
Në datën 25 Maj 2025 artdashësit e Torontos ndoqën edicionin e 11të të Marlee’s Got Talent. MGT është një spektakël fëmijësh e të rinjsh, 4 deri 18 vjec. Organizohet çdo vit vullnetarisht nga themeluesja dhe drejtuesja artistike, Ina Xoxa, në bashkëpunim me prindërit, sponsorët, kontributorët si dhe me ish anetaret e MGTsë që tashmë të rritur rikthehen të ndajnë përvojën e tyre në koreografi si Olivia Xoxa, Doreen Shtylla, Alysa Dedelli, Amanda Doku dhe Eisela Aliaj etj dhe në fotografi, Anthony Shtylla. MGT është një aktivitet komunitar ku punohet me pasion për të përçuar te fëmijët një repertor folklorik të zgjedhur ku përfshihen këngë, valle, recitime, minidramatizime etj. Fëmijët punojnë në grupe ku mësojnë koreografinë, ndihmojnë njëri tjetrin dhe krijojnë eksperienca e miqësi të reja. Anëtarët e MGTsë si Elia Pasha, Eralba Hajdaraj dhe Eva Shtylla me aftësitë e tyre në leadership ndihmojnë anëtaret e rinj duke e transformuar MGTnë në një qendër ku udhëheqës jane vetë fëmijët. Ata e cilësojnë MGTnë si shkollën e tyre dhe punojnë të motivuar për tu paraqitur sa më mirë në koncert.
Qëllimi i MGTsë është që arkivën e koncerteve në vite, mundësuar nga filmimet e të gjitha shfaqjeve që në MGT1 nga Pasyra Shqiptare, ta ndajnë me të gjithë fëmijët e diasporës shqiptare nëpërmjet rrjeteve sociale dhe youtube. Në të njëjtën kohë kjo arkivë e pasur eshte një koleksion performancash ku MGTs mund të rikthehen në të ardhmen për tjua mësuar edhe fëmijëve të tyre. Një tjetër qëllim i rëndësishëm i MGTsë është të modelojë e të nxisë punën vullnetare në komunitet, të lidhemi dhe të ndihmojmë njëri tjetrin. Është kënaqësi te shohësh se me sa pasion dhe këmbëngulje punojnë drejtuesit, prinderit dhe fëmijët vetë. Dita e koncertit është një festë e vërtetë komunitare. Festohet përfundimi me sukses i programit të zgjedhur dhe të gjithë jane të lumtur per kontributin e tyre në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare.
Photo credits: Ardi & Anthony Shtylla