mazziniane gjatë viteve të tij studentore. Fillimisht ai u interesua për çështje morale dhe etike, por më pas u fokusua tërësisht te politika. Fillimisht interesimi i tij ishte i drejtuar kah Ballkani dhe problemet e kombit shqiptar. Në botimet e tij më vonë ai mbrojti rolin aktiv të Italisë në ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, veçanërisht sepse pjesëmarrja italiane në këtë luftë do të kontribuonte në bashkimin e Venezia- Giulias me Italinë dhe në shkatërrimin e Monarkisë Hasburge. Ai ra si ushtar italian në territorin slloven në malet Kërn menjëherë pas fillimit të luftës (ofensiva e dytë e Soçës).
Ky libër dhe veçanërisht kapitulli në fjalë që flet për lëvizjet kombëtare të shqiptarëve, është i mbushur krahas perspektivave dhe analizave të thella historike të çështjes së Shqiptarëve dhe të kryengritjes së Malësisë së madhe, edhe me detaje konkrete që vizatohen më syrin e një gazetari të huaj simpatizant të luftës të popullit shqiptar për liri, por dhe të një dëshmitari të vetë fakteve, duke qenë vullnetar italian garibaldin në këtë luftë ai bëhet dëshmitar i pabesive të Malit të zi, ndaj luftës të malësorëve për liri nga pushtuesi shekullor turk.
Idealin që e shtyn. autori e ka shprehur bukur në parathënien e librit, kur ndër të tjera shprehet : “ Nuk është e mundur që në çdo komb ku liria ekziston ende në zinxhirë ose vetëdija kombëtare e dëshpëruar ose në formim e sipër, që të gjeni disa njerëz me vullnet të mirë që janë besimtarë të vendosur se nuk mund të arrihet vëllazërimi i popujve të ndryshëm, përmes mohimit të Atdheut, por vetëm përmes zhvillimit të lirë dhe harmonik të të gjitha aftësive të tyre morale dhe ekonomike, në ditën kur do të rikthehen në të drejtat e tyre dhe ata të ndërgjegjësohen për detyrat dhe misionin e tyre, se çfarë është vendi i tyre në botë?”
Rrëfimi, është i mbushur sa me digresione historike të tablosë të luftës të popullit shqiptar në vitin 1911 aq dhe me analiza të së ardhmes. Leximi i këtij fragmenti është më tepër një tablo e plotë e një harte ushtarake beteje e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, si dhe të arritjeve dhe mangësive të tyre, gjë që çoi rrëmujshëm drejt pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor, por jo me një Shqipëri të plotë etnike të katër vilajeteve.
***
Jo vetëm malësorët por agjitatorët patriotë u mashtruan. Kryengritja shqiptare e cili duhej të shpërthente spontanisht në disa pika, përkundrazi qe e parakohshme, kaotike, e papërgatitur, pa ndjekur direktivat e atyre që shpeshherë kërkonin të vinin pas për ta rikthyer; pa marrë frymëzim tjetër, veçse me vonesë dhe pjesërisht nga idealet e tyre; si forca natyrore, të papërmbajtshme dhe të pashërueshme me ilaçe të përkohshme. Asaj i duhej të çonte deri në fund në gjurmët e origjinës së saj të trazuar dhe të pa reflektuar me gjithë të mirat dhe të këqijat e tyre. Megjithatë ajo i dha asaj forcë të mjaftueshme entuziazmit për të shtypur forcat mbizotëruese të armikut në përleshje të vogla, për të rezistuar në mënyrë të admirueshme, për t’u përhapur fitimtar për të katërtën herë deri në Shkup; duke e bërë atë të habitur edhe nga vetë madhësia e triumfit të saj, e paaftë për të përfituar prej sa, e paaftë për t’u organizuar, shumë pak e shkathët për të marrë një pozicion të dobishëm, në përmbysjen e re të luftës ballkanike që po vinte, gati për t’u shpërbërë menjëherë në një mijë ambicie dhe rivalitete personale
Parashikimet e shumta, kanë mbetur gjithmonë në statusin e projektit. Ishte absurde të besohej se një popullatë mund të kishte besim te zyrtarët, që as nuk flasin dhe as nuk shkruajnë të vetmen gjuhë që ata njohin, ose që të kryejnë operacione policore, të tilla si çarmatimi, me karakter hakmarrës ose grabitës barbar (në tokat që kanë një ndjenjë shumë e mirë nderi dhe dinjiteti personal i tyre) duke përdorur rrahjen publike ndaj drejtuesve më me autoritet dhe pa dhënë asnjë dëmshpërblim për armatimet artistike, shpesh me vlerë të madhe që u konfiskoheshin.
Por thellë në thellësi dhe nën të gjitha këto ankesa të paparashikuara, ekzistonte ndjenja e një shqetësimi moral, që nuk ishte ndjerë më parë, dhe kishte dalë papritur nga rinovimi politik, nga liria e papritur e diskutimit, nga ndryshimi i thellë, madje edhe i interesave ekonomike, të provokuara nga ardhja në pushtet të Partisë xhonturke. Kjo parti tepër e re dhe me iniciativë, me besim të thellë në fatin e racës turke dhe të fesë myslimane, ishte e gatshme të bënte që forca e arsyes së shtetit osman të ndihej në të gjitha anët e Perandorisë, dhe pa ndonjë zbutje e përkujdesje. Pastaj meritat dhe gabimet e saj. Ajo besonte në shtetin osman deri aty sa midis një myslimani separatist dhe një të krishteri besnik ajo preferonte, si në Epir, pa hezitim këtë të fundit, të gatshëm të zbatonte parimet e një sistemi tatimor dhe ushtarak absolutisht uniform, pa marrë parasysh askënd.
Kështu, në luginën e egër të Drinit të Bardhë, së pari u ngritën shqiptarët e Pejës, të Gjakovës, të Prizrenit, tashmë armiqësor ndaj reformave maqedonase të periudhës 1904-1908 të drejtuar nga Hilmi Pasha, të prekur tashmë thellë në privilegjet e tyre tradicionale, kundër urdhrit të çarmatimit të pranverës së vitit 1909.
Xhavid Pasha theu zakonet e vjetra të transitit dhe me vetëm një mijë e katërqind burra dhe tre bateri kaloi fushën e Gjakovës dhe rajonin e Pejës, duke djegur kullat e bejlerëve të pasur, duke arritur t’i çarmatosë me dhunë shumicën e rajoneve të arritshme më lehtësisht. Kërkesat e drejtuesve të kryengritjes ishin ende shumë të kufizuara: Zenel beu i Pejës, p.sh. është shembulli më ilustrues, ai duke folur atë verë me publicistin francez Jaray, thjesht i tha: “Dikur ne nuk e paguanim të dhjetën, tani duan të na bëjnë që ta paguajmë; më parë nuk e bënim shërbimin ushtarak, përveç rasteve kur donim ose në rast rreziku; tani duan që të gjitha fiset të japin ushtarë ose në këmbim pesëdhjetë lirave turke; dhe përballë këtyre nevojave të reja, të gjithë shqiptarët kanë të njëjtat interesa.”
Kjo Ishte thjesht si një interval mes dy revoltave dhe Xhavid Pasha, nuk gabonte kur i tha të njëjtit udhëtar francez, se do duhej të rikthehej shumë shpejt aty “për t’u dhënë një mësim të mirë atyre zotërinjve shqiptarë”.
Personi që kreu represionin e dytë vitin e ardhshëm ishte po ai Turgut Pasha, emër ky që më vonë mbeti i famshëm ndër shqiptarët si një simbol legjendar i egërsisë së pamëshirshme turke. Megjithatë, kësaj here aksioni i përgatitur ishte më i madh dhe rezistenca e kryengritësve ishte më e organizuar, e më këmbëngulëse dhe më e bashkuar. Të udhëhequr nga Isa Buletini, ata kishin pushtuar qafën shumë të rëndësishme të Kaçanikut, një çelës strategjik i fushës së Kosovës, duke ndërprerë hekurudhën midis Shkupit dhe të Mitrovicës. Ndonëse të pakët në numër, ata u rezistuan për një kohë të gjatë në atë pozicion të shkëlqyer, duke zmbrapsur me trimëri çdo sulm frontal, derisa u larguan nga ushtria turke në krahun e tyre dhe u detyruan të hiqnin dorë nga fusha. Një këngë e Malësorëve që u referohet atyre betejave me vrull të bukur epik thotë:
“Kaçanikut i raft pika
Nuk e din se çka është frika
Nand sahat tuj therr me thika
Pas shtypjes së revoltës në Kosovë, luftërat e reja, jo indiferente, i prisnin trupat turke të drejtuara për në dimër për në Shkodër, ku me disa qindra qenë drejtuar drejt Shalës, ku gjithsej tetë familje, të vendosura në Qafën e Agrit në rrugën Gjakovë-Shkodër (Udhëheqësit Mehmet Shpendi dhe Marash Delia) mundën të mbanin aty trupat e shumta të Turgutit për njëzet e katër ditë gjatë gushtit të atij viti. Këta, pasi i kapërcyen malet me vështirësi, mbërritën në Shkodër në shtator dhe filluan menjëherë çarmatimin. Kështu në mënyrë të pakuptimtë, vetë ushtritë turke përhapën farat e pakënaqësisë së re, ndërsa vazhdonin, duke favorizuar një mirëkuptim të përgjithshëm; “Sepse pleqtë, thonë Malësorët, na kanë thanë: se pa dy pisqolla dhe një kamë, sa të jetosh, vedin mos e lanë”.
Me përhapjen e rebelimit midis fiseve katolike të malit të Shkodrës, duke iu afruar kufijve dhe detit, rëndësia autonomiste dhe pasojat e atyre fakteve në shtetin fqinj, që shpresonte ta kthente atë nga ambiciet e tij pushtuese, u intensifikuan dhe më gjerë, ndërsa në Evropë, fuqitë e ndryshme i ndiqnin me interes të menjëhershëm këto zhvillime.
Pedagogjia më e mirë revolucionare është veprimi dhe në luftim, aty revolta bëhet e vetëdijshme; pra, për shkak të dukurisë së njohur të heterogjenezës së qëllimeve, ndërgjegjja kombëtare e kryengritjes shqiptare u zhvillua pak nga pak, nga ndjenja parake të një natyre tjetër, nga motive lokale e të rastit që ishin shumë të ndryshme, deri në ato themelore kombëtare drejt lirisë kombëtare.
Për muajin maj 1911, pas marrëveshjeve të përbashkët ndërmjet të krishterëve të Shkodrës dhe myslimanëve të Kosovës, u përgatit bashkërisht një rinisje e kryengritjes; por më 23 mars ,lëvizja u nis befas, para kohe nga Mali i Zi, i cili filloi fushatën kundër Tuzit, me disa qindra pushkë dhe subvencione të kufizuara të furnizimesh, që ishin nën kontrollin ekskluziv të vet. Malësorët katolikë nga përtej kufirit nuk ishin zgjuar ende. Kështu që në fillim mungonte njëkohësia, që ishte kusht i domosdoshëm për triumfin e kryengritjes dhe ndihma nga vullnetarët që priteshin nga Italia dështoi, ndërsa të paktët mes tyre që ndjenin turpin e mosveprimit u larguan më kot.
Kryengritja ishte një flakë kashte, gjigante për një moment, që dogji karakollet e brezit të kufirit dhe u ndez deri në portat e Shkodrës, por që duhej të shuhej në mënyrë të pariparueshme përballë përparimit metodik e të durueshëm të dyzet mijë asqerëve të Turgut Pashës dhe të dhjetë baterive të tij përgjatë brigjeve të liqenit. Në fillim të majit pozicionet që dominonin malwsorët në luginën e ngushtë të Cemit, përgjatë kufirit me Malin e Zi, u humbën dhe u rimorën disa herë me tërbim, por më në fund ato ranë në duart e turqve nga mungesa e municioneve.
Malësorët u tërhoqën për herë të fundit me pushkë të zbrazura nga Mali i Deçiqit kur u ndeshën në rrëzë të malit me mushkat e ngarkuara me fishekë të bllokuara aty me urdhër të oficerëve malazezë.
Turgut Pasha më pas, në një nga proklamatat e tij, shpalli faljen, me kusht dorëzimin, pa kushte të tetë udhëheqësve kryesorë të kryengritjes, përkatësisht të liderit kryesor: Sokol Baci dhe të krerëve Fran Pali, Ded Gjoni, Mirash Luca, Tom Ujka, Luc Marku, Mehmet. Shpendi dhe Mirash Pali. Por malësorët në një takim mbresëlënës të mbajtur më 12 maj në Pikalë ,vendosën ta vazhdojnë sërish rezistencën.
Pastaj filloi lufta guerile: duke u ngjitur në shkrepat gjithnjë e më të ashpra, në pyjet alpine, nëpër shkretinat shkëmbore deri në fushat e largëta të borës së pellgut ujëmbledhës, duke “bërë”, sipas këshillës së Garibaldit, një Trentino “shqiponjash”. Malësorët nuk pushuan së ngacmuari armikun fitimtar. Shqiptari luftoi me pushkë dhe nuk kishte nevojë për topa, siç mëson Evropa. Me një kore bukë, me gjysmë opinge – luftoi natën në dritën e hënës; — luftoi edhe në zemër të errësirës… Vëllezër janë dhe si vëllezër e kalojnë jetën”, kështu thoshte një këngë e asaj kohe.
Marshimi i paepur i armikut po mbyllej, kolona e Ethem Pashës që kthehej nga Kosova, pasi kishte tentuar disa herë më kot të kalonte në qafat e Selcës, u palos drejt Vuklit dhe në luftimet e fillim qershorit dhe arriti të bashkohej me ushtrinë e Turgutit. duke i prerë plotësisht kryengritësit nga pjesa tjetër e Shqipërisë, në afërsi të kufirit jugor të Malit të Zi.
Aty, që përfshiheshin deri në njëzet vullnetarët e fundit italianë, që as atëherë nuk deshën ta ngrenë flamurin malazez dhe protestuan në fytyrë të zyrtarëve të atij vendi: “Ai është mbreti juaj, jo i yni”, në çdo shenjë përkushtimi që do të janë shoqëruar me favore materiale shumë të mëdha.
Kjo ishte agonia: kishte zëra për negociata, armëpushime, një hap i Rusisë në Stamboll i kundërbalancuar menjëherë nga një nga ndërhyrje Gjermane në Cetinë. Këtu (më lejohet një vend për një kujtim personal) kur një mëngjes, të kampuar tek ura e Tamarës për një tentativë ekstreme në vijën turke, na zgjoi zëri i ashpër i oficerëve malazezë, që na bërtisnin të shkonim të dorëzonim armët tona pasi “paqja u arrit”.
Kryengritësit, të uritur dhe të lodhur, me familjet e tyre peng të bamirësisë malazeze, patën guximin të qëndrojnë edhe dyzet e tetë orë në pozitat e tyre, pa bukë, pa fishekë. Pastaj zbritën në Podgoricë dhe unë ende i kam në sytë e mi gojët e tyre të thara, të shpërfytyruara nga uria dhe ankthi, të cilat bërtisnin. duke na takuar ne italianët që ktheheshim nga malet në mbrëmjen e 3 gushtit, se na kishin tradhtuar, se nuk donim të ktheheshim në shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara nga turku, se “s’e lamë Evropën që të arrinte të kuptonte luftën e tyre.
Pas rreshtave të trupave, në sheshin e madh të kazermave të Podgoricës, çdo pamje e lirisë, pa diskutim ishte hequr; emigrantët shkodranë që mund të kishin ndriçuar bashkatdhetarët e tyre u dëbuan me forcë; udhëheqësit ende të prirur për rezistencë u rrëzuan ose u burgosën. Më 11 u nënshkrua një protokoll i paketuar mirë, me një klauzolë sekrete të bashkangjitur për kompensim në favor të Malit të Zi. Pak rëndësi ka, nëse këto shpresa më vonë u shuan dhe i dhanë një pretekst, ndër të tjera, edhe luftës ballkanike; por fiksuesit dhe biznesmenët që shpresonin për të ardhura bujare nga bonifikimi i liqenit, qenë ata që shpallën paqen malazeze. si tepër bujare për malësorët e mundur.
Pastaj nisi pastrimi i kampit nga shqiptarët; u ndërmor një gjueti e ashpër për kontrabandën e armëve dhe gazetave; burg dhe dëbim për shkelësit: nuk duhet folur më për çështjen shqiptare. Qeveria malazeze mori peng familjarët e krerëve të Dedë Gio Lulit, Gjin Nikës dhe Mehmet Shpendit, të cilët nuk mundën ta ringjallnin revoltën; megjithatë nëpërmjet besnikëve të tij Sokol Baci ai e mbajti Malësinë gjer në pranverën e vitit 1912, ndërsa i gjithë rrethi i Kosovës, pas një një sërë përplasjesh të suksesshme, hartoi në Shkup një plan autonomie shumë më organik se lëshimet e herëpashershme të Podgoricës. Në fakt, kryengritja fatkeqe e vitit 1911, në mos për asgjë tjetër, i shërbeu të paktën asaj: që të siguronte që koncesionet e dorëzimit, të përcaktuara me tyre si për palë të barabarta, të mbeteshin si një bazë ligjore për pretendimet e ardhshme autonomiste dhe të krijonte marrëveshje midis malësorëve kryengritës dhe agjitatorëve evropianë, duke dhënë mësim për të dyja palët nga zhgënjimi dhe domosdoshmëria supreme për të arritur ta bënin vetë Shqipërinë.
Emri të paktën i “qeverisë provizore” i nisur nga kalabrezo-shqiptari Terenc Toçi përballë mureve të vjetra të Lezhës, demonstratat e vonuara të mirditorëve, kërkesat e bëra për armë nga krerët shqiptarë të Epirit, agjitacionet e grupit kryengritës të kryesuar që nga Korfuzi nga Nikolla Ivanaj, dëbimet e shkaktuara, shërbyen për të demonstruar qëndrueshmërinë reale të çështjes shqiptare, në të gjithë tërësinë e saj, deri në vjeshtë.
Turqit, siç pritej, nuk i përmbushën kremtimet: asnjë shkollë kombëtare s’u hap, asnjë rrugë, asnjë zyrtar vendas për Shqipërinë e Epërme; dhe në Shqipërinë e Poshtme dhe Qendrore, me gjithë premtimet e Ministrit të Brendshëm Haxhi Adil Beut gjatë udhëtimit të tij elektoral, asnjë shkollë nuk u rihap, e nuk u ndreq asnjë padrejtësi.
Duke e kapur pushtetin në mënyrë spazmatike. në acarimin e luftës së gjatë në Tripoli, në Turqi Partia Bashkim dhe Përparim zhvilloi zgjedhjet e vitit 1912 me arrogancën më të pacipë, në mënyrë që të anulonte çdo mundësi diskutimi në parlamentin e ri. Shumë vonë edhe vetë kjo parti e kuptoi këtë gabim dhe u përpoq ta korrigjojë, duke lënë pak liri në zonat e thirrura për të votuar së fundi, e frikësuar dhe e penduar për mungesën totale të një valvule sigurie për pakënaqësinë e vendit.
Por qysh nga fillimi i majit 1912 në Kosovë dhe në Drinin e Bardhë, duke marrë si pretekst nga ardhja e disa inxhinierëve për të studiuar një linjë hekurudhore ushtarake nga Mitrovica në Pejë, revolta shqiptare rifilloi për të katërtën herë, nën udhëheqjen e krerëve të zakonshëm, por me drejtimin më të lartë tani të burrave ushtarakë e politikë, si kolonelëve Bajram Curri dhe Riza Beut, si ish-deputetëve Hasan bej Prishtinës, Nexhib bej Dragës të Shkupit, dhe Jahia Agës së Prizrenit e të tjerëve, të cilët të mundur në terrenin elektoral nga kandidatët e komisionit, më në fund i dhanë rrugë një uniteti drejtimi dhe një ndërgjegjësimi për qëllimet që u kishin munguar në të gjitha lëvizjet e mëparshme dhe që u shfaqën në memorandumin e Junikut, i karakterizuar qartë nga kërkesat: për një administrate të vetme për të gjithë Shqipërinë, nën një inspektor të përgjithshëm, me gjuhën zyrtare shqipe, me shkollën, ushtrinë dhe buxhetin e vet.
Epërsia e përkohshme e armëve nuk u vlejti turqve. Kryengritësit e lejuan veten të kapeshin, ndoshta nga një tradhtar, në Pejë nga mesi i qershorit, në një pritë mizore ku pothuajse dy mijë prej tyre u vranë dhe vetëm, disa qindra shpëtuan, duke u përplasur dëshpërimisht me unazën e hekurt të trupave osmane, duke rifituar numrat dhe vrullin e tyre në luftën malore. Në korrik, një rrethanë e papritur u erdhi në favor të tyre, erdhi lajmi se një grup oficerësh shqiptarë të garnizonit të Manastirit, që i përkisnin partisë së Antantës Liberale, të ftuar të lëviznin kundër kryengritësve u hodhën në të kundër, duke refuzuar të shkojnë të luftojnë kundër vëllezërve të tyre, dhe duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë xhonturke. Kështu ata rinovuan taktikat e revolucionit të 1908-ës: dhe ashtu si atëherë trupat e Selanikut bënë kauzë të përbashkët me ta; dhe qeveria e Stambollit ndryshoi.
Më pas, nga kalimet e pambrojtura të pellgut ujëmbledhës, ushtria e malësorëve shqiptarë u përhap në rrafshin e Kosovës, mori Prishtinën dhe pothuajse pa gjuajtur një të shtënë pushtoi Shkupin, të udhëhequr edhe një herë nga luftëtari legjendar Isa Buletini. I cili pasi pushtoi qytetin, nuk kreu asnjë dhunë, gjë që ishte e admirueshme në sytë e korrespondentëve evropianë, për rendin që mundi të vendoste dhe ta ruante atje. Nga Shkupi ku ai vendosi ligjin: ai donte nga Turqia pranimin e memorandumit të Junikut; dhe meqenëse qeveria e zvarriti, ai kërcënoi të ngrinte në këmbë të gjithë Maqedoninë, të zbriste deri në detin Egje gjer në Selanik. Të gjitha kërkesat e tyre atëherë, përveç njërës, u pranuan dhe kryengritja u shpërbë dhe u kthye në shtëpi me armët e mbushura, paqësisht.
Pra, për dy muaj, pra nga gushti deri në tetor 1912, e gjithë Shqipëria gëzonte, të paktën ligjërisht, një autonomi të madhe të fituar me aq shumë vështirësi, dhe njerëzit më të mirë të saj që po përgatiteshin të korrnin frytet, me pëlqimin besnik të qeverisë së Said Pashës, kur një vorbull e papritur erdhi për t’ua prishur planet e tyre, edhe një herë, që nga themelet.
Shtetet ballkanike e kuptuan se pushtimi i shumëpritur i Shqipërisë do t’u ikte nga duart, se provincat turke të Evropës do të çliroheshin pa pasur nevojë për ndërhyrjen e tyre; dhe pa vonesë u hodhën në sulm, kështu Mbreti Nikolla para kujtdo tjetër, hodhi zarin e luftës, pavarësisht nga zhgënjimi i paqes së afërt të Lozanës.