
Alfons Grishaj/
Sipas mendimit tim (pa cituar gjërat e stërpërsëritura), filozofia lindi nga mendimtarë që kurrë nuk u kënaqën me njohjen sipërfaqësore, e cila nuk i plotësonte nevojat e së tashmes dhe të së ardhmes. Praktika dhe vetëdija hapën portat e misterit, duke e prekur njohjen me dorë, ashtu si vjelësi i frutave që zgjat dorën për të zgjedhur frutat e pjekura. Pyetjet “pse” dhe kërkesat filluan të merrnin përgjigje dhe formë. Kështu, njeriu u shkëput nga shabllonizmi dembel i zjarrit dhe i çatisë. Trajta logjike iu përgjigj nevojës dhe dëshirës, duke pasuruar progresin e mendimit dhe të jetesës.
Zanafilla
Me Talesin e Miletit fillon filozofia perëndimore (pa hyrë në hemisferat e filozofisë lindore etj.). Ai ishte ekzemplari i parë logjik që u shkëput nga standardet mitologjike dhe legjendat grafike, duke ushqyer empirizmin. Talesi, racionalisti i parë, hapi rrugën e zhvillimit të një mendimi ndryshe, duke kërkuar pandërprerë zanafillën e gjërave përmes natyrës. Si paraprijës i filozofisë analitike, ai mendonte se uji ishte elementi kyç i bazës së ekzistencës së gjithçkaje përreth. Talesi kujtohet për thënien e famshme: “Të gjitha gjërat janë të mbushura me zota”. Ai pati meritën e themelimit të Shkollës Milesiane.
I fundit i kësaj shkolle ishte Anaksimeni i Miletit, i cili njihet si pionieri i parë i materializmit. Anaksimeni kishte të drejtë kur thoshte: “Ajri është burimi i gjithçkaje”. Ai e quante ajrin të shenjtë (panteizëm), por u nxitua kur pretendonte se “ajri krijoi format hyjnore, zotat dhe gjithçka tjetër”. Megjithatë, ndërgjegjja e tij krijoi hapësirë frymëmarrjeje dhe jo monoksid karboni, siç shpërtheu shekuj më pas nga mendja filozofiko-diabolike e Marksit, e cila nuk përkon askund me Filozofinë Morale të mëvonshme, edhe pse ai u përpoq ta shiste filozofinë e tij si të tillë.
Siç dihet, Filozofia Morale (që unë e kam shumë për zemër) shpjegohet kështu: nëse ndonjë fushë e filozofisë pretendon të jetë “praktike”, ajo është filozofia morale. Ajo prek çështje emocionale dhe të diskutueshme të jetës. Ndërsa filozofët janë shqetësuar për të zbuluar se si duhet të jetojmë, filozofia morale kuptohet më së miri si përpjekja për të menduar në mënyrë kritike (jo dhunuese) dhe reflektive rreth së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes. “Treshja e Madhe” Sokrati, Platoni dhe Aristoteli mbetet shkolla themelore e zhvillimit dhe kultivimit të virtytit: drejtësisë, logjikës, kurajos dhe zgjuarsisë. Ata ishin dekoruesit e filozofisë morale.
Manifesti i Partisë Komuniste dhe materializmi dialektik
“Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni! Nuk keni asgjë për të humbur përveç zinxhirëve tuaj.” Se ku ishin këta zinxhirë, vetëm ata e dinin. Pikërisht këtu fillon sofistika hipokrite e materializmit dialektik: pamfleti politik i urrejtjes klasore, i shpronësimit, i dekulturizimit borgjez, i demonizimit të Zotit etj. Materializmi dialektik i Karl Marksit dhe Friedrich Engelsit shtron përpara lexuesit ligjin e parë të dialektikës marksiste: “Uniteti dhe konflikti i të kundërtave” (filozofi hegeliane), i cili në gjuhën marksiste përkthehet si: “Lufta (jo konflikti) midis të kundërtave nxit zhvillim, ndryshim dhe, në shumë raste, progres”. Ky konsiderohet ligji i parë i materializmit dialektik.
Marksi plagjiator
Marksi pranoi hapur se filozofia e tij ishte një përmbysje e Hegelit: “Filozofinë e Hegelit, që ishte me kokë poshtë, e ktheva me kokë lart”. Ai përvetësoi citate të autorëve të tjerë pa referencë të qartë. Shprehja “Homo sum: humani nihil a me alienum puto” i përket Terencit (165 p.e.s.), ndërsa “De omnibus dubitandum est” i përket Kierkegaardit, jo Marksit,etj…
Marksi “playboy” dhe gruaja e fortë
Marks, si njeri i “varfër” (siç thonë dijetarët e internetit), kishte shërbyese. Madhështia dhe “morali i tij i madh” e lejoi të flinte me shërbyesen. Tradhtia ndaj gruas solli një situatë të vështirë mes Xhenit dhe tij. Sidomos kur ajo mësoi se Marksi bëri një fëmijë me shërbyesen e shtëpisë, Helen Demuth. Megjithatë, Xheni ishte një grua e zgjuar dhe e fortë, prandaj ia mbuloi aferën “derrit të egër”. Për të gjithë ishte e qartë kush ishte mburoja dhe mëkatari. Gratë e forta kanë një zgjuarësi protective-superiore të lindur,që në raste flagrante sakrifikojnë në mbrojtje të familjes deri në sublimitet. Prandaj gruaja e fortë, krijon kullën e fildishtë, ku përkund breza të zotë dhe të zgjuar. Marks si gënjeshtar dhe manipulator u justifikua tek e shoqja, sikur Engels kish shkuar me të…Dhe Engels, për të shpëtuar nderin (e panderë) mikut tij, e mbajti këtë barrë të rëndë dhe atësinë e fëmijës, Frederik Demuth, deri në vdekje. Po, a mbulohet dielli me shoshë-thotë populli? Jo!
Për të gjithë ishte e qartë, kush ish mburoja dhe mëkatari.
E vërteta kontradiktore e Marksit
Mendimtarët patën mundësi të thonë fjalën e tyre që nga Talesi, Derrida, Julia Kristeva, deri te neo-marksisti slloven Žižek.Sigurisht, filozofia pati zig-zaket e veta, por “Derri i egër”, siç e quante Xheni të shoqin, ishte ndryshe, ai ngjante si dy pika uji me 666-n te Libri i Zbulesës. Padyshim, në kohën kur u shkrua Manifesti, bota ishte e kufizuar në zhvillim industrial dhe dije, prandaj manipulimi dhe demonizimi i masës ishte i lehtë. Vetë rrethanat e shekujve kishin krijuar një shkëputje, një disproporcion midis pronarëve dhe punëtorëve. Megjithatë, çfarë kuptimi do të kishte sikur të gjithë të ishin të barabartë? Sikur të gjithë të ishin të pasur, kush do të punonte? Anasjelltas, nëse të gjithë do të ishin punëtorë, kush do të ishte punëdhënësi? Sikur të gjithë të ishin engjëj, kush do të ishte taksambledhësi?
Marksi e njohu dobësinë e vet dhe urrejtjen e tij ndaj të pasurve e hodhi në letër si zaret në tavolinën e një kazinoje të madhe, ku dobësia e çastit krijon shpresë të rreme. Ai krijoi instrumentin-njeri, proletarin sipas formës së vet, duke e lëshuar si mekanizëm lërues nën thirrjen “këpusni vargonjtë”, kur ata ishin qytetarë apo fshatarë të një bote të lirë. Pa e kuptuar, proletari i frymëzuar ra në grackën e skllavit politik dhe u bë njëkohësisht i varfër i përjetshëm, ku prona u kthye në mollë të ndaluar, qoftë edhe një kasolle.
“Feja është opiumi i popullit” ishte thirrja për të verbuar besimin dhe shpresën e një kujdesi hyjnor që disiplinon, ruan familjen, ngushëllon dhe frenon dëshirat mëkatare. Finalja ishte zvetënimi i Krijuesit dhe i sakrificës së Tij.
Marksizmi si filozofi dhe praktikë vdiq, por fantazma e tij vegjeton. Ai ende studiohet nëpër shkolla si mendim ndryshe që tronditi civilizimin botëror. Sigurisht, studiohet, përhapet e respektohet edhe nga njerëz të spitalit të tij institucional, që ende u ka mbetur ora atje, të cilët evokojnë dhe ruajnë rrënojat e “civilizimit marksist”. Shembull është edhe neo-marksisti Mondani, që shoqërohet nga “të varfërit liberal” që posedojnë miliona, por nën flamurin fantazmorik të Marksit. Ata nuk e kanë idenë që marksizmi nuk mund të implementohet në Amerikë, në vendin që kushtetuta amerikane dhe monedha e saj janë të printuara në emër të Zotit: “In God We Trust”. Pra, ky është Marksizmi i errësirës, që edhe nëse ke sy, t’i verbëron.
Filozofia politike marksiste mbeti vegël e rënë përdhe, instrument i dobët i manipulatorëve të logjikës regresive. Kurse filozofia kapitaliste është në “Qiellin e Gjashtë”, atë qiell që na sjell Enoch. Por për të shkuar atje duhet të kalosh disa qiej, nëse ke shans purifikimi dhe faljeje. Krahasimi im për kapitalizmin dhe marksizmin është ky: kapitalizmi është si Honey Badger, ndërsa marksizmi si Black Mamba, që sado që kjo e fundit ta pickojë Honey Badger, krijesa misterioze pas turbullirës së helmit kthehet dhe përfundon drekën e shijshme, e ha atë.
Das Kapital nuk i solli civilizimit ndonjë mendim të kualifikuar matematik-shkencor, dhe ky nuk është mendimi im, por i gjithë matematicienëve shkencëtarë në Perëndim. Gjithashtu, Marksi, edhe pse e nisi rrugën si poet, nuk ndriti me ndonjë specifikë ekstra në fushën poetike si shkencë. Përkundrazi, në disa poezi që ka shkruar (që unë fatkeqësisht i kam lexuar origjinal), kritikët e quajnë të akullt, pashpirtë, mekanik dhe materialist. Ai mbeti eseist dhe gazetar, por jo filozof i ndritur që t’i shërbente njerëzimit me dashuri. Filozofia e tij ishte thellësisht politike dhe e mbushur me urrejtje klasore. Ai frymëzoi “lumpenproletariatin” (dhe jo proletariatin siç thoshte ai), kundër qytetërimit dhe prodhoi një sëmundje ideologjike që përfshiu një të tretën e planetit, që ishte më shkatërrimtare se lufta e dytë botërore, e barabartë me “Black Death”!