


Intervistoi Editori i Diellit: Sokol Paja/
Marçeza Kotoni, një tjetër bashkatdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës që synon një post të rëndësishëm politik në Massachusetts. Ajo kandidon për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 në Boston. Me një platformë elektorale që fokusohet te ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje dhe me synimin e qartë për të mbështetur projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit, Marçeza Kotoni përbën një model guximi, krenarie, përfaqësimi dhe suksesi për të gjithë shqiptarët në Boston e më gjerë. Marçeza Kotoni ka studiuar master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe ka një eksperiencë frymëzuese si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore.
PLATFORMA ELEKTORALE: NDERSHMËRI, DREJTËSI SOCIALE DHE PËRFSHIRJA E ÇDO ZËRI NË VENDIMMARRJE
Platforma ime fokusohet tek ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje. Jam kundër projekteve që dëmtojnë komunitetin, si fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut në 100 Justin Drive, dhe luftoj që komuniteti të dëgjohet dhe të ketë vend në tryezën e vendimmarrjes. Zotohem të mbroj shëndetin publik, cilësinë e jetës, si dhe interesat e familjeve të zakonshme sepse besoj se politika duhet të jetë e hapur, transparente dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të një grupi të privilegjuar.
ANGAZHIMI POLITIK NË DISTRIKTIN 8 NË CHELSEA: ZËRI I KOMUNITETIT PRIORITETI KRYESOR
Jam shumë e angazhuar në Distriktin 8 në Chelsea, aty ku jetoj, jam aktive dhe kam ndërtuar marrëdhënie të forta me fqinjët. Fokusi im është në ndalimin e projekteve të rrezikshme, siç është fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë. Politika ime është e pavarur, pa lidhje me parti të mëdha, pasi besoj se zëri i komunitetit duhet të jetë prioriteti kryesor. Ftoj gjithë komunitetin shqiptar t’i bashkohet kësaj nisme për të pasur përfaqësuesin e vet në tryezë, për të qenë zëri i fuqishëm që ka munguar për një kohë të gjatë në Chelsea.
SUKSESI BAZOHET TEK PËRFSHIRJA E KOMUNITETIT, MBËSHTETJA MORALE DHE PRAKTIKE
Kandidatura për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 është një mundësi shumë e rëndësishme për të sjellë ndryshimin e duhur. Ky pozicion vendos për projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit. Suksesi im bazohet tek përfshirja e komunitetit, mbështetja morale dhe praktike që kam marrë nga fqinjët, dhe puna e vazhdueshme për të qenë gjithmonë transparente dhe e hapur ndaj të gjitha shqetësimeve të tyre.
“NDER DHE PËRGJEGJËSI”, NJË SHQIPTARE KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË CHELSEA DISTRIKTI 8 NË BOSTON
Të qënët shqiptare që kandidon për një rol kyç publik është nder dhe përgjegjësi. Ndihem thellësisht e lidhur me rrënjët, vlerat, guximin dhe solidaritetin tonë si popull. Kam një ndjeshmëri të thellë për të gjitha familjet emigrante që kanë sakrifikuar për një jetë më të mirë, dhe dua të jem zëri i tyre. Dua të siguroj që asnjë grua apo njeri me prejardhje të huaj të mos ndjehet i trajtuar pa barazi dhe respekt në komunitet.
MOTO E FUSHATËS: ÇDO ZË KA RËNDËSI DHE VENDIMI DUHET TË JETË REZULTATI I DËSHIRAVE TË KOMUNITETIT
Fushata po ecën me entuziazëm dhe mbështetje të gjerë, megjithëse është ende në hapat fillestarë. Strategjia ime është komunikimi i hapur, takimet ballë-për-ballë, dëgjimi aktiv i çdo anëtari të komunitetit dhe transparencë e plotë. Synoj që edhe elektorati gri, ata që janë të paangazhuar, të ndihen të informuar dhe të përfaqësuar. Motoja ime: çdo zë ka rëndësi dhe vendimi duhet të jetë rezultati i dëshirave të komunitetit.
KUSH ËSHTË MARÇEZA KOTONI?
Kam përfunduar studimet master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe kam punuar në zyrën politike të OSBE-së në Shqipëri. Përveç kësaj, kam përvojë të gjerë si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore, duke kontribuar në mbrojtjen e standardeve demokratike. Karrierën e kam ndërtuar edhe në fushën e shërbimeve sociale dhe jam aktiviste për të drejtat e njeriut, duke shërbyer si anëtare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Qytetin e Chelsea. Adhuroj librat si dhe natyrën. Motoja ime: Fairness matters – Drejtësia ka rëndësi. Çdo njeri meriton të dëgjohet.
HISTORIA E EMIGRIMIT NË USA
Në SHBA kam ardhur fillimisht si studente, falë një burse Fulbright, për të ndjekur studimet në NYU. Pas diplomimit, u ktheva në Shqipëri, dhe disa vite më vonë vendosa të rikthehem në SHBA si emigrante. Si grua dhe emigrante, rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, ndaj ndihem me fat që banoj në Chelsea, një qytet i ndërtuar nga dhe për komunitetin e emigrantëve. Pjesa tjetër e familjes sime, me rrënjë të thella në kulturën dhe traditat tona, jeton ende në Shqipëri, tërësisht e integruar në jetën dhe komunitetin atje, pa plane për t’u larguar.
@followers@top fans