
Xheladin Zeneli/
Në vitin 2020 ndodhi ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi, kur pas qeverisjes tredekadëshe të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), me në krye Millo Gjukanoviqin, pushtetin e morën subjektet politike të një krahu tjetër politik, të cilat deri në atë kohë ishin parti opozitare. Ndërsa nga viti 2023 pushtetin në Mal të Zi e udhëheq lëvizja “Europa Tani”, bashkë me disa subjekte (parti) të tjera me orientime proserbe dhe proruse, të cilat përbëjnë shumicën parlamentare. Këtu përfshihet edhe kryetari aktual i Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili është përkrahës i hapur i të ashtuquajturës “Bota Serbe” (lexo: Serbia e Madhe).
Gjithashtu, gjatë këtyre pesë viteve të fundit ka pasur ndryshime brenda spektrit politik të pushtetit ekzistues, si ndërrime të kryeministrave, rikompozim të qeverisë së Malit të Zi etj., por ajo që nuk ka ndryshuar është ksenofobia ndaj shqiptarëve në këtë shtet.
Sipas ngjarjeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit, fitohet përshtypja se sentimentin proserb dhe prorus në Mal të Zi po e ndjejnë më shumë se askush tjetër shqiptarët autoktonë të këtij shteti. Lidhur me abuzimin, keqtrajtimin dhe ndjekjen penale të tyre për shkak të përkatësisë nacionale nga ana e autoriteteve shtetërore, dëshmojnë ngjarjet kronologjike që do t’i radhisim më poshtë, të cilat kanë ndodhur gjatë këtij viti, por edhe gjatë tre-katër viteve të mëparshme, dhe që janë raportuar nga mediat në gjuhën shqipe dhe ato malazeze:
Në shtator të këtij viti, një person me përkatësi shqiptare është proceduar dhe ndëshkuar në stacionin e policisë në Ulqin për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar në pronën e familjes së tij. Ky veprim i policisë është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare, i cili garanton qartë të drejtën e qytetarëve për të përdorur lirshëm simbolet kombëtare si në hapësira publike ashtu edhe në ato private;
Sulmi i huliganëve sllavo-malazezë ndaj shfaqjes së filmit artistik në gjuhën shqipe “Lejleku”, në një festival që u mbajt në Podgoricë më 3 shtator 2025, është dëshmi tjetër e urrejtjes ndaj elementit shqiptar në Mal të Zi;
Një shtetas shqiptar nga Kosova, në tetor të këtij viti, është dënuar me 10 ditë burg në Mal të Zi, pasi pranoi se kishte shkruar grafitin me shkronjat “UÇK”. Përveç kësaj, ndaj tij u vendos edhe masa mbrojtëse e dëbimit njëvjeçar nga territori i Malit të Zi. Ky rast ka ngjallur reagime në opinion, pasi ndër vite, në qytete të ndryshme të Malit të Zi, shkruhen grafite fyese dhe provokuese, kryesisht kundër shqiptarëve, por nuk dihet për ndonjë rast kur autorët e tyre janë arrestuar dhe dënuar me burg. Nuk mund të flitet këtu për krahasim të shkrimit të fjalës “UÇK” me shkrimet shoviniste serbo-sllave ndaj shqiptarëve;
Sulmi i dhunshëm ndaj tre shtetasve shqiptarë, vitin e kaluar (janar 2024), në afërsi të qytetit të Herceg Novit, në Mal të Zi, me ç’rast atyre iu shkaktuan lëndime të rënda fizike, ndërsa autorët e këtij akti urrejtjeje ende nuk janë sjellë para drejtësisë;
Në shtator të vitit 2024, në rrugën Tuz–Bozhaj, u bë bllokimi i rrugës pranë pikës kufitare Bozhaj–Hani i Hotit nga protestues që mbanin flamuj të Serbisë dhe mesazhin provokues “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vlen të përmendet se në këtë protestë ishte e pranishme policia e Malit të Zi, e cila as që tentoi të ndalonte valëvitjen publike të këtij mesazhi;
Po ashtu, në shtator të vitit të kaluar, pas ndeshjes së futbollit Deçiqi–Buduqnost (siç informon Malësia.org), rreth 40 automjete me tifozë nga Podgorica, në kthim pas ndeshjes, duke kaluar nëpër qendrën e Tuzit, provokuan me fyerje dhe sharje vendasit shqiptarë në baza nacionale, ndër të tjera duke thirrur “Srbija… Srbija”. Thuhet se pati disa automjete të dëmtuara dhe huliganët e ardhur nga Podgorica nxitën dhe shkaktuan përleshje fizike me vendasit shqiptarë;
Keqtrajtimi i dy shtetasve shqiptarë në pikën kufitare Sukubinë–Muriqan në vitin 2023 nga ana e policëve malazezë, me ç’rast u rrah edhe pedagogu Petraq Milo nga Shqipëria, i cili gjendej në automjetin e tij të udhëtimit;
Në shkurt të vitit 2021 ka ndodhur sulmi me gjuajtje gurësh ndaj një autobusi, brenda të cilit ndodheshin turistë nga Kosova. Ngjarja ndodhi në ditën e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pranë qytetit të Beranës, në Mal të Zi. Edhe kësaj here policia malazeze ishte vetëm rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes, por nuk reagoi. Ky nuk ishte sulmi i parë i tillë ndaj autobusëve me turistë nga Kosova që vizitojnë Malin e Zi.
Kur të gjitha këtyre rasteve të lartpërmendura u shtohet edhe fakti se shpeshherë, gjatë ndeshjeve sportive ndërmjet ekipeve malazeze dhe shqiptare, në tribunat e stadiumeve dëgjohen brohoritje për vrasjen e shqiptarëve dhe thirrje të tjera raciste kundër tyre, fitohet një pasqyrë e qartë e nivelit të urrejtjes patologjike dhe shovinizmit sllavo-malazez ndaj një populli tjetër, pra ndaj shqiptarëve.
Autoritetet shtetërore dhe qeveritare përpiqen t’i kategorizojnë këto ngjarje si “incidente të izoluara”, por në fakt, për shkak të përsëritshmërisë së tyre, ato janë akte të paramenduara urrejtjeje. Në një shoqëri të tillë, ku shteti ligjor i Malit të Zi nuk vepron, shqiptarët me të drejtë e ndiejnë veten të pambrojtur, të kërcënuar dhe të rrezikuar.
Vazhdon diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve dhe qëndrimet anti-Kosovë
Gjatë viteve të fundit kanë ndodhur veprime anti-shqiptare me përkrahje institucionale:
Në shtator të këtij viti, Qeveria e Malit të Zi ka dhënë miratimin për vendosjen e monumentit të mitropolitit klero-nacionalist Amfilohije Radoviq në qytetin e Kollashinit, ndërsa në afërsi të qytetit të Beranës u bë përurimi i përmendores së komandantit çetnik Pavle Gjurishiq;
Një muaj më parë, pra në gusht të këtij viti, me një vendim të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, pushteti lokal i Gucisë zbatoi urdhrin për heqjen e monumentit të heroit kombëtar të kësaj zone, Isuf Çelaj, në fshatin Vuthaj;
Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronësisë Shtetërore të Malit të Zi, kohë më parë, ka pranuar propozimin e Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit (MCP) që lokacioni në majën e Rumisë, ku në vitin 2005 u vendos në mënyrë të paligjshme një konstruksion metalik në formë kishe, të përfshihet në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës së Tivarit si vend për objekte fetare, shkruan e përditshmja malazeze Vijesti, transmeton Ulqini Online;
Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, më 9 tetor 2024 ka marrë iniciativën për rikthimin e logos së dikurshme të Banovinës së Zetës, e cila ka funksionuar si autonomi e Mbretërisë Serbe të Karagjorgjeviqëve, si logo zyrtare të Kuvendit malazez. Ky veprim përbën një ofendim për popujt pakicë dhe një vendim antikushtetues, pasi Mali i Zi është shtet multinacional;
Në shtator të vitit 2024, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka pritur në një takim ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, Nebojsha Rodiq, ku si temë diskutimi ka qenë edhe Kosova. Në njoftimin zyrtar të këtij takimi, të publikuar në faqen zyrtare të parlamentit malazez, institucionet e Republikës së Kosovës janë cilësuar si “institucione të përkohshme”, pavarësisht faktit se Mali i Zi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur më 9 tetor 2008;
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Millun Zogoviq, në tetor të vitit 2024, deklaroi për televizionin “Aplus” se Kosova është “krahinë jugore” e Serbisë;
Kryetari i Komunës së Pljevljes, Dario Vranesh, në mars të vitit 2024, pas një ftese të Qeverisë së Kosovës, refuzoi të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë, duke deklaruar: “I ashtuquajturi shtet i Kosovës nuk ekziston, është krahina serbe e Kosovës dhe Metohisë”;
Së fundi, nuk duhet harruar aksioni policor ndaj kultivuesve të duhanit në Krajë, në qershor të vitit 2023, ku përmes një urdhri arbitrar iu mor djersa, mundi i punës dhe burimi kryesor i jetesës së banorëve të paktë që jetojnë sot në këtë zonë. Ky akt nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si një formë e ushtrimit të presionit ekonomik ndaj popullsisë vendase shqiptare, me synim shpërnguljen dhe shpopullimin e mëtejshëm të kësaj treve. Ndërkohë, Mali i Zi po ndjek në mënyrë intensive rrugën drejt integrimeve evropiane dhe qeveria e këtij vendi njofton kohët e fundit për mbylljen e pesë kapitujve negociues në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mali i Zi mund të jetë afër anëtarësimit në BE, por është shumë larg në aspektin e respektimit të të drejtave nacionale të shqiptarëve, ushtrimit të tolerancës dhe eliminimit të ksenofobisë etnike ndaj tyre, si dhe të qëndrimeve proserbe dhe proruse të disa përfaqësuesve të institucioneve malazeze ndaj Kosovës.