
Kristaq Balli/
Mandolinata “Dodona” ka qenë një nga formacionet e shumta orkestrale të krijuara dhe të drejtuara nga një prej muzikantëve të parë shqiptarë në Boston të SHBA në vitin 1915-16, Thoma Nassi (Nashi) me origjinë nga Dardha e Korçës. Këto formacione interpretonin kryesisht melodi të etnosit shqiptar dhe shërbenin si ura lidhëse midis kulturës tradicionale shqiptare dhe emigrantëve të SHBA-ve për të mbajtur gjallë traditat, mallin dhe kulturën kombëtare, kryesisht me theks patriotik e atdhetar, duke dhënë koncerte në Boston dhe qytete të tjera, sidomos aty ku kishte degë të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Prej modulesh të tilla muzikore lindi më pas Banda Kombëtare “Vatra”, që zhvilloi një aktivitet të gjerë muzikor në SHBA dhe në Shqipëri.
Koncerti i Mandolinatës “Dodona” në Southbridge, Ma. më 7 Mars 1918, nën kujdesin e Federatës Vatra (Degës Southbridge) dhe në favor të Kryqit të Kuq Amerikan, shoqërohej me një broshurë , ku paraqitej programi i koncertit. Ndryshe nga herët e tjera në këtë koncert do të interpretoheshin pjesë muzikore orkestrale të kompozuara nga autorë të përbotshëm si A. Hadley, H.F.Odell, J.Leyback, Bucher, Passard, A. Boieldieu, E. Gillet, C. Pflueger dhe Thoma Nassi me kompozimin e tij orkestral “Fantazi Shqiptare”. Mandolinata, veç veglave të telit (violinë, kitarë, mandolinë, mandola, çelo) kishte edhe piano, bass, flaut, trompë, etj. Çka do të thotë se ajo ishte më shumë se një formacion mandolinate, le të themi një miniorkestër simfonike, ëndërr e cila do të realizohej plotësisht nga Thoma Nassi në Korçë, në vitin 1924.
Së fundi, ai që i shtoi vlerat koncertit ishte botimi në faqen 1 dhe 2 të guidës së programit i fjalimit retorik të shkruar (në anglisht) nga Fan. S. Noli, “ Shqipëria dhe Lufta”, që u lexua në fillim të koncertit të cilin po e hedhim të përkthyer në gjuhën shqipe më poshtë.
SHQIPЁRIA DHE LUFTA
Nga REV. F. S .NOLI A. B.
PRESIDENT I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA” (The Hearth)
Shqipëria shtrihet në bregdetin lindor të Detit Adriatik, pikërisht përballë Italisë, ka Malin e Zi në Veri, Serbinë në Lindje dhe Greqinë në Jug. Edhe pse e panjohur për publikun e gjerë amerikan, ajo është një nga trofetë më të lakmuara të luftës në të gjithë Evropën. Kjo për arsye të pozicionit të saj strategjik. Shqipëria komandon hyrjen në Detin Adriatik. Ky është shkaku pse ajo ka qenë për tridhjetë vitet e fundit dhe, veçanërisht, gjatë kësaj lufte, kocka e grindjes midis Austrisë dhe Italisë nga njëra anë dhe shteteve fqinje të Ballkanit nga ana tjetër.
Shqipëria u shpall një shtet sovran dhe i pavarur nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Një muaj pas shpërthimit të kësaj lufte ajo u pushtua nga ushtritë e Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Italisë, pa asnjë ftesë ose provokim. Në kohën e tanishme, Shqipëria Veriore dhe Qendrore është në zotërim të Austrisë dhe Bullgarisë, ndërsa Shqipëria e Jugut është e pushtuar nga italianët dhe francezët. Shqipëria ishte një shtet neutral kur shpërtheu lufta dhe është ende i tillë, të paktën në teori, por ajo ka pushuar së ekzistuari politikisht në vjeshtën e vitit 1914.
Shqiptarët shpresojnë që pavarësia e tyre do të rikthehet nga Kongresi i ardhshëm i Paqes. Aleatët janë zotuar mbi të drejtën e kombësive të vogla për vetëvendosje. Presidenti Willson e ka theksuar këtë herë pas here në fjalimet e tij të famshme të luftës. Dhe të gjithë e dimë se kjo luftë do të përfundojë me një fitore amerikane dhe në një triumf për demokracinë botërore.
Shqiptarët janë raca më e lashtë e Evropës. Ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve dhe maqedonasve të vjetër. Ata i dhanë botës tre burra emrat e të cilëve shënojnë një epokë në historinë njerëzore. Konstandini i Madh, perandori i parë i krishterë që vendosi krishterimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake, ishte një shqiptar. Shën Jeronimi, i cili përktheu Biblën në Latinisht, ishte një shqiptar. Gjergj Kastrioti Sënderbeu, mbreti i fundit i Shqipërisë dhe një nga kampionët më të mëdhenj të krishterimit, luftoi fitimtar kundër turqve për një çerek shekulli nga tmerret e pushtimit turk. Ky hero i madh kombëtar i Shqipërisë u këndua nga poeti i madh amerikan Henry Wadsworth Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”(Rrëfimet e Hanit Buzë Rrugës). Shqiptarët fare mirë mund të sfidojnë çdo komb të madh apo të vogël për të dhënë listën e tyre të tre burrave që kanë bërë për krishterimin më shumë sesa këta tre shqiptarë.